VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - RUSIA NË PENËN E NJË RUSINga ESHREF YMERI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 04:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

RUSIA NË PENËN E NJË RUSI

Nga ESHREF YMERI


E Djelë, 06.19.2011, 09:53pm (GMT+1)

Kur po ecja nëpër faqet e internetit në gjuhën ruse, më ra në sy një material mjaft interesant i një qyetari rus, të cilin vendosa t'ua përcjell edhe bashkatdhetarëve të mi, në mënyrë që ata të njihen me ca të vërteta tronditëse për realitetin që karakterizon Rusinë putiane.

Kur e mbarova së lexuari këtë material, m'u kujtua një bisedë që pata në vitin 1999 me ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, zotin Soprikin. Ishte muaji mars. Sapo ishte larguar nga vendi ynë një delegacion i parlamentit rus, i kryesuar nga zoti Sergej Baburin, zëvendëskryetar i parlamentit, i cili kreu një vizitë zyrtare në vendin tonë më 17-19 mars dhe unë e pata shoqëruar në cilësinë e përkthyesit. Kur zoti ambasador erdhi për një vizitë në shtëpinë time, në bisedë e sipër ra fjala edhe për zhvillimet në Rusi pas vendosjes së pluralizmit. Pasi më foli për zhvillimin e ngjarjeve në vendin e vet, zoti Soprikin më tha:

"Në Rusi përsëri ka për të shpërthyer revolucioni".

Kur u njoha me përmbajtjen e këtij materiali, e kuptova që ambasadori paska pasur të drejtë kur m'i tha ato fjalë. Varfërimi i shkallëshkallshëm dhe i pandalshëm i popullit rus dhe humnera e krijuar, nga njëra anë, mes kastës sunduese dhe pasanikëve që grabisin pa mëshirë pasuritë kombëtare të vendit, dhe popullit të thjeshtë, nga ana tjetër, me siguri që një ditë të caktuar do të pjellë një situatë shpërthyese.

Faktet historike dëshmojnë se ai popull i madh kurrë nuk është lejuar t'i shijojë vlerat e demokracisë së vërtetë. Për fatin e tij të keq, populli i thjeshtë vazhdon të mbetet "i bujkrobëruar". Etapa e parë e shndërrimit të fshatarëve rusë në bujkrobë, ka pas filluar që në vitin 946. Gjatë viteve 1237-1480, populli hoqi mbi kurriz sundimin e rëndë të zgjedhës tataro-mongole. Në vitin 1601, në kohën e sundimit të carit Boris Godunov, u përmbyll njëherë e mirë etapa e fundit e shndërrimit të fshatarëve në bujkrobë, domethënë në pronë të çifligarëve. Kjo ka qenë periudha e quajtur "e drejta e bujkrobërisë", e cila u shfuqizua në vitin 1861. Koha që kaloi deri në vitin 1917, e cila mund të quhet si periudha e çlirimit zyrtar të fshatarësisë nga sistemi i bujkrobërisë, faktikisht, përfaqëson në vetvete kohën kur ajo u gjend ballë përballë me vetveten dhe me pamundësi vetëzhvillimi ekonomik, meqenëse ishte mësuar të jetonte në pronësi të çifligarëve rusë. Periudha e sundimit komunist prej vitit 1917 dhe deri në vitin 1991, si edhe në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, ishte koha e shtypjes së egër të lirive demokratike. Por, sipas autorit të materialit të mëposhtëm, rezulton se edhe sot, pas njëzet vjetësh pluralizëm politik, vlerat e demokracisë në Federatën Ruse vazhdojnë të mbeten të diskutueshme. Dhe ma do mendja se ato të tilla do të vazhdojnë të mbeten ende gjatë, përderisa Putini, siç tregojnë shenjat, po përgatitet për t'u rikthyer përsëri në postin e presidentit të vendit, me një mandat dymbëdhjetëvjeçar.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

18 qershor 2011

Vladimir Garmatjuk

Rusi, qyteti Vollogda

27.07. 2010

"Do t'ju shërbeja me dëshirë plot,

por t'ju lëpihem do të më vinte ndot"

Këto janë fjalë të shkrimtarit dhe të poetit të njohur rus Aleksandër Sergejeviç Gribojedov (1795-1829 - E.Y.), të shkruara pothuajse dyqind vjet më parë. Por ato janë aktuale edhe sot e gjithë ditën në fillim të shek. XXI.

