VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JO RRËZIMIT TË QEVERISË ME DHUNË

Nga HARRY BAJRAKTARI


E Djelë, 01.23.2011, 01:54pm (GMT1)

Të gjithë e dimë se çfarë pasoja kanë lënë trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. Në botë u krijua një imazh i keq, jo demokratik dhe jo civilizues, ndërsa Shqipërisë iu desh plotë një dekadë për ta stabilizuar gjendjen nga ato trazira, ku pushteti ra me dhunë. Dua të theksoj se Shqipëria në kohën e demokracisë asnjëherë nuk ka fituar me politikën e rrugës dhe të dhunës, gjithnjë ka dalë dhe do të dalë humbëse derisa të aplikohen metodat jashtë institucionale.

Duhet të largohet mentaliteti i partive politike se, nëse njëra i humb zgjedhjet të mos pranohet nga tjetra. Dihet se në fushata zgjedhore ka fitues dhe humbës. Kjo dukuri e mospranimit është shkatërruese për vendin dhe përparimin e demokracisë. Çdo gjë mund të zgjidhet brenda ligjit dhe brenda Kushtetutës dhe asgjë jashtë ligjit dhe jashtë Kushtetutës.

Është e drejtë demokratike e secilës parti dhe secilit individ të protestojë lidhur me çfarëdo problemi, por asnjëherë me dhunë, siç ndodhi me demonstratën e djeshme të Partisë Socialiste në Tiranë. Kjo demonstratë e dhunshme i kushtoi jetën njerëzve, ku unë dua të shpreh ngushëllimet e thella për familjet e atyre që humbën jetën tragjikisht, si dhe lutem për shërimin e shpejtë të të lënduarve.

Partia Socialiste për dy vjet i ka pasur të gjitha rrugët e hapura demokratike për të zgjidhur në mënyrë legjitime problemin që ajo mendon se ekziston. Fatkeqësisht çdo gjë që i është propozuar nga qeveria, Partia Socialiste e ka hedhur poshtë me qëllim që të vijë deri te demonstratat e dhunshme dhe të përpiqet ta marrë pushtetin pa votën e popullit.

Në një shoqëri demokratike është e rëndësishme që shprehjet e pakënaqësisë të jenë paqësore dhe konstruktive, në interes të vendit dhe të popullit. Respektimi i institucioneve, sundimit tw ligjit dhe i të drejtave të të tjerëve, është e vetmja rrugë e demokracisë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se, Shqipëria nën udhëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha gjatë pesë viteve të fundit, ka shënuar një zhvillim të madh ekonomik, duke punësuar mijëra njerëz, duke ndërtuar rrugë të asfaltuara edhe në ato vise ku më parë ka qenë e pamundur të shkohet dhe në këmbë, ka ndërtuar me qindra shkolla të reja dhe ka zhvilluar një demokraci që është përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare e sidomos nga Bashkimi Evropian.

Dëshmi për të është anëtarësimi në NATO si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe shumë reforma të tjera demokratike që kanë ndodhur me këtë qeveri. Prandaj, pretendimi që të rrëzohet një qeveri legjitime dhe të vijë një qeveri tjetër jo legjitime, një qeveri e dhunës dhe e rrugës, është e pa pranueshme dhe duhet të gjykohet ashpër nga vetë populli i Shqipërisë.

HARRY BAJRAKTARI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.