VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AVOKATI DOKTOR ASLLAN KARAJ - FENIKS NGA QIEJT E ERRËT TË MINIERËS, NGA QIEJT E XHINDOSUR TË DIKTATURËS, NË QIEJT E QETË DHE TË KTHJELLËT TË ZVICRËS

Intervistoi: SKËNDER BUÇPAPAJ
E Mërkurë, 06.16.2010, 06:05pm (GMT1)

 

Avokat doktor Asllan Karaj në studion e tij në Lozanë

Nga katet e nëndheshme të ferrit të minierës së Bulqizës në metropolin e drejtësisë perëndimore, Lozanë, kryeqytetin zviceran të autoriteteve më të larta gjyqësore dhe hetimore të vendit, Asllan Karaj ka ngjitur katet më të papërfytyrueshme të lartësisë së një djaloshi të fundosur nga diktatura dhe të rilindur nga liria. Me Avokat Doktor Asllan Karajn bisedojmë për studion e tij private, e para dhe e vetmja që ka një shqiptar në Zvicër, për raportet e tij me të shkuarën e të ardhmen, me atdheun dhe me vendin ku jeton, problemet e sotme të rritjes kombëtare të shqiptarëve si në Diasporë ashtu edhe në atdhe, problemet e brezit tonë të ri përballë sfidave perëndimore, problemet e drejtësisë shqiptare e plot të tjera. Pas suksesit me studion në Lozanë, Asllan Karaj na jep lajmin e mirëpritur se do të hapë studion e tij private edhe në Prishtinë, si dhe na shpalos plot projekte të tjera të tij në të mirë të shqiptarëve dhe të çështjes shqiptare.

-"..kur ti mbron të drejtën e bashkombasve tuaj që nga portat e administratës shtetërore e deri në kupolat e gjykatave federale kjo të bën më të vërtetë që të ndjehesh krenar."

-"Dhjetëra e dhjetëra kolegë, të njohur e miq të mi të asaj kohe kanë dhënë jetën nëpër galeritë e pafundme e skëterrshme të minierës. Jeta ime sot është një dhuratë, pasi dhe unë mund të kisha pësuar fatin e tyre."

-"Sfida e parë dhe më e madhe e një njeriu që vjen nga diktatura dhe një shoqëri gjysmë e dhunshme e gjysmë anarkike, është ambjentimi me hapësirën e lirisë."

-"Një diasporë uniforme, pa profil, me fuqi ekonomike të kufizuar pavarësisht numrit e ka të vështirë të faktorizohet."

-"Unë mendoj se vetëm ndonjë personalitet me fuqi ekonomike dhe formim njerëzor solid mund të marrë përsipër në një çast të caktuar përfaqësimin e diasporës shqiptare në Zvicër."

-"Nuk duhet të harrohet se sistemi zviceran ofron shumë avantazhe që duhet t'i shfrytëzojmë në të mirën tonë."

-"LDK-ja, PDK-ja PS-ja, PD-ja apo tjerat janë parti elektorale në Shqipëri e Kosovë. Me to konkurohet në atdhe. Këtu konkurohet me partitë zvicerane."

-"Hapja e dosjeve do të ishte gjëja më fisnike dhe bujare që mund të bënin shqiptarët menjëherë pas ndryshimeve politike në fillim të viteve 90të. Ishte e thjeshtë dhe e domosdoshme të fillohej mbarë dhe demokracia të fillonte e mbështetej në baza të shëndosha dhe jo standartet e saj të përcaktoheshin nga dosjexhinjtë e Partisë së Punës."

-"Drejtësia është pushteti më i rëndësishëm në demokracitë e sotme, pa të shteti nuk ekziston. Shkalla e demokratizimit të një vendi treguesin kryesor ka drejtësinë."

 

 

          Në foto: Avokat doktor Asllan Karaj

 

SKËNDER BUÇPAPAJ: Jeni i pari dhe i vetmi avokat shqiptar me studio private në Zvicër. Kjo për ju është krenari...e çka tjetër?

DR. ASLLAN KARAJ: Fillimisht uroj me gjith zemër që "vetmia" ime të prishet sa më shpejt. Bota e ndërlikuar e marrëdhënieve ekonomike, punësore, pronësore, ndërnjerëzore nga njëra anë dhe ato mes subjekteve dhe ligjit në të gjitha sferat e tij që nga ajo penale, e deri tek e drejtat dhe obligimet civile e bëjnë të domosdoshme thyerjen e shpejtë të kësaj "vetmie" dhe daljen në tregun zviceran të së drejtës edhe të dhjetëra e dhjetëra avokatëve, juristëve e këshilltarëve të tjerë juridikë nga trojet shqiptare. Ky është urim që më buron nga zemra duke parë nevojat në rritje të qytetarëve tanë për këshillime dhe mbrojtje ligjore. Jam krenar, vërtet, por është një krenari e përvuajtur, një krenari që buron kryesisht nga arritja e suksesit në favor të klientëve të mi.

Krenaria dhe kënaqësia janë të parat ndjesi që të pushtojnë në fillim dhe të shoqërojnë gjithmonë, kur sapo e ke kuptuar që ia ke dalë mbanë. Sigurisht kur ke një ëndërr për ta realizuar dhe ajo realizohet pas dhjetë vjetësh dhe kjo ëndërr nuk është gjë tjetër përveç se mbarimi i studimeve universitare është një arritje jo e vogël. Mandej kur ti bën studimet që dëshiron, i thellon ato në një vend si Zvicra, pastaj i aplikon ato në praktikën e këtij vendi, me sistemin juridik ndër më të zhvilluarit në perëndim e aq më tepër kur ti mbron të drejtën e bashkombasve tuaj që nga portat e administratës shtetërore e deri në kupolat e gjykatave federale të bën më të vërtetë që të ndjehesh krenar. Më pas ndjen një kënaqësi dhe përgjegjësi të madhe sepse e di që shume njerëz besojne tek ti. Dhe për të qenë të sinqertë, ky profesion është nga profesionet me barrën më të madhe përsa i përket lodhjes e ngarkesës mendore. Duhet të jesh gjithnjë në brendësi të ngjarjeve, të ndryshimeve të ligjeve, të jurisprudencës dhe doktrinës, jo vetëm për pasion por dhe për të qenë në lartësinë e duhur për të ndihmuar e mbrojtur njeriun që troket në portën e zyrës tënde. Ata që vijnë në studion time nuk janë thjesht klientë, sepse duke bashkebiseduar me ta futem edhe vetë në historitë, ngjarjet e hallet e tyre.

 

Në foto: Avokat doktor Asllan Karaj, në sfond diplomat dhe gradat shkencore

 

SKËNDER BUÇPAPAJ: Klientët tuaj janë nga Kosova. Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, ndërsa ju jeni nga Shqipëria. Si e përjetoni ju këtë fakt?

DR. ASLLAN KARAJ: Kryesisht shumica e klientëve të mi janë shqiptarë, por janë dhe të komuniteteve të tjera e sidomos zviceranë të cilët ju përkasin moshave të ndryshme dhe që kanë mbajtur dhe mbajnë poste të fuqishme në jetën politike, akademike dhe financiare të vendit. Kur është fjala për bashkombasit tanë, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim të madh përsa i përket origjinës, ndryshimi vjen nga personaliteti, karakteri, botëkuptimi i secilit, por gjithsesi, ne jemi shqiptarë dhe janë shumë gjëra që na bashkojnë.

