VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA UDHËHEQ CEFTA-n MË 2010?
E Enjte, 09.02.2010, 04:27pm (GMT1)

CEFTA


Pavarësisht vështirësive, me të cilat aktualisht po ballafaqohet Kosova për shkak të bllokadës së produkteve kosovare nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, autoritet kosovare shprehen të bindura se presidencën e radhës në vitin 2011 për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), do ta marrë Kosova.

Drejtori i Departamentit të Tregtisë, Flamur Keqa, thotë se Kosova dhe institucionet e saj janë të përgatitura për udhëheqjen e presidencës së radhës së CEFTA-s. Sipas tij, janë bërë përgatitje e duhura për të kryesuar në vitin 2011.

"Aktualisht, problemet e natyrës politike janë duke u elaboruar nga nivelet qeveritare dhe tentohet që ato të eliminohen. Ndërkaq, sa i përket kryesimit, ajo është e vendosur me plan; është një sistem rotacioni, ku secili shtet e mban kryesimin për një vit".


"Përgatitjet janë në nivelin e duhur. Programin e kemi hartuar dhe është aprovuar nga vendet e CEFTA-ës. Në aspektin ekonomik dhe profesional nuk do të ketë asnjë problem",
bën të ditur Keqa.

Programi që Kosova ka përgatitur në rast të marrjes së presidencës së CEFTA-s për vitin 2011, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, do të jetë ueb portali, i cili parashihet të shfrytëzohet në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, ku secili shtet do të paraqesë legjislacionin sa i përket ekonomisë dhe tregtisë.

Njëherësh ky do të jetë një portal, i cili do të mundësojë bizneseve informata sa i përket mundësisë së bashkëpunimit të tregtimit me vendet anëtare të këtij mekanizmi.

Po ashtu, drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, tregon se në këtë plan është përfshirë edhe lëvizja e lirë e shërbimeve, ku, siç thotë ai, parashihet që në këtë drejtim të bëhen disa projekte, me të cilat do të tentohet të thellohet bashkëpunimi mes tetë vendeve anëtare të CEFTA -ës.

"Ka mjaft projekte, por është me rëndësi që ne ta mbajmë këtë kryesi dhe besoj që ky kryesim do të tregojë që edhe Kosova ka kapacitete profesionale për menaxhim të tillë"
, thekson Keqa.

Projekti CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si mënyrë e vetme për t'ua lehtësuar anëtarësimin e tyre në BE.
,
Projekti, si i tillë, në Evropën Qendrore është treguar i suksesshëm por në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është arritur të realizohet ajo që kërkohet nga kjo marrëveshje.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, konsideron se Komisioni Evropian do të duhej të bënte më së shumti shtytje të respektimit të kësaj marrëveshjeje.


"Kosova, sipas radhës, do të duhej që në vitin e ardhëm të kryesojë me sekretariatin e CEFTA-s, dhe nëse (një gjë e tillë) i pamundësohet Kosovës, kjo përfundimisht tregon se tregu i CEFTA-s nuk mund të funksionojë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se mungojnë efektet e pritura nga ana e Bashkimit Evropian",
shprehet Sadiku.

Profesor Sadiku, ndërkaq vlerëson se Kosova është e përgatitur që ta udhëheqë këtë sekretariat, marrë parasysh që edhe vendet anëtare të CEFTA-s nuk kanë kapacitete më të larta tregtare apo menaxhuese sesa Kosova.

"Unë besoj që Kosova nuk ka probleme që ta udhëheqë këtë sekretariat të CEFTA-s , pasi që në Kosovë kemi një numër të madh të institucioneve ndërkombëtare, të cilat do ta ndihmojnë Kosovën. Në veçanti, Brukseli do të ofrojë ndihmë dhe kryesimi i CEFTA-s, nga Kosova nuk do të paraqesë ndonjë problem serioz për Kosovën",
vlerëson Sadiku.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.