VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FRYMËMARRJA PASZGJEDHORENga Prof. dr. ESHREF YMERI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 08:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

FRYMËMARRJA PASZGJEDHORE

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Shtunë, 07.09.2011, 06:48am (GMT+1)

Më në fund, pas plot dy muajsh ankthi që përjetuam pas zgjedhjeve të 08 majit, Kolegji Zgjedhor komunikoi vendimin e vet të paapelueshëm për rezultatin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Dhe këtë komunikim e bëri në një mënyrë "simbolike", pikërisht po në një datë tetë, pra, më 08 korrik, me një largësi kohore prej dy muajsh rrumbullak nga 08 maji. Tani kjo bashki ka një kryetar të ri, zotin Lulzim Basha. Le të shpresojmë që kryetari i ri do t'i mbajë premtimet që dha gjatë fushatës zgjedhore dhe qyteti i Tiranës ta përjetojë konkretisht mirëqeverisjen e kryetarit të ri.

Tani që e ndiejmë veten të qetësuar, mirë është të hedhim vështrimin prapa dhe të shikojmë ca gjëra që nuk mund të shlyhen lehtë nga kujtesa. Në qendër të vëmendjes së mbarë qytetarëve shqiptarë, si edhe të mjeteve të informimit masiv, qoftë para, ashtu edhe gjatë fushatës zgjedhore, si edhe pas 08 majit, ka qenë Partia Socialiste dhe zoti Rama. Fillimisht zoti Rama bëri naze se nuk do të hynte fare në zgjedhje, ndërkohë që ndërkombëtarët dhe Partia Demokratike kërkonin hartimin e një kodi të ri. Partia Socialiste refuzoi gjatë, deri atëherë kur kishte mbetur vetëm edhe një muaj deri në 08 maj. Afati njëmujor ishte i pamjaftueshëm për hartimin e kodit të ri, kur tashmë kishte filluar fushata. Në këto kushte, anëtarët e komisioneve zgjedhore nuk patën mundësi të merrnin instruksionet përkatëse për udhëzimin e votuesve ditën e votimit. Mosinstruktimi i tyre solli si pasojë që disa zgjedhës të ngatërronin kutitë e votimit gjatë hedhjes së votës. Kjo ishte njëra nga pasojat e qëndrimit anarshist të zotit Rama.

Ngatërrimi i kutive të votimit çoi në tejzgjatjen dymujore të nxjerrjes së rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Në deklaratat që dha deri më 14 maj, zoti Rama pati theksuar se zgjedhjet kishin qenë nga "më të shëmtuarat". Ditën e 14 majit, kur rezultati pati arritur në plus 10 vota për zotin Rama, ky shprehu tërë ngazëllimi e vet për ecurinë e tyre, duke festuar me militantët e vet rizgjedhjen si kryetar bashkie. Por pas kësaj date, kur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve filloi të verifikonte informacionet që i kishin ardhur paraprakisht, pra, që para 14 majit, nga anëtarët e komisoneve të minibashkive për vota të hedhura gabim, zoti Rama filloi një fushatë të ethshme sharjesh dhe denigrimesh kundër komisionit në fjalë. U bënë kërcënime nga më paradoksalet jo vetëm nga zoti Rama, por edhe nga anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Puna arriti deri aty, saqë të deklarohej hapur se po nuk u rizgjodh zoti Rama në krye të Bashkisë së Tiranës, mbarë vendi do të futej në një gjendje kaosi të vërtetë. Madje vetë zoti Rama deklaroi se Shqipëria duhej "ta harronte" Bashkimin Evropian nëse ai nuk mbetej në krye të Bashkisë!!!

Përveç këtyre kërcënimeve, zoti Rama thirri në ndihmë edhe intelektualë të njohur, deri edhe të shquar dhe me tituj akademikë, të cilët bënë thirrje që zoti Rama duhej ta ruante me domosdo postin e kryetarit të bashkisë.

I pari nga këta intelektualë ishtë zoti Gary Kokalari. Një amerikano-shqiptar ky që nuk di të flasë dhe të shkruajë në gjuhën shqipe dhe që qytetarëve shqiptarë u drejtohet në gjuhën angleze. Ja se çfarë deklaronte ky zoti Kokalari në mbrojtje të zotit Edi Rama:

"...Rezultati i zgjedhjeve ka qenë i manipuluar, dhe distanca e fitores së Ramës do të kishte qenë shumë më e gjerë nëse njerëzit e Berishës nuk do të kishin ndërhyrë në votë. Por, fitorja mbetet fitore, dhe KQZ-ja bën mirë ta konfirmojë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk shtrohet më pyetja nëse do të ketë kryengritje, por kur...". (Citohet sipas: "Kokalari, Arvizusë: Nëse KQZ s'konfirmon rezultatin, në Shqipëri do të ketë kryengritje". Marrë nga faqja e internetit "Shekulli Online". 16.05. 2011).

Tani që zoti Rama s'figuron më si kryetar bashkie, na mbetet veç të rrimë e të presim me "ankth në zemër ditën e shpërthimit të kryengritjes" në Shqipëri, siç na e ka parashikuar "profeti i pagabueshëm", zoti Kokalari.

I dyti ishte zoti Kadare. Tri ditë pas kërcënimeve të zotit Kokalari për "shpërthim kryengritjeje", zoti Kadare i drejtohej me një letër të hapur zotit Lulzim Basha për të hequr dorë nga kandidimi për kryetar bashkie. Në letrën e vet, zoti Kadare theksonte se vendin e paskej pllakosur një gjendje "kolapsi" dhe se daljen prej tij ai e shikonte te dorëheqja e zotit Basha nga gara zgjedhore. Ai, ndër të tjera, shkruante:

"S'është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan...

