E Enjte, 03.28.2024, 10:25pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

LIRIKU VEHBI SKËNDERI SHPIRTI I NDJESHËM I MBRUJTUR ME DIELL

Nga ÇELIK PETRITI


E Premte, 06.17.2011, 01:58pm (GMT+1)

Këtu e një vit më parë më telefonon Habib Skënderi dhe fillova t'i flas me entuziazëm për librin e vet me rubai që sapo e kisha lexuar.

- Të mora për tjetër gjë, - ma ktheu dhe unë fillova ta dëgjoj më me kureshti, sepse zëri i tij i plogët ma fashiti humorin.

- Desha të të them se ka ardhur Vehbiu, - vazhdoi ai.

- Po këtë më thuaj, - ia ktheva sërish i gjallëruar duke menduar se ai kish ardhur të botonte librin më të fundit me lirika, të cilin s'mundi ta realizonte gjatë kohëqendrimit prej një muaji disa vite më parë, kohë gjatë së cilës bashkëkrahinarët e vet të Gorës së Korçës dhe shumë miq nga komuniteti i shkrimtarëve e nderuan me një veprimtari letraro - shoqërore në sallën e Akademinë e Shkencave, që përkonte me përvjetorin e tetëdhjetë të ditëlindjes së tij.

- Ah, jo, jo. Ai s'është hiç mirë. Me sa kuptova, ka ardhur ta japë këtu frymën e fundit dhe të mbulohet me dheun e vendit të vet, prandaj të telefonova t'u thuash shokëve dhe miqve tanë që t'i shkojnë në shtëpi për t'u çmallur, - ma ktheu.

Dhe unë lajmërova sa munda. Dhe ndjehem paksa i lehtësuar sepse munda t'i çoj për t'u çmallur edhe disa nga shokët e fëmijërisë, midis të cilëve edhe kushëririn e vet, mësuesin tim të paharruar të 7 - Vjeçares Dilaver Baruti, i cili do të ndërronte jetë vetëm pas dy muajsh.

Por, i paparashikueshëm në temperament, siç ishte ai, në vizitën e parë, gjithë sa ishim një grup shokësh, na befasoi. Na befasoi sepse e gjetëm të nemitur, ulur në poltronë, por, pak e nga pak, u gjallërua deri sa u fut vrullshëm në diskutime për jetën e letërsinë, a thua se ishte Vehbiu energjik i dekadave më parë, madje duke zbritur shkallët e katit të katërt për të na përcjellë deri te hyrja e pallatit, duke habitur edhe të vëllanë, Skënderin dhe bashkëshorten e vet, Lilin, të cilët na thanë se, para se të vinim ne, ai vetëm sa qëndronte fizikisht mes tyre.

Ditët në vazhdim dritaret e mbyllura prej gati pesëmbëdhjetë vitesh të apartamentit të tij në një nga pallatet përbri maternitetit të ri "K.Gliozheni" u freskuan dhe grilat filluan të rrinin të hapura. Instaloi një numur të ri telefoni fiks dhe unë, herë shkoja përshëndetesha, herë flisja në telefon, midis të tjerash edhe për vëllimin e ri me lirika që kish nëpër duar. Është fjala për vëllimin e sapobotuar tashmë "Mirëmëngjes, Shqipëri - Lirika të një tetëdhjetëvjeçari" që të befason me sintaksin poetik dhe vargun, sa të zhdërvjellët, aq edhe ritmik e muzikor. Një vëllim edhe më i freskët, edhe më i bukur, edhe më metaforik, edhe më aludiv, edhe më filozofik se ai me titull "Zvicra, Shqipëria ime", botuar disa vite më parë, aq mbresëlënës e provokues për gjithë ata që e kanë lexuar e vlerësuar. Një vëllim që, po të mos shënjonte në pjesën e dytë të titullit togfjalëshin "Lirika të një tetëdhjetëvjeçari", ata që s'e njohin do t'i bënte kureshtarë për moshën, ndërsa ata që e kanë njohur do t'i befasonte. Një vëllim që ia vlen të analizohet, sikurse ia vlen të analizohet gjithë krijimtaria e tij poetike, madje edhe ajo dramatike e mbetur në dorëshkrim, sepse është shkruar në vitet kur e kish të ndaluar botimin.

Nga këto detaje, nga këto impresione, edhe atëherë, edhe tani, më fanitet, tërë energji, tërë vitalitet...

