E Premte, 03.29.2024, 03:44pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

"GJENERALI ME QELESHE TË BARDHË"

"Mirë jam unë kur asht mirë Shqypnia!" -Isa Boletini

Nga MIMOZA DAJÇI


E Shtunë, 11.27.2010, 08:45am (GMT+1)


Për datën 28 Nëntor të vitit 1912, ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është folur shpesh në familjen tonë si nga prindërit, gjyshja ashtu edhe nga të afërm të familjes, protagonistë në këtë eveniment të rëndësishëm historik. Njëri nga bashkëluftëtarët besnikë e nip i Isë Boletinit ka qenë edhe Tafil Boletini, i cili u nda nga jeta në vitin 1970-të në Tiranë. Si pasardhëse e familjes së Boletinëve, edhe unë pata fatin e mirë të njihja e të bisedoja nga afër me Dajë Tafilin. I qetë, i shtruar e gojë embël si kurdoherë ai nuk rreshte së treguari ngjarje e ndodhi të ndryshme historike që kishte përjetuar në rininë e jetën e tij përkah axhës Isë dhe të atit Ahmet, të cilin turqit e vranë tepër të ri, pasi edhe ai ishte shumë trim e i zgjuar. Turqit i shikonin të dy vëllezërit si hallkat e pengesat kryesore për vendimet e tyre djallëzore e pushtuese. Disa herë është sulmuar e goditur edhe nga turqit Kulla, por kurrë nuk kanë mundur t'i nënshtrojnë Boletinët e shqiptarët e atyre trevave. Edhe kur burrat nuk ndodheshin në kullë, brenda saj luftohej me mauzere nga vajzat e gratë Boletinase, si Hajrija gjyshja ime, Ajetja etj, të cilat i vendosnin pushkët e gjata austriake nëpër frengjitë përreth kullës për të zmbrapsur armikun e për të treguar se Boletinët ishin akoma gjallë e brenda saj kishte trima e trimëresha.

Tafili kishte kryer akademinë ushtarake në Stamboll, por me të përfunduar studimet, e pas vrasjes së të atit kthehet pranë familjes në Mitrovicë. Në njësinë e kalorësave trima të Isa Boletinit drejt Vlorës për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë mori pjesë edhe Tafili, e këtë ngjarje ai e tregonte sa herë me emocion të madh edhe pse gjatë rrugës kishin hasur nëpër pengesa, pusi e rreziqe të mëdha. "Moti ishte i keq, por axha Isë me intuitën e mençurinë e tij na e shkurtoi rrugën e në një kohë të paparashikueshme na nxorri në Vlorë. Ndiqeshim çdo hap nga forcat serbo - malazese e turke, e me gjithë atë përndjekeje zemra na rrihte tek qëllimi i madh, Shpallja e Pavarërisë së Shqipërisë, e kjo për ne e mundi çdo vështirësi".

Isa Boletini edhe pse ende i ri, në moshën 17 vjeçare mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit. Ai ka qenë mbështetës i Rilindasve shqiptarë. Ndërtues i Shkollës së parë shqipe për Boletin dhe Shalë, shkollë e cila ruhet edhe sot nga banorët vendas dhe ka marrë emrin e tij. Isa Boletini rindërtoi Kullën e Boletinëve pas shkatërrimit e djegjes që i bënë turqit. Në atë kohë turqit kërkonin zhdukjen e Boletinëve e veçanërisht të Isës, pasi Boletinët ata i shikonin si kundërshtarë kryesorë në pushtimin e tyre. Që nga viti 1901 e deri më 1912, Isa Boletini ka qenë në krye të kryengritjeve shqiptare kundra serbo malazezëve, por edhe kundra turqve. Në këtë periudhë emri i tij u komentua shumë në shtypin e kohës, ku shkruhej lidhur me betejat e tij të suksesshme të Cernavelës, Kaçanikut, Shkupit e Kalasë së Mitrovicës ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus, i cili ndihmonte serbët në operacionet kundra shqiptarëve.

