VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË NA BASHKOJË SHKODRA
NGA ELIDA  BUÇPAPAJ

E Martë, 12.07.2010, 11:28am (GMT1)



Në ditët e para të dhjetorit 2010 lumenjtë e Shqipërisë rezultojnë të çmendur e të tërbuar si asnjëherë më parë, duke përmbytur mijra hektarë tokë, rrëmbyer e marrë me vete çfarë të gjejnë përpara, duke  detyruar mijra e mijra njerëz të braktisin shtëpitë e mbushura nga uji si të ishin kuti shkrepse, të cilët në momentin e fundit nuk harrojnë të shpëtojnë gjënë e gjallë e ikin të strehohen ose nëpër konvikte ose tek të afërmit në zonat e papërfshira nga katarstrofa natyrore, që e ka bërë shtetin të shpallë gjendjen e emergjencës, me prioritet shpëtimin e jetëve njerëzore e pastaj të shpëtojnë ç'të mundin nga rebelimi i lumenjve.

Buna, Kiri, Drini, Mati, Valbona, Shkumbini, Gjanica, Vjosa, Semani, Devolli, janë bërë të gjithë bashkë e fryjnë e shfryjnë si të tërbuar, duke dalë nga shtretërit e tyre me egërsi, mosbindje dhe anarkizëm, nga ai lloj anarkizmi që shkakton vetëm rrëmujë dhe kaos.

Këto mosbindje të natyrës ndaj kodeve e rregullave të cilat i bëjnë lumenjtë të respektojnë rrjedhat e shtretërit e tyre, herë të qetë e herë jo, sipas stinëve,  janë tepër të rralla, ndodhin një herë në njëqind apo një mijë vjet, nuk janë të shkaktuara nga qeverisja dhe rrallë herë, në mos të themi asnjëherë fatkeqësitë natyrore, orkestrohen nga politika për të zbuluar fajtorët e tërbimit të lumenjve tek kundërshtarët politikë.

Një situatë shumë më kritike se kjo që po ndodh në Shqipëri, kemi parë në Evropë, në vitin 2002 ku Elba dhe Danubi rrezikonin Pragën, Drezdenin apo Budapestin.

Gazeta britanike The Telegraph, duke iu referuar gushtit të vitit 2002, shkruan: "Kjo është një përmbytje e shekullit, ose mund të themi se është përmbytja e mijëvjeçarit". "Pjesa baroke e Drezdenit rrezikohet të kapërdihet nga ujrat e Elbës", vazhdon The Telegraph, "Drezdeni dhe Praga, kryeqyteti i Çekise, dy qytete binjake xhevahire në Europën e Mesme, kulturat e të cilave iu kanë rezistuar bombardimeve të kohës së Nazizmit dhe kundërrevolucionit komunist, tani rrezikohen të fshihen tërësisht nga uji dhe balta e Elbës."

Gushtit të vitit 2002 i takon edhe tërbimi i Danubit, ku duke iu referuar po gazetës britanike të kohës The Telegraph, kujtojmë se ujrat e Danubit e kishin vënë në rrezik kryeqytetin e Hungarisë, Budapestin, duke shkaktuar të paktën 100 viktima dhe miliarda Euro dëme. Kështu saktëson The Telegraph.

Polonia përjetoi të njëjtën dramë si Gjermania, Hungaria dhe Çekia qershorin që shkoi kur lumi Vistula rrezikoi Varshavën nga përmbytja, duke shkaktuar katastrofë natyrore. Situatë të cilën tani po e përjeton Shqipëria. Edhe shtetet fqinje me Shqipërinë lajmërojnë fryrje të lumenjve. Serbia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme prej lumit Sava. Pra tërbimi i lumenjve nuk është politik, por ciklor. Ne kemi jetuar tërbimin e diktaturës më mizore të Europës dhe lumenjtë kanë ndejtur urtë e nuk kanë bërë zë. Mos se ia kishin frikën e Hoxhës dhe klikës së tij. Nuk besoj. E që tani janë tërbuar se nuk ia kanë frikën Berishës. Kushedi.

Por ajo që dua të them dhe nënvizoj është se zakonisht katastrofat natyrore ushqejnë pajtime, bashkime, pasi situatat kritike që përjeton një pjesë e popullësisë, nxisin tek njerëzit ndjenjat humanitare dhe solidaritetin për të ndihmuar e mbështetur ata të cilët kanë nevojë, pa marrë parasysh nëse janë të djathtë apo të majtë, nëse i përkasin elektoratit të kryeministrit të Shqipërisë, apo elektoratit të liderit të opozitës. Nëse nuk e kemi në dorë që të urtojmë e pajtojmë lumenjtë, të paktën të pajtohemi mes vedi, po, këtë e kemi në dorë. Sepse arroganca dhe kryneçësia njerëzore, (nuk dua të them partiake), në kohë përmbytjesh e rebelimi të lumenjve, është e paimagjinueshme dhe e papranueshme.

 

 

ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.