Po çfarë po na tregon ky aktualitet befasues? Ai po na tregon se dyqind vitet e kaluara të përsosjes së marrëdhënieve mes shtetit dhe individit, të përpunuara prej mendjeve përparimtare të Rusisë, si Gribojedovi, Pushkini, Lermontovi, Çernjishevski, Çehovi, Tolstoji, prej të tjerëve klasikë dhe mendimtarë të vendit tonë, shkuan për dhjamë qeni.

I bëni një pyetje vetes se cilën nga figurat e lartpërmendura ju do ta pikasnit në radhët e partisë së tanishme në pushtet "Rusia e Bashkuar". Dhe atëherë do të merrni përgjigjen se kush ndodhet atje dhe kush po e drejton vendin.

Apo mos vallë brezit të sotëm nuk i paskan ardhur mendtë, nuk paska shtuar "asnjë gram" zhvillimi mendor? Apo, për shkak të shpirtvogëlsisë, i ka tradhtuar pararendësit e vet, duke e përfshirë veten në listën e skllevërve të një sistemi të sakatuar?

Po t'i shikojmë gjërat faktikisht, në shoqërinë e sotme janë të pranishme edhe ndjenjat e shpirtnënshtrimit, edhe marrëzia, edhe egërsia e neveritshme prej skllavi në qëndrimin ndaj njerëzve të varfër.

Ku janë, na i tregoni t'atdheut baballarë, / që neve për model na duhet për t'i marrë? / Mos vallë qenkan këta që me vjedhje janë pasuruar? / që mbrojtjen nga ligji mes miqsh, farefisi dhe paudhësish kanë siguruar?/ Pallate madhështore ndërtuan me nxitim, / ku shkrihen mes gostirash deri në shfrenim . / Kujt në Moskë të flasë nuk ia kanë ndaluar? (A.S. Gribojedov, Vargje nga komedia "Mjerë ai që di" (apo "Mjerë kush ka mend", botuar në vitin 1824 - E. Y.).

Më thoni tani se sa aktuale tingëllon kjo vepër e A.S. Gribojedovit, sa tragjikomike është ajo sot, në shek. XXI?

Cila është mbështetja e armatës së burokratëve në ditët tona? Janë interesat e monopoleve dhe të oligarkëve. Nga ana tjetër, janë qëndrimet e pamëshirshme ndaj mendimit të kundërt me politikën e autoriteteve. Dhe shtypja materiale e fakirfukarasë nga ana e makinës represive shtetërore.

Ku e gjen shprehjen e vet mbështetja që qeveria u jep monopoleve dhe oligarkisë?

Në nivelin prej 13% të tatimeve mbi të ardhurat, nivel ky që është "drejtësisht i barabartë" për oligarkët dhe për popullsinë e mjerë të vendit. Një nivel ky i barabartë për blerjen e një jahti prej një pasaniku dhe të një buke për një varfanjak. Po se mos vetëm këtu qëndron "drejtësia sociale"!

Shikoni përkrahjen që u jepet monopoleve për grabitjen e vendit dhe të popullsisë përmes tarifave në fushën e energjetikës. Në Rusinë varfanjake që noton në naftë deri në vesh, benzina është më e shtrenjtë sesa në Amerikë që importon naftë. Dhe çmimet e lëndëve djegëse vazhdojnë të rriten, të rriten dhe të rriten.

Deri kur kështu? Deri në cakun e durimit tonë.

Në vitin 2009, që ishte një vit krize, në Rusi u rrit dyfish numri i dollaromiliarderëve, kurse 15-20% e popullsisë, me rublat e së cilës ata u bënë edhe më të pasur, u katandis në një varfëri të skajshme, me një minimum jetese deri në 50-100 rubla (2-4 dollarë) në ditë.

Ku shprehet qëndrimi i egër ndaj pjesës më të mjeruar të popullsisë? Siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, minimumi mesatar i jetesës arrin në 5518 rubla, ndërkohë që paga minimale që marrin qytetarët arrin në 4430 rubla.

Pa e vrarë fare mendjen, me një të zhgrapsur të lapsit të një burokrati qeveritar, ngrihen si pa gjë të keqe çmimet e elektroshtëpijakeve. Kjo çon në rritjen e qirasë së banesave, në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore, të produkteve të konsumit. Popullit i shkurtohen si pa gjë të keqe mjetet e jetesës, por nuk ekziston ndonjë mekanizëm për zëvendësimin e rezervave të shkurtuara. Vazhdon grabitja e popullit që bëhet në një mënyrë të planifikuar.

Pasanikët sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të pasur, kurse varfanjakët gjithnjë e më të varfër.

Këtu qëndron tërë thelbi i politikës.

Cili është numri i njerëzve varfanjakë? Të dhënat e statistikës nuk janë për t'u lëvduar, por, sipas disa shifrave të tërthorta, ky numër arrin deri në 15-20% të popullsisë së aftë për punë, shto këtu edhe të papunët që nuk gëzojnë përkrahje sociale, plus invalidët dhe pensionistët. Sipas një informacioni që ka mundur të dalë nga Fondi i Pensioneve të Federatës Ruse për mjetet e informimit masiv, 17% e popullsisë së aftë për punë, merr një pagë zyrtare që arrin në më pak se 1000 rubla në muaj.

Mendoj se një gjë e tillë nuk vjen nga të ardhurat e larta. Njerëzit janë jo dhe aq budallenj që të mos mendojnë për të ardhmen, sesa të varfër për të mos qenë të uritur në ditët e sotme.

Nga të ardhurat e pakta të popullsisë, shteti, me duart e monopoleve të energjetikës, zhvat mjetet e fundit të jetesës në formën e pagesave për blerje banesash. Apartamentet, të cilat në kohën e Bashkimit Sovjetik jepeshin falas, për pronarët e tyre tani janë kthyer në një lak që po u merr frymën gjithnjë e më shumë. Me politikën e privatizimit, njerëzit ranë "në grep", si puna e peshkut. Nëpër fshatra dhe qytete të vogla, apartamentet nuk mund të shiten se s'ka se kush t'i blejë, njerëzit s'kanë para. Qiraja e banesave ka arritur nivelin e pagës minimale. Për popullsinë varfanjake kanë mbetur vetëm dy alternative: ose të mbetet në mëshirën e urisë, duke paguar qiranë e banesës, ose të flaket jashtë dhe të vdesë rrugëve. Qindra mijë familje në mbarë vendin kanë borxhe me shtyrje afati për të paguar për banesën e tyre.

Atëherë lind pyetja: në rastin konkret, me çfarë po merren strukturat e shërbimit shtetëror? Mos po ju shkon gjë mendja se ato po përkujdesen se si të shtojnë të ardhurat e popullit, të ulin qiranë e banesave apo të pakësojnë tarifat e energjetikës? Jo.

Ato merren me inventarizimin e pasurisë së shtresës së varfër, ndërpresin furnizimin me gaz, me energji elektrike të apartamenteve dhe rrinë e vrasin mendjen se ku t'i degdisin varfanjakët e gjorë pasi t'u kenë marrë banesën e tyre. Mos ndoshta duhen ngritur kampe përqendrimi dhe krematoriume për fakirfukaranë? Një gjë e tillë, për çdo rast, do të ishte më "humane" (që varfanjakët të mos torturohen) dhe më e sigurt për luksin e autoriteteve shtetërore. Se njerëzit e gjallë, të uritur dhe pa një çati mbi kokë, në fund të fundit, mund të strehohen nëpër pallatet e vetë oligarkëve dhe të burokratëve që mbajnë poste të larta, të cilët sot vazhdojnë t'i grabitin me politikën e çmimeve.

Dihet se historia, duke u zhvilluar sipas një spiraleje të caktuar, ka prirjen për t'u përsëritur.

