VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MINISTRI I JASHTËM BRITANIK NË BEOGRAD DO TË DISKUTOJË PËR REZOLUTËN E SERBISË KUNDËR KOSOVËS
E Hënë, 08.30.2010, 11:55am (GMT1)

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe William Hague, do të vizitojë ditën a martë Beogradin.

Ai do të takohet me zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë dhe do të bisedojë mbi tekstin e rezolutës për Kosovën, të cilën Serbia ia ka paraqitur Asamblesë së Përgjithshme të KB, kanë njoftuar mediat e Beogradit.

Shefi i diplomacisë britanike vjen në Serbi disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Gvido Vestervele, i cili në Beograd deklaroi se rezoluta mbi Kosovën duhet harmonizuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian, se për para se gjithash duhet të bisedohet në Bruksel e jo në Nju Jork.

Pas takimit të ministrit gjerman, Beogradi zyrtar ka treguar gatishmëri për të zhvilluar konsultime rreth ndryshimeve eventuale të rezolutës, të cilën e ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të KB.

Presidenti Tadiq ka deklaruar të shtunën se Serbia do të konsultohet me Brukselin e Uashingtonin mbi mundësinë kompromisit i cili, siç ka thënë, nuk duhet ti rrezikojë interesat shtetërore e kombëtare të Serbisë, por edhe të mos e konfrontojë Beogradin me fuqitë perëndimore.

Tadiq ka paralajmëruar se dy delegacione të Serbisë këto ditë do të vizitojnë Brukselin dhe Uashingtonin dhe të zhvillojnë konsultime mbi rezolutën, por njëkohësisht e ka përjashtuar mundësinë e kompromisit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, dhe kjo është vijë e kuqe të cilën nuk do ta kapërcejmë".

Prandaj edhe vizita e bisedimet e ministrit britanik, janë vazhdim i aktiviteteve diplomatike të BE dhe Serbisë lidhur me tekstin e rezolutës mbi Kosovën, të cilën e kanë kundërshtuar pesë vendet anëtare të Quintit, e për të cilën do të duhej të deklarohet Asambleja e Përgjithshme e KB, siç është paralajmëruar, më 9 shtator.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.