VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DIMENSIONI I RI I NATO-s NISI NGA KOSOVA

Nga SALI BERISHA


E Shtunë, 06.12.2010, 09:39am (GMT1)

11 vjet më parë forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth 3 mujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe e çliruan atë nga një regjim barbar, çnjerëzor, një regjim i cili shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore, rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale, kopshte, një regjim që në javët e fundit të jetës së tij adaptoi politikën e tokës së djegur.

Me sulmin ajror dhe tokësor Aleanca e Atlantikut të Veriut fitoi një dimension të ri në historinë e saj, dimensionin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Kosovë, por edhe në tërësi.

Ndaj, edhe unë dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj ushtrive të vendeve anëtarë të NATO-s, qeverive të këtyre vendeve në tërësi, ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën në një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë.

Çlirimi i Kosovës erdhi si rezultat i një lufte, legjende të vërtetë të trimërisë, vetëmohimit, sakrificës së qytetarëve të Kosovës, të cilët në një betejë shumë të pabarabartë u angazhuan për liri dhe dinjitet, ia dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrën e kombeve të qytetëruar, ia dolën me qëndresën e tyre, me sakrificën e tyre, me vetëmohimin e tyre, të sigurojnë mbështetjen e aleancës më të madhe të lirisë në të gjitha kohërat, Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Sot, pas 11 vjetësh çdo qytetar i vendeve anëtare të NATO-s, qeveritë e këtyre vendeve, ushtritë e tyre të shkëlqyera, ndihen krenarë pasi Kosova nga vendi më i rrezikshëm dhe më i pasigurt në Evropë, falë kësaj ndërhyrjeje, falë pranisë së KFOR-it, përkushtimit të madh të autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, është shndërruar në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë, në një vend që prodhon paqe, stabilitet, bashkëpunim.

Ndaj edhe një herë le t'u shprehim ne mirënjohjen më të thellë dhe urimet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, udhëheqjes politike dhe ushtarake të kësaj aleance dhe të shprehim, gjithashtu, kënaqësinë tonë të madhe se kjo datë e shënuar në historinë kombëtare e gjen Shqipërinë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

SALI BERISHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.