Në qytetin e Vollogdës është hapur një dyqan për shitjen e pasurisë së konfiskuar. Mos ndoshta ju shkon mendja se atje po shiten jahte, pallate, makina të shtrenjta, restorane, vila, prona këto të të korruptuarve? Në asnjë mënyrë. Atje shiten vjetërsira të jetës së përditshme të atyre njerëzve, kundër të cilëve është drejtuar makina represive shtetërore, pra, të njerëzve të pambrojtur. Me këta hesapet mund të qërohen më thjesht. Duke iu rrëmbyer atyre vjetërsirën e fundit, ju, autoritetet e vendit, me këtë poshtërim moral, jeni duke i zhdukur ata edhe fizikisht. Nga vuajtjet dhe gjendja pa rrugëdalje, njerëzit detyrohen t'u kthehen pijeve alkoolike, drogës, fillojnë e degradojnë, sëmuren nga insultet, nga goditjet në zemër dhe vdesin para kohe. Se i thonë një fjale, "njeriu nuk rron vetëm për të ngrënë".

Në ditët tona, në shumë rajone të Siberisë dhe të pjesës evropiane të Rusisë, popullsia është pakësuar deri në 10%. Mjerimi dhe problemet e përhershme, të cilat ia krijon popullit "partia e punëve konkrete", sa vjen e po i kosit njerëzit, si puna e murtajës, si puna e vërshimit të ujërave pranverore që gërryejnë dhe mbulojnë brigjet e lumenjve, duke shembur gjithnjë e më shumë shtresat e reja të shoqërisë.

Sipas parashikimeve të disa analistëve, pas pesëdhjetë vjetësh, numri i popullsisë ruse do të pakësohet trefish. Dhe një fakt i tillë ka të ngjarë që të mos ngjallë shqetësime. Për më tepër, po vazhdon presioni që ushtrohet mbi popullin me anë të politikës së çmimeve. Kush do të përkujdeset për popullsinë e Rusisë, të zhveshur nga të drejtat dhe që është në zhdukje e sipër?

Në Kushtetutën e Rusisë (ligjin themeltar të shtetit), të aprovuar pas një votimi mbarëpopullor më 12 dhjetor 1993, është shkruar:

Neni 2. Njeriu, të drejtat dhe liritë e tij përfaqësojnë vlerën më supreme. Njohja, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit janë detyrë e shtetit.

Neni 7. Federata Ruse është një shtet social, politika e të cilit ka për qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë një jetesë dinjitoze dhe zhvillimin e lirë të njeriut.

A po ndodh kështu në të vërtetë? A është duke u respektuar Kushtetuta, ligji themeltar?

Që të respektohet ligji, ai duhet njohur. Me siguri që faktin se vlera më supreme na qenka Njeriu, shumë nga përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore nuk e njohin. Nuk e njohin, nuk duan ta njohin se vetë ata jetojnë në kurriz të popullit dhe janë të detyruar t'u shërbejnë interesave të tij. T'i shërbesh, do të thotë ta ndihmosh, jo ta shtypësh me anë të çmimeve dhe të taksave, dhe jo t'ia kufizosh të drejtat me "ligje" të paligjshme.

Prej pagës minimale prej 4 mijë rublash (që është poshte minimumit të jetesës), zbriten paratë që i grabiten popullatës me anë të qirasë së lartë të banesave, e cila është vazhdimisht në rritje, me anë të çmimeve të produkteve, ç'ka çon në konfiskimin e sendeve të përdorimit të përditshëm.

Kryetari i qeverisë Vladimir Putin, i cili është burimi i politikës së brendshme ruse, jep këtë përgjigje:

"Ne nuk mund të vjelim nga të pasurit një tatim progresiv".

Po si nuk mundkeni? Për të shtypur popullin forcat ju mjaftuakan, kurse për të kontrolluar të ardhurat e pasanikëve nuk na qenkeni në gjendje?

Pushteti është i detyruar t'u sigurojë qytetarëve një minimum jetik të paprekshëm. Në të kundërt, një shtet i tillë na shërbyeka si një makinë që përdoret për asgjësimin e popullit. Në qoftë se nuk na qenkeni në gjendje për të siguruar një drejtësi shoqërore, atëherë pyesni se si duhet bërë një gjë e tillë. Nuk na qenkeni në gjendje për të mbrojtur vlerën më supreme, popullin? Atëherë lironi vendin për ata që janë në gjendje!

