VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DITA QË NDAN, Ç'DO TË BËHET MË PAS?

Të flasim si qytetarë: 21 janari shpjegon të shkuarën dhe të ardhmen, teksa pasqyron të sotmen

Nga VISAR ZHITI


E Premte, 01.28.2011, 11:46am (GMT1)

Ndodhi ajo që s'na duhej, e paritura që pritej. Ka ngjarje kulmore, të cilat ngrihen nga përditshmëria dhe kanë forcën të qartësojnë njëherësh, por dhe asimetrikisht, mbase, shumëçka nga e shkuara, si dhe nga e ardhmja, duke e trandur të tashmen e duke shtjellur se ç'ngërthen ajo brenda vetvetes. I tillë, mendoj, është 21 janari i tanishëm, një nyje kohe, mendësish dhe veprimesh. Duke qenë se u shfaq si një teprim i egër, edhe përsiatjet për këtë ditë e mbartin këtë mundësi si paralele logjike.

Dita e 21 janarit kishte neurozat doktrinale atavike të së kaluarës, që gjakojnë marrjen e pushtetit me dhunë, psikozën e opozitarit egërshan, i gatshëm për revolucion, kaos a grusht shteti, me vetëbindjen e sundimtarit potencial. Dhe më pas të flasim për demokracinë e të bëjmë sikur e zbatojmë dhe ligjet e saj e të bëjmë sikur i zbatojmë. Opozitës t'i lihet aureola e shtetit moral të vendit. Por privilegjet morale janë më pak të dobishmet sot, duhen të tjera, sipas 21 janarit. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi, u vërsulën në një demonstratë të papërmbajtur për të marrë institucionin e Kryeministrisë. Ishte grusht shteti? Po, grusht shtetit, grusht dinjitetit të kryeinstitucionit të shtetit. Provokim dhe tentativë. Pse? Apo të dalë ku të dalë, partizançe, e provojmë një herë, rrënoja, gjak, zjarr, frikë, terror, mjaft që të merret vesh se ata janë siç kanë qenë, hovëzim i asaj që Shqipëria po e braktis tashmë.

Dhe ndodhi ajo që pritej. Emblematikisht kështu. Kundër emblemës së të gjithëve, e farkëtuar në shekuj. U dëshpëruam, por dhe morëm sinjale, që na dukeshin të venitura. Avangarda agresive e socialistëve bashkë me gurët e copa trotuaresh e pllakash "san pietrini" të bulevardit (ku ka shkelur një pjesë e historisë sonë moderne, ngjarje dhe emra të shquar, etj.), u hodh dhe bashkë me to dhe Flamuri Kombëtar mbi kryet e atyre që po ruanin muret e shtetit si një tempull. Dhe shpesh të tjerët na i kanë keqtrajtuar Flamurin. Ç'duhet t'u themi atyre pas kësaj?

Dhe të mendosh se ne si popull jemi akuzuar se s'kemi ditur të bëjmë shtet dhe na kanë thënë se më shumë jemi shtetshkatërrues. Kur në fakt kemi ditur të bëjmë shtet, qysh në lashtësi, s'e di a po e teproj, madje me Mbretëreshë Teutën apo me Kryekomandant Skënderbeun, me shtetin modern të Ismail Qemalit e deri më sot. Po kështu flitet që paraardhësit e socialistëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore nuk e kishin aq të shtrenjtë Flamurin Kombëtar, por atë internacional (?!) dhe sovjetik. Qofsha i tepruar, por dhe e kanë djegur Flamurin me shqiponjë, duke valëvitur drapërin e çekanin.

Dhe ndodhi ajo që s'duhej të ndodhte, kur Shqipëria është pranuar në NATO, me vokacion të qartë Europën e Bashkuar, shtëpia jonë e natyrshme, kur sapo u janë hequr vizat shqiptarëve të mbyllur për të udhëtuar lirshëm në Europë, kur vendin ynë po shpallet si një zbulim turistik për botën, falë kjo qeverisjes së demokratëve, që do të thotë begatim për të gjithë.

Përse duhej 21 janari dhe kujt i shërben? Për të vënë në dyshim arritjet e deritanishme, për të ngjallur mosbesim e dyshime ndaj shqiptarëve e Shqipërisë e qeverisjes së saj.

Dhe i kthehemi emblemës së gjallë. Një nga ata që ruante shtetin, mes atyre me skafandër, nën mburojën që ruante gjymtyrët nga goditjet, futi dhe Flamurin e flakur nga protestuesit egërshanë, madje të ardhur dhe nga jashtë kufirit shtetëror për të marrë pjesë "live". Ruajtësit e shtetit qëndruan me durim, pa u tërhequr, me dinjitet e detyrës, duke dhënë shëmbëlltyrën se si duhet të jenë në të ardhmen. Demokracia jonë, jemi mësuar të themi, se është e brishtë, tani duhet të besojmë se është e fortë dhe ta dimë përforcimin e saj, pozitarë dhe opozitarë së bashku duhet të jetë e fortë.