Rritja e autoritetit të tij në Mitrovicë e më gjerë bëri që Isa Boletini të zgjidhet delegat i kësaj krahine në Kuvendin e Pejës, i cili i zhvilloi punimet më 23 janar të vitit 1899. Ai i mbështeti vendimet e rëndësishme të kuvendit për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe fitoren e autonomisë. Isa Boletini spikaste fuqishëm edhe në aspektin politik. Në bashkëpunim me Haxhi Zekën, Bajram Currin etj, Isa Boletini do të vazhdonte kundërshtimin e përpjekjeve të Beogradit për të depërtuar në Kosovë me mjete e forma të ndryshme, përfshi edhe armatosjen e pakicës serbe. Veprimtaria e Isa Boletinit u trumpetua e u paraqit nga Beogradi pranë Fuqive të Mëdha e "Portës së Lartë" si një keqtrajtim dhe dhunë ndaj pakicës serbe, prandaj duhet të ndërhynin për të vendosur qetësinë. (Ndërsa shtypi i huaj i asaj kohe do ta cilësonte Isa Boletinin gjeneral të ushtrisë shqiptare e do ta krahasonte me Robin Hudin e Anglisë dhe Xhorxh Washingtonin e Amerikës). E menjëherë shqetësimit serb i u përgjigj qeveria ruse e cila kërkoi pranë "Portës së Lartë" që të merrte masa për të ndaluar veprimet e Isa Boletinit dhe nën pretekstin e ruajtjes së elementit të krishterë nxorri leje nga "Porta e Lartë" për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë.

Një hap i tillë i Rusisë u pa nga Isa Boletini dhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë, si një mbështetës i drejtë përdrejtë për Serbinë, si rritje e ndikimit sllav në krahinë dhe e dëmshme për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve. Prandaj për të bërë të pamundur hapjen e saj krahas organizimit të lëvizjes së armatosur në fund të vitit 1902 ndërmori një udhëtim në Stamboll. Por nën presionin e Rusisë dhe Serbisë, Isa Boletini u mbajt i izoluar deri në vitin 1906 në Stamboll, ku iu kërkua nga Sulltani të qëndronte atje ndaj një shpërblimi mjaft të madh. Por Isa i u përgjigj: "Boletini është më i mirë se Stambolli". Megjithë izolimin e tij 3 vjeçar në Stamboll ai u nda vetëm fizikisht nga vendlindja, Kosova e Shqipëria, por kurrësesi nga mendja e shpirti. Pas kthimit në atdhe ai do të vijonte veprimtarinë e tij në dobi të çështjes kombëtare, ku u vu në krye të lëvizjes kryengritëse që kishte përfshirë Mitrovicën, Pejën, Gjakovën, etj. Por për realizimin e programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Isa Boletini bëri përpjekje për të siguruar mbështetje e bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha, e kur arriti suksese të njëpasnjëshme detyroi "Portën e Madhe" të pranonte kërkesat e memorandumit të gushtit të vitit 1912.

Duke u ndalur përsëri tek Dita e Madhe e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, do të shikojmë angazhimin e jashtëzakonshëm e sublim të Isa Boletinit, që edhe pse i ndjekur nga forcat serbo - malazeze e turke, merr guximin që së bashku me 100 bashkëluftëtarët e tij t'i drejtohen Vlorës e të mbështesin Ismail Qemalin në këtë vendim të madh historik për të ardhmen e vendit. Tek ky akt politik që po përgatitej në Vlorë, Isa Boletini pa shpëtimin e Kosovës, dhe viseve të tjera shqiptare të pushtuara nga ushtritë e Aleancës Ballkanike. Megjithë motin e keq e rreziqet e udhës së largët, ai arrin në kohë rekord "të shkurtojë" rrugën Mitrovicë Vlorë e me kuajt e tyre të fuqishëm gjenden në Vlorë më datën 29 nëntor të vitit 1912. Kur Ismail Qemali mësoi lajmin e mbërritjes së Isa Boletinit, mori flamurin dhe i doli vetë përpara për ta pritur duke i thënë: "I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e Shqipërisë".

