VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TAKIMI I NIVELIT TË LARTË AMERIKANO-KINEZ

Nga FRANK SHKRELI


E Hënë, 01.17.2011, 11:09pm (GMT1)

Këtë javë, në Shtëpinë e Bardhë fillon takimi i nivelit të lartë amerikano-kinez. Vizita e Zotit Hu Jintao është vizita e parë e një udhëheqësi kinez në Washington ne 14 vjet. Marrëdhëniet amerikano-kineze, sipas Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, janë në një pikëkëthesë kritike. Të dy palët presin shumë nga ky takim mjaft i rëndësishëm jo vetëm për të dy vendet, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për paqen në botë. Sekretarja amerikane e shtetit, Zonja Clinton, në një fjalim në Stejt Departmentin amerikan javën që kaloi, tha se Shtetet e Bashkuara në marrëdhëniet me Kinën -- janë duke ndjekur një strategji që sipas saj përfshin angazhimin e gjithanshëm të Amerikës në zonën e Azisë dhe të Paqësorit; punën e vazhdueshme në mbështetje të shtimit të besueshmërisë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara; dhe angazhimin për të zgjeruar bashkpunimin në fushat ekonomike, politike dhe të sigurimit. Pritet që bisedimet, ndër të tjera, të përfshijnë çështje siç janë të drejtat e njeriut, çështjet monetaro-financiare dhe mosbalanci tregtar midis dy vendeve.

Në përgatitje për takimin me Zotin Hu, Presidenti Obama pati një takim me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me pesë përkrahës të të drejtave të njeriut në Kinë, hera e parë që ai ka bërë një gjë të tillë, që siç duket është një përpjekje kjo e Presidentit amerikan për të ri-fokusuar vëmendjen mbi të drejtat e njeriut në Kinë. Ky takim i Presidentit Obama me përkrahës të të drejtave të njeriut në Kinë, shikohet si shumë pozitiv, sidomos kur të merret parasysh shtimi i persekutimeve nga ana e autoriteteve komuniste kineze të përkrahësve të demokracisë, të grupeve etnike, të katolikëve, dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, në vitet e fundit.

Përveç çështjes së të drejtave të njeriut, gjatë vitit të kaluar janë vënë re periudha tensionesh në marrëdhëniet dy-palëshe, duke përfshirë shitjen e armëve amerikane Tajvanit, sulmet vdekjeprurëse të Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut, çështjet monetare, ushtrimi i kontrollit të internetit nga qeveria kineze, si dhe mosmarrëveshjet territoriale në Detin Jugor të Kinës. Si rrjedhim këto çështje shqetësuese për palën amerikane, siç duket, do të jenë në tryezën e bisedimeve.

Nga ana e saj, Kina thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara i konsideron si serioze dhe shumë të rëndësishme. Nën-ministri i jashtëm kinez, Zoti Cui Tiankai u tha diplomatëve të huaj në Pekin se megjithëse viti që kaloi shënoi një periudhë "lajmesh të këqija në lidhje me marrëdhëniet bilaterale", Kina dhe Shtetet e Bashkuara, sipas tij, nuk kanë rrugë tjetër përveç bashkëpunimit, pasi një gjë e tillë është në interes të të dy vendeve dhe pjesës tjetër të botës. Nga pikëpamja kineze, një ndër çështjet më shqetësuese në marrëdhëniet Washington-Pekin, është çështja e Tajvanit, një territor vetëqeverisës, por që Kina e konsideron pjesë të territorit të saj. Pekini nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për të ribashkuar Tajvanin me Kinën, ndërkohë që Washingtoni është zotuar se do të ndihmojë Tajvanin të mbrojë veten.

Sekretarja e Shtetit, Zonja Clinton tha se në shekullin 21, Kina duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në politikën botërore, "duke marrë përsipër obligimet e një fuqie të shekullit 21, gjë që do të ndihmojë në realizimin e një të ardhmeje me mundësi të pa-imagjinueshme për popullin kinez. Por kjo, tha Zonja Clinton, do të thotë gjithashtu se Kina është gati të marrë përsipër edhe përgjegjësinë e barrës për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, duke ndihmuar në zbatimin e rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare".

Në fjalimin e saj, javën që kaloi, Zonja Clinton tha se ajo e di se Kina hedh poshtë shqetësimin amerikan në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut në Kinë, por shtoi se "Kina si një anëtare themeluese e Kombeve tw Bashkuara është angazhuar që të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. Këto janë të drejta universale, të njohura nga i gjithë komuniteti nderkombëtar", shtoi Zonja Clinton.

Megjithë këto deklarata, administrata e Presidentit Obama e gjen veten në një situatë pak si delikate, pasi është duke pritur në një vizitë shteteërore udhëheqësin e një shteti që është duke mbajtur në burg fituesin e Cmimit Nobel për paqe, disidentin Liu Xiaobo.

Thirrjet për reforma në sistemin politik kinez kanë filluar të dëgjohen kohët e fundit edhe brenda Kinës. Revista gjysëm-zyrtare Yanahuang Chunqiu në numrin e fundit i bën thirrje Partisë Komuniste që të ndërmarrë zbatimin e reformave në sistemin politik. Redaktori i revistws tha se autoritetet kineze nuk kanë ndërmarrë reforma politike dhe se nuk ekziston një balancë pushteti. Ai shtoi gjithashtu se korrupsioni po bëhet gjithnjë e më i rëndë për shoqërinë kineze. Sipas kësaj reviste, "trazirat shoqërore sa vinë e shtohen, duke paralajmëruar një krizë dhune, në qoftë se nuk zbatohen reformat".

Gjatë takimit të nivelit të lartë amerikano-kinez këtë javë në Washington, zyrtarët amerikanë duke përfshirë Presidentin Obama dhe Sekretaren e Shtetit Clinton, do të bëjnë thirrje, ndër të tjera, për lirimin e të burgosurve politikë duke përfshirë edhe fituesin e Cmimit Nobel Liu Xiaobo dhe për një shoqëri të lirë që respekton të drejtat e njeriut si edhe për transparencë në marrëdhëniet dypalëshe. Por ish-Sekretari i Shtetit Amerikan, Zoti Henry Kissinger, njëkohësisht edhe arkitekti i afrimit të Shteteve të Bashkuara me Kinën gjatë 1970-ave, në një artikull botuar ditwt e fundit, paralajmëroi kundër pritjes së rezultateve të menjëhershme nga takimi i nivelit të lartë amerikano kinez. Zoti Kissinger shkruan se "ndërsa diplomacia amerikane dëshiron dhe pret përfundime specifike ...negociatorët kinezë e shohin procesin e bisedimeve si një kombinim të elementeve politike, ekonomike e strategjike dhe presin që rezultatet të arrihen nëpërmjet njwëprocesi afatgjatë", shkruan Henry Kissinger.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.