Si politikan dhe si zyrtar, ju jeni gjendur kohët e fundit në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t'ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S'është nevoja këtu t'ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi". (Citohet sipas: "Ismail Kadare letër për Bashën". Marrë nga faqja e internetit. 21.05. 2011).

Pra, në letrën e vet, zoti Kadare shprehte bindjen se "kolapsi" i vendit mund të shmangej vetëm me dorëheqjen e zotit Basha. Për më tepër që zoti Basha, sipas pikëpamjes së zotit Kadare, qe "gjendur kohët e fundit në qendër të një cikloni". Por zoti Kadare nuk ia shkoqit popullit shqiptar se i ç'natyre na qenkej ky ciklon: i natyrës politike apo i natyrës juridike? Se ne e dimë që Partia Socialiste ka ngritur një ciklon rreth figurës së zotit Basha, por deri tani organet e drejtësisë nuk na kanë thënë asgjë konkrete për figurën e tij. Aq më tepër kur ai në parlament deklaroi se hiqte dorë vullnetarisht nga imuniteti, për t'u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Por edhe Partia Demokratike ka ngritur një ciklon rreth figurës së zotit Rama. Madje kundërshtari i rreptë i deridjeshëm dhe miku i ngushtë i sotshëm i tij, zoti Dritan Prifti, në verën e vitit të kaluar, para disa kamerave televizike, deklaroi publikisht se zoti Rama është pronar i dyqind apartamenteve në Tiranë. Tani si shpjegohet që zotit Kadare i paska rënë në sy cikloni i ngritur rreth zotit Basha, por nuk e paska vënë re ciklonin e ngritur rreth figurës së zotit Rama? Përderisa edhe për zotin Rama organet e drejtësisë nuk na kanë thënë asgjë deri tani, atëherë duhet menduar se shqiptarët ndodhen para dy alternativash: ose organet e drejtësisë kanë përfunduar në "thesin" e të dy krahëve të politikës, ose të dy krahët e politikës luajnë një komedi "të hollë" para popullit shqiptar, me qëllim që t'i mbajnë të shtrënguara dhe të vijnë duke i shtuar radhët e militantëve të vet.

Në këto kushte, a ishte e udhës që gjeniu i letrave shqipe të radhitej në krahun e majtë të politikës shqiptare? Për mendimin tim, jo. Gaboi. Dhe gaboi, duke mos i kontrolluar fjalët. Prandaj edhe reagimet ndaj letrës së tij qenë të fuqishme dhe mosaprovuese. Ja disa nga këto reagime:

1. Reshat Kripa:"Ju thoni që këtë tip ta bëjmë përsëri kryetar bashkie dhe ndoshta pas dy vjetësh edhe kryetar qeverie. Zoti na ruajtë nga një gjë e tillë! A e dini se qysh nga viti 2005, kur ai hipi në fronin e socialistëve, Shqipëria nuk po gjen qetësi? A e dini se ishte ai që, me gjithë thirrjet e herëpas-herëshme të autoriteteve ndërkombëtare për ta ndaluar, përgatiti 21 janarin 2011, ku u vranë katër vetë, për të cilët ende nuk dihet se kush i vrau". (Citohet sipas: "Një letër për Kadarenë". Marrë nga faqja e internetit. 22 maj 2011).

2. Koha Jonë: "...thirrja e Kadaresë më shumë se nje kërkesë për dorëheqje ndaj vetëm një prej dy kandidatëve, vjen edhe si një apel për të qetësuar "budallain" dhe për t'i hapur rrugë atij. Kjo thirrje erdhi pikërisht për shkak se Rama nuk po resht me kërcënime për të ruajtur mandatin e tij si kryebashkiak, që e mban prej më se dhjetë vjetësh". (Citohet sipas: Gazeta "Koha Jonë", 22 maj 2011).

3. Ilir Nikolla: "Herën e parë, lidhur me ngjarjet e 21 janarit, shkrimtari Kadare u ndal tek zezona e mbetjes tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit të jetës së 4 shqiptarëve, dhe e tha pa ekuivok se ishte irrilevant fakti se ata e humbën jetën gjatë një grumbullimi të dhunshëm që po synonte të pushtonte selinë e Këshillit të Ministrave. Pra, shkrimtari vendosi mitingun e dhunshëm në një prioritet më të lartë sesa integriteti i institucionit më të rëndësishëm kushtetues të vendit". (Citohet sipas: "Letra e Kadaresë ka adresë të gabuar". Gazeta"55", 22 maj 2011).

4. Luçiano Boçi:"E thënë ndryshe, letra e Kadaresë ishte një perifrazim i thënies popullore "Budallait hapi rrugë". (Citohet sipas: "Kadarea i madh, Kadarea i vogël", Gazeta "Panorama", 23 maj 2011).

5. Bedri Çoku: "Kërkesa e gjeniut të letrave shqip bërë z. Lulzim Basha për "tërheqje nga gara për Kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të mos çuar vendin prapa, në errësirë", ishte një rrufe në qiell të pastër për të gjithë shqiptarët, por veçanërisht për votuesit e 8 Majit, në zgjedhjet administrative". (Citohet sipas: "Pse do të isha një mendje me Ismail Kadarenë?". Marrë nga faqja e internetit. 24 maj 2011).

