VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME


E Mërkurë, 03.30.2011, 02:48pm (GMT1)

Thaçi: Kuvendi i Kosovës do ta miratojë projektbuxhetin për 2011

Prishtinë, 30 mars 2011 (15.10)
Brenda javës së ardhshme do të merren veprime konkrete për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës nuk është indiferente ndaj zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend.
Ai këto komente i bëri në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar, me ç'rast ka thënë se Qeveria është aktive dhe është duke i përcjellë me seriozitetin më të lartë zhvillimet, gjithmonë duke vënë interesin e vendit dhe të qytetarëve në radhë të parë.
Thaçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse që e respektojnë edhe Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës, përderisa ka theksuar se do të ketë angazhime të shpejta dhe konkrete në respektimin e ligjit dhe normave demokratike, për të bërë zgjedhjen e duhur të presidentit.
"Ne si Qeveri, por edhe individë me përgjegjësi të larta shtetërore, politike, por edhe si qytetarë të Kosovës, do të angazhohemi për veprime të shpejta konkrete dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojmë me zgjedhjen e duhur dhe të shpejtë të çështjeve. Do të plotësojmë këtë agjendë që e kemi para nesh besoj shumë shpejt që javën tjetër, si Kuvendi i Kosovës, partitë politike, por edhe partnerët e koalicionit. Koalicioni vazhdon agjendën e vetë të plotë shtetërore, andaj unë kam besim të plotë në mundësinë dhe mirëkuptimin e qytetarëve të vendit, në mbështetjen e partnerëve tanë të plotë ndërkombëtarë, që do ta bëjnë zgjidhjen e shpejtë kushtetuese, pra Kuvendi i Kosovës. Besoj në rolin pozitiv dhe aktiv edhe të opozitës për çka edhe i ftoj për participim aktiv në jetën demokratike", ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit, po ashtu ka shprehur bindjen e thellë se në seancën e nesërme, Kuvendi i Kosovës do ta miratojë projektbuxhetin për vitin 2011.
"E ritheksoj edhe njëherë me besim të plotë se do të miratohet nesër ky projektbuxhet, që është një projektbuxhet i reformave demokratike të Kosovës evropiane, zhvillimore, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve", ka thënë Thaçi, përderisa ka falënderuar gjithë deputetët komisionet përkatëse për participim të shpejtë, aktiv dhe profesional në procedimiin e këtij projektligji", është shprehur kreu i ekzekutivit të vendit.
Ai ka ritheksuar edhe njëherë kërkesën për qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, i cili do të fillojë më 1 prill, ndërkaq ka falënderuar të gjithë organizmat e angazhuar në këtë proces, ministritë përkatëse, autoritete lokale, por edhe shoqërinë civile.
Ndërkohë, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim, atë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shoqëritë tregtare, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregti të brendshme, Projektligjin për shërbimet e sigurisë private dhe atë për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritete.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe raportin vjetor financiar për vitin 2010, propozim-vendimi për formimin e bordit për menaxhimin me pyje dhe raportin për vlerësimin e përshtatshmërisë së sistemit të financimit për komuna për vitin 2010./Kosovapress/

(http://www.rtv21.tv)

Kushtetuesja shpall aktgjykimin

Behxhet Pacolli

30.03.2011

Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri publik aktvendimin e plotë mbi zgjedhjen e Bexhet Pacollit si president. Në aktvendim thuhet se zgjedhja e tij si president pa asnjë kundërkandidat ka paraqitur shkelje të nenit 86.6 të Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu edhe mungesa e kuorumit është vlerësuar si antikushtetuese.

"Gjykata vëren se Korniza Kushtetuese qëndron e heshtur lidhur me numrin e kandidatëve per zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga Korniza Kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë (jo-ambiguoze) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e pare dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë".

"Eshtë e qartë se hartuesit e Kushtetutës kanë zgjedhur formulimin e fjalëve të nenit 86 të Kushtetutës me qëllim që të devijojnë nga sistemi i paraparë në Kornizën Kushtetuese, duke përqafuar kështu një sistem më demokratik ku më shume se një kandidat nevojitet para se të vihet në lëvizje procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës", thuhet në argumentet e Kushtetutës.

"Procedura e zgjedhjes është krijuar me qëllim që të sigurojë, që më shumë se një kandidat i nominuar per t'u zgjedhur si President, ai, qe mori shumicën e votave do të zgjidhej si përfaqesues i popullit të Kosoves. Nëse qëllimi i hartuesve të Kushtetutës do të kishte qenë që të paraqisnin një procedurë alternative për zgjedhje, vetem me një kandidat te nominuar, Kushtetuta, shprehimisht do e kishte parashikuar një procedurë të tillë", thuhet ndër të tjera në aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese të bërë publik para disa çastesh.

"Në këto rrethana, Gjykata konkludon se procedura per zgjedhjen e z. Behgjet Pacolli si President i Republikes se Kosoves, mbajtur ne seancën e jashtezakonshme te Kuvendit, me 22 shkurt 2011, përbën shkelje te nenit 86 të Kushtetutës dhe prandaj, eshte kunderkushtetuese", thuhet në aktvendim.

Gjykata ka vlerësuar si antikushtetuese edhe faktin se në seancën e 22 marsit, nuk kishte kuorum prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, në kohën kur u mbajt raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit.

"Si përfundim, Gjykata Kushtetuese në seancën e mbajtur më 28 mars 2011, shpall, njëzëri, se Kërkesa është e pranueshme dhe me shtatë vota për dhe dy kundër shpall se vendimi i Kuvendit të Republikës se Kosoves, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit te Republikes se Kosoves, me 22 shkurt 2011, është jo-kushtetues dhe nuk do të jetë në fuqi nga data e publikimit te tij në përputhshmëri me nenin 116.3 te Kushtetutës -meqenëse është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike te mishëruara aty", thuhet në konkulzionet e aktvendimit të Gjykates Kushtetuese.

Aktgjykimi thuhet se do të ketë efekt te menjëhershëm.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.