E Hënë, 11.30.2020, 09:14am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

ËNDRRA SHEKULLORE E KOSOVËS - RIBASHKIMI ME ATDHEUN AMË

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Shtunë, 05.28.2011, 08:32am (GMT+1)

Më 12 qershor të vitit në vazhdim, mbushen 12 vjet që nga koha e përfundimit të luftës në Kosovë. Që asokohe dhe deri tani, Kosova vazhdon të ndodhet nën një administrim ndërkombëtar, i cili duhej të kishte marrë ngjyrime simbolike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Normalisht, çdo qytetar i thjeshtë i Kosovës, gjatë kësaj periudhe, ka pasur të drejtë të shpresonte dhe të besonte se vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos asaj evropiane, duhej të përqendroj tërësisht te Kosova, pas gjithë atyre krimeve që kreu kundër saj shovinizmi serbomadh, të cilat zanafillën e kanë te Kongresi famëkeq i Berlinit dhe Konferenca po aq famëkeqe e Ambasadorëve në Londër. Por, çuditërisht, pas përfundimit të luftës, ndodhi krej e kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, zoti Lamberto Zanier, siç bëhet e ditur nga faqja e internetit e 16 prillit 2011, ka deklaruar se "pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. Me shpalljen e pavarësisë, Kosova nisi rrugën e saj, por nuk ka mundur ende t’i shkojë deri në fund. Aktualisht është e bllokuar në mes të rrugës".

Me pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, sipas fjalëve të zotit Zanier, duhet nënkuptuar Bashkimi Evropian, i cili filloi të përkëdhelte Serbinë, në vend që ta vinte para përgjegjësisë për krimet e rënda që kreu në Kosovë.

Botimi i librit të Karla del Pontes dhe raporti i senatorit Dik Marti, të cilët kërkojnë të vendosin shenjën e barazisë mes kriminelit dhe viktimës, janë dëshmia më e pastër e faktit se Bashkimi Evropian, nën presionin e neocarizmit rus, është radhitur përkrah Serbisë dhe kërkon që edhe Kosovën ta ndëshkojë pa të drejtë për krime lufte, duke akuzuar, çuditërisht, për një gjë të tillë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në këto kushte, ka ardhur e është krijuar një rreth vicioz për perspektivën e Kosovës. Qëndrimi përkëdhelës i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë ka sjellë si pasojë që kjo e fundit, në veriun e Kosovës të krijojë një vatër të përhershme infeksioni politik që e ka bërë të pamundur stabilizimin e situatës për gjithë këto vite me radhë. Qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i nuk kanë bërë asgjë për zbatimin e rregullave të një shteti ligjor në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Veç kësaj, fryma e platformës së Ahtisaarit për një Kosovë multietnike, i ka dhënë krah pakicës serbe që ajo të mos njohë dhe të mos zbatojë kurrfarë normash juridike. Shpallja e Kosovës si një vend multietnik është një blasfemi që përdoret kundër së vërtetës historike. Është për të ardhur keq që korit të multietnizmit i bashkohet edhe klasa politike kosovare që deri tani ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë formalisht vendin.

Prandaj, për të dalë nga ky rreth vicioz ku është katandisur Kosova, bëhet më se i domosdoshëm ribashkimi i saj me atdheun amë, çka është një ëndër shekullore e popullit shqiptar të Kosovës.

Por ribashkimi i Kosovës me atdheun amë nuk është shpëtimtar vetëm për Kosovën. Ai po aq shpëtimtar është edhe për atdheun amë, Shqipërinë Londineze. Për ta nënvizuar edhe më shumë rëndësinë historike të këtij ribashkimi edhe për atdheun amë, dëshiroj të ndalem në një fakt konkret.

Qytetari shqiptaro-francez, gazetari Ervin Baku, para disa vjetësh, ka dërguar nga Brukseli këtë informacion mjaft domethënës për një të përditshme shqiptare:

"…Shqipëria me origjinë është e krishterë. Sot ajo është 70% myslimane… Kjo e shqetëson shumë Evropën Perëndimore ku aspirojmë të integrohemi. Po e them troç dhe pa doreza: nuk është as korrupsioni, as krimi i organizuar, as trafiqet që po na vonojnë kaq shumë hyrjen në Evropë. Jo. Aderimi dhe vazhdimi në Konferencën e Vendeve Islamike përbën një handikap tejet të konsiderueshëm drejt Evropës së Bashkuar.