5. Edison Ypi: "Lidhur me ankesat për fukarallëk, ji i sigurt se janë të gjitha stisje propagandistike. Shqipëria sot është plot e përplot me shtëpi dhe vila të mëdha të reja edhe në fshatrat më të thella. Me supermarkete moderne plot me blerës dhe me autostrada e rrugë të asfaltuara që të çojnë kahmos, plot me vetura dhe kamionë që shtohen në përpjestim të drejtë me rritjen e çmimit të karburantit... Nga kërcënimet burracake të opozitës për yxhym haxhiqamilesk kundër institucioneve, nuk vjen efektivisht asnjë e keqe. Të siguroj se ato s'janë veçse përpëlitje të paduruarish për të ardhur në pushtet vetëm për të vjedhur". (Citohet sipas: "Kadare, refuzoje Nobelin". Marrë nga faqja e internetit. 24 maj 2011)

6. Flori Bruqi: "Më kujtoi kjo letër një deklaratë të tij të vitit 2001, kur merrte në mbrojtje kryeministrin socialist të asaj kohe, megjithëse ai ushtronte një dhunë të pashembullt kundër opozitës. Atëherë Kadare fliste për nevojën e forcimit të shtetit dhe kritikonte qëndrimin e opozitës demokratike. Tani flet për nevojën e integrimeve dhe merr hapur anën e kreut të opozitës. Ky pozicionim politik i Ismail Kadaresë majtas, e komprementon atë, sepse... e largon atë nga realiteti". (Citohet sipas: "O e mjera Shqipëri!". Agjencioni "Floripress". 26 maj 2011).

7. Agim Doçi: "Sa shkrimtar i madh je, aq njeri i vogël ke mbetur. Ti, kur hyn në politikë, nga Mal, kthehesh në buburrec". (Citohet sipas: "Përsëri një "Letër e Hapur"... Marrë nga faqja e internetit. 27 maj 2011).

8. Abdi Baleta: "Për mua paralajmërimet apokaliptike të Kadaresë për izolim të shqiptarëve nga Europa, janë gjithmonë zbavitëse, madje qetësuese. Sa herë që ai ka lëshuar mesazhe të tilla, ka ndodhur e kundërta: Europa ka bërë gjeste pranimi ndaj shqiptarëve. Por ndërsa mesazhe të tilla më rrisin qetësinë, ato njëkohësisht më shtojnë neverinë ndaj tyre... Kadarea në komentet e tij për ngjarjet e 21 janarit 2011 faktikisht u radhit në krahun e avokatëve politikë e intelektualë të grushtit të shtetit". (Citohet sipas: "Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë". Marrë nga faqja e internetit. 15 qershor 2011).

Të gjitha këto reagime përcillen nga pena mjaft të njohura të publicistikës shqiptare. Reagimi i tyre vjen si pasojë e fjalëve të pakontrolluara të zotit Kadare, të cilat nuk lëshohen për herë të parë prej tij, sa herë qëllon që ai të zbresë në truallin e politikës. Në leksikun e fjalëve të pakontrolluara, zoti Kadare ka krijuar njëfarë tradite të vetën. Le t'i marrim me sira dhe të ndalemi në disa raste konkrete. Thjesht sa për kujtesë.

Së pari, zoti Petraq Kolevica shkruan:

"Kështu, në librin "Kohë barbare", f. 17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që duket sikur kërkon ta ngacmojë pak Kadarenë, thotë: "Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin..." dhe Kadarea përgjigjet: "Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë" (Citohet sipas: Petraq Kolevica. "Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje". Shtëpia Botuese "Marin Barleti", Tiranë 2002, f. 59).

Me fjalët e pakontrolluara që lëshonte përmes kësaj deklarate, zoti Kadare i fyente rëndë dhe pa të drejtë kolegët e vet shkrimtarë. Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i zotit Petraq Kolevica, ka qenë vetë "qen roje" i regjimit komunist.

Mund të hamendësohet se edhe vetëm këto fjalë të pakontrolluara të zotit Kadare në adresë të kolegëve të vet, mund të kishin qenë më se të mjaftueshme për zotin Klajd Kapinova që ai të ulej dhe të shkruante esenë me titull "Sa Kadare ka brenda Kadaresë".

Së dyti, me sa më kujtohet, nëse nuk e kam gabim, mjaftoi një artikull që zoti Petraq Kolevica botoi në shtyp, kushtuar poetit të shquar Lasgush Poradeci, që zoti Kadare t'i turrej atij me tërë padurimin e vet. Pas atij reagimi të rreptë të zotit Kadare, zoti Petraq Kolevica, me gjakftohtësinë e një arkitekti të talentuar, zbriti në Bibliotekën Kombëtare, përveshi mëngët dhe nisi të qëmtonte krijimtarinë poetike të zotit Kadare që i bënte hosana regjimit enverian, duke filluar që nga një poezi e tij e vitit 1951. Pra, fjalët e pakontrolluara të zotit Kadare në adresë të zotit Petraq Kolevica, shërbyen si shtysë që ky të botonte studimin kritik me titull "Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje".

Në një reagim të vetin ndaj fjalëve të pakontrolluara të zotit Kadare, një intelektual shkodran shkruan:

"Ismail Kadare, i cili tashmë edhe pse është kandidat i përhershëm për çmimin "Nobel" për Letërsinë, është rrëzuar të paktën tek unë si një idhull. Ai nuk ka asnjë pasojë, përveç faktit se ka humbur fillimisht si njeri...

