VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ME KADARENË NË VITEKujtime nga SKIFTER KËLLIÇI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 04:58am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

ME KADARENË NË VITE

Kujtime nga SKIFTER KËLLIÇI


E Hënë, 01.24.2011, 07:25am (GMT+1)

Prolog

Në mëngjesin e 10 tetorit, pra pak më shumë se dhjetë ditë më parë, duke u hedhur sy gazetave shqiptare në faqet e internetit, më ranë sy një shkrim i goditur, me titull gjithashtu të goditur- "Një çmim "Kadare" për jurinë e "Nobelit", shkruar nga shkrimtari humorist dhe pubicisti i njohur, Luan Laze. E shoh të tepërt që të shpjegoj domethënnie jo pa shpoti të këtij titulli në të cilin shfaqej, ashtu siç është shfaqur edhe vite të tjera nga opinioni ynë i gjerë, habia që edhe këtë vit çmimi i "Nobel" nuk iu dha shkrimtarit tonë të madh.

Është pikërisht ky shkrim ese që nxiti kujtesën time të riprodhonte copëza ngjarjesh nga takimet e mia me Kadarenë në vite. Mbase këto kujtime që po ua afroj lexuesve pas një ripunimi, do të nxisin kolegë të mi, shkrimtarë, studiues, kritikë a lexues qofshin që meqenëse në janar të vitit 2011 do të kremtohet 75-vjetori i lindjes së shkrimtarit tonë të madh, të shkruajnë sërishmi për veçoritë e krijimtarisë se Kadaresë, për personalitetin e tij, shkurt për universin e këtij kolosi që me veprat e tij bëri të njihet edhe më mirë Shqipëria, historia e saj e lashtë, por edhe historia e periudhës thuajse gjysmëshekullore të diktaturës komuniste, gjatë së cilës ai edhe u vlerësua, por edhe u luftua, pikërisht se në veprat e tij zbuloi me mjeshtri gjeniale çfarë fshihej në pjesën e e padukshme të ajsbergut të kësaj diktature.

Ishte kjo arsyeja që në Plenumin e zgjeruar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në mars të vitit 1982, në një situatë politike shumë të rëndë dhe të tensionuar, kur tirani Enver Hoxha kishte shtuar edhe dhe më shumë shtypjen dhe terrorin mbi popullin shqiptar, duke vazhduar madje të presë edhe koka bashkëpunëtorësh të tjerë të ngushtë, si të Mehmet Shehut dhe disa muaj më vonë edhe të Kadri Hazbiut, Ramiz Alia, shefi i propagandws në KQ të PPSH-s, në fjalën e mbajtur me këtë rast, midis të tjerash, shprehej kështu:

"Tani vepra të krijuesve tanë botohen dhe ekspozohen jashtë atdheut. Kjo na gëzon, sepse në një masë, ose tjetër, tregon se krijimet tona njihen dhe çmohen edhe përjashta. Por...edhe botimi ose ekspozimi jashtë nuk mund të mirret si kriter bazë për vlerësimin e veprave artistike dhe të autorëve të tyre. Naimi sa qe gjallë nuk u botua kurkund. As Migjeni. Megjithatë, ata ishin dhe mbeten të mëdhenj. Shkrimtari dhe artisti krijon për populln e tij. Po nuk qe e madhe dhe me vlerë për popullin e vet, pak rwndwsi ka se ku botohet vepra."(Gazeta "Drita",22 mars 1982).

Nënteksti ishte shumë i qartë. Ai i drejtohej drejtësëdrejti Kadaresë, sepse ai asokohe, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, ishte i vetmi shkrimtar shqiptar, vepra e të cilit ishte përkthyer dhe botuar madje me sukses shumë të madh jashtë kufijve të Shqipërisë. Por për Partinë dhe Enver Hoxhën disa nga këto vepra, si "Dimri i vetmisë së madhe",(1973), të cilën autori u detyrua ta ripunonte, të hiqte shprehjen: "Në socializëm zhvillohet lufta midis të aftëve dhe të paaftëve dhe të parët që rrëzohen janë të aftit", madje t'i ndërronte edhe titullin në : "Dimri i madh" (1977), sepse Shqipëria nuk kishte qenë nuk ishte dhe nuk do të ishte kurrë vetëm, pra nuk ishte e izoluar, kishte miq në tërë botën, kur në të vërtetë ishte kthyer në një burg të madh, poemthi "Pashallarët e kuq", (1977), që u hoq nga botimi në gazetën "Drita" në çastet e fundit në shtypshkronjë, për të cilin, pasi u kritikua ashpër nga vetë Enver Hoxha edhe u dënua, "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave",(1981) e të tjera, etj., ishin vepra që shkonin ndesh me pikëpamjet dhe vijën e Partisë.

Me fjalë të tjera, kumtonte Ramiz Alia, ti, Kadare, mund të përkthehesh jashtë Shqipërisë, por sa e ke kutin, këtë e vendosim ne.

Por të kthehemi te kujtimet për të cilat fola pak më sipër:

Njohje nga larg dhe nga afër

Krijuesi ka një fat të madh. Atë e njohin shumë më tepër sesa mund të njohë ai vetë. Arsyeja është e thjeshtë: ata që nuk e njohin nga afër, kanë rast ta njohin nëpërmjet veprës. Dhe, po të marrim parasysh se kjo vepër krijohet në dekada, atëherë njohja bëhet edhe më e madhe.

Ishte shtatori i vitit 1955, kur nisa studimet në degën Gjuhë-Letërsi të Institutit të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar, që më pas do të shndërrohej në UT, kur midis studentëve të vitit të dytë pashë për herë të parë një djalosh, me pamje të qetë, ku binin në pah syzet me skelet të zi, që i jepnin një pamje të këndshme, disi ëndërruese. Ky ishte Ismail Kadarea, ardhur nga Gjirokastra.

Kisha dëgjuar që ishte djalë me talent, e kjo më kishte shtyrë që të lexoja në gazetën "Letrari i Ri", vjersha të shkruara prej tij. Për më tepër, një vit më parë, ende maturant, ai kishte botuar edhe vëllimin e tij të parë, "Frymëzime djaloshare".

Ishte me të vërtetë një rast i veçantë, që një i ri në moshën 18-vjeçare të paraqitej para lexuesit me një vëllim poetik. Dhe ja, tani do të isha bashkëstudent me të dhe me shokë të kursit të tij, Agim Shehun, Bekim Harxhin, që shquheshin edhe ata si vjershëtorë. Por dukej se Ismaili po dallohej si talent i veçantë. Këtë ma thoshin edhe shokë të mi të kursit të parë, Dhimitër Xhuvani, Halil Qendro, Jorgo Bllaci, që edhe ata kishin nisur të botonin jo vetëm në faqen letrare të gazetës "Zëri i Rinisë", por edhe në revistën "Nëntori".

Të them të drejtën, i shihja me një farë zilie, sepse edhe unë kisha nisur studimet për letërsi, duke qenë shquar në gjimnaz për hartimet, për të cilat më përgëzonte profesori im i paharruar, Mark Gurakuqi. Por vetëm kaq. Kurse një vit më lart se unë, një djalosh gjirokastrit botonte librin e parë e shokë të mi të kursit ndiqnin edhe ata shembullin e tij në fushën e letrave.

