VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË KUJTIM PËR BABIN - NGA ARIANANga ARIANA LUKAJ

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 09:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

NJË KUJTIM PËR BABIN - NGA ARIANA

Nga ARIANA LUKAJ


E Mërkurë, 02.23.2011, 06:48pm (GMT+1)

Babi kishte shkuar në Tiranë bashkë me mamin, për të marrë kimioterapinë e tretë me 16 janar 2011 dhe kishte për t"˜u kthyer në Pejë, më 21 janar 2011. Por, fatkeqësisht kthimi i tij nuk ndodhi ashtu si e prisnim ne, por, erdhi ndryshe.

Ditën që kishte për të ardhur në shtëpi, ishte ditë e premte dhe ne në shtëpi, prisnim çdo moment që po vinin babi dhe mami. Çdo makinë që e dëgjonim, vraponim tek dera, për të parë mos ishin ata. Ktheheshim të zhgënjyer dhe i thoshim gjyshit nuk është askush, janë makina që kalojnë rrugës.

Ditën e premte, rreth orës 10:30 mora një mesazh nga babi, i cili ishte dhe mesazhi i fundit nga ai, në të cilin shkruante: "Librat t'i bleva pothuajse të gjitha. Nuk i gjeta vetëm të Nolit. Por besoj se ato të Nolit janë në shtëpi. As të Fishtës, jo. Të tjerat i kam gjetur të gjitha". Por, rreth orës 16:02, babi i kishte dërguar një mesazh hallës time në të cilin shkruante: "Pesa, jam keq. Nuk po më mbajnë këmbët të ngritem. Ka tri orë që e kam kryer kimioterapinë, por s'mund të çohem në këmbë. Jam në katin e tretë duke marrë ca oksigjen, disa serume, etj. Jam keq. Nuk mund të vij sonte në shtëpi. Jam në spital".

Për këtë mesazh nuk dinte askush, përveç hallës, por më vonë e mora vesh edhe unë, pasi më tregoi ajo. Dhe, menjëherë, pasi e shkruan këtë mesazh, që doli të jetë edhe mesazhi i fundit i shkruar në jetën e tij, i bie telefoni nga dora dhe i bëhet copë-copë. Ajo gjendje, të cilën e kishte treguar në mesazh, e ka përcjellur deri në ditën e dielë, të orës 13:40. Por, në orën 13:40 babin e kap një dridhje e fortë dhe këtu menjëherë intervenojnë mjekët dhe si duket ai bie në komë, ndërsa mamit i thonë se i kanë dhënë qetësues dhe se të nesërmen do të zgjohet nga gjumi. Pasi që i ishte thyer telefoni, ne, një ditë të tërë nuk kemi pasur kontakt me ta. Por, fati, në të gjithë këtë fatkeqësi ishte se e dinim që ishin në spital, sepse po të mos e kishim mesazhin e fundit nga babi, do të mendonim se janë nisur për Kosovë dhe ndoshta u ka ndodhur ndonjë e keqe rrugës. Mendja e njeriut mendon gjithçka, në mos më të keqen në raste të tilla.

Pasi një ditë të tërë nuk patëm kontakt me mamin dhe babin, xhaxhai nga Franca thërret Spitalin Onkologjik të Tiranës dhe e kërkon babin, por infermierja ia dërgon telefonin mamit. Mami bisedon me të, ndërsa ai e pyet vazhdimisht për babin. Ajo i thotë se Nazmiu është në dhomë, ndërsa telefonin nuk mund t'ia dërgojë, sepse është telefon fiks. Babi, në ato momente kur këta po bisedonin, ishte duke vjellur. Ndërsa, xhaxhai e dëgjon atë duke vjellur i thotë mamit, Hajrie, tregoma të vërtetën: Çfarë po ndodh me Nazmiun? Mami i thotë: Jeton, nuk di çfarë të të them, por Nazi nuk është mirë.

