VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
TË PAGJETURIT - PLAGË E HAPUR E LUFTËS E Djelë, 08.29.2010, 05:42pm (GMT1) Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës Në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, familjarët kosovarë kërkojnë të bëhet presion mbi Serbinë për të zbuluar fatin e mbi 2 mijë personave që ende figurojnë si të pagjetur. Sensibilizimi i opinionit vetëm nga familjarët duket se nuk po ndihmon shumë në zgjidhjen e këtij problemi 11-vjeçar. Për Nesrete Kumnovën nga Gjakova, plagët e luftës mbesin ende të hapura, ndërsa kërkon me ngulm që të zbulojë se ku gjenden eshtrat e birit të vetëm të vrarë në luftë. Nesrete Kumnova Sido që të jetë fati i tyre, të dimë sadopak edhe për një kockë, se ku të vendoset nga një lule... Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, thotë se Beogradi duhet të heqë dorë nga obstruksionet dhe të ndihmojë zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Nesrete Kumnova kërkon nga bashkësia ndërkombëtare, që të ushtrojë trysni mbi Beogradin. "Është e vërtetë që institucionet tona nuk mund të bëjnë trysni drejtpërdrejt te Serbia. Por, është bashkësia ndërkombëtare ajo që mund të ushtrojë presion te pushteti serb, që të japë informacione, t'i hapë dosjet dhe, së paku, t'i tregojë vend-varrezat e më të dashurve tanë dhe t'i kthejë aty edhe ku e kanë vendin", thekson Kumnova. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kritikoi ditë më parë të gjitha qeveritë e vendeve të ish- Jugosllavisë se nuk po bëjnë sa duhet për të zbardhur fatin e më se 15 mijë personave të vrarë në luftërat e viteve të '90-ta. Ndërkohë, edhe pse zyrtarisht trajtohet si çështje humanitare, Prishtina kritikon Beogradin zyrtar se edhe në bisedimet e grupeve punuese për të pagjeturit, e ka politizuar këtë çështje. Ndërkohë, familjarët e personave të pagjetur, siç është Nesrete Kumnova, kanë përtërirë për të tretën herë fotografitë e të zhdukurve, të varura në rrethojat e ndërtesës së Kuvendit, me shpresën se ky veprim, siç thonë, do të trokasë në ndërgjegjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë për ta marrë më seriozisht fatin e të pagjeturve. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |