VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MITROVICË: PESË SHQIPTARË U PLAGOSËN RËNDË NGA SULMI I SERBËVE
E Premte, 06.11.2010, 07:24am (GMT1)

Pesë të rinj shqiptarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore të mërkurën në mbrëmje pasi u sulmuan fizikisht nga një grup të rinjsh serbë në një lagje të banuar me popullatë të përzier në pjesën veriore të Mitrovicës.

Policia në Mitrovicë tha se besohet që sulmuesit kishin përdorur mjete të forta, përfshirë këtu shufra metalike, ndërsa njëri nga viktimat i kishtë thënë policisë se edhe një sopatë është vënë në përdorim nga ana e të dyshuarve.

Për shkak të lëndimeve të rënda trupore, viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Vushtrrisë dhe atë të Prishtinës.

"Pesë persona të dyshuar, të gjithë të përkatësisë etnike serbe, të moshës prej 17 deri 22 vjeç, janë identifikuar dhe arrestuar lidhur me rastin, ndërsa të njëjtit janë liruar pas deklaratave të dhëna në polici me vendim të prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it", thuhet në një njoftim të policisë.

Rasti është cilësuar nga autoritetet e rendit me motive të urrejtjes ndëretnike dhe po hetohet nga hetuesit policorë të sektorit për krime të rënda.

Incidenti është dënuar ashpër nga udhëheqësit shqiptarë të Mitrovicës. Komiteti për siguri i komunës thotë se "ai ishte shkaktuar me qëllim të destabilizmit të gjendjes dhe frikësimit të shqiptarëve, në mënyrë që edhe ata pak që kanë mbetur në lagjen Kodra e Minatorëve, të largohen nga atje".

Shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë në Mitrovicë që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999 dhe shumë herë ky qytet është bërë skenë e përleshjeve ndëretnike.

Në bazë të informatave të para të pranuara nga dëshmitarët e mundshëm lidhur me rastin, besohet se grupi i sulmuesve, që ishte i përkatësisë etnike serbe, i ka sulmuar viktimat me mjete të forta, përfshirë shufra metalike dhe sopatë.

Policia tha se ka identifikuar shkaktarët e këtij incidenti i cili u vlerësua si sulm me motivin e urrejtjes ndëretnike. Me gjithë incidentin, autoritetet thonë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme.

(http://www.bbc.co.uk/albanian) (http://www.voanews.com/albanian) (http://www.rtklive.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.