VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRJASHTIMI I DIASPORËS SHQIPTARE NGA REGJISTRIMI I POPULLSISË NË MAL TË ZI, AKT I PAPRANUESHËM

Nga XHELADIN ZENELI, ish deputet i Parlamentit të Malit të Zi


E Enjte, 03.31.2011, 05:10pm (GMT1)

Vendimi i fundit i Entit të Statistikës në Mal të Zi,lidhur me regjistrimin e popullsisë, i cili do të mbahet me 1 deri me 15 prill të këtij viti, thotë që "të gjithë atyre që jetojnë me gjatë se një vit jashtë Malit të Zi, nuk do t'iu shënohet kombësia, feja dhe gjuha amtare...". Pra, me këte vendim, pjesëtarëve të diasporës në rend të parë iu mohohet e drejta e deklarimit të përkatësisë së tyre kombëtare dhe gjuhësore.

Qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë, sidomos për ne shqiptarët, është që të dihet numri ynë i vërtetë, pa marrë parasysh se a jetojmë në vend apo në botën e jashtme. Atëherë nuk ka kurrfarë efekti që diaspora të regjistrohet, nëse asaj nuk do t'i njihet përkatësia e tyre kombëtare! Nëse diaspora regjistrohet në regjistrimet e këtij viti, në rezultatet përfundimtare, do të figurojnë si qytetarë të Malit të Zi që jetojnë në botën e jashtme dhe jo si shqiptarë. Të regjistrohemi si qytetarë të Malit të Zi (pra për interesat e Mal të Z), është absurditet që nuk është në interes dhe në favor të shqiptarëve. Ne na intereson sa shqiptarë ka në botën e jashtme dhe jo sa qytetarë të Mal të Zi !

Vendimi në fjalë dëmton me shumë shqiptaret se sa asnjë popull tjeter që jeton ne Mal te Zi, sepse diaspora shqiptare numerikisht eshte diaspora me e madhe ne krahasim me diasporat e popujve të tjerë që jetojnë në ketë shtet multinacional. Sipas regjistrimiit të fundit të vitit 2003, në botën e jashtme nga Mali i Zi janë gjithësejt 52.511 qytetarë, prej të cilëve 31.45% (1/3) janë të kombësisë shqiptare.

Pra, duke marrur parasysh faktin që një numër shumë i konsiderueshëm i shqiptarëve në Mal të Zi sot jetojnë në diasporë, atëherë edhe rezulltatet e këtij regjistrimi pa diasporën shqiptare, do të jenë gjysmake, jo të plota dhe si të tilla do të duhej të ishin të papranueshme nga shqiptarët.

Më habit fakti që asnjë nga partitë e nacionale shqiptare, deri më sot nuk reaguan lidhur me vendimin e fundit të Entit Statistikor në Mal të Zi, për moslejimin e deklarimit të diasporës shqiptare në baza të përkatësisë së tyre kombëtare!? I vetmi subjekt politik që reagoi, megjithëse me vonesë, ishte Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi.

Sipas mendimit tim, shqiptarët në Mal të Zi, do të duhej ta kushtëzonin regjistrimin e pjesëtarëve të popullsisë së vet në vend, me regjistrimin e plotë të diasporës shqiptare, duke përfshirë edhe përkatësinë e tyre kombëtare.

Qeveria e Malit te Zi e shfrytëzon dhe e përdorë diasporën shqiptare sipas nevojave dhe interesave te veta politike. Me rastin e referendumit për Pavarësinë e Malit te Zi, qeveria e ketij shteti i bëri thirrje dasporës shqiptare për të shkuar ne vendlindje dhe për të votuar për pavarësinë e këtij shteti, me ç'rast atyre që udhetuan, iu ofruan edhe mbulimi i shpenzimeve te udhëtimit. Kurse sot, po e njejta qeveri, po të së njëjtës diasporë që i ndihmoi asaj (pra Malit të Zi) që të fitojë pavarësinë, po i mohon përkatësinë e tyre kombëtare dhe gjuhësore. Kjo eshte nje padrejtesi e paparë, dhe shqiptarët do të duhej të protestonin ashpër kundër një vendimi të tillë.

Vendim diskriminues i lartpërmendur i qeverisë së Malit të Zi, i cili përjashton regjistrimin e diasporës në baza kombëtare, duhet të motivojë edhe më tepër diasporën shqiptare nga trevat e veta entike në Mal të Zi që të vetorganizojë dhe realizojë regjistrimin e pjesëtarëve të vet.

Gjithashtu duhet përkrahur iniciativa e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi i cili bëri të ditur opinionin kohët e fundit se Këshilli Nacional i Shqiptarëve do të angazhohet për realizimin e një projekti të regjistrimit të popullatës shqiptare në MZ, e sidomos regjistrimin e Diasporës shqiptare.

 

 

Xheladin Zeneli

Ish-Deputet ne Parlamentin e Malit te Zi

mars 2011

New York

XHELADIN ZENELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.