VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ELEGJI PËR VEHBI SKËNDERIN

Nga PËRPARIM HYSI


E Martë, 06.21.2011, 07:15am (GMT1)

 

Lajm i zi... Sa më theri!!!

Vdiq, or vdiq, Vehbi Skënderi!!!

Vdiq Njeriu, vdiq Poeti!

Vdiq Vehbiu-fjalësherbeti!

 

Vdiq Njeriu babaxhan

Që kish zëmrën-oqean

Tërë jetës e shpuan gjëmba

Asnjëherë s'e lëshoi zëmra.,

 

Eh, sa herë e vunë në kryq

Ca njerëz zëmërligj

Por i fali se qe Krishti

Për njerëzit i dhimb shpirti.

 

E ndaluan: mos bëj me shkrime!

E ndaluan: - Më mos ketë botime.

Një regjim i mbushur dimra

Vehbiut t'i digjen libra.

 

Këtë njeri-shok s'kish nga zëmra

Tërë jetës e shpuan gjëmba

Por s'u mposht njëherë Vehbiu

Tek ai gjëndej Njeriu!

 

Tash ka ikur në Parajsë

Ky Njeri aq buzëgas

Gaz nga buza, gaz nga zëmra

Si Vehbiu tjetër s'bën nëna.

--

E nderuara Elida dhe i nderuari Skënder!

Pata një defekt"teknik" në kompjuter dhe bash atëherë, diku lexova se paska ndërruar jetë, i madhi Vehbi Skënderi. Padyshim, dhëmbja juaj ka qenë e madhe se ju humbët njerinë e dashur dhe në ato momente dhe tani që ju shkruaj dhëmbjen e ndaj përgjysëm me ju. Ju më shkruanit dikur se i Ndjeri vuante prej kohësh dhe kjo e bën dhe më të dhimbshme vdekjen. Se ai jetonte në një botë tjetër, në një botë të pastër e virgjine, ku të paktë janë ata që futen. Natyrisht, nuk marrë përsipër që të përshkruaj gjithë atë maratonë të trishtë të jetës së tij, por dhe sot më kanë mbetur në kujtesë ca fjalë që kanë vlera të pakompensueshme prej tij. Mes tjerash, në një nga intervistat a shkrimet e tij, thoshte: "... sa herë që bënin shkurtime atje ku punoja, po mua do t'më shkurtonin të parin. Dhe një ditë i them sime ëme: - Po ndoshta e kam dhe vet fajin që mua më pushojnë gjithnjë... " Vetëm kaq dhe pas këtij pohimi kaq të çiltër, një njeri mëndjekthjellët di mirë të vërë një notë. I ndjeri, ati juaj ( unë me këtë ati nuk përjashtoj dhe Skënderin që iu bë si djalë dhe jo si dhëndërr) iku nga kjo botë si një martir i vërtetë, pa u ankuar qoft dhe asnjëherë. Ai qe një Krisht i ditëve tona në jetë dhe një Poet që ka lënë gjurmët e tij të mëdha, me veprën poetike që do t'u shërbejë brezave. Ju të rroni dhe ta kujtoni dhe, pas kësaj, të kini familjarisht vetëm gëzime. Unë, me aq sa kam mundur, e kam qarë Poetin dhe Njerinë, Vehbi Skënderin, me një poezi timen modeste, të cilën po ua dërgoj si një kafe post mortum. E dërgova dhe në një Website, po bënë sikur nuk e kishin marrë. U mërzita shumë se kisha humbur dhe e-mailin tuaj. Sa e mora, po jua dërgoj.

 

Përparim Hysi

Florida, më 17 qershor 2011

PËRPARIM HYSI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.