VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI OBAMA SHËNON PËRFUNDIMIN E MISIONIT LUFTARAK NË IRAK
E Martë, 08.31.2010, 04:28pm (GMT1)

Presidenti amerikan Barak Obama po përgatitet të shënojë përfundimin e operacioneve ushtarake amerikane në Irak sot, shtatë vjet pas ndërhyrjes amerikane në atë vend. Ndërkohë, kryeministri Nuri al-Maliki tha sot në një fjalim televiziv se forcat e sigurisë së vendit janë të gatshme të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë e qytetarëve irakianë. Nënpresidenti amerikan Xho Bajden ndodhet në Irak për bisedime me udhëheqësit irakianë ku do të drejtojë ceremoninë e nesërme të ndryshimit të komandës që shënon fillimin e operacionit Agimi i Ri.

Nën presidenti amerikan Xho Bajden u takua sot me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki në përpjekje për t'u bërë thirrje udhëheqësve irakianë t'i japin fund ngërçit politik dhe të formojnë qeverinë e re.

Dy udhëheqësit i zhvilluan bisedimet në praninë e delegacioneve irakiane dhe amerikane.

Po sot, zoti Bajden u takua edhe me presidentin e vendit Xhalal Talabani.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Bajden planifikon të zhvillojë bisedime me nënpresidentin suni Tarik al-Hashemi, nënpresidentin shiit Adel Abdul Mahdi dhe me klerikun shiit Amar al-Hakim, udhëheqës i Këshillit të Lartë Islamik që mbështetet nga Irani.

Nënpresidenti Bajden arriti në Bagdad pak ditë para ceremonisë zyrtare që shënon fundin e operacioneve luftarake amerikane në Irak.

Ai do të përpiqet t'i bindë udhëheqësit e vendit të arrijnë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit për të vendosur stabilitet në Irak pasi zgjedhjet parlamentare në vend nuk nxorën ndonjë fitues të qartë.

Zoti Bajden është përpjekur t'i sigurojë irakianët se tranzicioni amerikan nga një mision ushtarak në diplomatik do të kalojë pa incidente.

Zoti Bajden do ta përfundojë vizitën e tij me ceremoninë që do të zhvillohet nesër ku gjenerali Rei Odierno do t'ia dorëzojë komandën e forcave amerikane në Irak leitnant gjeneralit Lloid Ostin. Ceremonia e 1 shtatorit shënon fillimin e të ashtëquajturit operacioni Agimi i Ri i cili simbolizon përfundimin e misionin ushtarak amerikan në Irak.

(http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.