VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KURTI: NUK E NJOH EULEX-in
E Hënë, 06.14.2010, 11:50am (GMT1)

Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje!"

Përditësimi i fundit: 14.06.2010 12:15

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka filluar seanca gjyqësore kundër liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti. Vendimi për këtë seancë është bërë publik ditën e sotme, një ditë pasi Lëvizja "Vetëvendosje" kishte bërë thirrje për protestë, për lirimin e Kurtit, më 21 qershor, datë kjo e caktuar më parë për fillimin e gjykimit ndaj tij. Seanca po vazhdon ende.

Dy ditë pas arrestimit, lideri i Lëvizjes "Vetëvendosjes", Albin Kurti, është paraqitur para trupit gjykues, në seancën që EULEX-i e ka caktuar për sot, edhe pse ajo ishte paraparë të mbahej më 21 qershor.

Kryetari i trupit gjykues, Ferdinando De Mongota, ka thënë se seanca mbahet më herët, pasi që, siç ka thënë ai, nuk dëshironte që zotit Kurti t'i zgjatej paraburgimi.

Albin Kurti, fillimisht, ka kundërshtuar të flasë me trupin gjykues, duke thënë se nuk e pranon misionin e EULEX-it dhe nuk e njeh as trupin gjykues në përbërje të gjyqtarëve e prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Megjithatë, më vonë, Kurti ka dhënë arsyet e tij pse nuk është paraqitur në 10 seancat e kaluara. Mes tjerash ai ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk është një mision teknik, por politik dhe jo demokratik.

"Unë nuk u paraqita në seancën e parë gjyqësore, sepse unë nuk e njoh EULEX-in dhe ngase ky rast është i motivuar politikisht. Rifillimi i rastit vetëm konfirmon që EULEX-i është pushtet jodemokratik dhe se ky është një trup gjyqësor i padrejtë".

"Unë do aë pranoja ftesën prej një gjykate të përbërë prej vendasve të mi, në një Kosovë të lirë nga sundimi ndërkombëtar, të qeverisur nga populli, bazuar në parimet e drejtësisë dhe vetëvendosjes, por unë do ta kufizoj komunikimin tim me këtë gjykatë të EULEX-it, vetëm deri në masën që e mendoj të nevojshme për të përfaqësuar Lëvizjen "˜Vetëvendosje!',
ka thënë Kurti para trupit gjykues, për të shtuar se sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka pavarësi, llogaridhënie dhe transparencë.

"Parim themelor i sovranitetit është që vullneti i popullit i jep ligjit legjitimitetin; fuqitë e EULEX-it dhe kompetencat e kësaj gjykate janë të padrejta, arbitrare dhe të paligjshme",
ka thënë ndër të tjera Kurti.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Ali Rexha, ka thënë se Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka vendosur që të heqë dorë edhe nga pika një e aktakuzës, me të cilën ngarkohet zoti Kurti.

Kurti fillimisht u akuzua "për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues".

Mbi të tani rëndon pika e dytë e aktakuzës. Për këtë akuzë, kryetari i trupit gjykues, Demongota, ka thënë se zoti Kurti mund të dënohet deri me tre vjet burg ose gjobë.

Ndryshe, Lëvizja "Vetëvendosje" e ka cilësuar arrestimin e liderit të saj, Albin Kurti, si shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Duke e cilësuar si proces të montuar politik, "Vetëvendosje" ka thirrur protestë për lirimin e Kurtit me datën 21 qershor. (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.