VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI BARACK OBAMA NË SHËRBIMIN PËRKUJTIMOR PËR VIKTIMAT NË ARIZONA

Nga FRANK SHKRELI


E Enjte, 01.13.2011, 10:43pm (GMT1)


Presidenti Obama mori pjesë mbrëmë në një shërbim përkujtimor për viktimat e sulmit në shtetin Arizona të Shtunën që kaloi, ku mbetën të vrarë 6 persona, përfshirë një vajzë 9 vjeçare, një gjykatës federal dhe u plagos rëndë një anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

"Unë kam ardhur sonte këtu si një Amerikan, i cili si të gjithë Amerikanët, ulem në gjunjë për t'u lutur me ju sot, dhe për të qenë me ju nesër", tha Presidenti amerikan.

Presidenti Obama foli në universitetin e Arizonës në qytetin Tuscon para mijëra pjesëmarrësve duke u përqëndruar kryesisht mbi secilin prej viktimave. Ai pranoi haptazi dhe me ngulm se është e pamundur të dihet se ç'e shtyri të dyshuarin të vriste 6 veta dhe të plagoste 13 të tjerë, një tragjedi kjo që tronditi të gjithë vendin. Në fjalimin e tij, Presdenti Obama tha se kujtimi i të rënëve të jetë i përhershëm dhe i paharrueshëm, dhe në të njëjtën kohë i bëri thirrje kombit që të përdorë këtë moment për reflektim.

"Unë besoj se ne mund të jemi më të mirë," tha Zoti Obama. "Ata që vdiqën dhe ata që shpëtuan shumë veta gjatë sulmit, më bëjnë të besoj se mund të jemi më të mirë." "Ndoshta ne nuk mund të ndalojmë të gjitha ndodhitë e këqija në botë por e di se mënyra se si trajtojmë njëri tjetrin është krejtësisht në duart tona", tha Presidenti Obama. Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të mos e përdorin këtë tragjedi si një rast tjetër për të kritikuar njëri tjetrin dhe në vend të kësaj, tha presidenti, le të dëgjojmë më me kujdes mendimet dhe pikëpamjet e njëri tjetrit.

"Në një kohë kur diskutimi politik është aq i polarizuar në një kohë kur të gjithë ne jemi gati të ngarkojmë me faj, për të gjitha problemet tona, ata që mendojnë ndryshe nga ne është e rëndësishme që të gjithë të bëjmë një pauz dhe të reflektojmë me qëllim që të diskutojmë me njëri tjetrin në një mënyrë që nxit pajtimin e jo lëndimin e njëri tjetrit," tha presidenti Obama.

Ndërkohë që në qarqe të ndryshme është komentuar nëse retorika politike në vend kishte luajtur ndonjë rol nw këte sulm tragjik, Zoti Obama, në fjalimin e tij, u përpoq të qetësojë ketë retorikë duke thënë se "të keqiat ndodhin dhe se të gjithë duhet të ruhemi nga shpjegime të thjeshta se pse mund te kene ndodhur tragjeditë". Ai foli gjithashtu edhe për dinjitetin dhe bujarinë e popullit amerikan duke thënë se "forcat që mund të na ndajnë nuk janw aq të fuqishme sa ato që na bashkojnë."

Tragjedia në Arizona e detyroi Presidentin Obama që tw ngushëllojë dhe të ndajë dhimbjet me qytetarët ashtu siç bënë para tij Presidenti George W. Bush me rastin e sulmeve terroriste me 2001, Presidenti Bill Clinton pas shpërthimit të një bombe në Oklahoma City me 1995, dhe Presidenti Ronald Reagan me rastin e shpërthimit të anijes së hapësirës së lartë "Challenger" më 1986.

Në delegacionin e Presidentit Obama që shkoi mbrëmë në Arizona përfshiheshin udhëheqës nga të ty partitë kryesore të Amerikës, demokratë e republikanë, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë federale dhe shtetërore.

Edhe në Kongresin amerikan dje nuk kishte mbledhje e fjalime politike me kauza partiake, por te gjithë antarët ofruan lutje e shpresa për shërim sa më të shpejtë të kolegës së tyre, kongresistes Gabrielle Giffords.

Kryetari i ri i Dhomws së Pwrfaqësuesve, republikani John Boehner, me lot në sy, tha se nga shokimi, Kongresi ende nuk ka patur kohë të mjaftueshme për të reflektuar mbi këte tragjedi të rëndë, duke thënë se "zemrat tona janw të lodhura, por morali ynë nuk është thyer... Ky është një rast qe Dhoma e Përfaqsuesve të bashkohet në lutje për të rënët dhe për të plagosurit dhe, ne të njëjtën kohë, te zotohemi se do të vazhdojmë dialogun demokratik. Ka mundësi që të mos kemi të gjitha zgjidhjet përfundimtare të problemeve me të cilat përballet vendi, por ama për një gjë jemi të sigurt: "se ne jemi Amerikanë dhe si të tillë do të kalojmë edhe këte periudhë të vështirë."

Në të njëjtën frymë, Zyra e kongresistes së plagosur Gifford lëshoi me këte rast një deklaratë me te cilën falenderoi të gjithë Amerikanët për përkrahjen e tyre të jashtzakonshme duke thënë se "bile edhe gjatë momenteve më tragjike, kapaciteti i kombit tonë për të shprehur ndjenja mirësie e simpatie, na kujton popullin më të mirë (në botë)", thuhet ne deklaraten e zyres se deputetes se plagosur Gabrielle Gifford.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.