VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË TRAKTAT SHQIPËRI-KOSOVË

Nga SHABAN MURATI


E Mërkurë, 01.12.2011, 11:09am (GMT1)

TIRANË- Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës i kanë specifikën, përmbajtjen dhe perspektivën të pangjashme me çdo lloj marrëdhënieje dypalëshe të Shqipërisë ose të Kosovës me një shtet tjetër. Nuk duket se niveli i kuptueshmërisë së këtij thelbi specifik është në masën e duhur, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës ende nuk kanë realizuar një kuadër të plotë juridik, i cili jo vetëm nuk ka tejkaluar atë të marrëdhënieve me shtete të tjera, por të paktën të ketë të njëjtën hapësirë juridike si marrëdhëniet me disa shtete të tjera.

Fjala është për një Traktat Miqësie, Bashkëpunimi dhe Mbrojtjeje Reciproke mes Shqipërisë dhe Kosovës, të cilit jo vetëm i ka ardhur koha, por me sa duket edhe po i kalon. Në librin tim "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës", botuar në vitin 2009, kam shkruar: "Marrëdhëniet mes shtetit të Shqipërisë, anëtare e NATO-s, dhe shtetit të Kosovës, duhet të trajtohen si marrëdhënie të partneritetit strategjik numër një dhe të aleatit strategjik numër një. Një hap i parë i rëndësishëm dhe imperativ do të ishte nënshkrimi sa më shpejt i një Traktati të Bashkëpunimit dhe të Mbrojtjes Reciproke mes Shqipërisë dhe Kosovës".

Nënshkrimi i një Traktati të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të demonstrojë se u është dhënë këtyre marrëdhënieve rëndësia dhe korniza juridike e duhur, sepse një traktat i tillë në fakt mishëron shkallën më të lartë juridike të marrëdhënieve mes dy shteteve. Është për t'u mbajtur në konsideratë që Kosova nuk do të jetë shteti i parë, me të cilin Shqipëria do të nënshkruante një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi, dhe me këtë hap shtetëroro-juridik nuk ndërmerret ndonjë veprim, që mund të shkaktojë habi apo hezitim në radhën e shteteve të tjera, aleate ose jo, në rajon ose jo.

Është një praktikë normale, e njohur dhe e zbatuar në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, në marrëdhëniet mes shteteve, që kanë ose nuk kanë kufij të përbashkët, por që kanë interesa, koordinime dhe strategji të ngjashme në arenën ndërkombëtare apo në rajonin ku ndodhen. Është një praktikë, të cilën e has edhe në historinë e diplomacisë shqiptare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit tonë me shtetet e tjera. Nuk po shtyhemi në histori për të përmendur se Shqipëria ka nënshkruar dikur Traktate Miqësie me Jugosllavinë apo me Bashkimin Sovjetik. Por Shqipëria ka vazhduar praktikën e nënshkrimit të Traktateve të Miqësisë edhe në periudhën postkomuniste. Shqipëria, pas vitit 1992, ka nënshkruar traktate miqësie dhe Bashkëpunimi edhe me Rumaninë, edhe me Greqinë, edhe me Bullgarinë, edhe me Kroacinë, dhe me disa shtete të tjera. Shqipëria është në prag të nënshkrimit të një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi me Rusinë, traktat i cili është parafuar që para gjashtë vjetësh nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve. Nënshkrimi i këtij Traktati është kërkuar nga Rusia.

Duke nënshkruar një Traktat me Kosovën, ndiqet një praktikë diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Por në rastin e Kosovës ka një specifikë nxitëse dhe mbështetëse, të cilën nuk e kanë, dhe vështirë ta kenë traktatet e miqësisë dhe të bashkëpunimit reciprok me shtetet e tjera. Traktatet me shtetet e tjera kanë shpeshherë të përfshirë brenda tyre prapavija dhe interesa të natyrave të ndryshme, të cilat herë-herë kapërcejnë interesat kombëtare dhe jetike të njërit apo tjetrit shtet nënshkrues. Kjo vjen ngaqë ngjashmëria dhe homogjeniteti i interesave është një kategori, e cila nuk mund të jetë asnjëherë perfekte në marrëdhëniet dypalëshe me shtetet e tjera. Sepse ka shumë faktorë dhe elemente, që përcaktojnë dhe kushtëzojnë përmbajtjen, nenet e shprehura dhe të pashprehura, dhe frymën e një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi reciprok. Këta faktorë dhe këto rrethana kanë të bëjnë me ndërvartësitë apo vartësitë që vijnë nga disekuilibra fizikë mes shteteve nënshkruese, nga disekuilibra ushtarakë, ekonomikë, territorialë, minoritetesh, apo lidhjesh të karaktereve të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ato subversivet. Në rastin e një Traktati të Shqipërisë me Kosovën, përjashtohet për arsye të njohura çdo lloj hapësire apo mundësie devijimi të një Traktati drejt një kompromisi me pasoja apo një cenimi të interesave jetike apo kombëtare, siç mund të vërehet nga analiza e ndonjë traktati që Shqipëria ka nënshkruar më parë. Në rastin e Kosovës, kemi shkallën më të lartë të përputhjes harmonike të interesave shtetërore, jetike dhe kombëtare, mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që vështirë ta përkufizosh për një shtet tjetër, sado mik e aleat qoftë.