Derisa xhaxhai po bisedonte me mamin, ne në shtëpi, përmes internetit e dëgjonim bisedën e tyre. Por, prapë nuk na shkonte mendja se babit mund t'i ndodhte diçka. Ne mendonim se ai do të vinte në shtëpi të nesërmen. Ndoshta, pak na e ndiente zemra, se diçka e keqe mund të ndodhte, por prapë nuk e pranonim. Ashtu si nuk u pajtuam me sëmundjen e tij dhe ishim të bindur se do ta përballonte edhe këtë sfidë. Asnjëherë nuk më shkonte mendja se kanceri i lëkurës është vdekjeprurës edhe pse e dija, çfarë sëmundje është, por nuk doja ta pranoja, se e kishte babi im. Apo ndoshta se e shihja babin e fortë, mendoja se ai nuk ka asgjë dhe e quaja "Skënderbeu i vogël i Kosovës". Kur i mori dy seancat e para pesëditore të kimioterapisë, ishte shumë mirë dhe menjëherë dilte me shoqërinë e tij. Kurrë nuk ka ndodhur që ai të pushojë ndonjë ditë, por vazhdimisht ka qenë në lëvizje. I fortë ishte deri në momentet e fundit të jetës së tij. Mamin e thërrisnim vazhdimisht në telefon dhe ajo thoshte se babi nesër do të zgjohet nga gjumi, sepse edhe asaj i kishin thënë kështu. Mirëpo xhaxhai në orët e vona të mbrëmjes, të datës 23 janar 2011, kishte marrë vesh nga një shok i babit (Ganiu) se gjendja e babit nuk ishte e mirë. Në orët e hershme të ditës së hënë, ai niset nga Parisi në Itali, për të mbërritur sa më shpejt në Tiranë, sepse nuk kishte linjë direkte që ai të mbërrinte në Tiranë. Të gjithë të tjerët e dinin, se kjo ishte dita e fundit e jetës së babit, por vetëm ne familjarët e ngushtë të tij, nuk e dinim.

Ditën e hënë u zgjova shumë herët, për t'i përcjellë për në shkollë vëllaun dhe motrat. Kur i përcolla këta, shkova në dhomë të gjyshit (i palëvizshëm), për të parë mos është zgjuar nga gjumi. Ai ishte zgjuar dhe po më thotë, nuk kam vënë gjumë në sy, tërë natën kam qenë zgjuar. Në orën 08:00 i cingërron telefoni gjyshit dhe në këtë telefonatë i thonë Nazmiu nuk është mirë. Ndërsa gjyshi po bisedonte në telefon, gjyshen vijnë për ta marrë, për ta dërguar në Tiranë, për të parë djalin në frymën e fundit të jetës së tij. Ndërsa gjyshja niset për në Shqipëri, shtëpinë tonë e vërshojnë njerëzit nga të gjitha anët. Mua as që më shkonte mendja se babi do të vdiste, por vetëm i thoja gjyshit se i është përkeqësuar pak gjendja dhe ai nesër do të vijë në shtëpi. Por, gjyshi ishte i bindur se ai nuk do të jetonte më. Për herë të parë, në jetën time ju kam kthyer gjyshit me një ton të lartë, kur ai po u thoshte njerëzve se "Nazmiu, po shkon, ai po na len", unë iu kam drejtuar dhe i kam thënë: "Ti nuk e di se çka po flet".

Gjatë tërë ditës së datës 24 janar 2011 ne kemi qenë në ankth. Si e dëgjoja telefonin e gjyshit duke cingërruar, ndija në zemër një dhimbje të madhe. Prisnim nga çasti në çast, se çfarë po ndodh me babin. Ishte ora 13:15, Arianiti (17), Anita (15) dhe Afërdita (11), po ktheheshin nga shkolla në shtëpi. Ata nuk e dinin se me çka po ballafaqoheshim ne. Hynë brenda dhe panë shumë njerëz, ndoshta iu shkoi mendja se babi nuk ishte mirë dhe filluan të qajnë me zë. Unë, si më e madhja, mundohesha t'ua largoj këtë mendim nga koka dhe ju thosha se babi është mirë, ai sot do të vijë në shtëpi shëndoshë e mirë. I thoja këto fjalë, por zemra ma ndiente se nuk do të ndodhte kështu. Ora ecte vazhdimisht, ndërsa ne prisnim në ankth.

