VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HUMAN RIGHTS WATSCH KËRKON HETIME TË PAVARURA PËR ALBIN KURTIN
E Martë, 06.15.2010, 10:49am (GMT1)


Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, duhet të nisë një hetim të pavarur mbi operacionin e policisë së Kosovës më 12 qershor, gjatë të cilit njësitet e posaçme të policisë duket se kishin përdorur forcë të tepruar, ka reaguar organizata Human Rights Watch.

Operacioni kishte filluar si përpjekje për të arrestuar aktivistin politik, Albin Kurti, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet në komunikatë.

Ky episod, një pjesë e të cilit është xhiruar edhe me kamera, ka filluar pas një takimi me gazetarë të Vetëvendosjes, në të cilin Kurti paralajmëroi synimet e këtij grupi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

"Pamjet e këtij operacioni e bëjnë atë shqetësuese", ka thënë Wanda Troszczynska-van Genderen, nga Human Rights Watch.

"Një hetim i pavarur mbi këtë incident është thelbësor për të garantuar kredibilitetin e policisë dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit", ka thënë ajo.

Duke u bazuar në xhirimet e publikuara, HRW rikujton "Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara mbi Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Forcat e Rendit", në bazë të të cilave, autoritetet duhet, për aq sa të jetë e mundshme, të zbatojnë masa jo të dhunshme para se të vendosin të shfrytëzojnë forcën dhe armët e zjarrit.

"Policia e Kosovës duhet të përgjigjet në shumë pyetje serioze rreth këtij operacioni të arrestimit".

"Policia duhet të hapë edhe një hetim të sajin të brendshëm, por një shqyrtim i pavarur është gjithashtu jetësor për transparencën dhe llogaridhënien", ka thënë zonja Troszczynska-van Genderen, përfaqësuese për Ballkanin Perëndimor në Human Rights Watch.

Misioni evropian për sundimin e ligjit ka lëshuar një urdhër-arrest për zotin Kurti, për t'u përgjigjur në akuzat që ishin ngritur kundër tij, në raport me siç thuhej, përgjegjësinë e tij gjatë protestave të 10 shkurtit të vitit 2007, gjatë të cilave qenë vrarë dy protestues shqiptarë.

Kurti është dënuar më 14 qershor me 9 muaj heqje lirie për për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por është lënë i lirë, pasi që ai kohë më parë ka mbajtur 10 muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak.(a.v.)
(http://www.radioevropaelire.org)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.