VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

WILLIAM HAGUE: TËRHIQNI REZOLUTËN
E Martë, 08.31.2010, 04:17pm (GMT1)

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague i ka kërkuar Serbisë të tërheqë projekt-rezolutën për Kosovën duke nënvizuar se me përmbajtjen e tanishme kompromisi me BE-në është i vështirë.

Z. Hague po fliste gjatë një vizite në Beograd ndërsa zyrtarë të lartë të BE-së po shtojnë presionin ndaj Serbisë për të ndryshuar tekstin e rezolutës.

"Do të ishte mirë të tërhiqej rezoluta ashtu siç është e formuluar tani, ose të arrihet një marrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian për një rezolutë," tha zoti Hague në një intervistë për radion serbe B92.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve në Beograd që të gjejnë rrugë për të përmirësuar bashkëpunimin me Kosovën.

"Me rëndësi tani është të gjenden rrugë praktike për të përmirësuar bashkëpunimin midis Serbisë dhe Kosovës që të dyja vendet të mund të kenë perspektivë evropiane, që të dyja me kalimin e kohës të hyjnë në Bashkimin Evropian," tha zoti Hague.

Nëse Serbia nuk pranon ta tërheqë projekt-rezolutën, zyrtari i lartë britanik tha se kjo "e bën më të vështirë kompromisin".

Jo kompromis për Kosovën

Zoti Hague zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë, përfshirë presidentin Boris Tadiq.

Presidenti Tadiq i ka rekomanduar ministrit britanik se Serbia është gatshme për kompromis mbi propozim rezolutën për Kosovën që ai kompromis të jetë i pranueshëm edhe për Beogradin edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Zoti Tadiq tha se përjashtohet vetëm kompromisi lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Një anëtar i qeverisë serbe, ministri Rasim Lajiq, shprehu sot gatishmërinë e autoriteteve në Beograd për ndryshimin e rezolutës së paraqitur në Kombet e Bashkuara, në mënyrë që "të mos konfrontohet me bashkësinë ndërkombëtare".

"Ne jemi të gatshëm për çfarëdo marrëveshjeje, natyrisht, ekziston vija e kuqe përtej së cilës nuk do të shkohet," tha zoti Lajiq.

Zyrtari serb ka përsëritur qëndrimin se ndryshimi i projektrezolutës nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës.

"Ne nuk do ta njohim as në mënyrë direkte e as indirekte pavarësinë e Kosovës, domethënë as në tekstin e rezolutës," tha zoti Lajiq.

Shefi i diplomacisë britanike vjen në Serbi disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwele, i cili në Beograd deklaroi se rezoluta mbi Kosovën duhet harmonizuar me qëndrimet e BE-së.

Pas takimeve të ministrit gjerman, Beogradi zyrtar ka treguar gatishmëri për të zhvilluar konsultime rreth ndryshimeve eventuale të rezolutës, të cilën e ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.