Gjyshja kishte mbërri në Shqipëri, por babi ishte nën kujdesin intensiv mjekësor. Ajo ishte futur brenda në dhomën ku gjendej babi dhe kishte folur me të, por kishte folur vetëm kjo pa marrë asnjë përgjigje nga babi, i cili po luftonte me vdekjen. Si duket babi e kishte pritur gjyshen, atë që i dha jetën, për ta parë, për herë të fundit dhe të ndërronte jetë, ta jepte frymën e tij të fundit. Rreth orës 17:45, të ditës së hënë, babi ndërroi jetë duke na lënë përjetë të pikëlluar. Mirëpo, neve nuk na kishin treguar ende, dhe nuk dinim asgjë se çfarë realisht po ndodhë me babin. Më kishte lëshuar fuqia, një ditë më parë dhe nuk më mbanin më këmbët, më dukej se më kishin faj të gjithë. Rreth orës 19:25 gjyshi merr një telefonatë, në të cilën gjyshit i thonë bëhu i fortë, se Nazmiu, ka ndërrur jetë. Unë në fytyrën e Arianitit, e mora vesh, se çfarë kishte ndodhur dhe nuk merrja dot guximin ta pyes gjyshin se çfarë i thanë në telefon. Por, në sytë e tij e kuptova, se çfarë ishte duke ndodhur. Nuk mundem dhe as nuk dua t'i kujtoj ato momente, të cilat janë më të hidhurat në jetën time dhe të familjes sime. Rreth orës 22:35, mami dhe gjyshja, u kthyen nga Tirana' kur e pashë mamin m'u duk se e gjithë bota ishte e imja. Më kishte marrë malli shumë për të. Ajo mundohej të na qetësonte, por ne qanim vazhdimisht.

Të nesërmen, me datën 25 janar 2011 ishte dita e varrimit të babit. Njerëzit nga të gjitha anët vinin dhe na shprehnin ngushëllime. Ngushëllimet e tyre, përmes të cilave ata e ndanin dhimbjen me ne, na e zbusnin sado pak dhimbjen që kishim.

Babi ishte ende në Tiranë, në vendin, i cili i pëlqente aq shumë dhe në të cilin vend e dha edhe frymën e fundit të jetës së tij.

Çdo makinë, e cila vinte në oborrin tonë, dyert e të cilave përplaseshin, mendoj se e kanë sjellë babin, por tani ndryshe' jo ashtu si e mendoja ardhjen e tij. Nga çasti në çast, afrohej momenti kur unë duhej ta shihja babin, por tani të vdekur, jo si isha mësuar ta shihja më parë dhe të bisedoja me të. Këtij momenti nuk mund t'i ikja, por nuk mund të afrohesha te arkivoli i tij. Nuk e di si më kanë dërguar deri aty. Më kujtohen fjalët e njerëzve duke më thënë duhet të bëhesh e fortë dhe të jesh krenare për babin tënd. Pasi u afrova tek arkivoli i babit dhe e pashë në një pamje që më dukej sikur qëndronte i buzëqeshur, sikur ishte prapë në jetë, i fjetur dhe sikur do të zgjohej. U çmalla me të, e përqafova shumë, për herë të fundit po e shihja.

U bëra e fortë dhe do të mundohem gjatë tërë jetës të jem e fortë. Do të citoja me këtë rast, fjalët e Shaban Perajt, i cili në një shkrim të tij, për babin, shkruante: "Me këtë rast do t'i sugjeroja fëmijët e tij, që kjo vdekje e babit mos t'i dekurajojë, por të ndjehen krenarë se kanë pasur një baba të denjë dhe një njeri me vlera të mëdha njerëzore".