21 janari është dita që ndau qytetarët nga antiqytetarët. Ne jemi me Flamurin dhe jo me gurët që u hodhën mbi kryet e njerëzve, ne jemi me atë që e mori Flamurin për ta mbrojtur si trupin e vet dhe jo me atë që e hodhi dhe rrëmbeu hurin duke dyfishuar veten. Ne jemi me kundërshtarin e fortë që kërkon të ndërtojë shtetin ligjor dhe jo me të fortin që kërkon ta shembë kundërshtarin. Në fund të fundit ne jemi me shtetin e shqiptarëve, që i bën ata më të shëndetshëm, edhe mendërisht, më të pasur, edhe mendërisht, më të lirë, edhe mendërisht.

Demonstruesit e 21 janarit nuk i kishin në krye drejtuesit dhe frymëzuesit, por pas. Dhe në vend që protestuesit të kishin rregullin që duhej t'i jepnin drejtuesit, ishin drejtuesit që morën kaosin dhe egërsinë e avangardës së demonstruesve.

Në të kundërt, në institucionin e Kryeministrisë ndodhi ajo që pritej. Kryeministri ishte në detyrë, në lartësinë e dinjitetit të saj, në dhomën e punës edhe në këtë rrethim të dytë. E theksojmë këtë, se në raste të ngjashme, jo të gjithë janë në vendin e duhur në dinjitetin e duhur.

Dyert e Kryeministrisë nuk u thyen këtë herë, Kryeministria nuk u mor. Pra, hymë në epokën e mosrënies së institucioneve demokratike ndaj sulmeve vandale. Dhe duhet mbajtur kjo epokë.

Por janë vrarë njerëz dhe janë plagosur shumë më tepër. Natyrisht që është e rëndë, e dhimbshme, ditë e përzishme. Asnjë jetë nuk është tepër dhe nuk duhet shpërdoruar. Nëse ka shpërdorues të jetës së të tjerëve dhe ka, në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojmë ta hedhim jetën tonë atje ku nuk na duhet. Pronarët e jetës tonë jemi ne dhe askush tjetër dhe ajo duhet përdorur vetëm në interesin tonë, në begatimin e saj sa më gjatë dhe jo në ndërprejen e saj.

Njeriu që mbart armë, mbart dhe rrezikun e saj. Ajo është fuqia e dobësisë së njeriut. Përdorimi i saj është përgjegjësi dhe bëhet në emër të interesit të vetes dhe të shoqërisë, e cila vendos rregulla dhe ligje. Pësimi ishte i rëndë. Duhet të na vlejë mësimi. Shqipëria po mundohet në përgatitjen e drejtuesve të saj, që duhet të kuptojnë kohën e bëmave dhe hierarkinë e tyre. Jo çdo veprim i drejtë dje, bën dhe për sot. Dhe gabimet e djeshme s'kanë pse të nxisin kundërshtarin politik se mund të përsëritet dhe sot.

Një e premte tjetër, në të shtatat e 21 janarit mund të jetë hipokrizi dhe tallje e zezë. Jo dërrasa për arkivole, por për tryezë bisedimesh, që klasa politike të vihet në shërbim të Shqipërisë dhe jo Shqipëria të vihet në shërbim të interesave të tyre.

Socialistët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, prudentë deri në kërkim faljeje, nën emblemat e tyre vendi kaloi gjysmëshekullin më të rëndë. Të tregohesh sot vandal, kundër shtetit tënd, të vrasësh dhe të vritesh, kur ka një akuzë për shqiptarët nga një farë Dick Marty në Parlamentin Europian, por pas tij fshihen falangat shekullore të dashakeqëve të Shqipërisë, do të thotë t'u japësh atyre argumentin dhe provat që s'i kanë. T'i sponsorizosh ata me kaosin tonë, që të besojmë se ata kanë sponsorizuar krijuesit e këtij kaosi. Pra, kishim me se merreshim, por jemi të detyruar t'i rikthehemi vetvetes.

Ndërkaq mazhoranca duhet të mësojë mirë se në krye të vendit populli nuk të vë thjesht për festat, por dhe për ditët e vështira dhe nuk duhet të humbësh besimin dhe shpresën e popullit dhe sidomos të mos zhgënjesh shtresën më të përvuajtur të tij e më besnike. Ia kemi borxh. 21 janari është dita që ndan, prova për të gjithë sot.

Duke ribërë vetveten, mund të kërkojmë të ribëjmë atdheun.

VISAR ZHITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.