Megjithatë, për të parë më mirë dhe me raste konkrete, se cili është Ismail Kadare si njeri me shumë se si shkrimtar, lexoni "Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje" nga Petraq Kolevica.

Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë". (Citohet sipas: Blerti Delia. "Kadare ose shembja e idhujve". Shkodër, 2004. Marrë nga faqja e internetit "Agjencioni Floripress". 11.06. 2009).

Së treti, kundër luftëtarëve shqiptarë të lirisë, djelmoshave trima të UÇK-së në Maqedoni, zoti Kadare lëshoi një lumë fjalësh të pakontrolluara. Ai i pati cilësuar ata si "banditë", "klyshë të Enverit", "aventurierë", "të papërgjegjshëm", "naivë", mendjelehtë", "me qëllime të dyshimta", "në shërbim të një loje antishqiptare", "pseudopatriotë", "mafiozë". (Gazeta "Shekulli". 10.03. 2001, f. 3).

Asokohe, një intelektual i njohur shkruante:

"...Ismail Kadare u vu në krye të kryqëzatës propagandistike frikësuese të shqiptarëve se po të luftohet për liri, bota e miqtë do të braktisin shqiptarët...". (Citohet sipas: Bedri Çollaku. ""Kurva e motit" është edhe kurva e Sodit". Gazeta "Rimëkëmbja", 27 mars 2001).

Së katërti, me rastin e shpërthimit të revoltave të fuqishme që u vunë re në disa qytete kosovare më 17-18 mars 2004, zoti Kadarea lëshonte këto fjalë të pakontrolluara kundër popullit shqiptar të Kosovës:

"...Kosova bashkë me Shqipërinë ka rrezik të kthehen mbrapsht në izolim si më pare... Pra, me këtë që u bë këto ditë, në mënyrë të verbër u godit liria e Kosovës, u godit e ardhmja e saj, u goditën aleatët tanë në mënyrë të pabesë dhe nuk ka pse t'i kontrollojmë fjalët... ata (shqiptarët e Kosovës E.Y.) kanë të drejtë të kërkojnë shumë gjëra, në radhë të parë, për trajtim të barabartë me të tjerët". (Citohet sipas: Gazeta "Shekulli". 20 mars 2004, f.4).

Pas katër vjetësh Kosova shpalli pavarësinë dhe nuk u vu re kurrfarë izolimi nga ana e Bashkimit Evropian as për Kosovën dhe as për Shqipërinë. Madje për Shqipërinë u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe më 04 prill 2009 vendi ynë u bë antar i NATO-s. Pra, parashikimet ogurzeza të zotit Kadare rezultuan si puna e stuhisë në gotën e ujit.

Populli shqiptar i Kosovës, i cili, si etni, për nga numri, përbën mbi 90 përqind të popullsisë, sipas zotit Kadare, u dashkej të luftonte për një trajtim të barabartë me serbët dhe me pakicat e tjera, a thua se ai ndodhej ende nën pushtimin serb!

Dhe cili ishte reagimi ndaj këtyre fjalëve të pakontrolluara të zotit Kadare në adresë të popullit shqiptar të Kosovës?

"Nuk kanë vdekur ende Avni Rustemët, që të bëjnë pishman që ke le!". Citohet sipas: "Gazeta Shqiptare". 09.04. 2004).

Zhvillimi i ngjarjeve ka vërtetuar katërcipërisht se UNMIK-u kishte ardhur në Kosovë jo për të zgjidhur hallet e popullit shqiptar të Kosovës, por për të përkëdhelur dhe mirëtrajtuar pakicën serbe. Ishte pikërisht qëndrimi shpërfillës i kësaj strukture të OKB-së ndaj popullit shqiptar të Kosovës që çoi në shpërthimin e revoltave të 17-18 marsit 2004.

Kosovari Naim Zeqiri, dëshmitar i ngjarjeve të 17-18 marsit 2004, ia ul vrullin qortimtar zotit Kadare kundër popullit shqiptar të Kosovës. Asokohe ai shkruante:

"Unë isha pjesëmarrës i protestës dhe e them vërtet me plot përgjegjësi se revolta ishte kundër UNMIK-ut. Sjellja e tij, privilegjimet që i janë bërë pakicës serbe, shkaktuan zemërimin. Askund në botë nuk sakrifikohet shumica për pakicën, kjo ka ndodhur për pesë vite në Kosovë. Shqiptarët kanë qenë një lloj "kurbani" i paqes, ndërsa serbët janë mbrojtur me çdo kusht, madje edhe kur kanë bërë krime, siç qe ky i fundit i vrasjes së tre fëmijëve" (Citohet sipas: Gazeta "Shekulli". 23.03. 2004, f.14).

Në emisionin "Shqip" të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar më 25 mars 2004, nga Prishtina, nga studioja e TV "Koha Vizion" dhe e TV "Top Channel", analisti Albin Kurti theksoi me shumë të drejtë se në Kosovë kupa ishte mbushur nga serbët dhe nga përkëdheljet e UNMIK-ut për këta të fundit, prandaj mjaftoi edhe një pikë e vetme - vrasja e tre fëmijëve të pafajshëm shqiptarë në Mitrovicë - që ajo të derdhej. Kurse sipas Kadaresë, populli shqiptar i Kosovës u dashkej të duronte ende, të shtronte kurrizin, për ndryshe çdo protestë e tij në mbrojtje te dinjitetit të vet kombëtar na u vlerësuakej prej tij si kurth i ngritur nga Beogradi, si "lojë e serbëve" dhe si pabesi ndaj UNMIK-ut.