Isa Boletini në krye të luftëtarëve kosovarë, përulet me respekt përpara flamurit kuq e zi qëndisur aq bukur nga duart e vajzave shqiptare. Çaste emocionuese këto për këdo që edhe pse i dëgjon pas disa vitesh paraqesin kurdoherë interes, aq më tepër kur tregohen nga vetë dëshmimtari okular i atyre ditëve. Kështu me emocion e gëzim të madh do t'i përcillte tek ne Dajë Tafili këto momente të paharruara të jetës së tij, të cilat ne i kujtojmë kurdoherë me respekt të veçantë.

Isa Boletini u prit me entuziazëm të madh në "Sheshin e Flamurit" nga populli i Vlorës, Ismail Qemali dhe delegatët e Kuvendit. Në takimin me Ismail Qemalin, ai e përgëzoi për aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa nga ana e tij, plaku i urtë i Vlorës vlerësoi ndihmën e madhe të Isa Boletinit në çështjen kombëtare duke i thënë: "Ti më dhe krahun dhe fuqinë". Që nga ky moment ai i qëndroi pranë Ismail Qemalit duke marrë pjesë përkrah delegatëve të tjerë në ngritjen e organizimin e Shtetit Shqiptar dhe u vu pa rezerva në mbrojtje të tij. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë Isa Boletinit iu besuan detyra të reja. Ai ngriti Gardën e parë Shqiptare duke vendosur rregull në zonat në jug të vendit e duke mbrojtur bregdetin nga forcat greke, si dhe krijon Xhandarmërinë Shqiptare. Si përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare udhëton përkrah Ismail Qemalit drejt Londrës, ku do të fillonte punimet Konferenca e Paqes në Londër në janar të vitit 1913, ku u shënua edhe përmbysja e Perandorisë Osmane në Europë. Intervistat e Isa Boletinit dhënë asaj kohe për mediat e huaja gjenden edhe sot të arshivuara në Londër e shihen si vlera studimore. Ai në çdo fjalë të tij shprehej se nuk mund ta përfytyronte dot Mitrovicën pa Shqipërinë dhe Shqipërinë pa Mitrovicën, prandaj paralajmëroi se nuk do të qëndronte duar kryq nëse Evropa e civilizuar do ta copëtonte Shqipërinë. Për nder të figurës së tij në Muzeun Historik të Londrës gjendet edhe portreti i tij, me nënshkrimin "Gjenerali me qeleshe të bardhë".

Ja se çfarë shkruan historiani Edwin Jacques për një nga takimet e Boletinit me qeveritarë të lartë në Londër. "Kur delegacioni shqiptar po hynte në ndërtesën e Zyrës së Jashtme Britanike, rojet i kërkuan të dorëzonte pistoletën që mbante në brez. Ai u bind pa kundërshtuar. Pas vizitës, Sekretari i Jashtëm Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin aty ku kishte dorëzuar më parë pistoletën, të cilën ai e vendosi përsëri në brez. Sir Grey duke buzëqeshur komentoi: "Gjeneral, gazetat nesër me siguri do të shkruajnë se Isa Boletinin, të cilin nuk e ç'armatosi dot as Mahmut Shefqet Pasha, sapo arritëm ta ç'armatosim ne në Londër". Boletini u përgjigj po me buzëqeshje "Jo, jo, as në Londër, jo!" dhe nxorri një pistoletë të dytë nga xhepi."