Ndërsa u miqësova me të tre shokët e mësipërm të kursit, nuk di sepse pata ngurrim të njihesha me Ismail Kadarenë. Jo vetëm se ai ishte student i një kursi më të lartë, jo vetëm se ishte madje edhe plot dy vjet më i madh se unë, po të marrim parasysh se të dy kishim lindur në janar, por thjesht se mua më dukej vetja një debutues, përderisa kisha botuar deri atëherë vetëm ndonjë skicë a portret në gazetën "Sporti Popullor" dhe asgjë më shumë. Kurse ky student që përgatitej tashmë të botonte librin e dytë, siç ndodhi më 1957-ën kur doli para lexuesve me vëllimin e dytë poetik "Ëndërrime", i cili dëshmoi edhe më shumë se ndodheshim para një zbulimi të madh në letërsinë tonë.

Do të vinte viti 1958, kur unë të botoja nja dy tregime, njërin përsëri te "Sporti..." dhe tjetrin te "Zëri i Rinisë", ( që të dy skematikë e shumë të dobët), që të bisedoja për disa minuta me Kadarenë. Kjo ndodhi kur ai, një ditë po bisedonte në korridoret e Fakultetit Histori-Filologji me Dhimitër Xhuvanin, i cili, edhe ai, po futej në radhët e tregimtarëve me të ardhme.

Në shtator të vitit 1958, më të mbaruar studimet, Kadarea u dërgua në institutin "Gorki" në Moskë, për të vazhduar studimet për letërsi. Ndërkohë, unë një vit pas studimeve, nisa të punoja gazetar për problemet e letërsisë dhe artit në Radio Tirana.

I bindur se nuk do të bëhesha shkrimtar, u dhashë edhe pas gazetarisë sportive, sidomos pas komenteve radiofonike të futbollit nëpër stadiumet tona.

Njohja jonë nga afër ndodhi natyrshëm në vjeshtën e vitit 1961. Kadarea kishte disa muaj që ishte kthyer nga studimet në Moskë dhe kishte nisur të punonte redaktor në gazetën "Drita".

Mendova që në një nga rubrikat e mia letrare të bëja një intervistë me poetin tonë të ri, ku do të trajtonim rrugët e reja që hapeshin para poezisë sonë. Të mos harrojmë se në ditët e para të korrikut të atij viti, në një mbledhje për këto probleme kishte marrë pjesë edhe vetë diktatori Hoxha. Pasi kishte dëgjuar diskutimet e poetëve të vjetër, Llazar Siliqi, Luan Qafzezi, Andrea Varfi, që kritikonin poetët e rinj, veç të tjerash edhe për modernizëm e shkarje nga traditat kombëtare, ai me shumë marifet, duke u dhënë të drejtë poetëve të vjetër, ishte vënë në mbrojtje edhe të poetëve të rinj Ismail Kadare, Fatos Arapi, Dritëro Agolli.

Në këtë mënyrë, atyre u ishte hapur rruga që të shkruanin ato vepra të cilat edhe sot kanë vlera absolute në letërsinë tonë. (Nuk dua të zgjatem, se për këto çështje kam botuar kohë më parë në kwtw gazetw një cikël me titull "Enver Hoxha dhe diskutimet e poetëve të vjetër dhe poetëve të rinj").

Pikërisht këto probleme trajtoi Ismaili në intervistën që bëmë së bashku. Dhe pikërisht këtu nisi edhe njohja ime me poetin, që tashmë po zinte një vend nderi në historinë e letërsinë sonë. E them këtë, sepse ai botoi atë vit vëllimin e ri poetik "Shekulli im", i cili ishte botuar e asokohe me sukses edhe në Bashkimin Sovjetik.

Me këtë vëllim, Kadarea u bë simboli i të rinjve, veçanërisht për vjershat erotike të nivelit që do t'ia kishte zili çdo poet i rruzullit tokësor, si për shembull:

"Edhe kur kujtesa ime e lodhur,/Ashtu si tramvajet e pasmesnatës,/Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,/Unë ty s'do të të harroj..."

Me Kadarenë takoheshim, ndonëse rrallë në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, që ndodhej pranë Teatrit Popullor, (sot Teatri Kombëtar). Ismaili pëlqente të luante shah e në tryezat e kësaj loje që kërkon fantazi, ai shkëmbente batua edhe humoristike me kolegët e tjerë shkrimtarë.

Pa pritur, Kadarea romancier

Në vjeshtë të vitit 1961, në faqet e "Zërit të Rinisë" mbaj mend se kam lexuar një tregim të shkruar nga Ismail Kadareja. Mbase ndër veprat e para në prozë të tij, po të marrim parasysh se romani "Qyteti pa reklama", i shkruar më 1960-ën, pa dritën e botimit vetëm para disa vjetësh. (Dhe mirë që ndodhi kështu, sepse, po të ishte botuar në vite e diktaturës, vështirë që Ismaili t'i shpëtonte burgut).

Sidoqoftë, ky tregim, e ndonjë tjetër pas tij, ndonëse dëshmuan se ai kishte talent, prapëseprapë u duk se proza do të ishte një stacion kalimtar për poetin tonë të afirmuar, ku ai, mbase do të kthehej rrallë e tek. Dhe kjo, sepse deri në vitin 1964 ai nuk botoi ndonjë vëllim në prozë.

Por, ja e papritura. Pikërisht në pranverë të atij viti doli në qarkullim romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", disa fragmente të të cilit u botuan më parë në faqet e "Zërit të Rinisë".

Në paraqitjen e jashtme, një libër modest. Por menjëherë ai ngjalli interes të veçantë, madje dëshmoi se Kadareja ishte po aq i talentuar sa ç'ishte në fushën e poezisë.

Këtë e vërtetoi fakti se në vjeshtën e atij viti, në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, u organizua një takim, ku u diskutuan vlerat e këtij romani, takim në të cilin merrte pjesë edhe Fiqrete Shehu, sekretare e parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës.

Si redaktor i emisioneve kulturore në Radio Tirana, mora pjesë edhe unë në këtë takim. Salla ishte mbushur plot me shkrimtarë e lexues. Për romanin diskutuan kritikët e njohur, Trim Gjata e Kudret Velça. E lëvduan, por aty-këtu bënë edhe vërejtje.

Pastaj nisën diskutimet. Përsëri lëvdata e ndonjë vërejtje.

Më pati bërë atëherë përshtypje se dikush, ulur pas meje, më duket një ushtarak, që vinte në klub e piqej me shkrimtarë, po u thoshte atyre që kishte pranë, se vërtet romani ishte interesant, por në të nuk dukej hiç fare roli i komunistit, që do të kishte qenë një personazh kundërvënës ndaj gjeneralit dhe priftit italian në roman.

Asokohe nuk i pata vënë rëndësi këtij konstatimi, por më pas, kur romani u botua me një ripunim të ndjeshëm të figurës së gjeneralit, për të cilin do të flas më poshtë, kam gjykuar se si, çuditërisht, nga kupola e kuqe nuk erdhi ndonjë sugjerim që në variantin e dytë, të ripunuar, të futej patjetër edhe figura e një komunisti ish-partizan, siç e pati sugjeruar ai ushtaraku...

Po, të kthehemi te diskutimet.

Befas në podium u shfaq Skënder Luarasi, profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës, përkthyes i njohur e studiues, sidomos i veprës së Migjenit. Pasi foli për vlerat e mëdha të romanit, mbaj mend se përfshiu sallën me vështrim domethënës, e pastaj, pa më të voglin ngurrim, shqiptoi: "Me këtë vepër nis romani shqiptar!..."