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, shtatë vjet me vonë, tërthorazi, u jep të drejtë zotërinjve Naim Zeqiri dhe Albin Kurti. Në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ai ka deklaruar:

"...pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. Me shpalljen e pavarësisë Kosova nisi rrugën e saj, por nuk ka mundur ende t'i shkojë deri në fund. Aktualisht është e bllokuar në mes të rrugës... Në Kosovë nuk ka pasur strategji të qartë, derisa vendimi për statusin, pas ndërhyrjes ushtarake, në vazhdimësi është shtyrë, bazuar në idenë shohim e bëjmë. Edhe sot jemi ende duke pritur". (Citohet sipas: Lamberto Zanier. "Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë". Marrë nga faqja e internetit. 16.04. 2011).

Deklarata e zotit Lamberto Zanieri i zhvlerëson tërësisht fjalët e pakontrolluara të zotit Kadare në adresë të popullit shqiptar të Kosovës për ngjarjet e 17-18 marsit 2004.

Në vijën e arsyetimit të zotit Zanieri është edhe analiza e publicistit të njohur, zotit Skënder Buçpapaj, të botuar në faqen e internetit. (Shih: Skënder Buçpapaj. "Evropa në anën e humbësve të luftës së Kosovës". Marrë nga faqja e internetit. 19.04. 2011).

Mendoj se në rastet kur zoti Kadare dëshiron të zbresë në truallin e politikës dhe të shprehë pikëpamjet e veta për probleme konkrete të jetës shqiptare, atij mund t'i shërbente si një këshilltare shumë e mirë zonja Elena. Me zonjën Elena jam njohur gjatë kohës që kemi punuar në të njëjtën shtëpi botuese (ish-"8 nëntori"), për gati 13 vjet (1977-1990). Për atë periudhë e kujtoj me shumë respekt, si një zonjë të nderuar që më shumë fliste me heshtjen e saj. Edhe fjalët e saj të pakta rrezatonin maturi, kulturë, vetëpërmbajtje, ngrohtësi njerëzore, mirëkuptim dhe tolerancë.

Edhe vetë zoti Kadare, pas shembjes së diktaturës enveriane, mund të kishte reflektuar me guxim për atë pjesë të krijimtarisë së vet, në të cilën i ka bërë hosana regjimit enverian. Ta kishte ksibërë. Krimineli Enver Hoxha, për interesat e veta, u mundua që gjeninë e zotit Kadare ta shfrytëzonte si dekor të diktaturës së tij. Prandaj edhe i lëvizi gurët që ta bënte anëtar të Partisë së Punës. Madje t'i jepte edhe një post të lartë në një organ të tillë, me vlera inerte, siç ishte Fronti i ashtuquajtur Demokratik i Shqipërisë. Personalisht kam qenë i bindur se zoti Kadare ka qenë një armik i betuar i komunizmit, por pozitat, në të cilat e vendosi atë djallëzisht diktatura enveriane, tërthorazi e detyroi atë që të binte në një gjendje të dyzuar. Por në këtë dyzim, zoti Kadare e ka tepruar tej mase me hosanatë që i bëri regjimit diktatorial, duke zbritur madje deri në nivele të dukshme servilizmi.

Për fat të keq, zoti Kadare nuk e ksibëri pjesën e lartpërmendur të krijimtarisë së vet. Kjo ka sjellë si pasojë që, sa herë që ai nuk i kontrollon fjalët për problemet e politikës ose sa herë që ndokush, nisur nga pozita joparimore apo thjesht duke u shndërruar në servil të zotit Kadare, për t'i dalë këtij në mbrojtje padrejtësisht, iksi ose ypsiloni t'i drejtohet pikërisht asaj pjese të krijimtarisë së tij që duhej ksibërë dhe të nxjerrë prej andej nga një "simite", për t'ia tundur nëpër faqet e internetit.

Por ca fakte të tjera na dëshmojnë diçka krejtësisht të kundërt për pikëpamjet politike të zotit Kadare.

Së pari, libri i tij me titull "Mosmarrëveshje", i analizuar me mjaft profesionalizëm nga zoti Artan Mullaj, dëshmon se bindjet politike të zotit Kadare aty ndodhen "vite drite" larg mendësive të politikanëve shqiptarë që vuajnë nga meskiniteti, nga etja për pasuri, për pushtet dhe për lavdi. (Shih: Artan Mullaj. "(Mos)marrëveshja e Kadaresë me vetveten". Marrë nga faqja e internetit NOA. 26.06. 2011).

Së dyti, vitin e kaluar, kur në veri të Italisë, në qytetin Bellagio, "PEN CLUB"-i italian organizoi kuvendin ndërkombëtar "Fjalë të Lirisë", me shkrimtarë që vijnë nga burgjet, që kanë përvojën dramatike të persekutimit nga shkaku i veprave të tyre, zoti Kadare, si i ftuar në atë aktivitet, ka bërë këtë deklaratë mjaft interesante, ku pikëpamjet e tij politike përsëri qëndrojnë "vite drite" larg mendimit politik meskin të realitetit shqiptar. Ja çfarë deklaronte zoti Kadare:

"Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij, vezët e gjarprit janë ende kudo. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikike dhe sidomos urrejtje. Ato janë shpesh të shpërndara në partitë e majta e të djathta, në të voglat e të mëdhatë. Ato rrinë syçelët për t'i siguruar mbrojtjen historike diktaturës së rrëzuar. Ato nxitin një kritikë të sipërfaqshme, shpeshherë në nivel vjershurinash e artistësh, për të hequr vëmendjen nga ajo që përbënte thelbin e sistemit: krimin e mirëfilltë. Provoni të prekni dosjet delikate të tij. Provoni të kërkoni seriozisht dhe jo sa për të larë gojën, të fshehtat e ndryra me shtatë palë çelësa nëpër arkiva. Provoni të flisni për famëkeqin "Fond të Partisë", miliona dollarët e depozituar në banka të huaja prej regjimit komunist, të cilin asnjë nga qeveritë nuk guxon ta kërkojë...Vezët e gjarprit për këtë janë programuar: të përtëritin helmin e tij. E megjithatë, koha e tij ka kaluar...". (Citohet sipas faqes së internetit: "Kadare ka të drejtë, komunizmi është gjallë". 23.11. 2010).

Së treti, po kaq "vite drite" larg mendësive të politikanëve shqiptarë qëndrojnë pikëpamjet politike të zotit Kadare që shtjellohen edhe në intervistën që atij i ka marrë analisti dhe publicist i mirënjohur zoti Aleksandër Çipa lidhur me librin analitik të botuar ca kohë më parë me titull: "Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë".

Në atë intervistë zoti Kadare ngre një problem politik sa madhor, aq edhe shqetësues, saqë është për të vënë duart në kokë kur e mendon se në ç'kuota mjerisht të ulëta qëndron formimi politik dhe vetëdija kombëtare e politikanëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë- Prishtinë-Shkup. Ja çfarë thotë zoti Kadare:

"Doktrinës së padënuar (antishqiptare në Ballkan - E.Y.) i është bërë një rishikim. Nuk shtrohet më çështja si më pare: dëbim, shpërngulje, spastrim etnik, por të gjitha këto zëvendësohen nga një fjalë, që tingëllon tepër joshëse për shovinistët ballkanas: deshqiptarizim". (Citohet sipas: Aleksandër Çipa. "Ismail Kadare: Po punohet të na ndajnë nga Evropa". Marrë nga faqja e internetit. 19.05. 2011).

Kur lexova letrën e zotit Kadare, drejtuar zotit Basha për tërheqje nga gara, u befasova tej mase. Sepse dy ditë më parë kisha lexuar intervistën e lartpërmendur që i kishte dhënë zotit Aleksandër Çipa. Një situatë e përmbysur krejtësisht. Gjeniu i letrave e kishte braktisur largësinë me "vite drite" nga mendimi politik i ditëve të zakonshme shqiptare dhe kishte përfunduar në llogoret e një politikani anarshist, siç është zoti Rama.

Kur mbarova së lexuari letrën e zotit Kadare, menjëherë më erdhën ndër mend ca fjalë të arta të muzikantit të shquar amerikan David Boui (David Bowie - 1947), i cili thotë: "Lavdia i detyron njerëzit e jashtëzakonshëm të zbresin në nivelin e njerëzve të rëndomtë".

I treti që i doli në mbrojtje zotit Rama, ishte gjeniu tjetër i letrave shqipe, Prof. Rexhep Qosja, akademik. Ja çfarë deklaronte ai:

"Në qoftë se bëhemi objektivë, realistë, jo mashtrues ndaj vetvetes, do të themi: kriza e quajtur Shqipëri është po aq e madhe dhe po aq e gjithanshme, sa kriza e quajtur Bjellorusi!" (Citohet sipas: "Bisedë ekskluzive e Akademikut Rexhep Qosja, me drejtorin e gazetës "Telegraf", Engjëll Musai". Marrë nga faqja e internetit: 26 maj 2011).

Këtu poshtë, thjeshtë sa për kujtesë, po i përmend akademikut Qosja nja dy të dhëna interesante, të cilat nuk çojnë "ujë në mullirin" e deklaratës së tij.

E dhëna e parë: "Autoritetet e Bjellorusisë kanë arrestuar rreth 600 protestues deri në dy javë pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Aleksandër Llukashenko. Disa të paraburgosur mund të përballen me dënime më të gjata, deri në 15 vjet, nëse shpallen fajtorë për pjesëmarrje në "trazira masive". Të paktën 7 kandidatë presidencialë ishin në mesin e të ndaluarve. Disa nga ata, siç raportojnë agjencitë e lajmeve, janë rrahur nga policia. (Citohet sipas: "Bjellorusia arreston 600 aktivistë opozitarë". Marrë nga faqja e internetit. 22.12. 2010).

E dhëna e dytë: "Përfaqësuesja e OSBE për Liri të

Mediave sot i ka kërkuar Presidentit bjellorus, Aleksander Llukashenko që të ndalojë represionin ndaj mediave pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 19 dhjetor. Në një letër dërguar Llukashenkos, Dunja Mijatoviç, i ka kërkuar qeverisë bjelloruse që të mbrojë çdo punonjës të mediave nga frika, ndjekja penale dhe administrative, burgosja, dhuna, tortura në objektet e paraburgimit dhe mbyllja e kompanive mediale. Mijatoviç e ka dënuar dhunën e fundit policore kundër gazetarëve të bërë gjatë 29 qershorit, gjatë së cilës 12 gazetarë janë arrestuar apo sulmuar". (Citohet sipas: "OSBE i kërkon Bjellorusisë të ndalojë shtypjen ndaj medias". Marrë nga faqja e interneti. 01 Korrik 2011).

