E Premte, 03.29.2024, 01:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

PSE JAM KUNDËR REGJISTRIMIT ME VETËDEKLARIM

Nga ALBAN LAUKA


E Djelë, 04.03.2011, 04:35pm (GMT+1)

Paralelisht me debatin publik për zgjedhjet vendore, një hapësirë të konsiderueshme po merr në mediat shqiptare edhe ai rreth regjistrimit të popullsisë, që parashikon të përfshijë edhe të dhënat mbi përkatësinë etnike e fetare.

Ndër më aktivët në këtë debat është analisti Fatos Lubonja, i cili në disa shkrime dhe emisione televizive ka renditur argumentat e tij në favor të këtij regjistrimi. Pikëpamja e z. Lubonja bazohet në dy pika kryesore: në përfitimet që ai mendon se shoqëria shqiptare do të kishte nga statistikat për etninë dhe fenë, si një njohje më e mirë e vetvetes, ose një dëshmi e emancipimit tonë, dhe nga ana tjetër në karakterin anti-demokratik, deri edhe diktatorial, sipas tij, të një rregjimi që nuk nxjerr të dhëna për asnjërën. Zgjidhja që propozohet ndaj rrezikut të ndërhyrjeve gjithnjë e më të shpeshta greke në emër të një minoriteti grek gjithnjë e më të madh në numër është e thjeshtë: një shtet ku shtetësia të jetë parësore ndaj kombësisë ose përkatësisë etnike.

Së pari, nuk mendoj se mospasja e shifrave të sakta rreth numrit të minoritarëve në Shqipëri është një pengesë për zhvillimin dhe demokratizimin e mëtejshëm të vendit. Padyshim, statistikat që zotërojmë janë të vjetra dhe mbase nuk pasqyrojnë saktë realitetit e sotëm, e megjithate, harmonia fetare mbetet e pacënuar. Po ashtu, nuk më duket se minoriteteve në Shqipëri iu paskan mohuar të drejtat e tyre dhe përveç ndonjë rasti të veçuar, marrëdhëniet ndëretnike në zonat minoritare mbeten shembullore për rajonin. Këto 20 vjet secili ka qenë dhe mbetet i lirë të jetë shqiptar, grek apo rumun, si dhe të gëzojë të drejtat e plota të tij pa iu mohuar përkatësia e tij etnike. Ndryshe nga ç'predikon z.Lubonja Shqipëria nuk ka treguar deri tani asnjë tendencë homogjenizimi të minoriteteve. Përkundrazi, ka shenja që është ecur në drejtim të kundërt.

Kështu, një tendencë lehtësisht e dallueshme është ajo e fryrjes së minoriteteve, sidomos të minoritetit grek në jug të vendit. Është normale që një pjesë e madhe e popullsisë së varfër të Shqipërisë së Jugut të joshet nga mundësite ekonomike që i ofron "kombësia" greke, ndaj dhe regjistrimi me vetëdeklarim është e qartë që do të na ofrojë një pamje të shtrembëruar, ndoshta edhe të përmbysur të realitetit. Është e pakuptimtë të kërkojmë të kërkojmë të njohim vetveten kur nuk i kemi mundësitë për ta bërë si duhet, aq më tepër kur rrezikojmë ta zëvendësojme autoritetin tonë shtetëror në një pjesë të terrritorit, me influencën e një shteti fqinj.

Ideja se një rrezik i tillë shmanget më epërsinë e shtetësisë mbi përkatësinë etnike e fetare është e gabuar, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Është e qartë se z. Lubonja dhe ithtarë të tjerë të idesë së qytetarisë botërore i përkasin shkollave të mendimit moderniste dhe konstruktiviste të kombformimit, shkolla që shohin shekullin e nëntëmbëdhjetë si periudhën e krijimit të kombeve, pa e vrare shumë mendjen për çfarë kishte më parë. Sipas këtyre profetëve modernë periudha e nacionalizmit, tashmë është pjesë e së shkuarës, ndërsa e ardhmja na çon drejt një familjeje të madhe europiane dhe ndoshta botërore. Sado tërheqëse të na duken këto ide është fakt se ekzistojnë disa karakteristika të një popullsie të caktuar, si gjuha, traditat, etj. që gjithmonë do të krijojnë dhe do të mbajnë të fortë identitetet etnike (teoria primordialiste). Janë pikërisht këta elementë që na bëjnë ne shqiptarëve për shembull, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë, të jemi pjesë e të njëjtit komb. Prandaj ideja se kombësia është vetëm një trillim i elitave dhe prandaj mund dhe duhet të shtypet nga shtetësia, edhe ajo e shtypur nga formacione më të gjera mbikombëtare, është absolutisht e pazbatueshme, të paktën në realitetin e sotëm ballkanik e europian.

