VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VEHBI SKËNDERI, NJË MIK E POET I NJË NDJESHMËRIE TË PAZAKONTËSIZIFIANI I POEZISË SË FEMRËS DHE DRINIT TË DRITËSNga Dr. KOÇI PETRITI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 04:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

VEHBI SKËNDERI, NJË MIK E POET I NJË NDJESHMËRIE TË PAZAKONTË

SIZIFIANI I POEZISË SË FEMRËS DHE DRINIT TË DRITËS

Nga Dr. KOÇI PETRITI


E Shtunë, 06.25.2011, 09:23pm (GMT+1)

"Kështu, në kontinuitetin intertekstual, me shëmbujt e "similitudës së Drinit", ... i gjashti,Vehbi Skënderi, Drinin e ka në funksion të lashtësisë, ( i vjetër je ti Drin, aq sa kjo botë) E ka edhe në funksion të "të përbalturit", që "Zeusi" e ka detyruar të ngjitë e të zbresë blloqe betoni e turbina dhe ai, jo vetëm i mbart mundimshëm ato si Sizifi, por është edhe i detyruar t'i thurë këngë entuziaste këtij kalvari."

Kam në dorë një nga vëllimet poetike të Vehbi Skënderit me autograf, shënuar: Librazhd, 26. 7. 1983, ku ai erdhi të më takonte. Kam dhe librin "Zvicra Shqipëria ime", po me autograf, shënuar: Reinach, 12.12.2004. Edhe një dorëshkrim voluminoz me poezi, që ma dha kur ishte së fundi në Shqipëri. I shfletoj dhe ndiej prushërimin e duar-shtrëngimit të tij, të përqafimit të tij. I shfletoj dhe më shpaloset një fat tragjik njeriu, një shpirt shtegtues poeti, që:

"Tërë jetën rendi e rendi e rendi,

dhe afër nesh, dhe larg nga ne,

me vajtje-ardhjen e një shpendi,

që as çerdhja e vet, as qielli ynë s'e nxe."

I kujtova këta vargje nga një balada ime e dikurshme, se më duket sikur i shkojnë edhe shpirtit shtegtues të Vehbi Skënderit. Dhe ndiej drithërimën, që m'u shua ai kandil, i cili më ka dritësuar në mugëtirën e kohës time rinore, kur po hidhja hapat e para të letrarit të ri. Një mik e poet i një ndjeshmërie të pazakontë, me një sizmikë të veçantë vargu, me një fjalë poetike:

1.Plot ylberime të vendlindjes rrëzë malit të Lenies,

2.Plot kumbime të udhëve të Luftës e brigjeve të Drinit.

3.Plot erëtime të kopshteve të Zvicrës, ku u ripërtëri, i dalldisur pas bukurive të femrave, që u vjershëroi si djalosh-dashnor i zhuritur.

Kur vija nga Korça në fillim të viteve '60, së pari, sa zbrisja nga makina në rrugën e Elbasanit, kthehesha në redaksinë mikpritëse të revistës "Ylli", që kishte ekipin më dashamirës e profesional, me kryeredaktor Qamil Buzhelin e redaktorë Vehbinë, Naum Priftin e Miço Kallamatën. Ahere ishte privilegj të botoje një faqe reviste me vjersha së bashku me autofoton , të përkujdesur nga piktori Dhimitër Ligori. Ndjehesha vërtet i përkëdhelur me botimet e herë pas hershme. Vehbi Skënderin sikur ma kishte caktuar Zoti si engjëll mbrojtës.

Fati ma rastisi të ishte edhe redaktori i njërit nga librat e mi. Më renditi gjithë ato vërejtje, që ishin të drejta, ndërsa unë ngutesha ta botoja atë libër, se "ashtu i kisha hallet". Dhimitër Fullani, shef i redaksisë, që më shkelte syrin tinëz tij, sapo Vehbiu doli për pak kohë nga zyra, më pëshpëriti: Mos ia verë veshin, se ai së shpejti nuk do të jetë më këtu. Kishte rifilluar kalvari i tij. E megjithatë ai merakosej për mua. Donte të më bindte të ndreqja ato cene, siç i quante ai, sikur të ishin të krijimeve të veta. Kishte inat proliksitetin, të cilit vetë nuk i shpëtoi dot. Mbaj mend, që prej një poeme më bëri shkurtime të pamëshirshme sa më la vetëm vargjet:

Të dua, por kjo nuk është e gjitha.

Kur toka fsheh dhe thesare dhe uritha,

në përgjim të dashurisë e mprehin kosën

dhe perënditë moderne dhe shenjtorët që u varrosën.