Ne në Shqipëri sikur nuk kemi pasur raste të tilla, që akademikut të nderuar t'i kujtojnë realitetet bjelloruse. Asnjë politikan apo gazetar në vendin tonë as nuk është arrestuar, as nuk është përndjekur dhe as është keqtrajtuar ndonjëherë, paçka se midis politikanëve socialistë, deputetë të parlamentit këta, ka pasur edhe nga ata që kanë kërcyer mbi koka policësh, me qëllim që të tërhiqnin pas militantët e tyre për t'i frymëzuar për bëma anarshiste.

Në shkrimet e veta që akademiku Qosa ia kushton Shqipërisë, gjithmonë vihet re diçka që do të lidhet domosdo me figurën e zotit Berisha. Nuk dihet se cila është arsyeja e vërtetë që akademiku i nderuar ushqen një mëri kaq të thellë për zotin Berisha, mëri kjo që herë-herë zbret deri në nivelet e urrejtjes. Ka një mospërputhje në këtë mes midis madhështisë akademike të Profesorit të nderuar dhe nivelit të thekshëm të urrejtjes së tij: njerëzve të mëdhenj, figurave të shquara sikur nuk u shkon fort për shtat zeja e urrejtarit, aq më tepër kur në këtë mes nuk kemi të bëjmë me urrejtje kundër armikut të vatanit, por me urrejtje ndaj një intelektuali shqiptar jo pak të shquar, siç është kryeministri i vendit tonë, të cilin, njëra nga figurat e mirënjohura të Partisë Socialiste, zoti Petro Koçi, dikur e ka karakterizuar si politikanin më të suksesshëm të Ballkanit.

Nuk e di çfarë ka ndodhur me Profesor Qosjen. Ndofta e mundon vetmia politike. Se dikur ishte anëtar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Pati krijuar një parti politike, por në zgjedhjet e para që u zhvilluan pas çlirimit të Kosovës, populli i dha rreth 1,5% vota, nëse nuk gabohem, duke ia venitur përfundimisht dëshirën e tij të madhe për të qendruar në skenën e politikës.

Personalisht më vjen shumë keq që pagëzimtari i njohur i gazetës së parë pluraliste në Shqipëri, Rilindjes Demokratike, nuk gjeka dot forca të vijë të kërkojë takim me zotin Berisha dhe të bisedojë si burri me burrin, si shqiptari me shqiptarin, për t'i shoshitur një herë e mirë të gjitha ato gjëra që i ndakan. Se urrejtja e shqiptarit për shqiptarin është proverbiale. Pikërisht ajo na ka shkaktuar sa e sa gjëma që na kanë katandisur deri në këtë rrëgjim fatal.

Që të dy gjenitë e letrave shqipe duhej ta kishin informacionin e duhur se zoti Rama ka ca vite që është bërë si gjellë e ndenjur në krye të Bashkisë së Tiranës. Në vitet e para punoi mirë dhe gjurmët e asaj pune të mirë duken qartë: u zhduk kioskomania, u sistemua për bukuri Lana, u përfundua zgjerimi, me gjithëse me vonesë, i unazës tradicionale të Tiranës, u zgjerua Rruga e Elbasanit që të nxjerr në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, u lyen fasadat e pallateve, duke i çliruar ato nga ngjyra gri e kohës së komunizmit, qytetarëve iu kthye parku "Rinia" e plot punë të tjera të mira. Por pas marrjes në vjeshtën e vitit 2005 të postit të kryetarit të Partisë Socialiste, zoti Rama pothuajse i braktisi punët e bashkisë. Gjatë kësaj kohe është marrë vetëm me lëshimin e lejeve të ndërtimit për rrethin e tij të ngushtë brenda kësaj partie, çka çoi në krijimin e kastës së euromilionerëve (lekomiliarderëve) të Partisë Socialiste. Kjo çoi në betonizimin e kryeqytetit dhe në ngushtimin e hapësirave për frymëmarrjen e lirë të qytetarëve.

Dy gjenitë e letrave shqipe duhej ta dinin se këshilli bashkiak ka gati dy vjet që nuk funksionon, sepse këshilltarët socialistë kanë mbetur në pakicë. Kryetari i Bashkisë nuk është në gjendje ta gjejë gjuhën e përbashkët me këshillëtarët e shumicës. Tonet e tij vulgare, gjuha arrogante, stili prepotent, mendjemadhësia karakteristike e tij, e bëjnë të pamundur krijimin e truallit të përshtatshëm për një komunikim normal me këshillëtarët e shumicës. Për pasojë, në këshillin bashkiak të Tiranës, që prej muajit shtator të vitit 2009 dhe deri tani, nuk ka qenë e mundur të merret asnjë vendim Kjo situatë paradoksale është krijuar vetëm për faj të zotit Rama.

Po a ishte e udhës vallë që një situate të tillë t'i hidhej një plaf përsipër, duke e lënë zotin Rama përsëri në krye të bashkisë dhe situata në fjalë të vazhdonte të maisej gjithnjë e më keq? Sigurisht që jo.