...Poeti i rinuar...

Fjala është për vitet e fillimit të proceseve demokratike. Vinte atëherë në Radio - Tirana ku unë sapo kisha filluar punë. E thërrisnin për intervista gazetarë të ndryshëm. Por ai, sa ç'ishte i dëshiruar për t'u shprehur mbas një periudhe të gjatë izolimi me ndalim botimi dhe publikimi, aq ishte edhe i rezervuar, sepse nuk e honepste, si servilizmin (për arsye se në atë kohë drejtor i përgjithshëm i RTSH ishte i dhëndrri, Skënder Buçpapaj), ashtu edhe mefshtësinë dhe mediokritetin mediatik, sikurse entuziazmohej nga e kundërta. E kisha vërejtur shpesh një gjë të tillë, por veçanërisht s'më shqitet nga mendja një rast si ky: Një gazetare e re, në sprovat e para, i kërkonte një intervistë, por ai duket se e anashkalonte, prandaj iu luta që të mos ia prishte qejfin.

-Ah, more Çelo, - ma ktheu, - e kuptoj pse do ta bëjë këtë, por ajo e varfra s'ia kish haberin fare nga letërsia, pa le më nga poezia. Sepse edhe kjo punë do ustallarë. E ç'mund të bisedosh në të tilla raste, ç'mund t'i përcjellësh dëgjuesit mbasi ke bërë një bisedë të tillë me një Agim Xheka, bie fjala?! Le të thonë ç'të duan për të... se është socialist, komunist, apo s'di çfarë...Por ai është magjistar në mikrofon, veçanërisht kur bëhet fjalë për poezinë.

Dhe filloi të më tregojë befasinë e atij emisioni i cili fillonte me një retrospektivë që të fluturonte ndër vite dhe të çonte në malësitë e Tiranës ku atëherë Agimi atje ishte mësues dhe Vehbiu i deportuar nga Tirana dhe atmosfera e poezisë, e përcjellë nga i pari me zërin e vet të lindur për atë punë, jo vetëm që të dytit ia largonte sadopak traumën, por e kujtonte s'e krijimtaria për të s'kish mbaruar, mu ashtu siç Esenini në ditarin e vet më 1918 shkruan: "Në ditët tona të ftohta të apartamenteve minus 14 - gradshe, vetëm zjarri i dashurisë dhe poezisë mund të na mbajë ngrohtë". Dhe e solli kështu radha të përmendim...

...Lëndimet dhe lëngimet e poetit

Për hir të së vërtetës duhet thënë se poeti, i cili ishte shfaqur në Letrat Shqipe mbas Luftës, në vitet e para ndjehej i përkrahur nga pushteti i kohës. Kjo, sa për faktin se vinte nga radhët partizane, madje i plagosur disa herë, aq edhe për profilin që shpërfaqi menjëherë si një lirik i veçantë. Dhe ia vlen të ndalesh sadopak te kjo e dyta. Natyrisht do të shkruante si gjithë të tjerët edhe "tam - tame" panegjerike, ku me konjukturë, ku me patos e ndiesi vetiake, por dalloheshe nga të tjerët për sensin e vet lirik, njerëzor, për ndiesinë ndaj njeriut e veçanërisht ndaj femrës, që nuk iu nda edhe kur i kish kaluar tetëdhjetat, gjë që kulmon me vëllimin poetik "Fletë nga ditari im" (1963) me të cilin do të jetë edhe laurant i "Çmimit të Republikës", vëllim ku është i përfshirë edhe poemthi baladë "Vrasja e Ofelisë", që edhe sot e kësaj dite kujtohet e vlerësohet, duke dëshmuar se mund të jetë krijimi poetik më i arrirë për Luftën, veçanërisht për njeriun e Luftës dhe ,më ngushtë, për femrën në Luftë. Veçse deri këtu, sepse më pas gjërat, siç mund të ceket më poshtë, do të rrjedhin ndryshe.

Dhe ishte ndofta i vetmi i një profili të tillë asokohe. Kjo, jo vetëm nga fakti se pena si Lasgush Poradeci, Ali Asllani e ndonjë tjetër ishin tërhequr nga një linjë e tillë dhe ata që sot zenë kryet e vendit do të shfaqeshin gjatë fundit të Viteve '60, por mbi të gjitha se Vehbiu ishte i lindur dhe i formuar si i tillë. Madje unë që, për shumë arsye, tej modestisë, mund të jem një nga njohësit e tij më saktë në gjithanshmëri, tek ai shoh të shpërfaqur thënien e Josif Brodskit "Poeti është rezultante e tri determinanteve: ambientit ku lind, mjedisit ku formohet dhe, pa dyshim, genit", për të cilat mund të shpjegohem:

Vehbiu lindi në vitin 1927 në Strelcë të Korçës, fshat rrëzë Lenies e përballë Voskopojës, mes një perle natyrore, ku uji dhe ajri të bëjnë poet, por njëherazi edhe krenar deri në rebelim, gjë që do të dëshmohet edhe me ecurinë e mëvonshme të tij. Do të rritej në një mjedis patriotik e të arsimuar. I ati, Demir Efendiu, ishte klerik i lartë, i arsimuar në Stamboll dhe me gjurmë e mbresa të pashlyeshme në qytetin e Korçës dhe në Kolonjë si myfti, me një profil rilindasi, mjerisht i anashkaluar, madje i deformuar nga propaganda moniste. Po ashtu edhe vëllai i madh kish kryer shkollën e Fultzit. Më vonë, me ashpërsimin e Luftës së Klasave, këto fakte do të rëndonin mbi poetin për të cilin kish filluar një kalvar lëndimesh e lëngimesh. Fillimisht, mbas Letrës së Hapur, do të ndëshkohej duke iu hequr e drejta e botimit dhe duke iu kaluar librat për karton dhe, mbas kthimit prej Vaut të Dejës, ku për riedukim punoi vite të tëra si punëtor krahu , vetëm mbas një periudhe të shkurtër si redaktor i poezisë në SHB "Naim Frashëri", do të ndëshkohej prapë për t'u deportuar tashmë në malësitë e Tiranës dhe për ta mbyllur periudhën e Monizmit si punëtor krahu në Kombinatin Poligrafik. Ndërsa genin e ka dëshmuar poezia e vet që ia vlen të studjohet në tërësi.

Vehbiu njeri...

Kam pasur rastin qysh herët, kur ende nuk i isha futur rrugës së shkrimeve, të dëgjoj prej krijuesish, si nga ata më me emër ,ashtu edhe nga ata më të rinj, fjalët më të ngrohta për Vehbiun si redaktor i poezisë, dikur në revisten "Ylli" e më pas në SHB "N.Frashëri". I kam besuar ata, sepse ç'thuhej për të në fushën e redaktimeve që unë atëherë s'e njihja, përputhej me ç'thuhej në fshat e më tej në zonë, plus atyre që kisha përjetuar vetë si fëmijë, sepse shtëpitë në fshat i kemi pasur 50 m larg njëri - tjetrit dhe të parët tanë kanë pasur një shkuarësi për t'u mbajtur mend, sikurse e vazhdojme edhe ne të brezit tonë. Është tjetër gjë se dikush prej tyre, tani i ndier në vetvete si i afirmuar, porsi Narcizi që para pasqyrës së ujit harron të tjerët, apo për ç'arsye tjetër,bën sikur ka harruar ç'ka thënë, ndërkohë që shumë të tjerë ruajnë po atë veneracion për të.

Me këtë rast s'do të lija pa kujtuar edhe çastin e largimit nga Shqipëria, që e desh aq shumë deri në gurgullimat e burimeve, deri në gjethet e pemëve . S'është e rastit fryma e dy vëllimimeve të botuara në Zvicër, sa europiane në gjerësi, aq shqiptare në thellësi...Një çast të cilin ai sikur e parandiente se do ta linte për gjithnjë andej, madje sikur do ta treste andej:

E gjej një ditë trotuarit të Lanës. Të përhumbur. Duket se sapo kish dalë nga Ministria e Jashtme për punën e Vizës dhe, mbasi më thotë se do të shkonte në Zvicër, më pyet sa të rrinte. Ishte viti 1996.

Iu përgjigja në frymën e humorit të të parëve të fshatit tonë:

-Ti a e di që kjo ftesë të ka ardhur kaq shpejt nga Lida dhe Skënderi se u ka vënë sanksione Babushi (Babush ai i thoshte nipit, Prizrenit, atëherë i vetëm, sepse më pas u bë me vëllaçko): O më sillni gjyshin këtu, o unë u ktheva në Tiranë?! Prandaj ti do të veprosh si të parët tanë kur shkonin mysafirë te dikush: Kur dhëndrri dhe vajza të flasin vesh më vesh, ti thuaju më prisni biletë se do të kthehem. Këtë gjë përsërite sa hërë ta sjellë puna, deri sa të ndodhë vërtet.