E përbashkëta themelore e klientëve të mi shqiptarë është fakti që flasin gjuhën tonë, pra janë shqiptarë dhe si shumë të huaj kanë shumë probleme ligjore për të zgjidhur me institucionet zvicerane, të cilave na duhet tu përgjigjemi në frëngjisht. Shumica e problemeve të tyre e kanë burimin pikërisht nga krahinat dhe zonat prej të cilave ata vijnë, probleme të panumërta me dokumente, të cilat shpesh kam përshtypjen se u janë shkaktuar me dashje nga zyrtarët e dikurshëm serbë. Po ta shikojmë në një plan më të gjerë faktin që jam nga Shqipëra nuk çon ndonjë peshë të madhe, pasi po t'i referohemi së kaluarës, figura ndër më të shquarat të historisë sonë vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. Sigurisht që nuk kam ndërmend ta krahasoj veten as me Isa Boletinin, as me Jakup Ferrin, as Muhamet Pashë Derallën, që vinin nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e sotme. Fakti që shumica e klienteles sime është shqiptare është i kuptueshëm për shkak të lehtësisë së komunikimit në gjuhën tonë, për shkak të besimit që krijon ajo mes nesh. Është ndryshe t'ia tregosh problemet tua një avokati shqiptar, që të kupton në psikologjinë dhe origjinën e krjimit të problemit, se sa me një prej kolegëve të mi zviceranë, të cilat e kanë të vështirë të kuptojnë bie fjala se pse emri Nexhat, në dokumentet serbe të paraluftës shkruhej Nedjat e jo Nexhat apo Rexhepi shkruhej Redzepi...

Unë vetë ndjehem shumë mirë mes tyre sepse janë vendosur raporte mirëbesimi dhe të sinqerta, ata e ndjejnë veten të lirshëm para meje; kjo është arsyeja për të cilën ne shihemi dhe jashte orarit zyrtar, kur bashkëbisedojmë apo debatojmë për ngjarje e tema të ndryshme.

 

Në foto: Avokat doktor Asllan Karaj në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, të cilin e adhuron një jetë të tërë

SKËNDER BUÇPAPAJ: Diktatura ju dërgoi në minierën e Bulqizës, menjëherë pas gjimnazit. Sot jeni doktor në shkencat juridike. A ndjeni kështu veten një feniks të ardhur nga Lufta e Ftohtë që e ka realizuar veten në Konfederatën Helvetike?

DR. ASLLAN KARAJ: Pyetja është interesante pasi përmbledh në vetvete disa dekada me ngjyrime shumë të forta në jetën time. Sigurisht nuk ka gjimnazist me rezultate të mira që nuk ëndërron të shkojë më tej në rrugën e studimeve. Bukuria e asaj moshe qëndron pikërisht në kapacitetin e lartë të ëndërrrimit, i cili shpesh është i pabazuar në realitet. Por pa ëndrra nuk ecet përpara sidomos kur je i përjashtuar nga shoqëria. Edhe unë si çdo i ri shqiptar i asaj kohe ia kushtova mësimit dhe ëndrrës sime të shkollimit shumicën e energjive të mia. Në fund të vitit të katërt rezultatet e mia ishin ndër më të mirat e asaj mature. Por... ëndrrat e mia universitare si dhe të vëllezërve dhe motrave të mia, u thërrmuan para murit dhe telave me gjëmba të luftës së klasave. Zhgënjimi ndoshta do të kishte qenë shumë më i madh, sikur të mos na ishte krijuar bindja nga im atë, një njeri i urtë dhe i ditur, virtyte që i kushtuan vite të tëra burgu, që ai regjin arkaik do të shembej. Zëri i Amerikës na informonte dhe ngushëllonte çdo mbrëmje. Babai atë e përdori si mjet edukativ për të përfocuar bindjet e tij antikomuniste tek ne, që ishim të rinj, për të kuptuar bëmat e poshtra të regjimit të kohës, dhe për të na dhënë forca për të sfiduar shkallën e lartë të izolimit të klikës bolshevike të E. Hoxhës. Gjithë të mënçurit të këshillojnë për durim dhe punë. Më vjen ndër mend një shprehje e Presidentit Rugova që thotë: "Në fillim duhet durim, gjërat e mira vijnë më vonë". Dhe më të vërtetë ai durim bëri që Kosova shkruajti faqen më të ndritur të historisë së saj, duke realizuar ëndërrën e brezave të tërë.

 

 

 

Në foto: Në gjimnaz, atëherë kur ia mohonin të ardhmen, por nuk ia ndalonin dot ëndërrat

 

'MINIERA NUK MUND TË PËRBËNTE STACIONIN TIM PËRFUNDIMTAR'

Miniera e Bulqizës, njëra ndër më të mëdhatë në vend, sigurisht edhe njëra ndër më të vështirat, qe shndërruar në një kantjer të madh pune për mijëra punëtorë të skllavëruar, pasi kromi ishte ndër gjërat e rralla që eksportonte Shqipëria dhe që mbante regjimin në këmbë. Galeria e pafund e tipave, karaktereve që punonin aty do të kishte qenë një pasuri e rrallë, sidomos për njerëzit e botës së letrave. Për mua ata ishin kolegë, miq me të cilët hyje në zemër të tokës, nga ku shpesh edhe nuk dilej më. Dhjetëra e dhjetëra kolegë, të njohur e miq të mi të asaj kohe kanë dhënë jetën nëpër galeritë e pafundme e skëterrshme të minierës. Nëse nganjëherë në jetën time të sotshme vërehet ndonjë shkujdesje kalimtare, kjo ka të bëjë pikërisht me të kaluarën time në minierë. Jeta ime sot është një dhuratë, pasi dhe unë mund të kisha pësuar fatin e tyre. Megjithatë, miniera nuk mund të përbënte stacionin tim përfundimtar. Në vitin 1992, pas shumë vitesh shkëputje - 12 vjet, unë fillova studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Drejtësisë. Shqipëria e varfër, ndërrimi i zhurmshëm i sistemeve, rënia e nivelit në sistemin arsimor, bënë që unë të mendoja se studimet e mia do të kishin nevojë të thelloheshin. Duhet thënë se puna në kabinetin e Presidentit Berisha më ka ndihmuar për të gjetur vendin dhe shkollën e duhur dhe kjo ishte Zvicra, ëndrra e rilindasve tanë, ëndrra e atyre që donin dhe kishin sakrifikuar që Shqipëria të mund të bëhej si Zvicra.

 

Në foto: Me kolegët e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë

 

Fati ishte tashmë në anën time. Kisha sfiduar me sukses në moshë të re të gjitha padrejtësitë e regjimit me shumë sakrifica me gjithë prindërit, motrat dhe vëllezërit e mi. Ishte mbyllur një dritare e vogël për t'u hapur më vonë një portë e madhe. Gjithmonë fati im ka qenë i tillë që gjithmonë kam qenë i detyruar të shkoj deri në fund të tunelit për të prekur ëndërrën time, për çka sakrificat më janë shpërblyer. Kjo është një nga anët që të ndihmon ta duash jetën e të jep kurajon të vazhdosh më tutje. Gjendja dehëse e kënaqësisë për arritjet ka kaluar, ndërkohë që krenaria e mirënjohja ndaj vetes sime ka ngelur ende. Asnjëhere nuk e kam menduar që nga tunelet e lagështa e të ftohta të minierës, ku forca shpërthyese e tmerrshme e minave që simbolizonte fytyrën e atij regjimi të dhunshëm, ta gjeja veten time mes shkresave të mia që kanë të bëjnë me të drejtën e një demokracie planetare siç është e drejta zviceriane me të cilën une kam të bëj në punën e përditshme. Nuk dua dhe nuk ia lejoj vetes të vë shenja barazie, por është e vërtetë që më shumë punë, vullnet e fat njeriu mund te arrijë gjëra të pamendueshme, ndonëse në fillim të duken si barriera të pakapërcyeshme.