Salla menjëherë u mbulua nga mërmërima. Shefqet Musaraji,shkrimtar i dwgjuar dhe sekretari përgjithshëm i LSHA-së, që ndodhej në presidium, mbeti i shtangur nga kjo shprehje. Edhe Fiqrete Shehu, e shoqja e kryeministrit "të hekurt", pranë tij, u topit. Doemos që atyre nuk u pëlqeu një vlerësim kaq kategorik, aq më tepër që dilte nga goja e një njeriu, i cili shquhej për shprehje të acikta e pa kompromis, të cilat zor se do të kishte guximin t'i thoshte dikush tjetër.

Domethënia e kësaj shprehjeje ishte e madhe, madje tronditëse. Skënder Luarasi dëshmonte hapur se romanet që ishin shkruar deri atëherë, kishin vlera të kufizuara. Dhe në këtë mes përfshiheshin romani "Çlirimtarët" i Dhimitër Shuteriqit në dy vëllime, i cili për hir të së vërtetës, duhet thënë se kishte mbetur i papërfunduar, romani "Para agimit", i vetë Shefqet Musarajit, romani "Ata nuk ishin vetëm", i Sterjo Spases, "Hasta la vista" i Petro Markos, (këto dy të fundit ishin vepra të vlerësuara nga lexuesi dhe kritika), e romane të tjera që nuk kishin lënë gjurmë.

Pra, duke vlerësuar kështu "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", Skënder Luarasi mohonte në një farë mënyre romanin e deriatëhershëm shqiptar.

Mos ishte ndonjë kokëkrisje marroke?

Jo, Skënder Luarasi ishte burrë tepër i kulturuar, për më tepër, siç e thamë më lart, njohës i shkëlqyer i letërsisë angleze,gjrmane dhe botërore. Si pasojë, atij nuk i pëlqente qorrsokaku në të cilin ishte hedhur letërsia shqiptare e ndrydhur në kanunet primitive të realizmit socialist. Duke u shprehur në këtë mënyrë, ai nuk mohoi aftësitë e shkrimtarëve, por, tërthorazi, këtë metodë që i shtynte ata të shkruanin vepra, të cilat i nënshtroheshin kësaj metode, e si pasojë ishin skematike.

Mirëpo kjo shprehje tingëllonte doemos nihiliste, për të mos thënë... armiqësore. Skënder Luarasi u thoshte hapur shkrimtarëve, edhe prapa tyre, edhe zyrtarëve komunistë, se ja një vepër e tillë si "Gjenerali...", shkruar nga një djalosh 26-vjeçar, një vepër moderne, me stil të përkryer, jashtë artificiales e shabllonizmave që ishin parë deri atëherë në prozën tonë, duhej të bëhej shembull për ta në të ardhmen.

Sfida ishte e madhe dhe nuk mund të kapërdihej lehtë.

Doemos, pas këtij diskutimi, mbledhja e humbi qetësinë, e kësisoj, kur të pranishmit po dilnin nga salla e klubit, pranë presidiumit u bë një diskutim i ashpër midis Shefqet Musarajit, bri të cilit ishte Fiqrete Shehu dhe një instruktori të Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, që u fut edhe ai në këtë diskutim.

Skënder Luarasi, njeri impulsiv e dëgjonte, ose bënte sikur e dëgjonte këtë instruktor, e së fundi, duke mos duruar, ia pati: "Pa më thuaj se me cilin po bisedoj se nuk e njoh fare?..."

Nuk më kujtohet mirë, nëse atë mbrëmje, a të nesërmen, ky diskutim, me gjakra të ndezura, vazhdoi po midis tyre, madje edhe në praninë e një shkrimtari të njohur të periudhës së Luftës. Një çast, Shefqet Musaraji,megjithwse ishte i qetw dhe i matur, nuk u pwrmbajt dhe e pyeti Skënder Luarasin jo paqesëndi: "Ku ishe ti gjatë Luftës?" Këtë pyetje e mbështeti edhe shkrimtari i njohur.

Mirëpo Skënderit, hazërxhevap, nuk i bëri syri bef dhe ia priti: "Ku isha unë? Këtë mund ta thotë më mirë shoqja Fiqrete, se unë aso kohe ndiqja në luftën e Spanjës gjurmët e tij, të burrit të saj".

Fiqret Shehu, pas kësaj përgjigjeje të mençur, nuk qëndroi më në sallë.

E gjithë kjo grindje pati si pasojë përjashtimin e Skënder Luarasit nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ç'turp për ata që patën marrë këtë vendim!...

Kadarea i degdisur nw Berat

Nga fundi i janarit të vitit 1966, me shkrimtarët dhe artistët e Tiranës u bë një mbledhje e gjerë. Në shtyp u shkrua se ajo u përshkua nga një frymë me të vërtetë entuziaste dhe evolucionare. Por, në fakt, unë si gazetar që mora pjesë në të, vura re se ajo ishte një mbledhje e tendosur dhe e mbushur plot me shqetësime. Jo më kot krijuesit "po i përgjigjeshin thirrjes së Partisë", që të shkonin e punonim aty ku kishte nevojë atdheu dhe atje të gjenin frymëzimin për të shkruar vepra të reja me patos revolucionar.

Vërtet do të shkonin në bazë, po si? Me familje apo pa familje, ku do të strehoheshin, ku do të punonin, si do të paguheshin, sa do të qëndronin? Këto pyetje bëheshin nën zë. Ishin pyetje shqetësuese për këtë aventurë donkishoteske, me anë të së cilës Enver Hoxha i terrorizonte krijuesit nën shembullin asaj fryme revolucionare, marrë nga përvoja e revolucionit kulturor, që kishte shpërthyer në Kinë. Kjo solli pastaj, që ata "me dëshirën e tyre" të hiqnin dorë edhe nga shpërblimet për veprat që botonin". Dhe shkrimtarët, ta pret mendja, pa dashje, nuk kishin si të mos i përgjigjeshin thirrjes së Partisë, ndonëse pati nga ata që u përpoqën të justifikoheshin me shumë arsye, nga të cilat edhe shëndetësore, por pa dobi.

Në romanin e tij të shkurtër "Lidhja e Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje", Ismail Kadarea e shpreh ashtu sic di ai këtë pështjellim:

"Nga fundi i javës të gjithë e kuptuan se ishte e kotë të bënin kukafshehthi me vetveten; do të qarkullonin të gjithë, me kryetarin në krye, vargan i pafund, të shquar e të pashquar, komunistë e jo komunistë, ata që kishin bërë gabime e ata që s'kishin bërë, bashkë me ata që mund t'i bënin ato në të ardhmen, që kurrsesi s'mund t'i bënin, e gjer tek ata që kinse do t'i bënin ato gabime". (Faqe 90).

Si pasojë, në shkurt të atij viti, shkrimtarët dhe artistët u përhapën si zogjtë e korbit anembanë viseve të Shqipërisë, pa familje, në punë krejt të kundërta me ato që kryenin në Tiranë dhe ajo që ishte më e rëndësishme, me rroga më të vogla e kushte jetese të vështira. Kështu do të revolucionarizoheshin, (kuptoni: varfëroheshin).

Kryetari i LSHA-së, Dhimitwr Shuteriqi, vajti në Rubik, pranë minatorëve, Llazar Siliqi në Shkodër, Kolë Jakova, Agim Cerga e Spiro Xhai në Laç, Tonin Miloti në Rrëshen, Sandër Banushi në Lezhë, Gjergj Zheji në Krujë, Naum Prifti në Divjakë të Lushnjës, Qamil Buxheli në Sukth, Andrea Varfi, Petro Marko, Fatos Arapi, Kudret Velça, (edhe kritikët si Kudreti i gjorë duhej të njiheshin... me bazën) në Vlorë, Luan Qafzezi e Nasho Jorgaqi në reparte ushtarake, Moisi Zaloshnja në Skrapar, Sulejman Pitarka në Qytetin Stalin... dhe Ismail Kadarea, korrespondent i gazetës "Drita" në Berat.