Me vdekjen e babit tonë, nuk mbeti e zbrazur (bosh) vetëm zemra, shtëpia jonë, por ka mbetur edhe një zbrazëti e madhe, për mbarë gazetarinë shqiptare. Vërtetë njerëzit e mëdhenj dhe shpirtmirë, herët po i merrka Zoti afër vetes. Gjyshi thotë, pse më dha Zoti jetë, për ta përballuar këtë ditë, ndërsa Arianiti i thotë: "Gjysh, jetove, për ta parë se sa i madh ishte bërë yt bir".

Njeriu harrohet, nëse familja nuk e kujton, por, ti BABI do të mbetesh përherë, në mendjen dhe zemrat tona. Nëse nuk na shoqëron në jetën tonë të përditshme, çdo natë, po na shoqëron dhe vazhdimisht po jemi me ty në ëndërrat tona.

Ti, nuk ke vdekur, je gjallë. Veprat, kontributi që ti i ke dhënë publicistikës e gazetarisë shqiptare, nxënësit që ti i edukove, jetojnë bashkë me ty.

U ndave nga jeta, një javë, para se të festoje 44 vjetorin e lindjes.

Ditëlindjen e kishte të njëjtën ditë me vajzën e tij të vogël, Afërditën, e cila me datën 2 shkurt 2011, në datën në të cilën ti do të festoje 44 vjetorin e lindjes nuk ishe me ne, ndërsa Afërdita e festoi ditëlindjen e 12, pa babin, me të cilin ishte mësuar, t'i festonin ditëlindjet së bashku. Unë për ditëlindjen tënde të 44, kësaj radhe nuk munda të ta uroj atë dhe të dhuroj dhuratën e ditëlindjes e të përqafoj. Por, me datën 2 shkurt 2011 unë në vend të dhuratës, këtë ditë i mora dy 10-she në fakultet, dhe e di që kjo do të ishte dhurata më e mirë për ty nga ana ime.

Në kokën time ende dëgjohen lutjet që unë i bëra Zotit: O Zot, shpëtoma Babin. Lutje kjo e cila nuk m'u realizua, sepse Zoti, ma mori babin afër vetes, në moshë shumë të re.

Të premtoj, se ashtu si ishe krenar me ne në këtë botë, do të mburresh edhe më shumë me ne në botën tjetër.
Po të presim, deri në orët e vona të mbrëmjes...

Ariana Lukaj

(studente në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe Universiteti i Prishtinës)

22 Shkurt 2011

Pejë, Kosovë.

ARIANA LUKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (3)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REGJISTRIMI I STRUCËVENga ARBEN KALLAMATA (02.23.2011)
20 SHKURTI DUHET TË HYJË NË KUJTESËN E KOMBIT -  Shqipëria vendi që nuk i ka dënuar ende krimet e komunizmitNga ELIDA BUÇPAPAJ (02.23.2011)
NË BOTËN ARABE ËSHTË 1848 - JO 1989Nga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (02.22.2011)
"Washington Post": JO MË PËRQAFIME PERËNDIMORE PËR SUNDUESIT RUSËNga MIKHAIL KASYANOV, VLADIMIR MILOV, BORIS NEMTSOV dhe VLADIMIR RYZHKOV (02.21.2011)
20 SHKURTI 20 VJET MË VONËRËNIA E SIMBOLIT TË DIKTATURËSNga MUJË BUÇPAPAJ (02.20.2011)
FARAONI PA MUMJENga THOMAS L. FRIEDMAN (02.18.2011)
LIRIA E TYRE, FRIKA JONËNga ANGELO PANEBIANCO, Corriere della Sera (02.18.2011)
SHQIPTARËT PËRBALLË NJË BETEJE TË PAPËRFUNDUARNga BEQIR SINA, New York (02.18.2011)
ME RASTIN E 3-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËSNDERIMI I DËSHMORËVE DHE AMANETI I TYRENga FRANK SHKRELI (02.17.2011)
MODELI TURK PËR EGJIPTINNga SERGIO ROMANO, "Panorama" (02.16.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]