Kështu që, megjithëse emërtimi feniks për modesti më vë në një pozitë të parehatshme, mund të them se kalimi i kaq qiejve, të ndryshëm e të shirosur, të errët si ata të minierës dhe të xhindosur si ata të diktaturës, për të mbërritur në qiejt e qetë e të kthjellët të Zvicrës, vërtet të kujton atë zog të famshëm, feniksin që rilind nga hiri i vet.

 

 

Në foto: Në minierën e Bulqizës, atje ku e dërgoi diktatura menjëherë pas gjimnazit

 

'MIKU MË I MADH QË KAM KRIJUAR ËSHTË PROFESIONI IM'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Cilat kanë sfidat tuaja më të mëdha pas ardhjes në Zvicër, si ia keni arritur ti kapërceni ato, cilët janë faktorët më të mëdhenj që ju kanë ndihmuar, cilët janë miqtë më të mëdhenj që keni krijuar?

DR. ASLLAN KARAJ: Sfida e parë dhe më e madhe e një njeriu që vjen nga diktatura dhe një shoqëri gjysmë e dhunshme e gjysmë anarkike, është ambjentimi me hapësirën e lirisë. Por më kryesore ishte mbarimi me sukses i studimeve sidomos në Zvicër. Për herë të parë në jetën time e kam ndjerë veten të lirë këtu. Të lirë, të vetmuar, pa përkrahje, i pafuqishëm, pa asnjë shenjë dëftuese se cilën rrugë të ndiqja për të studjuar në drejtësi dhe kurorëzuar me sukses atë. Pika ZERO. Aty pastaj hyn në punë intuita, formimi familjar e kulturor, përcaktohen koordinatat, rruga nga duhet ecur, objektivi që duhet arritur. Me kurajo, me durim, me shpresë, me punë, me shumë punë, me kalimin e kohës edhe me ndihmën e mbështetjen e miqve të rinj më vonë, por gjithmonë mbështetur në gjunjtë e mi, me barrën e rëndë mbi shpatullat e mia. Pas studimeve ishte sfidë jo e vogël gjetja e një studioje avokature ku unë mund të praktikoja profesionin tim. Fati më ndihmoi të filloja në një zyrë të njohur avokatësh në Gjenevë e cila ishte krijuar nga një Profesor i së drejtës së shoqërive, një personalitet shumë njohur në Zvicër me liçensë ndërkombëtare të avokatit, që më dha mundësi të krijoja një eksperiencë jo të zakonshme në profesionin tim të shenjtë, dhe më pas studion time ligjore e këtë në prag të Krishtlindjeve, në dhjetor të vitit 2003.

Kështu do ta përmblidhja me pak fjalë përgjigjen e pjesës së parë së pyetjes suaj. Miqtë më të mëdhenj që kam krijuar, në se do të guxoja t'iu shmangesha emrave konkretë, do të thosha se miku më i madh që kam krijuar është profesioni im, sa më thellë e njoh, aq më miq bëhemi. Kam vënë re se kjo marrëdhënie më ndihmon për të krijuar miqësi lehtësisht me njerëz të të gjitha kategorive, përfshirë, njerëz të thjeshtë, klientë, këngëtarë, artistë, mjekë, arkitektë politikanë, gazetarë, diplomatë e sigusht shumë kolegë.

 

Në foto: Me kolegët studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Gjenevë

 

SKËNDER BUÇPAPAJ: Në cilën fushë jeni profilizuar në avokaturë dhe cilat janë problemet më të shumta me të cilat përballeni në praktikën e përdishme?

DR. ASLLAN KARAJ: Unë jam specializuar në fushën e të drejtës ndërkombëtare, më saktë në të drejtën europiane e diplomatike. Kam mbrojtur doktoratën në fushën e së drejtës kushtetuese studim krahasues i sistemit shqiptar me ato të demokracive Evropiane. Kërkimet i kam bërë në Institutin e së Drejtës së Krahasuar në Lozanë. E drejta kushtetuese e krahasuar e vendeve europiane është një fushë e mrekullueshme e studimit të së drejtës, por luksi i profilizimit në një fushë të caktuar të së drejtës bëhet real kur njeriu merret vetëm dhe drejtpërdrejt me atë aspekt të së drejtës. Ndosha koha do të ma sjellë këtë shans, për çastin merrem me shqetësimet e klientëve të mi, të cilat siç thashë janë kaq të ndryshme, shpesh shumë të komplikuara, që kërkojnë njohuri jo vetëm në fushën e së drejtës, por edhe njohuri të mjaftueshme në fushën e marrëdhënieve sociale, ekonomike, madje edhe historike.

Praktika më ka detyruar të merrem me tepër me të drejtën civile e administrative zviceriane, ndonëse realisht pikat e kontaktit brenda fushës të së drejtës ekzistojnë gjithnjë. Në punën e përditshme çështjet që unë trajtoj në studion time janë të shumta, por kryesisht përqëndrohen në të drejtën e sigurimeve shoqërore (të punës, të invaliditetit, të pleqërisë), të drejtën e të huajve (rregullimin dhe përmirësimin e statutit të qëndrimit në Zvicër, rigrupim familjar, azil), te drejtën administrative (akte administrative, ankimimi i tyre nga nivelet komunale deri në Administatën dhe Gjykatat Fedrale), me të drejtën e shoqërive, (fiskalitetin dhe administrimin e tyre etj). Kohët e fundit janë shtuar kontaktet jo vetëm me shqiptarët që jetojnë në Zvicër por dhe shumë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të cilët kanë mundësi financiare që të bëhen pronarë vilash apo apartamentesh dhe kanë kërkuar ndihmesën time.

 

 

 

 

 

Në foto: Me këngëtaren e famshme shqiptare Nexhmije Pagarusha

 

'KRIJIMI I NJË LOBI SHQIPTAR NË ZVICËR DO TË KËRKOJË KOHË'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Tashmë jeni pjesë e diasporës në Zvicër, së cilës i shërbeni dhe e cila është mjaft përcaktuese në suksesin tuaj. Një diasporë e shumtë në numër dhe që ende nuk e ndjen veten faktor në këtë vend: çfarë duhet bërë, sipas jush, që diaspora shqiptare e Zvicrës të jetë në rolin e saj?

