VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QOSJA, URITHI QË U VERBUA KUR PA DRITË

Nga MIRANDA HAXHIA


E Premte, 03.11.2011, 09:15am (GMT1)

Pas 21 janarit u rishfaq një lloj urithi, një urith me sy të vegjël, me qime të rralla, me këmbë të vockla, me një bisht tinëzar, me shputat e parme të mëdha e thonj të gjatë. Ishte kafshëza më e shkathët që gëlonte nën tokë. Qimet mbulonin çdo drithërimë të qenies së tij. Rrudhat e ulëta të lëkurës së veshëve e bënin të dëgjonte vetëm tingujt e nëndheut; sytë e vegjël i mbante gjithmonë futur thellë në lëkurë, siç fuste biçakun gjyshi im në xhepin e setrës, pasi therrte kecin. Larvat, insektet, minjtë ishin dashuria e tij grykore.

Sytë e tij ishin më dinakët në mbretërinë e territ, të llagëmit. Kishte aftësi të dallonte ku ishte dheu i lagësht, ku ishte i butë, ku gërryhej lehtë e ku kishte shkëmb. Kur hapi tunelin e parë poshtë, shkeli me këmbë gjithë gjallesat e dheut, që nga njëqelizorët e deri te shumëkëmbëshat, pastaj tunelin e shndërroi në labirinth. I endur lart e poshtë, majtas e djathtas në labirinthin e tij, kudo ku kthehej, linte një titull simboli të ekzistencës së vet. Në një nga ato reflektimet e tij mes territ dhe tunelit, mendoi se mos do të ishte më mirë që emrin ta kishte Qosiq, por kjo do ta vinte në konflikt me fisin e -IQ-ëve e do të ngatërrohej fama me përdhosjen në botën e poshtme. Llagëm pas llagëmi, ai bashkoi një ditë tunelin e tij me ujëdhesën e një fare të keqe që e kishte emrin urrejtje. Llum. Baltë. Mushkonjë cimbidhëse e malarike. Ai urith i vockël që u zmadhua pak e nga pak jo nga përpjestimi harmonik i territ me ngjyrat, por nga tunelet e panumërta që gërmoi e nga thonjtë që i rriteshin të mbushur me vemje nëntokësore, për ca kohë u mor me gjithë gjallesat e botës përqark. Kur Kim Mehmeti shkroi romanin "Vitet e urithit" dhe kur do të perifrazonte, "Ne jemi fëmijët e viteve të urithit, u rritëm në një kohë kur duhej herë të bëheshim të padukshëm, e herë të dilnim në sipërfaqe sa të shihnim se jemi ende të gjallë!" - e thënë kjo nga një personazh i librit, nuk mendoi se një urith i vogël, si virus shkatërrimtar do të bëhej i pamëshirshëm ditën kur lakmia për lavdi dhe për hakmarrje do ta çonte llagëmin e tij drejt sipërfaqes, drejt dritës; se ai urith i vogël si të ishte një kopje e shëmtuar e akademikut serb, Dobrica Qosiq, kur u rrek të shikonte dritën, u verbua. Verbëria e tij u shkulmua në urrejtje të shfrenuar ndaj gjithë atyre që lëviznin normal mbi tokë. U turr me turinjtë e tij të verbër kundër letërsisë shqipe e shkrimtarëve shqiptarë, duke synuar atë që nuk e kishte dot vetë, suksesin dhe njeriun që e mbarte këtë sukses, Kadarenë; u turr me thonjtë e tij drejt demokracisë së brishtë shqiptare duke kutërbuar urrejtje patologjike kundër Kryeministrit shqiptar, për të fituar atë që nuk do ta ketë kurrë, apogjeun e fjalës dhe të qenit patriot. Sintaksa e tij, me paragrafe të përsëritura godet po aq pamëshirshëm sa kamzhiku i diktaturës komuniste që godiste mbi të njëjtin vend plagë në kurrizin e mbi 6 mijë të vrarëve, të mbi 17 mijë të burgosurve, të një mijë të vdekur në burgjet e tmerrshme; mbi 22 mijë të internuar vetëm në periudhën 1945-1954, mbi jetën e 9 mijëve që vdiqën nëpër kampet e internimit. Një urith akademik që dhunon lirinë dhe shtetin me gjuhën e tij helmuese. Nuk e gjeti mbi tokë regjimin e tij të dashur komunist dhe u zhbë në arsyetimin e tij për tunelet dhe rolin e tyre.

Nuk e gjeti mbi tokë mendësinë e këmbimit të tokave me serbët dhe u atrofizua në qimet e tij të rralluara nga mungesa e dritës. Ky lloj urithi i viteve të urithit e dinte se të gjitha ngjarjet që i rrëfenin... kishin së paku nga tri domethënie: Atë që ua japim dhe u besojmë ne, atë që e besojnë dhe e thonë të tjerët dhe domethënien që e kalb dheu, së bashku me të ndjerin, që atë domethënie përjetë e ka mbajtur të mbyllur në vetvete.

Çudia e kësaj kafshëze ishte se njeriu nuk dinte çfarë të bënte me të, ta donte apo ta urrente. Kur hante ato kandrrat e vogla, i bënte dobi njerëzisë, por kur shkatërronte rrënjët e bimëve, atëherë, urithi kthehej në një xhind të vogël të territ. Çudia tjetër ishte se njerëzia nuk e dallonte dot sa ishte duke gërryer dheun në errësirë; kur shembej, dilte pjella e llagëmeve, verbohej dhe ulërinte nga dhimbja që i shkaktonte drita e njeriut. Ishte një urith i ngjashëm me Nerium oleander, lulen helmuese që zgjaste gjethet e në majën e tyre grumbullonte helm.

Kjo specie e rrallë me cilësitë e gjethes helmuese, me verbërinë e urrejtjes dhe të gjenerimit të fjalës, ky lloj virusi të cilin me lezet e shmangën, pothuaj e izoluan qytetarët dhe intelektualët e Kosovës, na është ngjitur keqaz. A thua po kërkon mbi tokë lavdinë e llagëmeve që hapi nën tokë?! Se këtë lavdi do ta fitojë kur të zhytet sërish atje ku ishte, në kërkim të simboleve të humbura në çdo kthesë labirinthi që e hapi me aq pasion. A thua do ta kuptojë një ditë urithi që po zë vend në ngrehinën e një publicistike të mërzitshme, ekstremiste, tipike komuniste, se për sa kohë nuk është i zoti të jetojë tërësisht si qenie njerëzore, të paktën të përpiqet të bëjë më të mirën që të mos jetojë si kafshë. Kur e njoha, po pastronte nga lëngjet e trupit nervin optik të fyer..., ashtu si demonët kur lëshojnë britma të forta në ferr duke shpresuar se kështu do t'i shpëtojnë dënimit, ky i verbër nga toba, nuk e di se ka nxjerrë nga goja dy të vërteta të thella..., atë për veten e vet kur shikonte, nën tokë, dashurinë për komunizmin dhe tani që është i verbër, mbi tokë, urrejtjen për shtetin demokratik shqiptar dhe Shqipërinë.

MIRANDA HAXHIA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.