Në SHBA, në Evropë, janë në gjendje që t'ua vjelin oligarkëve tatimin progresiv. Pse atje qenkan në gjendje ta mbrojnë popullsinë nga grabitja e monopoleve, të paguajnë të ardhura të mjaftueshme për jetesën, kurse në vendin tonë jo? Pse, mos vallë organet tona të mbrojtjes së të drejtave të njeriut na qenkan më të pazonja, nuk qenkan të afta për të ushtruar kontroll? Janë të afta! Janë dhe kanë shumë dëshirë të vendosin rregull dhe drejtësi dhe, në radhë të parë, në sferat e larta. Por pikërisht sferat e larta nuk i lejojnë që ta bëjnë një gjë të tillë. Për më tepër, nuk i lejojnë të shprehin publikisht as mendimin e tyre, të kundërt me mendimin zyrtar.

Nuk u ardhka ndot, ore "zotërinj të mirë", që t'i shërbeni zhdukjes së popullit? Mua më vjen ndot kur shikoj se si lahen hesapet me fakirfukaranë. Sipas Kushtetutës, kush na e paska të drejtën për t'i ndaluar zgjedhësit të votojnë "kundër partive"? Askush. Zgjedhjet e lira janë pushteti më suprem. Dhe askush nuk ka të drejtë t'i kufizojë zgjedhjet, me çfarëdolloj mënyre qoftë

Kur vëren se si njerëzve, të zhveshur nga të drejtat, u mohohet mundësia për të zgjedhur përfaqësuesit e vet deputetë, nuk u lejohet të votojnë kundër një sistemi që i imponohet shoqërisë (vota kundër nuk lejohet), të vjen të vësh ulërimën për popullin e mashtruar rus që është në rrallim e sipër.

Me heqjen e pragut të poshtëm të daljes në votime, është shmangur kësisoj edhe niveli i ulët i pranimit të legjitimitetit të pushtetit. Pushteti i siguroi vetes të drejtën për t'u vetëzgjedhur.

Populli nuk mund të drejtohet vetëm me "kërbaç", ky duhet të shërbejë si mjet i skajshëm dhe vetëm në "një dorë" që mban drejtësi.

Është e domosdoshme që pushteti ekzekutiv të jetë nën kontrollin e përhershëm të ligjvënësve. Kurse pushteti legjislativ, pushteti i deputetëve, duhet kompletuar (jo me udhëheqës partish, poshtë vetes), por, sipas Kushtetutës, përmes zgjedhjeve të lira dhe të pavarura.

Duke mos i shërbyer popullit ndershmërisht, duhet larguar nga pushteti ndërgjegjësisht. Se do të vijë dita të gjykoheni për mungesë ndershmërie. Festja do t'u vihet sipas kokës. Me kutin që po matni, ashtu edhe do t'ju masin.

ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RAMA, NJË LIDER DISASTERNga ALBAN DACI (06.17.2011)
LIRIKU VEHBI SKËNDERI SHPIRTI I NDJESHËM I MBRUJTUR ME DIELLNga ÇELIK PETRITI (06.17.2011)
RRETH MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVO-SOVJETO-KINEZE (1944-1976)Duke iu referuar librit "Jeta ime" të Ramiz Alisë (2010)Nga SKIFTER KËLLIÇI (06.16.2011)
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NUK MUND TË KRAHASOHEN ME MALAZEZËT NË KOSOVËReagim ndaj një deklarate tendencioze e ministrit të punëve të jashtme të Malit të ZiNga XHELADIN ZENELI, ish deputet (06.16.2011)
BRAVO, ZONJA FAJON!!!Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.16.2011)
KUR DHE KUSH E ÇLIROI KOSOVËN?Nga AUGUSTIN PALOKAJ (06.16.2011)
VEHBI SKËNDERI - IKJE PËR TË MBETURNga AQIF HYSA (06.15.2011)
12 VJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËSNga FRANK SHKRELI (06.15.2011)
AI RINGJALLET POETIKISHT(In memoriam për poetin korçar Vehbi Skënderin)Nga KEZE KOZETA ZYLO (06.14.2011)
VEHBI SKËNDERI, SHARL BODLERI I POEZISË SHQIPEParathënia e vëllimit në dorëshkrim "Mirëmëngjes, Shqipëri - Lirika të një tetëdhjetëvjeçari"Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.13.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]