Në këtë qytet qarkullova edhe unë si arsimtar i një shkolle të mesme. Dhe, natyrisht, aty u njoha edhe më afër me Kadarenë. Pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte më mjediset e kombinatit të tekstileve "Mao Ce Dun", që sapo ishte ndërtuar, ku u miqësua me inxhinierë të zotë e me kulturë, midis të cilëve me Taxhedin Bahollin, që kishte mbaruar studimet në Poloni dhe kishte njohje të thellë edhe në fushën e letërsisë.

Jo rrallë rastiste të takohesha me Ismailin në restorantin "Berati", i quajtur më parë "Moska", i vetmi në atë qytet, ku mund të haje diçka për të qenë. (E, megjithatë, në romanin "Lidhja e Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje", ai e quan këtë restorant "të llumtë", faqe 97).

Ishte një periudhë jo e shkurtër, kur në dyqanet e bukës të qyteteve të tjera, veç Tiranës, ose shitej vetëm bukë misri, ose gjysma e sasisë së bukës duhej të ishte e tillë. Nuk bënte përjashtim as Berati, madje as restoranti. Po të vije me vonesë atje, do të gjeje vetëm bukë misri e mbeturina gjellësh, që, edhe po të kishe uri, do t'i kapërdije me zor.

Këtë fat e kishim ne që vinim në restorant aty nga ora 14.00 e ditës. Këtë fat kishte, shpeshherë edhe Kadarea, që kishte ardhur të "shkrihej me masat" e "të njihte" jetën e lumtur të popullit tonë". Të dielave në restorant bëhej hataja, ngaqë fshatarët vinin në qytet për të shitur a blerë gjëkafshë, gjindja zinte radhë para restorantit që më 11.30. Edhe po të kishe fatin të zije vend për të ngrënë më 12.00, duhej të mbaroje sa më parë, se mbi krye të rrinin "kandidatët drekëngrënës", të cilët prisnin që t'i të haje sa më parë e t'ia kërcisje vrapit që andej. Fatlumturisht, Kadarea nisej për në Tiranë që të shtunën me makinat e Kombinatit dhe kështu nuk shihte se ç'beteja gastronomike" zhvilloheshin para restorant "Beratit"...."

Një ditë, Isamili më ftoi në dhomën ku banonte. Ajo ishte pjesë përbërëse e një kthine me dy dhoma e një kuzhinë (në një dhomë e kuzhinë banonte një familje tjetër), në katin e tretë të një pallati masiv mbi restorantin "22 Tetori", që nisi të funksiononte ca më pas).

Pasi u futa në mesoren e kthinës, (po përdor me këtë rast një fjalë të re të krijuar nga Ismaili, në vend të fjalës korridor), u gjenda në dhomën ku jetonte shkrimtari ynë i madh, i cili në janar të atij viti kishte mbushur 30 vjeç e që askush nga LSHA-ja nuk ishte kujtuar t'ia festonte, pale të shkruhej në gazetë ndonjë artikull për këtë ngjarje.

Mbeta i shtangur. Në atë dhomë, me pamje nga perëndimi, që binte nga mali i Goricës, të shtruar me parket, nuk kishte asgjë tjetër, veç një shtrati portativ, e më duket një tryezë e vogël. Një dhomë e zymtë. Pasi të "frymëzohej" nga realiteti madhështor që shfaqej para syve të tij, shkrimtari Ismail Kadare do të vinte pasdite duke u dridhur nga thëllimi, që të derdhte në poezi a prozë veprat e tij.(?!)

(Në romanin "Lidhja e Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje", që citova më sipër, Kadareja shkruan kështu për këtë dhomë: "Dimri ishte i mërzitshëm si rrallë herë. Dhomën e kisha të ftohtë. Por s'ishte vetëm lagështira dhe ngrica që më mundonin... Hundët i kisha të zëna vazhdimisht, rrufa dhe kolla s'më ndaheshin", faqe 105).

Ndikimi i Kadaresë në krijimtarinë time

Në atë kohë, shtëpia botuese "Naim Frashëri", me nismën e Dhimitër Fullanit, ish-studiues në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë e pastaj përgjegjës i redaksisë së prozës dhe poezisë në këtë shtëpi botuese, botoi librin e ri të Kadaresë, "Vjersha dhe poema të zgjedhura",(1967). Disa muaj më pas u ribotua, pas ripunimeve të diktuara nga kritika "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".

Të them të drejtën, mua më pati pëlqyer edhe varianti i parë. Por, siç dihet, kritika e, me siguri edhe sugjerimet nga "Kupola e kuqe", kishin bërë vërejtje se figura e gjeneralit armik paraqitej në roman shumë njerëzore, fakt që e detyroi autorin t'i mëshonte anëve negative të karakterit të këtij gjenerali, që vjen krenar e kthehet kokulur me thasët e najlonta, ku janë futur eshtrat e ushtarëve të vrarë italianë gjatë luftës.

Sidoqoftë, me ripunimin që iu bë dhe zgjerimin e disa kornizave të tij, romani pati një ngritje të ndjeshme cilësore.

Dy botime brenda një periudhe shumë të shkurtër nuk kishte si të mos gëzonin Ismailin, aq më tepër që vëllimi poetik nuk u bë me kërkesën e tij. Dhe, për mendimin tim, u bë shumë mirë. Në të lexuesi kishte tashmë në dorë vjershat dhe poemat më të mira të autorit në dy vëllimet e mëparshme, "Shekulli im" dhe "Përse mendohen këto male?", që ishte botuar dy vjet më parë, më 1966-ën. (Më 1968-ën do të botohej edhe vëllimi i tretë poetik i tij, "Motive me diell".)

I bleva në Berat këta libra dhe nisa t'i lexoja me shumë vëmendje, ose më mirë t'i studioja. Ishte hera e parë që më ndodhte një dukuri e tillë. I studioja, pa më detyruar kush. Dhe kishte një arsye. Unë, tashmë mësues i letërsisë në një shkollë 12-vjeçare, kisha nisur të shkruaja disa tregime, tetë vjet pasi kisha botuar dy tregimet e mia të vetme, tetë vjet pasi kisha kuptuar se nuk mund të bëhesha shkrimtar.

Ndaj,sic kam pwrmendur mw sipwr, i isha dhënë pas gazetarisë, sidomos pas gazetarisë radiofonike sportive, kryesisht si komentator dhe radiokronist, ndonëse shkruaja për rubrikën "Universiteti Popullor i Radios", edhe emisione me personazhe, për figura të mëdha në fushën e kulturës e shkencës botërore që më kishin shkathtësuar pak a shumë dialogun. Dhe pikërisht këtë përvojë jo të pakët në këto fusha po e hidhja në letërsi.

Kisha lexuar jo pak vepra letrare deri në atë kohë.

Nga letërsia shqipe adhuroja, siç çdo student, Migjenin, Fan Nolin, Mjedën në poezi, përsëri Migjenin në prozë e pas tij Kutelin. Më magjepste Sotir Caci në përkthimin e "Donit të qetë" të Shollohovit. Por e ndieja se në gjuhën e tregimeve të mia diç nuk shkonte. Dhe ja, duke lexuar e rilexuar "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", ndjeva se rrëfimi im në prozë po fitonte atë që më mungonte: ritmin dhe gjuhën figurative. E gjeta te kjo vepër. Mund që edhe imitova stilin e veçantë që shfaqej në faqet magjepsëse të saj. Ky ritëm nisi të përmirësohej edhe kur po në këtë mënyrë zura të lexoja vjershat e poemat në përmbledhjen e re të Ismailit. Madje, kuturisa të shkruaja edhe vargje. Por për këtë do të flas më poshtë...

