VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Hillari Klinton: Shqipëria anëtare e NATO-s në Samitin e prillit
E Premte, 03.06.2009, 08:08am (GMT1)

Sekretarja e amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Samitin e Strasburg/Kehl-it, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Këto komente, kreu i diplomacisë amerikane i bëri gjatë një takimi me homologun shqiptar, Lulzim Basha, gjatë ministerialit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte përgatitja e dokumenteve që do të adoptohen në Samitin e Strasburg/Kehl-it nga kryetarët e Shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës. Në takim u diskutuan një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e NATO-s, në mënyrë të veçantë operacionet e saj në Afganistan dhe Kosovë, marrëdhëniet e saj me Rusinë, rritja e efiçencës së organizatës, etj. Në të gjitha takimet që Basha zhvilloi gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Bruksel, si dhe gjatë Plenares së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ai mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm, Scheffer, dhe të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare i shprehën kreut të diplomacisë shqiptare kënaqësinë, që në Samitin e Strasburg/Kehl-it Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe besimin në rolin dhe kontributin e çmuar që këto dy vende do të japin në forcimin e sigurisë në rajon e më gjerë. Në fjalën e tij, Basha falenderoi vendet anëtare për finalizimin në një kohë rekord të të gjitha procedurave të nevojshme për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. "Ndërsa, Shqipëria përgatitet për t'u bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës në Samitin e Strasburg/Kehl 2009, pikërisht në 60-vjetorin e Aleancës, ne jemi më shumë se kurrë të vetëdijshëm për vlerat dhe parimet që mbart kjo Aleancë dhe më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë për t'i ruajtur dhe për t'i avancuar ato, si në vendin tonë, në rajon dhe kudo", është shprehur Basha.

 

Basha, takime të suksesshme me homologët e NATO-s dhe BE-së

 

Përsa i përket angazhimit të NATO-s në Kosovë, Basha vlerësoi vazhdimin e mëtejshëm të misionit të KFOR-it në konfigurimin aktual si parësor. Gjithashtu, ai mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në Këshill, si nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu edhe nga ministrat pjesëmarrës se, situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi gjithashtu vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës dhe bërjen e tij tërësisht funksional. Ai tha se, një nga sfidat më të mëdha të Kosovës është integrimi i pakicës serbe në institucionet dhe shoqërinë kosovare. "Ky integrim, ka si pengesë kryesore financimin dhe mbështetjen e strukturave paralele në Kosovë. Kapërcimi i kësaj pengese do të shtojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon dhe do t'i shërbejë objektivave afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor", është shprehur kreu i diplomacisë shqiptare. Përsa i përket angazhimit të NATO-s në Afganistan, ministri Basha, në emër të qeverisë shqiptare, shprehu mbështetjen e Shqipërisë për objektivat e NATO-s, si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për rritjen e kontributit, duke demonstruar në këtë mënyrë rolin e Shqipërisë si kontribuese e sigurisë globale. Gjatë Ministerialit, Basha u takua dhe bisedoi me një sërë personalitetesh të larta të politikës si, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Havier Solana, me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Holandës, Norvegjisë, Çekisë, Kroacisë, Spanjës, Sllovenisë. Gjatë takimeve me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian, Basha trajtoi dhe një numër çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon. RD/Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.