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, përveç Hotelit "York", Isa Boletini një kohë kishte qëndruar edhe në rrugën 28 Bruton Street W1, afër Bond Street, si duket në shtëpinë e Aubrey Herbert, ku ishte takuar e konsultuar me të dhe me Ms. Edith Durham e shumë miq të tjerë anglezë të shqiptarëve të asaj kohe. Kjo ndërtesë tashmë është kthyer në një galeri pikturash.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isa Boletinin në Malësinë e Gjakovës, ku do të mbështeste dhe organizonte qëndresën e popullit të Kosovës kundër zgjedhës osmane. Mirëpo përqëndrimi i forcave ushtarake serbo - malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brenda vendit e detyroi Isa Boletinin të linte Krasniqën dhe të zbriste në Shkodër.

Qershor 1915. Tashmë Isa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore e në kushte ekonomike tejet të vështira pasi pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të luftës për liri e pavarësi, e për të mos rënë në duart e forcave malazeze i kërkoi konsullit francez që ta ndihmonte për t'u larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynte pranë qeverisë serbe që ta lejonte për t'u kthyer pranë familjes në Mitrovicë. Qeveria franceze nuk i mori parasysh kërkesat e tij dhe ia dorëzoi Isa Boletinin Malit të Zi, duke u bërë drejtë përsëdrejti pjesëmarrëse në krimin e shëmtuar që serbo- malazezët kryen ndaj Isa Boletinit më 23 janar të vitit 1916 tek Ura e Podgoricës.

Vrasja e Isa Boletinit ishte një humbje e madhe për kombin shqiptar. Lajmi u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin. "Pas disa ditësh kthehet në kullë edhe kali i tij besnik. I pikëlluar edhe pse i dërrmuar nga rruga e gjatë, arrin të sjellë lajmin e kobshëm, vdekjen e Isa Boletinit e trimave të tjerë. Lotë i pikonin nga sytë, hingëllinte i tronditur e psherëtinte si femijë nën haur nga dhimbja e madhe që përjetoi për kalorësin e tij që i shërbeu për vite me rradhë" - tregonte kështu Dajë Tafili për kalin besnik të Isës.

Autorë të vrasjes së njeriut më të fortë që ishte në krah të Ismal Qemalit, patriotit shqiptar që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të udhëhequr nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtuan Malin e Zi pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. E qeveritarët e Malit të Zi pa u turpëruar fare nga ky pushtim i kushtonin vemëndje heqjes qafe shqiptarit "të rrezikshëm" Isa Boletini, të cilin e mbanin prej kohësh të izoluar. Anglezët i ofrojnë Isës mbrojtje nga shteti, por ky i fundit duke u nisur nga ligjet e maleve preferon "mikun që i hapi derën i pari". Pra ai do t'i drejtohej Ambasadës Franceze, ku sipas një telegrami të paraqitur në mënyrë urdhëri nga ministri i jashtëm i Francës, shkruhej se Isa Boletini me njerëzit e tij do të strehoheshin në një vend neutral. Mirëpo të afërm të e Isës kishin nuhatur një lidhje të çuditshme mes diplomatit francez dhe malazezëve të Shkodrës, por këtë gjë ata do ta kuptonin me vonesë.