Kështu, javë pas jave e muaj pas muaji, po përfundoja vëllimin tim të parë me tregime sportive, që e titullova "Një ndodhi në stadium". Nuk di se si ndodhi, por një të shtunë pasdite, Ismaili nuk shkoi si zakonisht në Tiranë me mikrobusët e kombinatit "Mao Ce Dun". Udhëtuam së bashku me autobusin e linjës, që duke ardhur nga Përmeti, ndalej një orë në Berat. Një udhëtim që zgjaste zakonisht rreth katër orë.

Natyrisht gjatë kësaj kohe nuk biseduan veçse për probleme të letërsisë. Më tha se kishte botuar në një nga numrat e fundit të revistës "Nëntori" novelën "Qyteti i Jugut". "Lexoje, -shtoi. -Është një novelë me motive autobiografike nga vitet e mia të fëmijërisë në Gjirokastër gjatë luftës".

Ashtu bëra. Dhe mbeta i mrekulluar. U kujtova se edhe unë kisha disa kujtime interesante nga koha e luftës, sidomos gjatë çlirimit të Tiranës. Vërtet që asokohe nuk kisha qenë më shumë se gjashtë vjet, por ngjarjet, ashtu siç do fëmijë, i mbaja mend shumë mirë. Brenda dy muajsh, (shtator - tetor 1967), mbarova pra novelën që e titullova "Kujtimet e mëhallës së vjetër". Dhe, pa e zgjatur, edhe atë ia dorëzova përsëri Dhimitër Fullanit, i cili më premtoi se do ta lexonte sa më shpejt...

Dy javë më pas, me t'u kthyer nga Berati, i shkova në shtëpi. Isha kureshtar të dija mendimin e tij rreth librit tim të dytë. U habita kur më tha se ia kishte kaluar Dhurata Xoxes, asokohe përgjegjëse e redaksisë së letërsisë për fëmijë. I shpjegova se ajo nuk ishte vepër për fëmijë, ashtu siç nuk ishte dhe novela e Kadaresë "Qyteti i Jugut".

Fullani qeshi.

" Novela e Kadaresë,- zuri të më shpjegonte,- ndonëse ka personazh kryesor një të mitur, nuk është vepër për fëmijë, por një vepër ku bota për rreth shihet me psikologjinë një fëmije që gjykon si një i rritur..."

Unë, më vjen rëndë ta them, nuk e kisha kuptuar mesazhin që sillte Ismaili te novela "Qyteti i Jugut", e cila, e ripunuar, e zgjeruar u shndërrua më pas në romanin "Kronikë në gur", një nga veprat më të mëdha jo vetëm të letërsisë sonë, por besoj edhe letërsisë botërore.

Sidoqoftë, Dhurata Xoxe, që e kishte lexuar novelën time, më tha se kisha shkruar një libër tërheqës për fëmijë. As e kisha menduar kurrë në jetën time që do të ndodhte një gjë e tillë. Krejt pa dashur isha bërë autor për lexuesit e vegjël. Dhe krejt rastësisht, pasi kisha lexuar e isha frymëzuar nga "Qyteti i Jugut".

Kur ky libër u botua, kritiku i njohur letrar, Abdurrahim Myftiu, atëherë sekretar i kolegjiumit të gazetës "Drita", më pati thënë si me të qeshur një ditë se novela ime "Kujtimet..." kishte ndikime nga novela e Kadaresë. I kishte rënë në të. Unë vetëm sa ngrita supet pas këtyre fjalëve. Duhet të them se novela u prit mirë, madje fragmente të saj janë përfshirë në tekstin e leximit të klasës së katërt fillore.

Muaj më pas, i ndikuar përsëri nga Ismaili, i cili jo rrallë personazhet e një romani i zhvendos në një roman tjetër, e pyeta se kisha dëshirë të shkruaja një libër tjetër, ku dy vëllezërit binjakë, siç isha unë dhe im vëlla, personazhe të novelës "Kujtimet...", të ishim përsëri në qendër të një romani, ngjarjet e të cilit do të zhvilloheshin tre vjet pas Luftws sw Dytw Botwrore. Shkrimtari ynë i madh e pëlqeu këtë ide.

Kështu lindi romani "Pas gjurmëve", i cili u prit më mirë se "Kujtimet...", madje më pas u xhirua edhe film, nën regjinë e së mirënjohurës Xhanfisë Keko. Jo vetëm kaq, por ky film fitoi çmimin e tretë në Festivalin e njohur Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë, që u zhvillua më 1979-ën në Xhifoni,(Itali).

Të tëra këto nga ndikimi i novelës "Qyteti i Jugut" i Kadaresë!

Sa për krijimtarinë time poetike, nga Ismaili mora një mësim të mirë. Kur më 1968-ën lexoi një tufë vjershash që i kisha dhënë për të lexuar, më tha si me të qeshur: "Nja dy vjersha edhe mund të botohen te "Drita", por ç'të duhet poezia në moshën 30-vjeçare, kur edhe unë e kam vështirë tani të krijoj në këtë fushë!... Ti tashmë i je futur seriozisht prozës e mos iu ndaj asaj". Dhe unë kështu veprova.

Por edhe këtu gabova. Më kishte qortuar një herë miqësisht Dhimitër Fullani, që të mos nxitohesha, qoftë të shkruaja e të botoja. Këtë vërejtje ma bëri edhe Ismaili një mbrëmje vere të vitit 1969, kur po ktheheshim nga klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve për në shtëpitë tona. Kisha botuar ato muaj dy tregime në revistën "Nëntori", një në gazetën "Drita" e kishte dalë në qarkullim vëllimi i dytë me tregime, "Shkallët e murrme", vazhdimi i vëllimit "Një ndodhi në stadium".

"Mos shkruaj kaq shumw,- më tha Ismaili. -Të shkruash, nuk është zbavitje. Unë kur shkruaj, ndiej tw mundohem".

Koha tregoi shpejt se vëllimi im i dytë me tregime, nuk shënoi ndonjë rritje cilësore. Për më keq, unë vazhdova të nxitohesha ndonjëherë edhe më pas, e jo gjithnjë shkrova vepra me vlerë.

Kadarea nga Berati,pwrswri nw Tiranw

Aty nga prilli i vitit 1968, pasi kishte punuar korrespondent i gazetës "Drita" në Berat, Ismaili u kthye në Tiranë. Një pasdite të bukur erdhi edhe vetura e LSHA-së, që mori dyshekun e mbulesat që kishin shërbyer "për të ngrohur" shkrimtarin tonë në atë dhomë-qeli për më se dy vjet.

Mua dhe inxhinierëve të Kombinatit të Tekstileve, nga njëra anë na erdhi keq që nuk do ta kishin më midis nesh. Veçanërisht Taxhedin Bahollit, një inxhinieri, që siç e kam thënë, në pjesën e dytë kishte studiuar në Poloni e kishte kulturë të gjerë, veçanërisht në fushën e letërsisë, figurën e të cilit shkrimtari ynë i madh e ka trajtuar në romanin "Lidhja e Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje".