DR. ASLLAN KARAJ: Fatkeqësisht është e vertetë ajo që thoni ju; diaspora shqiptare ndonëse është e shumtë në numër, nuk përfaqësohet siç duhet në shumë plane të jetës politike, shoqërore apo kulturore te Zvicrës. Ajo që më bën përshtypje më shumë është mungesa e përfaqësimit tonë në nivel politik; nuk ka asnjë politikan (nga e djathta apo e majta) të zgjedhur nga diaspora jonë në nivel kantonal, për të mos folur pastaj në nivelin federal, ndërkohë që dihet se shumë shqiptarë sot gëzojnë shtetësinë zvicerane. Të vjen keq kur shikon që nga komunitete me numër shumë më të vogël se ai i yni, kanë dalë përfaqësues politikë të niveleve të ndryshme. Nuk dua të vendos shenja krahasuese pasi rrethanat janë krejt të ndryshme, por komuniteti hebrej në Zvicër numëron 9'000 vetë ndërsa i yni më se 3'00 000 persona. Kjo tregon që ende jemi mjaft larg të qenit përfaqësues të fuqishëm, për të patur influencën e duhur dhe aq të domosdoshme. E për të qenë objektivë, Zvicra është një vend që të ofron mundësi integrimi të jashtëzakonshme. Por fillimisht është e nevojshme të thuhet se edhe numri, pra madhësia numerike e një diaspore është absolutisht e rëndësishme. Pra numri, sasia, krijon mundësi për cilësi, për larushi, për fuqi, për shumëformësi prej së cilës mund të dalin personalitete në të gjitha fushat. Një diasporë uniforme, pa profil, me fuqi ekonomike të kufizuar pavarësisht numrit e ka të vështirë të faktorizohet. Unë mendoj se vetëm ndonjë personalitet me fuqi ekonomike dhe formim njerëzor solid mund të marrë përsipër në një çast të caktuar përfaqësimin e diasporës shqiptare në Zvicër. Sigurisht që në një shtet të decentralizuar, multikulturor e shumëkantonal nuk mund të pretendohet që roli i një lobi të mundshëm shqiptar të përqëndrohet tek qeveria federale në Bernë. Ky sistem, mjaft i përshtatshëm në botën anglofone sidomos atë amerikane, nuk funksionon ose shumë pak në Zvicër. Përkundrazi, fuqizimi i shumë qendrave periferike nëpër kantone apo qytete të mëdha, mund të sjellë në një të ardhme të afërt një si punë konfederate të shoqatave shqiptare, një komitet përfaqësues i cili mund të kondensojë qëndrimet, kërkesat dhe t'i shërbejë më mirë komunitetit të gjerë shqiptar në Zvicër. Është herët të mendohet për këtë, mendoj se Zvicra ka sjellje shumë miqësore ndaj shqiptarëve, pavarësisht se në shumë raste shqiptarët përbëjnë "lajm" me sjelljet e tyre. Nuk duhet harruar që pjesa më e madhe e diasporës kanë qenë punëtore sezoniere, apo azilkërkues dhe njerëz me probleme ekonomike, të cilët kanë mbartur me vete mundimet, vuajtjet dhe peshën e madhe të ndihmës së familjeve të mëdha e të varfëra të cilat kanë mundur t'i tërheqin pjesërisht në Zvicër. Kjo situatë përkon me atë se ne jemi popullata më e traumatizuar në Europë. Kemi kaluar përmes diktaturave më obskurantiste dhe më të gjata të planetit dhe nëpër një pushtim kolonial, përgjatë shekujsh. Shqipëria është hapur vetëm prej 20 vjetësh, ndërsa Kosova është e lirë vetëm prej dhjetë vjetësh. Pra faktori kohë nuk është pjekur akoma. Ndoshta nesër... Siç e lartpëmendëm janë të shumta familjet shqiptare që janë të vendosura në perëndim, sidomos në Zvicër, të cilat nuk kanë patur mundësinë të shfrytëzojnë herët mundësitë e shkollimit për fëmijët e tyre por që tani ka ardhur koha. Kuptohet që shkollimi është elementi kyç i integrimit dhe elementi kryesor për të përmirësuar statutin tënd në jetën politike, sociale e shoqërore të një vendi. Shumë të rinj kanë lindur këtu, janë shtetas të këtij vendi e po shkollohen në universitetet dhe në shkenca të rëndësishme si ekonomi, drejtësi, informatikë, arkitekturë, mjekësi etj..

 

Në foto: Me avokatin Bourquin

 

'SI T'IA BËJNË TË RINJTË VENDLINDJA E TË CILËVE ËSHTË ZVICRA?'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Problem më vete, gjithnjë në kontekstin e diasporës, janë breznitë e reja të shqiptarëve. Ju si njohës i dukurive shoqërore si e mendoni të tashmen dhe perspektivën e tyre në raport me vetveten, me vendasit zviceranë, me të huajt e tjerë?

DR. ASLLAN KARAJ: Problemi themelor me breznitë e reja si në çdo shoqëri është krisja që krijohet mes shpejtësisë me të cilën ata duan të afirmohen dhe rezistencës që ia bën shoqëria këtij afirmimi. Dikur kjo njihej si konflikt apo luftë brezash dhe zhvillohet në të gjitha rrafshet e marrëdhënieve njerëzore. Mospërputhjes prind fëmijë, brez i vjetër brez i ri, në emigracion i shtohen nënshtresëzime të tjera që e bëjnë më komplekse e shumë më të ndërlikuar këtë konflikt. Si duhet të afirmohemi? Si shqiptarë ? Si zviceranë ? Para kujt ? Para prindërve tanë, para shokëve, miqve, kolegëve, bashkëmoshatarëve tanë? A e flasim gjuhën ashtu siç duhet ? Cila gjuhë është më e rëndësishme ? Shqipja apo gjuha e vendit ku jetojmë ? Ku dhe me kë të martohemi ? Me shokun, shoqen që duam apo me djalin vajzën nga Ferizajt, Tetova, Berati Ulqini apo Presheva ? Në fund të fundit ku është e ardhmja e tyre, këtu apo atje ? Janë këto pyetje-dilema përgjigjia e të cilave kërkon maturi, pjekuri dhe përvojë që të rinjtë shpesh nuk e kanë. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër kanë parë prindërit e tyre duke bërë protesta, duke bërë mbledhje, duke paguar para, duke kursyer për të ndërtuar në vendlindje, duke mbështetur rezistencën politike dhe ushtarake, duke mbështetur rindërtimin e shtëpive të tyre në Kosovë e Maqedoni pas luftës. Prindërit e të rinjve shqiptarë e kanë kokën të kthyer kah vendlindja. Si t'ia bëjnë të rinjtë, vendlindja e të cilëve është Zvicra ? A kanë të drejtë dhe a duhet të angazhohen plotësisht për vendlindjen e tyre, për Zvicrën ? Përgjigjia duket e thjeshtë por nuk është e tillë.

'TË RINJTË SHQIPTARË NË DIASPORË DUHET TË MARRIN PËRSIPËR PËRGJEGJËSINË PËR FATIN E VET'

Vihet re jo rrallë në diasporën shqiptare influenca e madhe e prindit tek fëmija tendenca e një kontrolli i rreptë e striktë që shpesh herë përfundimi është i hidhur. Të qenit gjithnjë i lidhur me fëmijën është gjë e mirë, por deri në një farë mase.

Brezi i ri i diasporës po lind dhe rritet këtu; dhe ky është një avantazh i jashtëzakonshëm. Mendoj që të rinjtë duhet të lihen të lirë, të krijojnë rrethin e tyre shoqëror, jo vetëm mes tyre, por të hapen e të pranojnë edhe botëkuptimet jo vetëm të vendasve por dhe të kulturave të komuniteteve të tjera. Ata kanë mundësi të udhëtojnë të frekuentojnë programet e shkëmbimit mes shkollave, apo ndjekin kurse gjuhe jashtë lehtësisht. Jeta prandaj është e bukur, kur ka variueshmëri mendimi e veprimi. Vetem kështu arrin t'i dallosh gjërat e të vlerësosh më objektivisht realitetin. Sygjerimi i vetëm që mund të bëj është që të rinjve u duhet dhënë shansi, duhen ndihmuar të afirmohen si njerëz të rritur jo si ne por në një shoqëri të lirë. Duhet të kemi besim te zgjedhjet e njeriut pa komplekse dhe të lirë. Njeriu i lirë ka të tjera hapësira dhe në mënyrë të natyrshme bën intuitivisht shumicën e kohës zgjedhjen e duhur. Ata duhet të marrin përsipër përgjegjësinë për fatin e vet, për perspektivën dhe raportet e tyre me të shkuarën, me vetveten, me atdheun e të parëve me vendbanimin dhe vendlindjen e vet.