Kjo nuk do t’u thuhet kurrë zyrtarisht politikanëve shqiptarë nga interlokutorët e tyre evropianë. Por mua personalisht më është thënë më se një herë në tavolinat e Brukselit dhe Strasburgut. Dhe më është thënë nga personalitete eminente të Bashkimit Evropian. Ndaj dhe vendosa t’i ndaj këto radhë me lexuesit e mrekullueshëm të "Koha Jonë" (Citohet sipas: Gazeta "Koha Jonë", 15 gusht 2006).

Klasa politike që ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë Shqipërinë Londineze, domosdo që e ka ndier këtë presion të nëndheshëm që i është bërë nga ana e strukturave të Brukselit dhe të Strasburgut dhe ka marrë masa për t’u ardhur atyre në osh. Në vitin 2003, parlamenti kaloi ligjin për gjendjen civile, sipas të cilit duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë përmes vetëdeklarimit të gjuhës, përkatësisë etnike dhe fesë. Gjatë këtyre tetë vjetëve që kanë kaluar, këtij ligji paradoksal, të pahasur kund në legjislacionin ndërkombëtar, nuk i është bërë kurrfarë publiciteti në mjetet e informimit masiv të Tiranës. Por një ditë të bukur, një ministër i qeverisë Berisha, zoti Genc Pollo, aty nga fundi i vitit 2010, njoftoi publikisht se në prill të vitit 2011, do të fillonte regjistrimi i popullsisë, sipas atij ligjit të sipërpërmendur që deri tani ishte vënë "nën surdinë".

Për kryerjen e këtij regjistrimi, domosdo paradoksal, Brukseli dhe Strasburgu paskëshin "emëruar" Athinën si "dado" të Tiranës. Dhe qëllimin e "përkujdesjeve" të veta për punën e këtij regjistrimi, Athina e shprehu publikisht përmes deklaratës shoviniste të konsullit grek në Korçë Teodoros Ikonomus, i cili kërkoi që popullsia e Korçës të vetëdeklarohet si popullsi greke.

Në pikësynimet e heshtura afatmesme të Brukselit dhe të Strasburgut, pikësynime këto që përputhen tërësisht me strategjinë e kahershme të shovinizmit grekomadh, fshihet një manovër tepër djallëzore: të bëhet regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë, në mënyrë që të realizohet një rritje skandaloze e numrit të elementit ortodoks, të blerë me asprat e Athinës, me të vetmin qëllim që të arrihet në shpalljen edhe të Shqipërisë Londineze si një vend multietnik. Dhe qëllimi final i këtij aksioni politik është shndërrimi i kombit shqiptar në një bashkësi laramane multietnike, pa fizionomi kombëtare. Pra, sipas finales së këtij aksioni politik, në Evropën Juglindore nuk ekzistuaka një komb shqiptar, çka përbën një shtrembërim të së vërtetës historike për ekzistencën mijëravjeçare të etnisë shqiptare në trojet e veta etnike kompakte.

Ishte pikërisht arsyeja paradoksale e regjistrimit të kësisojshëm të popullsisë në Shqipërinë Londineze, që bëri të dilte në skenë zoti Kreshnik Spahiu dhe Aleanca Kuq e Zi, që deri tani ka grumbulluar mbi 30 mijë firma për hedhjen poshtë të ligjit të gjendjes civile për regjistrimin e popullsisë.

Nga sa u parashtrua, bëhet urdhëruese domosdoshmëria e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë, për ta shpëtuar kombin shqiptar nga fryma e multietnizmit që kërkohet t’i imponohet, për të kënaqur epshet shoviniste të fqinjëve tanë sllavogrekë. Sepse ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë Londineze do të krijojë kushte për afirmimin edhe më me forcë të identitetit të kombit shqiptar, si një komb unik, me perspektiva të shkëlqyera zhvillimi, me troje kompakte në Evropën Juglindore, për hapjen e perspektivës edhe për ribashkimin e trojeve të tjera etnike në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqinë Veriperëndimore.