Ecuria e marrëdhënieve ndërkombëtare në rajonin tonë pas pavarësisë së Kosovës po evidenton gjithnjë e me tepër nevojën e nënshkrimit të një Traktati të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit Reciprok mes Shqipërisë dhe Kosovës. Konsolidimi i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe zgjerimi i hartës së njohjes së tij si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare, zgjeron gjithnjë e më shumë bazën e një kërkese për këtë traktat.
Nga ana tjetër, me gjithë kornizën juridike shtetërore të Kosovës dhe funksionimin e saj si njësi përbërëse e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon, ka një realitet, i cili është i pranishëm dhe aktiv në rajon, dhe i cili duhet të ketë konsideratën e duhur të autoriteteve të Prishtinës dhe të Tiranës së bashku.

Kjo ka të bëjë me përcaktimin dhe klasifikimin e kërcënimeve apo të burimeve të rreziqeve, që i vijnë njërit apo tjetrit shtet. Nuk është realist një mendim që haset në njërën apo tjetrën zyrë shtetërore se tani që Kosova u bë shtet i pavarur, kërcënimet dhe burimet e rreziqeve janë të tjera për Shqipërinë dhe të tjera për Kosovën. Nuk është realist, sepse duhet pasur mirë në mendje se në politikën tonë të jashtme, në strategjinë tonë ndërkombëtare, në doktrinën tonë të sigurisë, Kosova ka qenë dhe mbetet pjesë e pandarë e interesit tonë jetik dhe kombëtar. Që do të thotë se kërcënimet apo burimet e rreziqeve që i vijnë Kosovës, nuk mund të neglizhohen nga asnjë doktrinë dhe nga asnjë qeveri serioze në Tiranë. Që do të thotë se kërcënimi apo burimi i rrezikut për sovranitetin, integritetin dhe ekzistencën e Kosovës, nuk mund të lihen në asnjë mënyrë jashtë vëmendjes së doktrinës dhe të strategjisë sonë ndërkombëtare.

Përkatësia jonë në NATO dhe synimi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian kanë korrigjuar disa shënjestra politike, diplomatike, dhe madje strategjike në busullën e interesave jetike dhe kombëtare, por nuk i kanë fshirë plotësisht ato. Për këtë krijohet bindje mjafton të shfletosh historinë moderne të marrëdhënieve të shumë shteteve që janë në të njëjtën organizatë, si NATO apo si BE, dhe për të parë se ka ndodhur disa herë që doktrinat e atyre shteteve i kanë parë kërcënimet dhe burimet e rreziqeve më të mëdha nga një shtet anëtar i organizatës se sa nga ndonjë shtet jashtë saj.

Nënshkrimi i një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi Reciprok mes Shqipërisë dhe Kosovës nxitet edhe nga disa zhvillime apo sinjale zhvillimesh jo shumë të pëlqyeshme në rajon dhe rreth tij, dhe që kanë të bëjnë me qëndrime apo veprime ndaj çështjes së Kosovës. Këto zhvillime apo sinjale zhvillimesh jopozitive shtyjnë për një rol më aktiv dhe më dinamik të Shqipërisë në mbrojtjen e kauzës së Kosovës, që siç e theksuam më sipër, është pjesë e pandarë dhe e pamohueshme e interesit tonë jetik kombëtar.

Nuk duhet harruar se dashuritë, miqësitë apo prirjet reale të një qeverie apo të një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, maten jo me retorikë folklorike, por me kuadrin ligjor, ekonomik, politik dhe strategjik të marrëdhënieve me njërin apo tjetrin shtet. Dhe ky kuadër i lartë juridik, të cilin e kemi me disa shtete, duhet të vulosë marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, të cilat duhet të punojnë për të nënshkruar sa më parë një Traktat të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit Reciprok mes Shqipërisë dhe Kosovës.

SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.