 

Në foto: Me këngëtarin me famë botërore Denis Ruso

 

SKËNDER BUÇPAPAJ: Cilat janë sipas jush, përparësitë që krijon shoqëria zvicerane dhe sistemi zviceran në të cilat duhet mbështetur për ecjen përpara të shqiptarëve në këtë vend?

DR. ASLLAN KARAJ: Qysh sot ka marrë fund ajo kohë kur burrat dhe gratë shqiptare prisnin kthimin e ndonjë fëmije nga shkolla për të shkuar me të tek mjeku, tek farmacia, tek komuna. Pra gjuha, mësimi i saj nuk duhet të përbëjë më problem. Në çdo lagje qyteti ka qëndra ku mësohet gjuha e vendasve qoftë ajo frënge, gjermane apo italiane. Fill pas kësaj puna dhe kursimi. Shqiptarët duhet të shfrytëzojnë konjunkturën ekonomike të Zvicrës për të punuar dhe kursyer. Kazinotë, veturat dhe shpenzimet për luks duhet të lihen mënjane, nuk duhet harruar se prej ku vimë, se në çfarë varfërie e prapambetje është i zhytur vendi ynë. Shqiptarët kanë përgjithsisht rroga të ulëta, por edhe prej tyre mund të kursehet-askush më mirë se sa ne nuk e di se si mund të lihen dy pare mënjanë për një ditë të vështirë. Sot mund të shpresojmë se ditët e vështira i kemi lënë pas, por askush nuk e di se ç'mund të sjellë e nesërmja!

Nuk duhet të harrohet se sistemi zviceran ofron shumë avantazhe që duhet t'i shfrytëzojmë në të mirën tonë.

Së pari, një sistem arsimor, kjo është alfa dhe omega e një zhvillimi normal në gjirin e një shoqërie të qytetnueshme. Jo vetën sistemi shëndetësor por dhe ai arsimor është një nga më cilësorët dhe ekonomikë në perëndim. Mos të harrojmë që kryerja e arsimit të lartë në vendet anglo-saksone apo Europe kushton shumë më tepër se në Zvicër. Për më tepër, pranimi në Universitet pa konkurs është një tjetër avantazh që duhet shfrytëzuar nga të rinjtë shqiptare. Të mos harrojmë gjithashtu, tolerancën dhe pluralizmin gjuhësor që ekziston këtu. Le të përfitojnë fëmijët shqiptarë; t'i flasin tre gjuhët kombëtare si frëngjishten, gjermanishten e italishten krahas gjuhës sonë të bukur dhe anglishten e detyruar. Eshtë një thesar dhe pasuri e jashtëzakonshme për formimin personal në përgjithësi dhe, me vlerë të padiskutueshme për ta zotëruar tregun e nesërm të punës në veçanti.

Së dyti, Zvicra ofron gjithashtu edhe një sistem politik shumë të prekshëm, duke qenë se shumë shqiptarë gëzojnë dyshtetësinë, le ta shfrytëzojmë të drejtën e votës, le të bëhemi pjesë e këtij sistemi politik duke debatuar, e mbi të gjitha duke votuar. E drejta e votes është një nga liritë themelore dhe"š arma më e fuqishme paqësore e votuesit. Është shprehja e bindjes së tij, një nga liritë për të cilën kemi ndjeshmërinë më të madhe. Ne shqiptaret nuk e kemi këtë kulturë vlerësimi të votës, e për fat të keq e hedhim në kosh të plehrave pa menduar mirë se ç'po bëjmë.

Së treti, Zvicra ka një peizazh fantastik, nga më të bukurit në botë. Shumë turistë vijnë këtu nga larg ndërkohë që pjesa më e madhe e diasporës tonë nuk i ka parë ende malet e Zvicrës për të mos folur për ushtrimin e aktiviteteve sportive që mund të ushtrohen në to. Kam lexuar një raport të Zyres federale të shëndetësisë, sipas të cilit shëndeti dhe jetëgjatësia e diasporës shqiptare këtu nuk është e njëjtë me atë të zviceranëve. Kjo ndodh pasi ne nuk ushtrojmë pothuajse fare aktivitete sportive. Të ndjerit mirë nga ana fizike është kryesorja, dhe Zvicra, fatmirësisht ofron shumë mundësi për këtë. Ka gjithashtu edhe shumë aktivitete kulturore si koncerte të këngëtarëve të njohur botërorë në të cilat nuk kam parë asnjëherë bashkatdhetarët tanë. Nuk duhet vetëm të ndjekim vetëm këngëtarët e diasporës, por të kemi atë hapjen edhe ndaj të tjerëve që e përmenda më lart.

Zvicra ka edhe një sistem social nga më komplekset në botë por edhe nga më avantazhuesit. Duhet patur kujdes në përdorimin e tij dhe do këshilloja referimin tek specialisti për çdo lloj çështje që mund të dalë me sigurimet. Nëse përdoret mirë dhe me racionalitet, shumë shqiptarë, sidomos në moshë të avancuar mund të përfitojnë. Duhet patur parasysh që në sistemin e sigurimeve shoqërore zvicerane, ajo që të takon nuk jepet automatikisht nga shteti, por duhet kërkuar. Për ta kërkuar, duhet patur një njohje e mirë e ligjit dhe e të drejtave të tua.

 

Në foto: Në Gjenevë me Nermin Vlorën dhe të shoqin e saj Renzo Falaschi

'MENDOJ SE JEMI SHUMË LARG ASAJ KU DUHEJ TË ISHIM'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Cilat konsiderohen fushat ku shqiptarët deri tani janë duke përparuar në Zvicër dhe cilat janë tashmë në horizontin e së ardhmes?

DR. ASLLAN KARAJ: Dikush thotë se ne përbëjmë 5 deri në 7 përqind të popullsisë në Zvicër. Po sa është përqindja e mjekëve, dentistëve, farmacistëve, juristëve, inxhinierëve, arkitektëve, mësuesve, profesorëve, teknikëve, gazetarëve shqiptarë që punojnë për mediat zvicerane? Nihilistët thonë: zero. Unë mendoj se jemi shumë larg asaj ku duhej të ishim. Shqiptarët kanë bërë përparime, ndonëse jo aq sa priteshin në disa fusha si psh: në fushat e sipërmarmarrjes private, në fushën e gastronomisë, të hotelerisë, në fushën e ndërtimeve dhe të biznesit në përgjithsi. Këto janë fusha të paneglizhueshme ku shqiptarët tregohen të suksesshëm dhe përfitojnë nga sistemi dhe liria. Më shumë duhet investuar në fushën e studimeve universitare, ku hapet rruga për integrim edhe në vet strukturat e sistemit. Shqiptarët e natyralizuar duhet të rrisin ambicjet politike. Të shohin mundësinë e përfshirjes së vet në garat elektorale, komunale, kantonale e pse jo federale. Partitë e vendlindjes nuk funksionojnë në sistemin ku partitë nuk janë më fronte rezistence, por grupime elektorale. LDK-ja, PDK-ja PS-ja, PD-ja apo tjerat janë parti elektorale në Shqipëri e Kosovë. Me to konkurohet në atdhe. Këtu konkurohet me partitë zvicerane. Nëse përfaqësuesit shqiptarë do të ishin prezent në strukturat e partive politike zvicerane, do të ishte shumë më e vështirë të krijoheshin dhe të mbaheshin në këmbë paragjykime të tilla ndaj tyre. Në të ardhmen shpresoj në një angazhim politik e social më të madh të diasporës shqiptare në jetën zvicerane.