Është e qartë se Unioni Gjithkombëtar Shqiptar do të hasë në shumë pengesa për arritjen e këtij objektivi madhor. Pengesat kryesore për arritjen e këtij objektivi të shenjtë do të hasen, para së gjithash, në radhët e elementit brendashqiptar, të përfaqësuar nga një takëm intelektualësh që hanë bukë në trojet shqiptare, por që bëjnë duanë e shovinizmit serbogrek, i cili përçarjen e kombit shqiptar e ka pasur në qendër të strategjisë së vet shekullore. Këta intelektualë le të mos harrojnë një amanetporosi që u ka lënë brezave pasardhës Shoqata "Vatra", e cila, më 28 janar 1918, në letërprotestën e vet, drejtuar kryeredaktorit të gazetës "Mançester Gardian", shkruante:

"Shqiptarët u detyruan t’i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë" (Citohet sipas: Arben Puto. "Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit". Shtëpia Botuese "8 nëntori", vëll. II. Tiranë, 1987, f. 663).

Nënkuptohet që Unionit Gjithkombëtar Shqiptar do t’i duhen mjete të fuqishme financiare për ta jetësuar objektivin madhor që i ka vënë vetes përpara. Këto mjete financiare do të jenë të nevojshme jo vetëm për përballimin e një pune të drejtpërdrejtë sqaruese në radhët e popullit të thjeshtë, por edhe për hapjen e një kanali të posaçëm televiziv, përmes valëve të të cilit do të komunikohet drejtpërsëdrejti me teleshikuesit për domosdoshmërinë e ribashkimit me atdheun amë. Prandaj duhet kërkuar edhe ndihma e biznesmenëve kosovarë me orientim kombëtar. Në të njëjtën kohë, Unioni Gjithkombëtar Shqiptar duhe të përgatitet edhe për zhvillimin e një referendumi mbarëkosovar, në mënyrë që të vilet drejtpërsëdrejti mendimi i çdo qytetari për domosdoshmërinë e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë dhe klasa politike në pushtet të vihet para një fakti të kryer.

Santa Barbara, Kaliforni

20 maj 2011

-------------------------------

* Kjo kumtesë është lexuar prej zotit Cenë Pushkolli në Tribunën Politiko-Diplomatike që organizoi Unioni Gjithkombëtar Shqiptar në Hotel Grand në Prishtinë më 24 maj 2011

Prof. dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PSE NUK SHKON BASESCU TË TAKOHET ME OBAMËN NË VARSHAVËNga BAKI YMERI (05.27.2011)
ARRESTIMI I "KASAPIT TË BOSNJËS"Nga FRANK SHKRELI (05.27.2011)
CE GE RAMA NDAL !Nga Alban BALACE GE RAMA NDALNga Alban BALA (05.25.2011)
KOHA PËR NETANJAHUN TË DALË NGA POLITIKA E TIJ MOS BËJ ASGJËNga RICHARD COHEN, Washington Post (05.25.2011)
MALËSIA E MIRË, E ARTA, NË TOKË TË BEKUEMEFragment nga parathënia e veprës TROPOJA MALËSIA E MIRËNga RAMIZ LUSHAJ (05.24.2011)
GJENOCIDI, DREJTËSIA DHE SHOQËRIA SHQIPTARENga Prof. SAMI REPISHTI (05.22.2011)
38 VJET NGA REVOLTA E BURGUT TË SPAÇIT DHE QAFË BARIT 22-23 MAJ 1973EDHE PADURIMI ISHTE BËRË I PADURUESHËM...Nga VISAR ZHITI (05.22.2011)
PRIORITETET E POLITIKËS AMERIKANE NË EVROPËTHIRRJE UDHËHEQËSVE SHQIPTARË QË TË RUAJNË QETËSINËNga FRANK SHKRELI (05.22.2011)
NJË DITË E MREKULLUESHME KUSHTUAR NËNË TEREZESNga FRANK SHKRELI (05.19.2011)
AD MULTOS ANNOS, GAZETA ILLYRIAME RASTIN E 20 VJETORIT TË BOTIMITNga FRANK SHKRELI (05.18.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2020  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]