VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRIA, DUKE FILLUAR NGA OPOZITA DUHET TË FALËNDEROJË NDËRKOMBËTARËT

Nga HENRI ÇILI


E Mërkurë, 05.11.2011, 03:35pm (GMT1)

 

Sot më 11 maj Shqipëria nuk i ngjan aspak Shqipërisë së 21 Janarit. Në më pak se 4 muaj, falë veprimit energjik të ndërkombëtarëve me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ne tashmë jemi një vend demokratik dhe normal, që po mbyll një palë zgjedhje krejtësisht normale, që për më tepër, përjashto ende Tiranën dhe Durrësin, i kanë dhënë fitoren opozitës. Një vend që ishte në prag të konfliktit civil dhe politik është sot një kartolinë e qetë e një vendi normal në muajin e tretë të pranverës.

Ja pse sot Shqipëria duhet të falenderojë sot ndërkombëtarët dhe ambasadorët në Tiranë, me në krye ambasadorin amerikan Arvizu, sepse normaliteti ka triumfuar edhe falë veprimit të tyre energjik të këtyre zotërinjve dhe institucioneve ndërkombëtare, miq dhe partnerë të Shqipërisë.

Por mbi të gjitha, është opozita shqiptare e Edi Ramës që ka nevojë për të korrektuar qëndrim, fituesja e këtyre zgjedhjeve në rang Shqipërie, e cila për tre muaj me radhë veçanërisht, por në tërësi në këta dy vjet, i shau, i etiketoi, i sulmoi dhe ofendoi ndërkombëtarët, sigurisht jo aq vetë zyrtarisht se sa si frymë dhe si qarqe afër saj, apo përmes figurave minore dhe jo përfaqësuese të opozitës.

Përmes rrugës institucionale dhe logjikës së luftës politike brenda shanseve që ka sistemi që propozoi dhe për të cilat ngulmoi "armiku i opozitës" Arvizu, sot opozita shqiptare brenda tre muajsh ka arritur shumë më tepër objektiva politikë se në dy vjet luftë politike në rrugë, me greva urie, me bojkot, jashtë institucioneve, duke sharë e duke bërtitur kundrejt të gjithëve me parimin "fajin e ka Saliu", "fajin e kanë ndërkombëtarët", "fajin e kanë analistët" etj. nga këto.

Brenda 3 muajsh, një opozitë që thoshte "nuk ka zgjedhje më 8 Maj", "nuk ka zgjedhje pa plotësuar këto apo ato kushte", falë dhe presionit normalizues të faktorit ndërkombëtar, sigurisht përmes garancive përkatëse që ky faktor i jepte opozitës, opozita u ri-integrua në sistem, u fut në zgjedhje, edhe pse çdo gjë në minutën e fundit, dhe arriti që brenda sistemit të marrë rezultat mjaft të mirë.

Për të gjitha këto arsye, në postën e diplomatëve të huaj në Tiranë logjikisht duhet të vinte edhe një kërkim ndjese i opozitës dhe falenderim nga ana e opozitës së Edi Ramës. Pasi Shqipëria tjetër i ka falenderuar me kohë miqtë ndërkombëtarë, me ambasadorin amerikan Arvizu në krye.

HENRI ÇILI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.