Idetë post-nacionaliste nuk e kalojnë dot as testin e praktikës. Jetojmë në një pjesë të botës, që kohët e fundit, ka parë rreth dhjetë vjet luftë ndërshtetërore dhe ndëretnike. Në më se një shtet marrëdheniet ndëretnike janë akoma burime të përhershme tensioni shoqëror. Në rastin konkret Shqipëria ka të bëjë me një shtet fqinj që zbaton politika shoviniste, të trasheguara pikërisht nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, duke u përpjekur të shumëfishojë numrin e minoritarëve të vet në vendin tonë. A duhet të biem pre e këtij kurthi duke u verbuar nga ardhmja aq e ndritshme kozmopolite e globaliste? Në fakt edhe Europa, që paraqet modelin më të përparuar të ndërtimit të shoqërisë demokratike, së fundmi e përfshirë edhe nga një valë e fuqishme e ekstremit të djathte, jo për këtë arsye ka problemet e saj etnike dhe fetare. Spanja dhe Britania e Madhe, dy nga shtetet më të fuqishme dhe më të emancipuara të BE-së, janë dy shembuj shumë domethënës për rëndësinë që ka identiteti etnik për popujt e Europës. Shembuj të tjerë ofrojnë Belgjika, në zemrën e Bashkimit Europian, si dhe disa vende të Europës Lindore, pjesë e BE-se, si Rumania apo Qipro. Në fund të fundit edhe vetë Greqia që po harton dhe zbaton politika të tëra për "përfitime" etnike, është pjesë e kësaj familjeje të madhe europiane. Duket se edhe vetë Europa akoma nuk ka arritur ti zbusë përfundimisht identitetet vendore etnike që përmban. Atëherë, kur trajtojmë probleme të tilla, cilës Europë, cilit model po i drejtohemi?

Është krejtësisht e pavend të pritej që Shqipëria të linte mënjanë humbjet në sovranitetin e saj me qëllim kapërcimin përfundimtar të epokës së nacionalizmit. Një objektiv i tillë, mbase do të ishte i ngjashëm në përmasa me atë që Shqipëria vuri para vetes, pas prishjes me BS dhe Kinën, për ndërtimin gjoja të shoqërisë së vërtetë komuniste, mbi bazën e marksizëm-leninizmit të pastër.

Është fakt i njohur që një pjesë e mirë e shqiptarëve poshtë vijës Dhërmi-Korçë marrin pensione të përmuajshme prej 300 eurosh, nga shteti grek. Logjika ta thotë se këto pensione nuk do të jenë pa ndikim në rastin e regjistrimit me vetëdeklarim. Prandaj një rregjistrim i tillë nuk do të ishte as një njohje më e mirë e vetvetes, as një përforcues i demokracisë në vend. Nga ana tjetër, nuk ka dyshime se do te ishte një përforcues i elementit grek dhe influencës së fqinjit tonë jugor në vend. A ja vlen atëherë ti futemi aventurës së ndryshimit të epokave, diçka që as shumë vende të BE-së, madje as Greqia, akoma nuk e kanë bërë, duke injoruar rreziqet që i kanosen sovranitetit dhe integritetit të vendit? Ne shah, një skemë e tillë është një sulm me të gjitha mjetet ndërkohë që mbreti është lënë zbuluar. Përgjigjia krejt e natyrshme dhe e logjikshme, për këtë lloj regjistrimi të popullsisë është një jo e prere.

Zgjidhja më e mirë është vazhdimi i lirisë dhe harmonisë fetare dhe etnike në Shqipëri, pa patur nevojë për regjistrime të sofistikuara deri në momentin që të sigurohemi që proçesi i regjistrimit nuk do të ndikohet nga faktorë të jashtem. Pjesëtarët e minoritetit grek, serb apo maqedonas në Shqipëri duhet të ndjehen të lirë të jetojnë sipas traditave të tyre dhe të gëzojnë çdo të drejtë që u takon, ashtu si deri më tani. Ata nuk kanë nevojë për rritjen artificiale të numrit të tyre, rritje e cila do të ishte edhe tepër e dëmshme për shtetin që akoma po e ndërtojme e forcojmë. Pavarësisht interesave të ngushta individuale, apo interesave largvajtëse të shtetit grek, jam i bindur se interesi i qartë kombëtar e shtetëror i shqiptarëve është moslejimi i fryrjes së minoriteteve, pra mosregjistrimi me vetëdeklarim i përkatësisë etnike e fetare.

-

Shënim: Alban Lauka është student i vitit të katërt, dega marrëdhënie ndërkombetare, Universiteti i New Yorkut në Tiranë. Shkrimi është botuar më 01.04.2011 në gazetën Bota Sot.

 


ALBAN LAUKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
XHERALDINE FERRARO DHE ROLI I GRUAS NË JETËN POLITIKE DHE SHOQËRORENga FRANK SHKRELI (04.03.2011)
INSTRUMENTI I VETËM ËSHTË PUNANga SKËNDER BUÇPAPAJ (04.03.2011)
MË SHUMË SE OPOZITË INSTINKTIVE, KOSOVËS I DUHET NJË OPOZITË ME STRATEGJINga SKËNDER BUÇPAPAJ (04.02.2011)
REGJIMI NË LIBI DUHET TË NDRYSHOJËNga senatorët XHON MEKEJN dhe XHOZEF LIBERMAN, Wall Street Journal (04.01.2011)
PËRJASHTIMI I DIASPORËS SHQIPTARE NGA REGJISTRIMI I POPULLSISË NË MAL TË ZI, AKT I PAPRANUESHËMNga XHELADIN ZENELI, ish deputet i Parlamentit të Malit të Zi (03.31.2011)
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME (03.30.2011)
REVOLUCIONE APO RRËSHQITJE SITUATENga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.30.2011)
PRESIDENTI OBAMA MBRON DHE JUSTIFIKON SULMIN USHTARAK KUNDËR LIBISËNga FRANK SHKRELI (03.29.2011)
ÇDO REVOLUCION ËSHTË KTHESË RRËNJËSORE NË MËNYRËN E TIJNga SIMON SEBAG MONTEFIORE, New York Times (03.29.2011)
DUKE SHPRESUAR PËR MANDELAT ARABËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (03.28.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]