Por, ndërkohë, krijuesit e tjerë vazhdonin kalvarin e qarkullimit. Kur nga Berati arrija në Lushnjë, jo rrallë kryqëzohesha në makina të tjera, ose në tren, me Naum Priftin, Fatos Arapin, e Sulejman Pitarkën, aktorin tonë të shquar, i cili deri atëherë ishte autor i së vetmes dramë "Familja e peshkatarit", edhe ajo e shkruar dhe vënë në skenë me sukses nga mesi i viteve '50, duhej të linte teatrin, që "të jetonte midis naftëtarëve", për të cilët shkroi një dramë, natyrisht të dalë me zor -"Heronjtë e Linasit", ku e ku larg dramës së mësipërme.

Megjithatë, Ismaili nuk i harroi shokët e Beratit. Një paradite korriku të vitit 1968, i ndodhur në Tiranë me pushime verore, e takova para Sahatit. Më ftoi të hanim drekë së bashku në restorant "Drini" e të prisnim derisa aty të vinte një makinë që do ta shpinte në Berat, ku do të krijohej dega e LSHA-së e ku, natyrisht, do të çmallej me Taxhedinin e shokë të tjerë.

Aty biseduam, natyrisht për letërsinë. Sapo kishte dalë në qarkullim libri i tij i ri "Qyteti i Jugut", ku veç novelës me të njëjtin titull, nga e cila kam përmendur në pjesën e dytë të këtij cikli, me një ripunim dhe zgjerim të thellë, do të lindte kryevepra "Kronikë në gur", përfshiheshin tregime, skica dhe ese, ndër të cilat disa shkrime për ato ngjarje që kishte përjetuar në Berat, si për shembull, një reportazh ku përshkruhej gjyqi shoqëror ku ishte demaskuar një shkes, i cili bënte nëpër fshatra fejesa vajzash të mitura me të moshuar.

Gjatë bisedës, Ismaili më foli gjithashtu për një roman të ri me titull "Dasma", që u botua në gusht të atij viti, së pari në faqet e revistës "Nëntori" e pastaj nga shtëpia botuese "Naim Frashëri". Ndonëse nuk hyn në kryeveprat e Kadaresë, romani, siç dihet, i shkruar me një nivel të lart artistik, ka faqe të shkëlqyera, sidomos për dramën e hakmarrjes, të denja për romanin e tij të magjishëm, "Prilli i thyer".

Binomi Kadarea-Vrioni

Është një binom i pandashëm midis një autori dhe një përkthyesi, të dy të mëdhenj, të dy të domosdoshëm për njëri-tjetrin, por me një ndryshim të dukshëm. Nëse ishte e nevojshme që Ismaili të njihej edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ndonëse këtë ai nuk e kishte kërkuar deri atëherë, e, mbase as e kishte menduar, të paktën në bisedat që kishim pasur, Jusuf Vrioni, mik imi, kishte nevojë për këtë njohje, ose më mirë afirmim, ndonëse dhe ai nuk e kishte kërkuar hapur këtë.

Të shpjegohem më qartë. Një ditë pranvere të vitit 1960, në fushat e tenisit të parkut sportiv "Rinia", u duk një burrë rreth të dyzetave, me shtat atleti, që kërkoi të luante tenis me vëllain tim, Luanin, aso kohe kampion në këtë sport. Natyrisht që im vëlla pranoi, ndonëse nuk e njihte.

Gjatë lojës, i panjohuri na tha se quhej Jusuf Vrioni. Mbetëm të stepur. E dinim që kishte qenë nga tenistët më të mirë që në kohën e Zogut, por dinim, gjithashtu, që ishte dënuar me disa vite "tw mira burgimi" nga regjimi komunist. Dhe disa ditë pasi kishte dalë nga burgu, vinte e luante tenis, një nga pasionet e tij të rinisë së kaluar në Francë, ku kishte jetuar prej vitesh e kishte mbaruar studimet e larta.

Dhe ndërsa luante me tim vëlla, në fushën tjetër të tenisit të këtij parku luanin disa të tjerë, midis të cilëve i tmerrshmi Aranit Çela, që kishte qenë një nga persekutorët e tij në qelitë e errëta të burgjeve e kampeve të përqendrimit. Ç'ironi e fatit!...

Sidoqoftë, Jusufi me frëngjishten e tij të mahnitshme, arriti disa vite më pas të punonte përkthyes në shtëpinë botuese "Nëntori", të përkthente, madje, edhe veprat "gjeniale" të diktatorit Enver Hoxha, por duke mbetur gjithnjë anonim.

Fusha e tenisit na miqësoi shumë me Jusufin.

Një ditë vere, kur kisha shkuar për të larë në Liqenin Artificial, u takova me Jusufin dhe duke bërë banjo dielli, midis të tjerash më foli për romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". I kishte pëlqyer jashtë masë, e mendonte ta përkthente në frëngjisht. I thashë se do të ishte një gjë e shkëlqyer.

Dhe ishte pikërisht ky roman që shënoi fillimin e miqësisë së Ismailit me Kadarenë. Jusufi iu fut me guxim kësaj sipërmarrjeje të vështirë. E përktheu romanin nga shqipja në frëngjisht. Ndërkohë, Javer Malo, ish-ambasador i vendit tonë në Paris, në vitet '60 dhe publicist i njohur, ndërmori nismën që ky roman të botohej në Francë.

Dhe në fakt, pas disa peripecish, që nuk zgjatën shumë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" u botua në Paris, nga mesi i vitit 1970 dhe pati sukses të madh.

Ndjeva një gëzim të rrallë, kur Ismaili më tregoi një kopje të këtij romani. Në mbulesë shkruhej: Ismail Kadare, "Le general de l'armee morte", traduit de'l'albanis, preface par Robert Escarpit, Albin Michel Paris, 1970".

"Traduit de l'albanais", pra përkthyer në frëngjisht, po nga kush? Përkthyesi ishte anonim. Francezët kishin mbetur të mahnitur nga niveli i lartë i përkthimit, aq më tepër kur kishin marrë vesh se përkthyesi ishte...shqiptar. Cili ishte pra, ky përkthyes kaq i talentuar? (E, duhet thënë, se Vrioni ishte i talentuar jo vetëm se e kishte mësuar frëngjishten prej vitesh në Francë, sepse kishte edhe të tjerë që e kishin mësuar këtë gjuhë në po këto rrethana, por, në radhë të parë, sepse ai kishte sens, nuhatje dhe dhunti të rralla artistike. Këtë e dëshmoi në një libër me kujtime të botuar disa vite para vdekjes).

Por, ku mund ta dinin francezët, paraardhësit e të cilëve që me revolucionin e vitit 1789 - '92, i kishin prerë kokë në gijotinë Luigjit XVI, se në Shqipëri vazhdonte një luftë kaq e tmerrshme e kaq idiote-qesharake klasash, sa që në mbulesën e një libri të mos lejohej të figuronte emri i përkthyesit?... Kjo mund të ndodhte në Shqipëri, por kurrsesi në Francë. Dhunim i hapur i së drejtës më elementare të njeriut, dhunim i së drejtës së autorit? Megjithatë, kështu ngjau. Dhe për vite e vite të gjitha veprat e Kadaresë, të përkthyera në Francë, nuk mbanin emrin e Jusuf Vrionit!