SKËNDER BUÇPAPAJ: Keni lidhje të ngushta me shqiptarët e diasporës, por cilat janë lidhjet tuaja me Shqipërinë, familjen atje, kolegët, miqtë?

DR. ASLLAN KARAJ: Me shqiptarët e diasporës marrëdhëniet janë disaplanëshe. Kam ato marrëdhënie të njohura me klientët emi, siç kam edhe lidhjet dhe njohjet e mia me miq që nuk kanë të bëjnë fare me profesionin tim. Të tilla janë edhe marrëdhëniet "e mbetura" në atdhe. Vendin kryesor e zënë pjestarët e famijes, nëna, vëllezërit, motrat, nipat mbesat e kështu me rradhë. Miqtë me të cilët kam mbaruar studimet e të cilët kanë avancuar shumë në fushën e tyre, në atë poltike, ekonomike mbeten miq e njerëz me të cilët më pëlqen të kaloj momente të priviligjuara në Tiranë apo rrethe të ndryshme të Shqipërisë ku ata punojnë. Një kategori shumë speciale e miqve janë miqtë e vëllezërve të mi dhe sidomos të babait tim të ndjerë. Kur kam rast të shoh ndonjë prej tyre, dita më kalon shpejt, kthehemi në kohët kur im atë ishte gjallë, kur edhe në mesin e vuajtjeve më të thella drita e tij e besimit dhe shpresës nuk shuhej kurrë. Miqtë e babës e kujtojnë tim atë me respekt e kjo më vë në një pozitë shumë të privilegjuar. Me familjen, kolegët e miqtë jam gjithnjë me zemër, ndonëse jetoj në Zvicër.

 

'HAPJA E DOSJEVE DO T'I PAJTONTE SHQIPTARËT'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Meqë ra fjala për vuajtjet e babait tuaj që u përball me kampet dhe burgjet politike si mijëra shqiptarë të fajshëm pasi nuk donin regjimin komunist, ç'mendoni për hapjen e dosjeve?

DR. ASLLAN KARAJ: Hapja e dosjeve do të ishte gjëja më fisnike dhe bujare që mund të bënin shqiptarët menjëherë pas ndryshimeve politike në fillim të viteve 90të. Ishte e thjeshtë dhe e domosdoshme të fillohej mbarë dhe demokracia të fillonte e mbështetej në baza të shëndosha dhe jo standartet e saj të përcaktoheshin nga dosjexhinjtë e Partisë së Punës. Ai do të ishte një hap i madh për t'i bashkuar shqiptarët për t'ia zgjatur dorën njëri tjetrit dhe për t'u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara. Qeveritë shqiptare nuk iu dhanë mundësi shumë personave të inkriminuar që të kërkonin falje dhe sot fatkeqësisht shumë prej tyre janë në poste kyçe në qeveri, administratë dhe në organet e drejtësisë. Për fat të keq një rol negativ kanë luajtur dhe përfaqësuesit e ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare të cilat u kanë diktuar autoriteteve shqiptare në momente të rëndësishme të kthesave historike aplikimin e një politike të standarteve të dyfishta duke ju dhënë të dejtë të padrejtëve e duke krijuar kështu një barazi fiktive e të sforcuar. Këto proklamohen në emër të kushtetutës, të drejtave të njeriut dhe asaj ndërkombëtare gjë që ka inkurajuar dhe inkurajon pikësëpari elementët që kanë pasur dhe kanë një të kaluar të hidhur e cila bien në kundërshtim të plotë me parimet e shtetit të së drejtë dhe barazisë kushtetuese. Këtë e ilustron më së miri rasti i fundit që kishte të bënte me emërimin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, kandidaturë të cilën Parlamenti shqiptar e hodhi poshtë për shkak të kaluarës së tij gjatë sistemit komunist, gjë që irritoj shumë keq ambasadorët e fuqive të mëdha. pakënaqësinë dhe revoltën e shfaque nëpërmjet ekranit të vogël dhe shtypit të përditshëm i lan të hutuar shumë shqiptarë, gjë që nuk do t'a bënin për një kanditaturë të një të persekutuari politik. Kjo është ajo që ka bërë që Shqipëria të përpëlitet në vorbullën e konflikteve politike që prej dy dekadash dhe është për të ardhur keq pasi nuk janë plotësuar minimumi e starndarteve aq të dëshiruara dhe justifikura nga shqiptarët. Reformat po bëhen nga shumica e përfaqësuesve më të inkriminuar të ish regjimit komunist të cilët i kanë mbushur të gjitha kryesitë e partive politike dhe strukturat kryesore të organeve shtetërore sidomos të gjyqësorit.

SKËNDER BUÇPAPAJ: Meqë ju përmendët drejtësinë cilat janë sipas jush plagët më të mëdha të saj në Shqipëri dhe çka do t'i shëronte ato?

DR. ASLLAN KARAJ: Drejtësia jonë është afro 20 vjeçare. Në kohën e diktaturës Ministria e Drejtësisë nuk ekzistonte, gjykatat ishin shtojca të drejtësisë që udhëzoheshin nga fronti dhe komitetet e partisë. Të mos harrojmë se gjykatësit dhe prokurorët e së kaluarës, kishin si test të avancimit në karrierë, aplikimin me ashpërsinë më të madhe të ligjeve të diktaturës së proletariatit dhe jo njohuritë e thella ligjore, dijet rreth drejtësisë veç asaj nuk kishin ku t'i merrnin, pasi Rusia vetë, nga ku komunistët shqiptarë frymëzoheshin ka qenë gjithmonë diktaturë dhe asnjëherë demokraci.

Duhet theksur që ka përparime, receta të gatshme nuk ekzistojnë, besoj se shumëçka varet nga brumi njerëzor i atyre që merren me drejtësi. Një sistem i stabilizuar politik dhe ekonomik, ndikon fuqishëm në pastrimin e drejtësisë, në fuqizimin e saj, në fund të fundit nëse lufta kundër korrupsionit në sistem nuk bëhet nga brenda, atëherë është e drejtë e sovranit, e parlamentit të nxjerrë ligje që ndihmojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë. Një gjë është e sigurtë: demokraci pa sistem gjyqësor nuk ka. Është e panevojshme të përmend se duke qenë shtylla e tretë e sistemit, ky i fundit nuk mund të qëndrojë veç mbi dy. Në botën e zhvilluar kjo gjë është kuptuar prej disa dhjetëra dekadash, gjë që ka sjellë stabilitet dhe besueshmëri.