Puna e solli që , jo vetëm një gjë e tillë atij s'iu përsërit, por disa muaj më vonë filloi rrokopuja e '97-s dhe ai mbeti përgjithnjë andej, jo vetëm për këtë, por edhe për atë jetë. Sepse nga të afërmit e tij në Tiranë telefonohem që ai ditën e hënë më datë 13 qershor u nda prej nesh dhe do të prehet për jetë atje në Zvicër, në Reinach, sikurse, për fat, edhe shumë emra të shquar të kulturës sonë.

Poeti i keqinterpretuar, apo i keqkuptuar

Jo pak ka qënë poeti në diskutimet e njerëzve. Më herët, edhe këto vite kur ka qënë larg.

Ravijëzohen dy linja mendimesh. Ajo që përmenda më sipër dhe një e kundërt, që herë - herë të bën për të qeshur, si e ardhur nga mosnjohja. Veçse mosnjohja ta lëshon më tepër gojën për të folur, sidomos kur kombinohet me servilizmat dhe cmirat. Të vrasin veshin sidomos opinionet për kulturën e tij dhe raportet me shtetin e Diktaturës. Për këtë të dytën u fol më sipër. Ndërsa për të parën, ata që e njohin mirë kanë vërejtur shkrirjen harmonike tek ai të kulturës jetësore me atë të librave, edhe pse kjo e dyta ardhur jo në kohën e dukur.

Jam i bindur që tani, kur ai s'është më midis nesh, do të flitet edhe më tepër. Jam i bindur, sepse e përqas me faktin që edhe kur ai ish i ndaluar për të botuar, apo për t'u lexuar, më tepër ish objekt vlerësimesh e bisedash, sikurse ndodhte, bie fjala, për Petro Markon në prozë, për Llukë Kaçajn, apo Kristaq Papalin , Stavro Rafaelin e Sherif Mejdanin në muzikë, për Edison Gjergon në pikturë, etj.

Por le ta mbyllja këtë portretizim me fjalët e filologut atdhetar Profesor Dhimitër Pilika, njohës i afërt i poetit, sikurse ishte njohës i afërt i Lasgush Poradecit e Mitrush Kutelit, madje edhe i Heminguejt, Nerudës, etj gjatë lektorimeve shumëvjeçare të tij në shqip në Universitetin e Pragës:

"Nëse Vehbiu do të kish qoftë edhe gjysmën e formimit estetik të Lasgushit në kohën e duhur, nuk e di ç'mund të ndodhte me të dhe sa Lasgushë do të kishim..."

ÇELIK PETRITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRETH MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVO-SOVJETO-KINEZE (1944-1976)Duke iu referuar librit "Jeta ime" të Ramiz Alisë (2010)Nga SKIFTER KËLLIÇI (06.16.2011)
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NUK MUND TË KRAHASOHEN ME MALAZEZËT NË KOSOVËReagim ndaj një deklarate tendencioze e ministrit të punëve të jashtme të Malit të ZiNga XHELADIN ZENELI, ish deputet (06.16.2011)
BRAVO, ZONJA FAJON!!!Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.16.2011)
KUR DHE KUSH E ÇLIROI KOSOVËN?Nga AUGUSTIN PALOKAJ (06.16.2011)
VEHBI SKËNDERI - IKJE PËR TË MBETURNga AQIF HYSA (06.15.2011)
12 VJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËSNga FRANK SHKRELI (06.15.2011)
AI RINGJALLET POETIKISHT(In memoriam për poetin korçar Vehbi Skënderin)Nga KEZE KOZETA ZYLO (06.14.2011)
VEHBI SKËNDERI, SHARL BODLERI I POEZISË SHQIPEParathënia e vëllimit në dorëshkrim "Mirëmëngjes, Shqipëri - Lirika të një tetëdhjetëvjeçari"Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.13.2011)
Katër vjet pas vizitës së Presidentit Bush në Tiranë-DHJETË MILIONË SHQIPTARË ME XHORXH W. BUSHNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.11.2011)
SEKRETARI AMERIKAN I MBROJTJES GEJTS JEP ALARMIN PËR TË ARDHMEN E NATO-sNga FRANK SHKRELI (06.11.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]