Sidoqoftë, Vrioni anonim gëzohej pa masë që përkthente veprat e Kadaresë, pas rraskapitjes që i sillte përkthimi i veprave të xhelatit diktator, edhe pse ai nuk merrte për to shpërblimet që i takonin nga botuesit francezë. Madje ai u gëzua pa masë, kur më 1975-ën nuk qarkulloi si punëtor diku në një fermë të Tiranës, sipas vendimit të një drejtori injorant të shtëpisë botuese, "8 Nëntori", sepse kishte qenë i burgosur. Dhe kjo ndodhi, pasi ishte vetë Enver Hoxha që e prapësoi këtë vendim, jo se pati dhembshuri për Jusuf Vrionin, por sepse i duhej deri sa të ishte gjallë që të vazhdonte të përkthente marrëzitë e tij, se si të shembej bota borgjezo-revizioniste që të vendosej sistemi "socialist shqiptar", që nuk arrinte të siguronte as bukën thatë në vend.

Megjithatë, përkthyesi ynë i madh pati më së fundi "një kënaqësi". Kur një ditë vjeshte të vitit 1979 i bëra një vizitë në shtëpi, më tregoi veprën "Hrushovianët" të përkthyer prej tij në frëngjisht, ku në hyrje të tij lexova këto radhë: "Shokut Jusuf Vrioni për përkthimin me dinjitet të dokumenteve te Partisë dhe veprave të mia, Enver Hoxha...".

Më së fundi, diktatori e rehabilitonte, e vlerësonte, por, megjithatë, emri i tij nuk figuronte ende në asnjë përkthim, duke përfshirë edhe veprat e Kadaresë. Sidoqoftë, ky ishte një ngushëllim i vogël. Në një mënyrë a një tjetër, veprat e përkthyera të diktatorit dhe të Kadaresë i dhanë mundësi Jusuf Vrionit të mbijetonte, se, mbase jo vetëm që do të degdisej në ndonjë fermë të humbur, por edhe mund të përfundonte sërishmi tutje hekurave të ndonjë qelie.

Kadarea në një roman timin dhe një e papritur

Siç dihet, largimi i shkrimtarit tonë të madh në Francë, në vjeshtë të vitit 1990 dhe strehimi politik i tij në këtë vend, për të cilin shkroi i tërë shtypi i botëror, qe një grusht i rëndë për regjimin stalinist të Ramiz Alisë, që më paterica vazhdonte të mbante ende nën një diktaturë të rëndë një vend të sfilitur e të rrënuar.

Doemos, diktatoruci Ramiz Alia, dhe lakejtë që e ndiqnin pas, e mallkuan Kadarenë, e quajtën tradhtar të kombit, plangprishës, madje në një mbledhje në LSHA-së, ku kam qenë i pranishëm edhe unë, u kërkua që ai të përjashtohej nga ky institucion. Jo vetëm kaq, por pati nga ata që propozuan që veprat e tij të hiqeshin nga qarkullimi dhe nga tekstet shkollore.

Nuk dua të zgjatem më për fakte e ngjarje që dihen. Por një gjë është e sigurt- që kjo ikje ishte dhe sinjali i intensifikimit të urrejtjes mbarëpopullore që solli revoltat studentore, lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990, shpalljen e detyrueshme të pluralizmit demokratik, nga regjimi komunist, krijimin e Partisë Demokratike e pastaj të partive të tjera.

E, pra, në revoltat studentore Kadarea, ndër të tjera u bë simbol i të rinjve, që nisën të demaskonin diktaturën e egër komuniste. Njerëzit, tashmë filluan të shpreheshin hapur kundër kësaj diktature gati gjysmëshekullore. Zunë edhe të shkruanin. Tribunë u bë gazeta "RD".

Prej vitesh kisha menduar të shkruaja një roman për Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH. I kisha përjetuar vetë ato ngjarje, kisha parë nga afër dramën e Todi Lubonjës, drejtorit të këtij institucioni, kisha parë një tragjedi-komedi, kur nga fillimi i shkurtit të vitit 1973, në një nga sallat e TVSH-së Adil Çarçani, anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, shoqëruar nga Agim Mero, anëtar i Komitetit Qendror, dhe Ismail Kadarea, kishin marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të një dekorate të lartë, akorduar Todi Lubonjës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij, "për merita të veçanta në fushën e propagandës dhe si zbatues me besnikëri i mësimeve të Partisë e shokut Enver".

E të mendosh se pas disa javësh Todi Lubonja largohej nga RTVSH-ja për t'u zëvendësuar nga një farë Thanas Nano, dogmatikkonservator, dhe i urryer nga kolektivi i këtij institucioni, ku ishte rikthyer në RTVSH pas pak më shumë se një viti. Jo vetëm kaq, por në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH-së Todi Lubonja cilësohej armik e pas disa muajsh dënohej me 15 vjet heqje lirie.

E merrja me mend edhe dramën që kishte kaluar Ismail Kadarea, që ishte një ndër miqtë më të mirë të Todit, aq sa para se të botonte ndonjë vepër, ia jepte atij për ta lexuar, duke pasur besim te shijet e tij të holla. Kështu, në një farë mase goditja që i bëhej Todi Lubonjës ishte dhe goditje që i bëhej Kadaresë, një paralajmërim se edhe ai një ditë mund të kishte këtë fat.

Nisur nga këto përshtypje, që në dhjetor të vitit 1990 fillova të shkruaja romanin me titull "Festivali i Njëmbëdhjetë". Dhe një ndër personazhet e tij, veç Teodor Progrit, (përngjasim i Todi Lubonjës), ishte dhe shkrimtari Agim Derani, (përngjasim i Ismail Kadaresë).

Të mos harrojmë se, ndërkohë, kisha qenë plot herë në shtëpinë e Todit, ose më mirë në shtëpinë e të vëllait të tij, se ai, pas lirimit nga burgu, kurrë nuk pati shtëpi. Pra, atje kisha biseduar me Todin rreth ngjarjeve që lidheshin me Festivalin e 11-të.

Në prill të viti 1991 e përfundova së shkruari këtë roman, i cili edhe mund të ishte botuar nga shtëpia botuese "Naim Frashëri". Por, për shkak të krizës që shpërtheu në ato kohë, e cila përfshiu edhe këtë shtëpi botuese, edhe botimi i romanit u shty...

Mirëpo, më ndodhi një incident me Ismailin, fatmirësisht pa pasoja. Dhe ja se si: Në vjeshtë të vitit 1991, Todi Lubonja u nis me urgjencë në Vjenë, ku iu nënshtrua një operacioni delikat në sy. Me t'u kthyer, i bëra një vizitë në shtëpi. Dhe ai, midis të tjerash, më tha, se papritur ishte takuar pas kaq vitesh atje me mikun e tij të vyer, Ismailin, i cili, siç dihet, vazhdonte të jetonte në Paris, por kishte shkuar në Vjenë në një simpozium për letërsinë.

Dhe u habita kur më tha, midis të tjerash, se Kadarea i kishte shprehur keqardhjen, sepse unë, në një roman kisha trajtuar me ngjyra negative figurën e tij.

Hapa sytë i habitur.

"Por ti e di mirë, -i thashë Todit, - se kjo nuk është aspak e vërtetë, aq më tepër që përmbajtjen e romanit ta pata rrëfyer me hollësitë më të mëdha dhe se nuk e pate lexuar nga që vuaje nga njëri sy". Mbeti. Më dha pastaj të drejtë që kishte bërë gabim që nuk e kishte sqaruar Ismailin në këtë pikë.

Të them të drejtën, u pezmatova. Cili djall e kishte bërë këtë ngatërresë duke i çuar Ismailit një njoftim të gënjeshtërt?...

