VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRYQI I KUQ NDËRKOMBËTAR: TË ZGJIDHET ÇËSHTJA E TË ZHDUKURVE
E Hënë, 08.30.2010, 06:39am (GMT1)

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka vlerësuar se moszgjidhja e çështjes së të zhdukurve po e pamundëson pajtimin e vërtetë në shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Një zyrtare e Kryqit të Kuq, që aktualisht udhëheq me grupet punuese të Prishtinës e Beogradit për të zhdukurit, Marie Astrid Blondiaux, i tha BBC-së se nëse nuk zgjidhet problemi i të zhdukurve ai ka gjasa të bartet edhe tek gjeneratat e ardhshme duke e penguar, siç tha, edhe bashkëjetesën në Kosovë.

Ajo tha se ka patur një përparim të ngadaltë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe kërkoi një vullnet të sinqertë politik nga të gjitha palët për zgjidhjen e këtij problemi.

Nga 15 mijë të zhdukur pas konflikteve në Ballkan, sa aktualisht thuhet të jetë numri zyrtar i tyre, mbi 1800 janë të regjistruar në Kosovë, shumica nga të cilët shqiptarë. Në prag të ditës ndërkombëtare të të zhdukurve, që shënohet më 30 gusht, dhjetëra familjarë të personave të zhdukur në Kosovë kanë kërkuar ndriçmin e fatit të tyre.

Me zonjën Blondiaux bisedoi korrespondenti i BBC-së në Prishtinë Arbër Vllahiu dhe fillimisht e pyeti se sa i rëndë është ky problem për njerëzit në hapësirat e Ballkanit, disa vjet pas përfundimit të konflkiteve të armatosura.

Marie Astrid Blondiaux: Çështja e të zhdukurve është një çështje humanitare por ajo batë pas vetes edhe të gjitha pasojat e tjera. Kjo çështje parandalon një pajtim të vërtetë në Ballkan në mesin e shteteve të ndryshme. Prandaj kjo çështje duhet të zgjidhet. Pas konflikteve kishte 30 mijë njerëz të zhdukur ne Ballkanin Perëndimor. Numri tani është zvogëluar por ende janë 15 mijë të zhdukur në Ballkanin Perëndimor.

BBC: Kur thoni se numri është zvogëluar, ka ndodhur kjo për shkak të bashkëpunimit të palëve që dikur ishin në armiqësi apo ka patur një aktivitet tjetër që ka zbuluar fatin e mijëra të zhudukrve?

Marie Astrid Blondiaux: Ka patur edhe bashkëpunim të qeverive por gjithashtu edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Organizata të tjera joqeveritare kanë arritur rezultate në punë me palë të ndryshme. Këtu përfshihen edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar por edhe organizatat e tjera që merren me të zhdukurit përfshirë edhe ICMP-në, EULEX-in dhe të tjera.

BBC: Ju jeni kryesuese e grupeve punuese të Prishtinës e Beogradit për të zhdukurit. Si do ta cilësoni ju punën e deritashme të të dyja palëve: si diçka problematike apo premtuese?

Marie Astrid Blondiaux: Duke iu falenderuar grupeve punuese delegacionit e Prishtinës dhe të Beogradit po flasin mes vete dhe po i shkëmbejnë informatat. Por numri i të zhdukurve që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë po zvogëlohet shumë ngadalë. Duhet shumë më shumë të bëhet dhe ne duhet të marrim informata të reja për vend varrezat e dyshuara me qëllim të identifikimit të më shumë njerëzve.

BBC: Kur thoni se është një përparim i ngadalshëm çka e bënë atë të këtillë, që prej shumë vitesh?

Marie Astrid Blondiaux: Ne duhet të shohim një vullnet të vërtetë dhe të sinqertë politik për të zgjidhur këtë çështje.

BBC: Ku po e kërkoni këtë vullnet politik?

Marie Astrid Blondiaux: Në mesin e të gjitha palëve të interesuara. Përparimi është arritur por duhet menduar për të gjitha ato familjet që ende shpresojnë të dijnë për fatin e familjarëve të tyre të dashur.

BBC: Ju thatë se ju duhen informacione të reja për vend varrezat e mundshme të dyshuara. Pra sipas kësaj ju prisni informacione për njerëz që tashmë janë të vdekur?

Marie Astrid Blondiaux: Duhet të jemi real dhe me shumë gjasa shumica prej tyre janë të vdekur. Por disa familje ende shpresojnë se të afërmit e tyre të zhdukur janë ende të gjallë. Prandaj ne duhet t'i mbështesim ata.

BBC: Dhe më lejoni t'ju pyes sa po e vështirëson, ta quaj, bashkëjetesën në Kosovë ky problem i të zhdukurve?

Marie Astrid Blondiaux: Nëse nuk zgjidhet ky problem të gjitha familjet do të vazhdojnë të jenë në ankth dhe nuk ka një pajtim të vërtetë në mesin e njerëzve. Ky problem do të bartet edhe tek gjeneratat e tjera, tek fëmijët dhe kjo është arsyeja pse duhet të punohet rreth kësaj çështjeje.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.