Për më shumë, unë ndodhem jashtë Shqipërisë për më se 15 vjet dhe nuk pretendoj t'i njoh mirë ngjarjet atje, kështu nuk dua t'i jap leksione askujt. Megjithatë me aq sa ç'kam lexuar e ndjekur në tv, kam vë re se një plagë e madhe e drejtësisë shqiptare është gjithashtu influenca nga politika. Nuk ka nje sistem gjyqësor të pavarur, gjyqtarët duket sikur gjykojnë me mendjen e një politikani e jo të një punonjësi neutral. Është çmenduri të mendosh në Zvicër, ku unë ushtroj aktivitetin tim, se për të fituar apo shmangur një proces gjyqësor duhet të njohësh e të ndërhysh nëpërmjet një politikani. Komunikimi është i drejtëpërdrejtë ndërmjet çdo qytetari, apo përfaqësueve të tyre që zakonisht janë njerëz të ligjit, avokatë, dhe gjykatave të të gjithave niveleve. Unë pata rastin që t'i drejtohem Gjykatës së Tiranës me një letër rekomande nga Lozana e Zvicrës, për një çështje që lidhej me një këngëtare të njohur shqiptare dhe gjykata cakton seancën pa më vënë në dijeni dhe i bën thirrje këngëtares në Prishtinë që të paraqitej ku gjykata nuk kishte të dhëna as për adresën dhe as për vendodhjen e saj, pra e kishte më të lehtë dhe për detyrë që të më drejtohej mua se asaj që m'i kishte kaluar të gjitha kompetencat për ta përfaqësuar. Pastaj nuk flitet për çmimin që i kanë kërkuar atje nga një sekser për ta përfaqësuar në gjykatën në fjalë. Për sa kohë të ekzistojnë këto fenomene, si mungesa e formimit dhe përvojës, dominimi i elementëve të së kaluarës në përbërjen dhe drejtimin e këtyre organeve, shkalla e lartë e korrupsionit dhe mungesa e pavarësisë nga politika, fenomene që shtrembërojnë ligjin, drejtësia shqiptare do jetë shumë e sëmurë. Drejtësia është pushteti më i rëndësishëm në demokracitë e sotme, pa të shteti nuk ekziston. Shkalla e demokratizimit të një vendi treguesin kryesor ka drejtësinë.

 

Në foto: Në studion e tij në Lozanë me miq të ngushtë zviceranë

'KOPJOHEN LIGJET E PERËNDIMIT DHE NUK VIHEN NË ZBATIM'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Vendi ku ju po ndërtoni suksesin është shembull i përkryer i funksionimit të shtetit ligjor, si do të mund të merrej ky shembull dhe kjo përvojë në Shqipëri dhe në hapësirat shqiptare?

DR. ASLLAN KARAJ: Si mund të merret ky shembull? Unë mendoj se transvazimi artificial i një modeli nga një shoqëri në një tjetër nuk funksionon. Kjo pasi e drejta qysh në kohët e lashta është bazuar në të drejtën autoktone, iu është adoptuar dokeve, sjelleve, mentaliteteve dhe praktikave të pranueshme të sjelljes. Pikërisht këtu qëndron një ndër problemet e sistemit të sotëm ligjor në hapësirat shqiptare. Klasa politike është e zellshme për të treguar lidhjet e veta me Europën. Shembuj të shumtë janë marrë dhe adaptuar në sistemin juridik të Shqipërisë apo Kosovës. Por e keqja jonë është së kopjojmë gjithçka në mënyrë perfekte por nuk e vëmë në zbatim, çfarë na duhen mijëra faqe tekstesh ligjore nëse ato nuk kanë efektin e duhur. Këto janë ligje të mira, të avancuara, të dëshmuara si ligje efektive. Përse nuk funksionojnë në vendin tonë? Së pari sepse iu mungon ajo komponente jetike kombëtare, ajo përputhshmëri me karakterin, mentalitetin dhe stadin e zhvillimit të vendit. Së dyti, juristët nuk kanë formimin e duhur për të aplikuar një legjislacion të panjohur në rrethana politike krejtësisht të pafavorshme. Për të arritur deri tek ndalimi me ligj i duhanit nëpër lokalet publike, Zvicrës i janë dashur dhjetëra vite luftë e propagandë kundër duhanit gjë që ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjes së konsumatorëve të tij mbi shkallën e lartë të dëmtimit të shëndetit, por sidomos të atyre që ndodhen në ambientet publike dhe nuk e frekuentojnë atë. Në një çast të caktuar ligjvënësi mendon se duhet bërë një hap tjetër. Në asnjë tren, stacion, ndërtesë publike, restorant nuk pihet më duhan. Si mund të ndodhë e njëjta gjë në Shqipëri, kur deri dje, madje edhe sot e gjithë ditën, kompanitë e mëdha të duhanit vendosin reklama deri në dyert e apartamenteve të betonta të Tiranës, duke reklamuar vlera dhe karakteristikat e veçanta të mallit të tyre? Solla këtë shembull pasi është më i prekshëm.

'TË RINJTË QË SHKOLLOHEN NË PERËNDIM JANË THESARI YNË'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Të rinjtë që po mbarojnë studimet për drejtësi në Perëndim, si do të arrijnnë të imponojnë formimin e tyre në atdhe, në rastet kur ata kthehen, dhe si duhen pritur ata pas kthimit?

DR. ASLLAN KARAJ: Vendet si Shqipëria e Kosova kanë nevojë më shumë se çdo vend tjetër për të rinj që formohen në perëndim. Ai është thesari ynë, mundësia e vetme për të dalë nga periudha e tranzicionit dhe për t'iu bashkuar vendeve të tjera europiane. Fatkeqësisht, të rinjtë e formuar jashtë nuk e shohin ende të ardhmen e tyre në vendin e origjinës pasi mundësitë për të bërë karrierë, rrogat dhe, në radhë të parë, mundësia për të gjetur një vend pune janë të vogla, për të mos thënë joekzistuese. Nga statistikat e deritanishme, rezulton se vetëm një përqindje e vogël e këtyre të rinjve janë kthyer. Pjesa më e madhe qëndrojnë e përpiqen të gjejnë mundësi punësimi në vendet ku kanë mbaruar studimet. Por duhet pak sakrificë nga të dyja palët: edhe nga studentet edhe nga institucionet shtetërore që duhet të bëjnë maksimumin për të thithur trurin. Shteti duhet të parashikojë një buxhet të posaçëm për studentët që kthehen të cilët duhet të kenë trajtim special. Nga ana tjetër, edhe studentët duhet të kuptojnë që kthehen për të kontribuar në vendin e tyre, në vendin e fëmijëve të tyre. Edhe ndonjë sakrificë duhet bërë në emër të patriotizmit.

Unë mendoj se talenti çan rrugën vet. Sigurisht më me vështirësi se sa i patalentuari, por më me siguri dhe jetëgjatësi. Studimet e drejtësisë janë specifike. Nëse mbarohen studimet në Itali, në Zvicër, Francë, Gjermani apo diku në demokracitë perëndimore është krejt ndryshe. Sigurisht që shkolla formon mendësi ligjore dhe kulturë ligjore, pastaj njohja konkrete e legjislacionit kombëtar, europian dhe së drejtës ndërkombëtare, qoftë ajo publike apo private merr kohë. Me një diplomë perëndimore në Shqipëri pritesh mirë kryesisht në sferën private. Në administratën publike konkurenca e më të paaftit është rrënuese. Këta të fundit fitojnë gjithmonë. Besoj se e njëjta gjë është edhe në Kosovë e Maqedoni. Kjo gjëndje e punëve nuk mund të zgjasë shumë. Administratat publike të shqiptarëve duhet të çertifikohen cilësisht si ato të vendeve europiane dhe kjo do të krijojë në një të ardhme të afërt një garë më të ndershme, më transparente për postet publike. Qeveritë do të jenë të detyruara të thithin elementët e mirë, ndoshta jo plotësisht me dëshirën e tyre por të detyruara nga kërkesat e kohës në rritje për cilësi e konkurencë.