U desh pranvera e vitit 1992, kur, me fitoren e demokracisë, Kadarea, të kthehej i pritur ngrohtwsisht në atdhe, pata rast që ta takoja. Kjo ndodhi para hotel "Tiranës". Nuk munda tw hap hap as gojën për ta sqaruar këtë keqkuptim, sepse ai më tha: "I mora vesh të gjitha. Mos u shqetëso!"

Romani "Festivali i Njëmbëdhjetë" mbeti për disa vite në sirtarët e mi. Por, më së fundi, pasi e ripunova, ai u botua më 2003-shin. Nga Bostoni i dërgova një kopje Ismailit në Paris. Pas disa javësh, në një bisedë telefonike, më përgëzoi duke më thënë se kisha shkruar një roman të freskët, aq më tepër për një ngjarje kaq tragjike që kishte ndodhur në një institucion të tillë si RTVSH-ja.

Epilog

Nw fund tw kwtyre kujtimeve po rikthehem te eseja e shkruar nga shkrimtari humorist dhe publicisti i njohur, Luan Laze, me titullin domethwnws "Njw cmim"Kadare" pwr jurinw e "Nobelit".Nw fund tw saj ai ndalet te njw episod i romanit tw Kadaresw "Kronikw nw gur", nw tw cilin pwrshkruhen tri vrasje tragjike. Sw pari, partizani Mere,me njw dorw cung,sepse tjetrwn e ka tw prerw,ngre pushkwn qw tw pushkatojw njw kolaboracionst dhe bashkw me tw vret edhe tw bijwn qw,pwr tw mbrojtur tw atin, i vw gjoksin tytws sw pushkws.Partizanwt qw vinw aty, i kwrkojnw Meres vendimin e gjyqit partizan.Dhe ai u tregon nje copw letwr.Por del se nw tw wshtw shkruar vetwm emri i kolaboracionisitit.Atwherw partizanwt pushkatojnw Meren,edhe ata pa gjyq.Tri kufoma prawn e prawn.

Ndwrkohw nga gratw qw shohin kwtw skenw makabre, dwgjohen pwshpwrimat:

-Korba,c'wshtw kwshtu,moj!Po vrasin njeri-tjetrin kwta.Kush e solli kwtw murtajw kwtu?

Mw dukwt e tepwrt qw ta jap shpjegime,kur kujtoj qw nw tetor tw vitit 1944,me tw hyrw nw Tiranw,komunistwt me urdhwr tw vetw Enver Hoxhws,kryen njw masakwr rwqethwse: vranw pa asnjw proces gjyqsor plot e plot intelektualw.

Nw fund tw esesw Luan Laze citon edhe vargjet e mwposhtme, tw marra nga poema "Argjiro" e Kadaresw:

"Robwrinw, Gresa, /Ti nuk e di,/Qetw nw zgjedhw,/ I ke parw ti?/Por, mendo tw lidhur,/Gjithw njw popull,/Me brigje e fusha,/Dhe qiell rrotull,/Tw lidhur si njerwz ,/Fushat, lumenjtw,/ Hedhur prangat pwrmbi zogjtw,/Hedhur pwrmbi retw,/Nwn zgjedhw malet,/Dy nga dy,/Mbi pullaz troket breshwri,/Robwri,robwri..."

Poema botohej mw 1968 dhe i kushtohej luftws sw popullit tonw kundwr zgjedhws turke.Por nuk wshtw vwshtirw qw tw kuptohet qw ajo twrthorazi bwntw fjalw edhe pwr zgjedhwn komuniste.

Dhe, mjerisht, ka nga ata qw e cilwsojnw ende Kadarenw hymnizues tw diktaturws,duke harruar se ai, si twrw krijuesit tanw, ishte i detyruar ta bwnte kwtw, se ndryshe nuk do tw ekzistonte si shkrimtar.Por,gjithsesi, Kadarea,aty ku mundte, nwpwrmjet reshtave dhe vargjeve tw veprave tw tij arriti nw njwmwnyrw a nw njw tjetwr, t'i shmangej censurws sw rreptw dhe tw sulmonte,sic e pamw nw shembujt e mwsipwrm atw diktaturw.Dhe, kur nuk arrinte ta bwnte kwtw,shkruante mw 1985 romanin "Hijet", ku demaskonte regjimin komunist,arrinte ta dwrgonte fshehurazi dhe ta depozitonte nw njw bankw tw Parisit nw Francw,pjeswrisht nga ai vetw dhe pjeswrisht nga presidenti i Shtwpisw Botuese "Fajard" Klod Dyran,duke i bwrw dorwshkrimit disa retushime,sic thuhet nw parathwnien e kwsaj vepre, dhe duke e paraqitur kwshtu si pwrkthim tw njw romani tw shkrimtarit gjerman,Zigfrid Lenz.

Ndaj, siç vura nw dukje nw kwto kujtime, ai kritikohej ,sic janw kritikuar edhe poetw tw tjerw tw njohur: Fatos Arapi,Xhevahir Spahiu,Dhori Qiriazi,Moikom Zeqo,madje edhe janw burgosur, si Jorgo Bllaci,Visar Zhiti, Pano Taçi etj.,por edhe pushkatuar, si Trifon Xhagjika,Genc Leka dhe Vilson Blloshmi...

Dwnim tw rwndw mund tw kishte pwsuar edhe Kadarea ,por diktatura nuk guxoi tw shkonte deri atje, sepse ai me veprat e tij kishte fituar njw emwr tw madh nw botw.

Tri çmime prestigjioze ndwrkombwtare, tw fituara prej tij kwto tre vjetwve tw fundit dhe tw lakmuara nga shkrimtarw tw famshwm nw rruzullin tokwsor:"Man Booker International", nw Britaninw e Madhe, "Princi i Asturias", nw Spanjw dhe "Cmimi e posacwm ndwrkombwtar nw poezi",nw La Specia,(Itali), para disa javwsh,duhet tw ishin tri trokitje nw portwn e anwtarwve tw jurisw sw "Nobelit",mjerisht tw padwgjuara ende prej tyre.

Por, besoj, përkohwsisht, sepse një ditë ky çmim do t'i takojë Kadaresë dhe bashkë me tw edhe Shqipwrisw qw ka nxjerrw dhe do tw nxjerrw figura tw tjera tw ndritura nw Evropw dhe nw botw.

Boston, SHBA,2010

SKIFTER KËLLIÇI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JO RRËZIMIT TË QEVERISË ME DHUNËNga HARRY BAJRAKTARI (01.23.2011)
5 VJET PA IBRAHIM RUGOVËNNga Elida BUÇPAPAJ (01.23.2011)
DELL KA TË DREJTË - NJË AVOKATURË DJALLI NUK I HYN NË PUNË ASKUJTNga Elida BUÇPAPAJ (01.23.2011)
JO ZGJEDHJE TË REJA, POR INSTITUCIONE LEGJITIME, ME DUAR TË PASTRA DHE PA SHIKNga Elida BUÇPAPAJ (01.23.2011)
EDI RAMA, UNË JU SFIDOJNga AMIK KASORUHO (01.22.2011)
PESË VJET PA PRESIDENTIN LEGJENDAR IBRAHIM RUGOVANga FRANK SHKRELI (01.20.2011)
TAKIMI I NIVELIT TË LARTË AMERIKANO-KINEZNga FRANK SHKRELI (01.17.2011)
SHMANGIA E NJË LUFTE TË FTOHTË MIDIS SHBA DHE KINËSNga HENRY A. KISSINGER, Washington Post (01.16.2011)
PDK DHE LDK SHTRATIN ENDE TË NXEHTËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.15.2011)
ALTERNATIVË MAFIOZE PUSHTETITNga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.15.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]