VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BUKOSHI DEL NGA LDK, THEMELOHET KOALICIONI RUGOVA
E Djelë, 10.24.2010, 09:54am (GMT1)

Bujar Bukoshi dhe njerëzit e tij pritet t'i japin një goditje të fortë Fatmir Sejdiut. Ata, gjatë javës së ardhshme, do ta zyrtarizojnë "Koalicionin Rugova", një fraksion ky brenda LDK'së, por që mund të shndërrohet në parti politike

Ish-Ministri i Shëndetësisë i kërkon Fatmir Sejdiut ta braktisë postin e Kryetarit të LDK'së përpara se të jetë vonë


Udhëheqja e LDK'së pritet ta marrë një goditje të fortë javën e ardhshme, kur Bujar Bukoshi me njerëzit e tij të zyrtarizojnë "Koalicionin Rugova", një fraksion ky brenda këtij subjekti, por që mund të shndërrohet në parti politike.
Burime të Express thonë se ideja për zyrtarizimin e këtij koalicioni ka nisur ditë më parë, derisa zyrtarizimi, sipas gjitha gjasave, do të bëhet të hënën, më 25 tetor.
Vetë ish-Ministri i Shëndetësisë nuk e ka mohuar një të tillë. "Po, së shpejti do të sqarohet kjo çështje. Kemi opsione të ndryshme...", ka deklaruar Bujar Bukoshi, kur është pyetur nga Express për mundësinë e zyrtarizimit të "Koalicionit Rugova".


"A di si është puna?", ka pyetur Bukoshi. "Kur ky zotni (Fatmir Sejdiu) i mbyll rrugët, atëherë dalin zgjidhje të tjera", ka shtuar ai.
Nisma e Bujar Bukoshit, i cili mbështetet nga djali i Presidentit Rugova, Uka, vjen pasi që njerëzit e Fatmir Sejdiut kanë paralajmëruar mundësinë e ndërprerjes së procesit elektoral brenda LDK'së, ose mbajtjen e një kongresi të shpejtë sa për të plotësuar kriterin ligjor për të marrë pjesë në zgjedhje.
Këto ide i ka dëgjuar edhe Bujar Bukoshi.


"Po, jemi në dijeni të mundësisë së ndërprerjes së procesit elektoral, por nuk janë informata të konfirmuara", ka thënë ai.
Sipas tij, Fatmir Sejdiu po e shkatërron LDK'në dhe rrjedhimisht edhe procesin elektoral brenda kësaj partie.
"Ky njeri po e shkatërron LDK'në. Ky njeri duhet të japë dorëheqje prej LDK'së. Nëse ai nuk jep dorëheqje, atëherë të gjitha strukturat, gjithë njerëzit duhet të mblidhen dhe t'i thonë se - ti nuk je më Kryetar partie", ka deklaruar Bukoshi. (http://www.rtklive.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.