VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BILL CLINTON NË KRYE TË OFENSIVËS PËR NJOHJEN E KOSOVËS
E Martë, 06.08.2010, 01:07pm (GMT1)

BILL CLINTON NË KRYE TË OFENSIVËS PËR NJOHJEN E KOSOVËS


Voal-online -Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një ofensivë diplomatike për njohjen e Kosovës, në të cilën është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

Siç raporton agjencia e lajmeve FoNet, duke u mbështetur në burimet diplomatike, një sektor i tërë i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve i ngarkuar me çështjen e Kosovës gjendet në kryeqytetin e Perusë, Lima, ku ka nisur sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve të Amerikës (OAS).

"Në Lima mëngjesin e së hënës ka arritur edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili, siç thonë burimet diplomatike, është përfshirë drejtpërdrejt në lobim për njohjet e reja të Kosovës", raporton FoNet.

Ish-presidenti Clinton është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për Haitin, dhe në këtë cilësi ai ka kohë që merr pjesë në takimet e OAS-së dhe konferencat e ndryshme të kontinentit amerikan.     Në Limë ndodhet këto ditë dhe një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku.

Delegacioni i Kosovës qëndron në Limë me rekomandimin e SHBA-ve dhe me përkrahjen logjistike të Perusë, që është një nga vendet e Amerikës Jugore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në takimin e Limës merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i cili i ka thënë FoNetit se Serbia po përballet "me një sfidë të madhe, meqë shtete kaq të mëdha, me nivel kaq të lartë, po lobojnë për pavarësinë e Kosovës", duke iu referuar prezencës amerikane në Limë dhe ardhjes së ish-presidentit Clinton. Jeremic tha se Serbia po përpiqet të parandalojë ndryshimin e qëndrimit të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.