Dhe vërtetë, në mëngjes herët Isa shikon se shtëpia ku bujtën ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Nga aty nën kërcënimin e pushkëve e nën survejim të plotë Isën së bashku me njerëzit e afërm të tij i dërgojnë në Nikshiq, Danilograd e më pas në Podgoricë. Gjatë bisedës me të mbijetuarin e kësaj ngjarje tronditëse Tafil Boletini, jemi njohur në detaje se si ndodhi rrethimi e më pas kjo vrasje masive. "Më shumë se 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit e mi sipas një lajmërimi të kasnecit po ktheheshim për në shtëpi tek axha Isë. Patrulla në krye të urës që po priste ardhjen e axhës Isë na ndaloi dhe xhandarët me pushkët ngrehur na pyesin: "Kush është Isa Boletini?" Por një nga oficerët ndërhyn: "Mos shtini! Asnjë nga këta nuk është Isa Boletini". U gjendëm ngushtë e në hall të madh. Të rrethuar nën grykët e pushkëve e të dhunës së ushtruar nga xhandarët asnjë nga ne të tre nuk mund të lajmëronte Isën. Ndërkohë Isa Boletini vetë i tetë kishte hedhur hapat e parë mbi dërrasat e urës së Ribnicës pa dalluar se prapa krahëve të xhandarëve udha u mbyll, për të mos patur asnjë mundësi dalje. Një ushtarak i lartë u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: "Jo besa. S'ja kam dorëzue as Krajlit, as Mbretit". Dhe nxjerr armën. Por i pari që shtiu ishte një farë soj Pero Buriqi nga Vasoniqi. E kështu flakë për flakë ia kthen edhe Isa me të tijtë me nga dy revolverë nëpër duar. Çdo shpresë jete apo dalje nga ura ishte e pamundur. Çdo kënd ishte i rrethuar nga forcat e shumta malazeze e brenda disa minutave vriten të gjithë, Isa Boletini me dy djemtë e tij Halilin e Zahidin (ky i fundit kishte qenë ndërkohë edhe student në Vjenë) dy nipat Jonuzin dhe Halitin, Hajdar Selim Radisheva kunati i Isës, djali i vëllait të Hajdarit Idriz Bislim Radisheva dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga pala tjetër mbetën po ashtu të vrarë tetë xhandarë e dyfishi i tyre të plagosur.

Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë për shqiptarët, por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kapërcyer caqet. Shkrimtari disident Millovan Gjillas në veprën e tij "Toka pa Drejtësi" botuar në versionin anglisht në New York në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin Isa Boletini, që shumë njerëz e kanë krahasuar të barazvlefshme me "Donin e Qetë" të Shollohovit.

Gazeta shqiptare e atyre viteve "Flamuri Shqiptar" do të shkruante: "Shqipëria humbi luftëtarin e saj dhe Kosova vajton luanin e dëgjuar". Revolveri i Isa Boletinit me përkushtimin e tij në formë gravure ndodhet sot e kësaj dite në Tiranë, si dhuratë nga popi Momçillo. Isa Boletini, ky patriot i shquar që me veprimtarinë e tij i shërbeu aq shumë popullit dhe atdheut të vet, që ai të kishte shtetin dhe historinë e tij, u vu në rradhën e figurave më madhore të kombit. Ai do të njihet brenda e jashtë vendit si një personalitet i lartë i të gjitha kohërave. Emri dhe vepra e luftëtarit, strategut dhe udhëheqësit të spikatur ushtarak Isa Boletini do të përkujtohet nga ne e brezat e ardhshëm me krenari e respekt të thellë. Shkolla, lagje, rrugë e sheshe mbajnë emrin e tij, e tani së fundmi një batalion special i ushtrisë shqiptare aktualisht i instaluar në Irak mban emrin e Isa Boletinit.


MIMOZA DAJÇI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË MOMENT I RËNDËSISHËM NË JETËN E DOM PJETËR POPAJ DHE TË KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKANNga FRANK SHKRELI (11.26.2010)
RUSIA E ZEMËRUAR ME PROPOZIMIN EVROPIAN PËR VIZANga ELLEN BARRY, New York Times (11.26.2010)
PËR NJË KARDINAL SHQIPTARNga FRANK SHKRELI (11.24.2010)
UKA DHE ISAINga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.24.2010)
NJË NATO PËR SHEKULLIN XXINga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (11.23.2010)
PARTIA E KANOÇEVENga MIMOZA DAJÇI (11.23.2010)
DOSIADANga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.22.2010)
TIPOLOGJIA E LISTAVENga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.22.2010)
SOT NUK MJAFTON TË THUASH SE FAJIN E KA OPOZITAKUR KA KULTURË FETARE E PËRSE TË MOS KETË EDHE KULTURË POLITIKENGA ELIDA BUÇPAPAJ (11.22.2010)
ZGJEDHJET PO BËHEN SHPEJT, ZGJIDHJET ASSESI!Nga FATON BISLIMI (11.21.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]