VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Një tufë mimozash poetike në vend të urimit për 8 Marsin nënave, grave dhe vajzave shqiptare
E Shtunë, 03.07.2009, 04:22pm (GMT1)

Mimozat

 

Nga MARTIN CAMAJ

 

Simjet për të parën herë
mimozat në dorën e nji vashe i pashë
qetsisht tue marrun frymë si në degë.

Mimozat erdhën tue pru me vehte
ngjyrën e ditve të blera,
afshin e zemrave që rriten nga nji fije
për ditë, përshpëritjet e egra e të lehta
të atyne që shkelën në prakun e jetës
me kambe të dyshimta, me frigë.
Me duer tona të vrashta,
të zanuna me sende tjera,
s'kemi si me u përkitë
dhe aroma juej humb në erën e luleve
të mbytuna në parzmet e grave vjeshtore.
Lule mimozash, bartse kujtimesh,
mes stinve e të pa stinë
na s'kthejmë kurr ma te ju.

Simjet për të parën herë
mimozat në dorën e nji vashe i pashë
qetsisht tue marrun frymë si në degë.

 

Mimoza

 

Nga VEHBI SKËNDERI

 

Dëgjo këtu, mos shoqka ime e brishtë,

Si çel kaq marrëzisht nëpër acar?

Shkund me pëllëmbë mjegullën e trishtë

E mbush plot sythe pemët në janar.

 

Dhe ndrit Tirana prej luleve të tua,

Teksa u fryn gishtërinjve nga thëllimi.

Unë edhe të qortoj, edhe të dua,

Kur shoh se nuk i tutesh asnjë dimri.

 

Kur qesh tërë gëzim me lot në faqe

E borën shkund nga supet duke rendur,

S'çan krye se të quajnë budallaqe

Dhe se të thonë të çmendurit: E çmendur!

 

Bistakët u tregon ngricës e brymës,

Si lule kungulli nuk të than mërzia,

E vetme, gjithë jetën, kundër rrymës,

Të bën dhe më të hijshme marrëzia!

 

E nuk të ndalin erërat e ngricat;

Ti nga inati çel mes borës kajzë.

T'i mbush cingrima flokët me karfica

Dhe nuk e di: je pemë apo vajzë?

 

Mimozat çelin

 

Nga ELIZABETH BISHOP

 

Pluhur nga katet e Qiellit

që të bëjnë të tështish e pastaj kundërmojnë mjaltë.

Si e hodhën engjëjt vallë këtu poshtë

Këtë krijesë të dashur, të verdhë, të lehtë si ajri?

 

Gjethet e gjelbra gri paluar bukur pas

si veshë këlyshe maceje. Ar i praruar kodrine.

Jo, edhe më i bukur se ai, ky pigment

i mrekullueshëm, i butë, i kulluar.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.