VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BYHLER: VERIU KËRKON ZGJIDHJE POLITIKE
E Hënë, 09.20.2010, 01:37pm (GMT1)

Erhard Byhler

Ai tha se KFOR-i do të vihet në mbështetje të veprimeve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe se kjo forcë paqeruajtëse ka plane për veriun që të mos lejohet eskalimi i dhunës atje.

Këto komente, Byhler i bëri gjatë një konference për gazetarë, ku ai e prezantoi gjendjen në veri si një sfidë për sigurinë, por e cila po mbahet nën kontroll.

Gjenerali gjerman tha se me gjithë faktin se gjendja e atjeshme është e komplikuar, zgjidhjet duhet të kërkohen nga politika.

"Sa i përket situatës së sigurisë në veri, ajo është e komplikuar, mirëpo problemet atje nuk mund të zgjidhen vetëm me veprime ushtarake", tha Byhler.

"Unë kërkoj dhe i bëj thirrje politikës që të fillojë dialogun dhe t'i zgjidhë këto çështje. Sa i përket KFOR-it, ne jemi të përkushtuar dhe po punojmë shumë që të ketë situatë më të mirë në veri", tha komandanti i KFOR-it.
Pavarësisht kësaj, Byhler tha se KFOR-i ka edhe plane të veçanta operative dhe se vetëm një alarm i vogël, qoftë ai nga Policia e Kosovës, apo EULEX-i, do të bëjë që ushtarët e KFOR-it të jenë në terren pas pak minutash - gjithnjë si reagues i tretë.

Një përkushtim i veçantë u tha se mund të jetë edhe ndihma që KFOR-i mund të japë për arrestimin e personave që shkelin ligjin në veri, nëse këtë e kërkon Policia e Kosovës apo ajo e EULEX-it.

Ndërkaq, lidhur me strukturat paralele, Byhler tha se KFOR-i pret së pari bisedimet që do të zhvillohen mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Çështja e strukturave paralele është e rëndë dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Rezolutën 1244, por kjo çështje është politike. Siç e dimë, dialogu Prishtinë-Beograd pritet të fillojë shpejt dhe ne fillimisht jemi duke pritur këto bisedime dhe më pas të flasim për veprime të tjera", theksoi komandanti i KFOR-it, Byhler.

Ai foli edhe për rastin e fundit të kontingjentit ushtarak ukrainas, i cili ishte i përfshirë në një aferë me shitjen e derivateve.

Byhler tha se KFOR-i ka hetuar rastin, ndërsa tani më këtë çështje janë duke u marrë autoritetet ukrainase, të cilat, sipas tij, shpejt pritet të marrin masa ndaj ish-pjesëtarëve të KFOR-it.

Forca paqeruajtëse është në fazën e shkurtimit të trupave. Byhler tha se shkurtimet do të varen nga vlerësimet e ardhshme politike dhe të situatës së sigurisë.

Ndërsa shkurtohet numri i ushtarëve të KFOR-it, Byhler tha se po vazhdon edhe procesi i bartjes së disa përgjegjësive nga kjo forcë ushtarake te Policia e Kosovës.

Ai paralajmëroi se së shpejti pritet të barten përgjegjësitë edhe në kufirin me Maqedoninë, derisa, sipas tij, situatë me e ndërlikuar mbetet në kufirin me Serbinë.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.