Vehbi Skënderin e detyruan të largohej nga sytë këmbët nga Tirana. "Me kokë në torbë" hyri tuneleve e baltërave të kantiereve, ku shkroi "Vjershat e poemat e Drinit", pasazhet e të cilave i rimerr edhe pas dyzet vjetëve në vjersha të reja, si ai montatori e saldatori i dikurshëm, që edhe sot "teshtin nga duhmat e elektrodës" dhe rikujton:

Gjithë komçat e peliçes kam humbur nëpër skela.,

po vrik montoj në çast ca komça-gremça tela.

Kur kam shkruar për "Similitudën e Drinit" argumentoj si e shndërruan atë në figurë poetike Gavril Dara, Lasgushi, Mjeda, Martin Camaj, Ali Podrimja. Te Drini i poezisë së Vehbi Skënderit nuk isha ndalur. Ai e ka përjetuar atë, jo si soditës, por si protagonist sizifian.

I pari, Dara i Ri, e konfiguron Drinin në funksion të një skene lufte: Kalorësit e Skënderbeut çajnë mes hordhive osmane, "ashtu si Drini i Zi në dimër që kalon përmes liqenit".

I dyti, Lasgushi, në funksion të një simboli gjeografik shqiptar që shënjëzon kalimin mespërmes në Shqipëri e që "shpreh dhimbjen për ndarjen e për bashkimin e dheut të shqiptarëve".

I treti, Mjeda, në funksion të skenave të luftrave triumfuese të ilirëve kundër ushtrive greke dhe të luftrave të ilirëve kundër romakëve. Similituda me vërshimin drinor është vërshimi ilir përballë "leprave t'Greqís", etj.

I katërti, Camaj, në funksion të shqiptarit, që rri një shekull vetmi, nën hijen e korbit të zi, në funksion të dy vetmitarëve biblikë: të burrit këtej Drinit e gruas andej Drinit, "burrit të vramë vetmie e gruas picak në terr, që lyp burrë e kallen pishat flakë".

I pesti, Podrimja, në funksion të etnisë, tragjikës dhe qëndresës së Kosovës. Emblemën e Drinit Ali Podrimja e ka edhe në mbiemër edhe në poezi dhe e finalizon me vargun: "Nyje t'i lidh Dri e Jon rreth Dheut".

I gjashti,Vehbi Skënderi, Drinin e ka në funksion të lashtësisë, ( i vjetër je ti Drin, aq sa kjo botë) E ka edhe në funksion të "të përbalturit", që "Zeusi" e ka detyruar të ngjitë e të zbresë blloqe betoni e turbina dhe ai, jo vetëm i mbart mundimshëm ato si Sizifi, por është edhe i detyruar t'i thurë këngë entuziaste këtij kalvari.

Kështu, në kontinuitetin intertekstual, me shëmbujt e "similitudës së Drinit" në poezinë kombëtare, Dara i Ri është Adami i kësaj similitude, Lasgushi emblematiku, Mjeda superiori, Camaj zotëruesi dhe Podrimja finalizuesi. Ndërsa Vehbi Skënderi është sizifiani.

Ditën që po hiqnin zvarrë monumentin e diktatorit, "po të tregoj një sekret", më tha Vehbiu. Ahere kur vdiq "Ky" (dhe e tregoi me gisht "të zvarriturin", si ai që tregon një varr, pastaj bestyt e kafshon gishtin tregues), "çova edhe unë në gazetë një poemë. Nuk doja të bija në sy si i diferencuar nga kolegët, se ahere përgjohej edhe "të mos shkruarit" për "˜të. Tani them, sa fat paskam pasur që nuk ma botuan. Kishin orientim të mos u botonin "të goditurve" nga Partia...

Pas viteve Nëntëdhjetë edhe Vehbi Skënderi përjetoi atë që e kemi quajtur "jeta e dytë e poetit". Nga periudha para Nëntëdhjetës ai ishte zhgënjyer me kohë. Edhe në krijimtari nuk ishte më "partizani fitimtar" dhe entuziasti i "farkëtares së mrekullive". Ruajti në krijimtari patosin elegjiak për të rënët në Luftë, kulmin e së cilës e arriti me "Ofelinë", që është një ndër krijimet më të recituara prej shkollarëve dhe aktorëve të shquar, me atë tiradë vargu, sikur del prej lirës së Hygoit:

I derdheshin përmbi supe flokët e verdhë si ari

Dhe kish këpucë të rënda, këpucë prej ushtari...