 

 

Në foto: Mbledhje e Eurobibusit në kabinetin e tij

 

'DIKTATURA NA LA TRASHËGIM NJË KLASË POLITIKE TË PAPËRGJEGJSHME'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Ç' mendoni për zhvillimet politike në Shqipëri ?

DR. ASLLAN KARAJ: Në Shqipëri ka zhvillime pozitive të cilat kanë ardhur kryesisht nga hapja e saj dhe jo nga qeverisja e vendit. Shqiptarët po ecin me ritmin e kohës por mjerisht kanë qenë qeveritë ato që nuk i lënë të jenë si gjithë të tjerët. Ka probleme tepër të mëdhaja klasa politike shqiptare.

E keqja më e madhe e ish regjimit komunist nuk ishte vetëm që i la shqiptarët të izoluar dhe të varfër, por se iu la një klasë politike të papërgjegjshme dhe vetë konsurmuese. Kjo pasqyron sot më së miri ashpërsinë e regjimit të kaluar. Jo më kot ndërkombëtarët duke përfshirë këtu jo vetëm perëndimorët por dhe përfaqësuesit e vendeve ish komuniste që dikur ishin si ne, kanë gjetur një terren të përshtatshëm nga të cilët disa prej tyre bëjnë një lojë jo të hijshme, lojën e standarteve të dyfishta. Nga njëra anë japin leksione dhe mesazhe klasës së papjekur politike shqiptare, se si ajo duhet të funksionojë dhe të gjejë gjuhën e përbashkët si një element thelbësor i zhvillimit të demokracisë për të mirën e vendit dhe për hir të proceseve integruese të cilat i afrojnë shqiptarët më afër me Europën nga ana tjetër kërkojnë që reformat të bëhen nga kontigjenti i elitës së ish regjimit komunist. Formula është se të gjithë kanë të drejtë d.m.th që rezultati është i barabatë, "nul". Zhvillimet e fundit morën shumë përmasa për hiç gjë, që u finalizua me grevën e urisë së opozitës. Shqiptarët i ka zënë si ngushtë marifeti i së majtës që prej 1944. Për fat të keq veprohet keq në momente delikate. Jemi në prag të heqjes së perdes së hekurt, të vizave aq të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që kanë paguar një çmim të tejskajshëm njerzor, fizik e financiar, ndërkohë që konfliktet politike përfundojnë me një darkë gastronomike në resto-krokodil.

Por këtyre ndodhive qesharake që i prodhon politika shqiptare dhe që argëton ndërkombëtarët u kundërvihen dhe projekjet serioze të disave organizmave të huaj të pavarur për t'a ndihmuar klasën polike shqiptare. Kështu, në Zvicër një grup parlamentarësh dhe personalitetesh të njohura dhe në skenën europiane të kryesuar nga një mik i shqiptarëve Zoti Viktor Rufi organizuan një forum nga data 12 deri më 14 shkurt të viti 1999 me përfaqësuesit kryesorë të Partisë Socialiste në pushtet dhe asaj Demokratike në opozitë. Të ftuarit nuk u paraqitën dhe forumi dështoi ashtu siç ishin të dështuar dhe përfaqësuesit dhe partitë politike që ata do të përfaqësonin. Gjithçka ishte organizuar për të mirën e zhvillimeve politike dhe demokratike në Shqipëri. Politikanët zviceranë kanë një përvojë shumë të madhe në këtë fushë duke qenë se i përkasin demokracisë së vetme dhe direkte në botë, unike dhe më të kulluarës së planetit. Ata kishin çfarë t'iu tregonin shqiptarëve, të humburve të kontinentit, nga eksperinca e tyre disashekullore.

Zvicra ka një sistem të ashtuquajtur 'të konkordancës' që karakterizon stilin politik kombëtar nëpërmjet përbërjes proporcionale të organeve shtetërore, integrimit të forcave politike, mënjanimit te konflikteve dhe gjetjen e zgjidhjeve të negociuara më parë të çdo problemi. Ky është një stil politik unik dhe tepër jetëgjatë në Zvicër çka tregon që ky vend i ka parë avantazhet e tij dhe nuk ka ndërmend ta braktisë. Për më tepër, Zvicra ëshë vend kampion i demokracisë direkte ku pjesa më e madhe e projektligjeve votohen nga populli. Unë nuk dua të vë shenjën e barazimit apo të bëj krahasimin ndërmjet sistemit politik shqiptar dhe atij zviceran, pasi ato përfaqësojnë një ekstremitet në kontinent për keq e mirë, ku ne ndodhemi fatëkeqësisht në anën jo të mirë. Por është vendi të thuhet që kultura dhe mendësia politike shqiptare duhet të jetë më bashkëkohore; toleranca dhe konsesusi janë parametrat më të domosdoshëm për zhvillimin e një demokracie të brishtë. Në këtë këndvështrim shqiptarët kanë dy zgjidhje: ose t'i disiplinojë politikanët e sotëm, ose t'i zëvendësojë ata me të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga të tanishmit. Por kjo e fundit është disi e vështirë të realizohet.

 

 

 

Në foto: Mbledhje e Eurobibusit në kabinetin e tij

 

'JAM DUKE BOTUAR EDHE DY LIBRA PËR DREJTËSINË KUSHTETUESE, DIPLOMATIKE DHE KONSULLORE'

SKËNDER BUÇPAPAJ: Pasi e keni konsoliduar tashmë studion tuaj të avokaturës në Zvicër, cilat janë planet tuaja më të afërta në karrierën e mëtejshme?

DR. ASLLAN KARAJ: Planet shpesh përzihen me ëndrrat. Nuk është keq të ëndërrosh, aq më pak të bësh plane. Kam ndërmend ta shtrij aktivitetin e avokaturës edhe në Kosovë. Shumë shqiptarë janë në Zvicër, por një pjesë jo e vogël që kanë punuar dhe derdhur djersë në perëndim janë kthyer në atdhe duke lënë shumë të drejta pas për vete dhe familjet e tyre. Jam i bindur që mund të jem i dobishëm nëse punoj edhe atje. Falë kërkesave në rritje, eksperiencës, aftësisë dhe afërsisë sime me shqiptarët e Kosovës, një Zyrë në Prishtinë do jetë shumë e nevojshme. Kam shumë kolegë që më afrojnë bashkëpunim. Mezi po pres që të shkoj atje, pasi dhe disa universitete më kanë afruar mundësinë e mësimdhënies për studentët e fakultetit të drejtësisë, gazetarisë dhe ekonomisë. Është pasioni im dhe një ëndërr e imja që t'iu transmetoj të rinjve të sotëm ato çfarë kam mësuar nga shkollat e sotme të drejtësisë dhe nga ekperienca e jetës së përdishme. Jam duke botuar dhe dy libra të cilat i përkasin sistemit të drejtësisë kushtetuese dhe asaj diplomatike dhe konsullore. Dhashtë Zoti që të bëhet si është më mirë dhe plotësoftë ëndërrën e mirë të çdo shqiptari kudo që ai ndodhet...........


 

Nexhmije Pagarusha, Asllan Karaj, Skënder dhe Elida Buçpapaj

Intervistoi: Skënder Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.