Pavarësisht nga ai numër jo i pakët librash, ku zotëron "tema e heroizmit të luftës dhe të punës" e ku shpesh nuk mungon frymëzimi dhe ndjeshmëria, konkretësia e detajeve dhe harmonia tingëllore, portretizimi dhe peizazhi aromatik; krijimet me vlera antologjike të Vehbi Skënderit janë ato me motive intime e familjare. Dhe veçanërisht erotika.

Tani ajo përgjërata naimiane "baltë e pluhur do të bëhem,/ të më shkelë këmba e saj", që u përsërit nga Lazgushi me vargjet "t'i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate/ dhe pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes !"; te Vehbi Skënderi rivjen nën një hapësirë galaktikash dhe të befason me dyvargëshin:

E vdes nga mrekullia e këmbëve të tua

Dhe marrëzitë e panumërta që më thua!

Në vjershat e shumta erotike tani herë belbëzon naivi i zhuritur, i goditur nga shigjeta e Kupidit dhe herë ligjëron filozofi, që ka mbajtur nën dhëmbë gurëzit e Ciceronit, për të përsosur ligjërimin poetik:

"Dashuria, sido që të na mirëpresë e të na përqeshë me ojna e me hoka,

në çdo lloj batice e thagmë-stresi,

në "Tabelën e Mendelejevit" është elementi më i lehtë dhe më i rëndë që ka toka, ndoshta dhe tërë Universi."

Mund të jenë pjesë e një antologjie selektive, jo vetëm vjershat me motive erotike të librit "Bëjmë sikur", botim i pas Nëntëdhjetës, që kanë një përsosje forme dhe intensitet ndjenje përvëluese, por veçanërisht krijimet e shkruara në Zvicër. Ato kanë pësuar një metamorfozë të çuditshme të shndërrimit të vargut të rregullt e të rimuar, në një rresht proze poetike, me rima të brendshme, enumeracion detajesh, ylberime ngjyrimesh e figurash që të hutojnë dhe që synojnë edhe një qasje ndaj poezisë evropiane.

Të jetë harresë, apo porosi e stërholluar "kriptopartiake", mospërfshirja e Vehbi Skënderit, sikundër edhe e Dhori Qiriazit, në tekste shkollore, apo në antologjitë e poezisë shqipe, si ajo, që është shënuar "Gjysmë shekulli i artë i poezisë shqipe", (me poetë të këtej e andej Drinit dhe të Diasporës), botuar në Tiranë, në vitin 2002?

Kur shkruaj këto rreshta po mendoj edhe për "Këngën e mjellmës" të Vehbi Skënderit. Cila të jetë vallë?

Apo ndoshta kjo "Këngë e mjellmës" këlthet nëpër vargje të shpërndara edhe në ato vjersha prolikse, prej të cilave unë tani, siç nxori dikur Vehbiu atë strofën time prej një poeme të tërë, nxjerr perla-vese e perla-loti, si prej një gjerdani të thërmuar nën trokun e patkonjve të kohës së ashpër, që kaloi harbuar mbi zemrën e këtij poeti, i cili përjetësisht mbart mbi shpinë Femrën e Adhuruar dhe Drinin e Dritës, duke pyetur enigmën:

"Përse në zemrën time, tok me Gruan që dua,

Rrjedh dhe ky Lumë në mua...?"

Tiranë, 22 qershor 2011

Dr. KOÇI PETRITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DEKLARATA E SHTËPISË SË BARDHË NË LIDHJE ME SIGURINË NË BALLKANIN PERËNDIMORNga FRANK SHKRELI (06.25.2011)
ARSHI PIPA, MËSUES, MIK DHE PËRSËRI MËSUESNga AMIK KASORUHO (06.24.2011)
HOMAZH PËR ZONJËN E RËNDË NEKIBE KELMENDINga REXHEP KASTRATI (06.23.2011)
SHQIPTARËT E NEW YORK-ut DEMONSTROJNË PARA U.N.O.*Një shkrim i rreth 40 viteve më parëNga FRANK SHKRELI (06.22.2011)
JU NDRIÇONI, NDRIÇONI NGA QIELLI DHE PLAS NATA SERBE NË FERR(Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin) Nga KËZE KOZETA ZYLO (06.22.2011)
ËSHTË E VËSHTIRË TË STUDIOSH NË EUROPË DHE TË KTHEHESH NË TIRANËNga Dr. ALBAN DACI (06.21.2011)
Ç'PATI GREQIA QË U MBYT NË BORXHE?Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (06.21.2011)
ELEGJI PËR VEHBI SKËNDERINNga PËRPARIM HYSI (06.21.2011)
AKUPUNKTURA E DHEMBJESNga LIMAN ZOGAJ (06.20.2011)
RUSIA NË PENËN E NJË RUSINga ESHREF YMERI (06.19.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]