Kryetari Rama,

apo humbësi fitimtar

Me mënyrën se si i trajton strukturat e larta të partisë dhe sidomos grupin e deputetëve socialistë, zoti Rama ka ndikuar që në mjediset e tyre të lindin ca dukuri negative, të dëmshme këto dhe me pasoja negative për autoritetin e Partisë Socialiste. Të tilla janë:

Dukuria e pabesisë

Kjo dukuri u shfaq me tërë qartësinë e vet në ngjarjet e 21 janarit. Paraprakisht zoti Rama kishte premtuar se do të ishte në krye të turmave gjatë protestës kundër Kryeministrisë, e cila degjeneroi në një demonstratë të dhunshme. Dhe mbarë pjesëmarrësit e protestës dhe teleshikuesit ishin të bindur se zoti Rama do të ishte në krye të militantëve që iu turrën policisë me tërë egërsinë e vet. Por zoti Rama, në momentin e fundit, militantët i preu në besë, duke i braktisur dhe duke u fshehur në njërën nga kullat përballë.

Pabesia e një udhëheqësi është një tipar negativ i moralit të tij, që karakterizon veprime të pakontrolluara. Ajo është një mashtrim i vetëdijshëm i besimit të turmave apo shkelje e qëllimshme e angazhimeve që ai ka marrë para tyre.

Pabesia nxit ato zona të trurit që janë të lidhura me emocionet. Një gjë e tillë dëshmon për faktin se në një moment të caktuar zoti Rama duhet të jetë bërë i vetëdijshëm se pati vepruar keq dhe diku në thellësi të shpirtit i gjallon një ngarkesë emocionale, e cila vjen e pasqyrohet në aktivitetin e trurit të tij, me pasoja të humbjes së vetëkontrollit.

Pabesinë e zotit Rama ndaj militantëve socialist më 21 janar 2011, e rëndon edhe më shumë fakti që pjesa më e madhe e tyre kishin ardhur deri edhe nga rrethet më të largëta të vendit. Kjo lloj pabesie ka rrezik të infektojë edhe individë të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, të cilët mund të vijnë në përfundimin se militantët fare thjesht mund t'i ngresh në protesta nesër-pasnesër dhe mandej vetë të çashë ferrën. Kjo do të thotë që, për qëllimet e tua politike, militantët t'i trajtosh si material inert.

Dukuria e dyfytyrësisë.

Thënë ndryshe, kjo është dukuria e hipokrizisë. Nocioni "dyfytyrësi" apo" dyzim" është shfaqur në Romën e Lashtë, kur gjatë shfaqjeve teatrore aktorët vinin maska me shprehje të ndyshme emocionesh.

Pas ngjarjeve të 21 janarit, që u shoqëruan me katër viktima, zoti Rama vendosi të organizonte një tubim paqësor në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" më 28 janar. Thirrjeve të ndërkombëtarëve, dhe sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mosorganizimin e një tubimi të tillë, zoti Rama nuk ua vuri veshin. Me organizimin e këtij tubimi, ai dëshironte t'i demonstronte elektoratit të majtë dhe veçanërisht militantëve të vet se donte të nderonte kujtimin e katër viktimave të 21 janarit, me ndezje qirinjsh dhe vendosje buqetash me lule. Por fakti që zoti Rama pikërisht atë ditë ishte vetë ai që i preu në besë militantët socialistë dhe mbarë pjesëmarrësit e protestës, duke u fshehur burracakërisht në mjediset e njërës prej kullave përballë Kryeministrisë, të bën të dyshosh se ai kërkonte t'i zhvendoste në Tiranë ngjarjet e Vlorës të vitit 1997. Për katër vrasjet e 21 janarit, opozita akuzon Kryeministrin dhe ish-ministrin Basha. Le të shpresojmë që organet e hetuesisë dhe prokuroria ta zbardhin të vërtetën e atyre katër vrasjeve dhe fajtori i vërtetë të marrë dënimin e merituar. Veçse duhet pranuar se askush nuk na siguron që vrasjet mund të mos jenë kryer edhe brenda turmave të asaj dite. Me pikësynimin që të vihej në jetë skenari që u shpalos në Vlorë në vitin 1997 pas vrasjes së Artur Rustemit, një njeri ky krejtësisht i pafajshëm. Pas vrasjes së tij, turmat e egërsuara, edhe me nxitjen e opozitës socialiste, filluan të bërtisnin: "E vrau, e vrau, e vrau policia!", paçka se policia asokohe ishte e "armatosur" vetëm me mburoja dhe me shkopinj gome.

Por nuk mund të lajë duart nga vrasjet e 21 janarit edhe zoti Rama, i cili viktimat i nxori në pritë dhe vetë u fsheh pabesisht. Prandaj tubimi i organizuar prej tij më 28 janar tingëllonte si një hipokrizi e pastër. Por vulën e hipokrizisë së zotit Edi Rama, e vuri vizita e tij për ngushëllim në familjen e të ndjerit Aleks Nikaj në Lezhë.

Nga mjetet e informimit masiv, është bërë e ditur se "organizatorët e skenarit të "grushtit të shtetit" në 21 janar, kanë rënë pré e zemërimit të familjarëve të viktimave të asaj demonstrate të dhunshme. Kësisoj, pasi njëri nga familjarët e njërës prej viktimave e quajti Preç Zogajn dhe eprorin e tij, si përgjegjësit kryesorë të flijimit të të afërmit të tyre, dje Edi Rama është goditur me shami në kokë, gjatë ceremonisë së varrimit të demonstruesit të 4-të të "grushtit të shtetit", Aleks Nikaj. Mësohet se goditja është bërë nga familjarë të të ndjerit Nikaj, të cilët mësohet se i janë drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama, të mbajë përgjegjësi për vrasjen e familjarit Aleks Nikaj.

Nga pamjet e transmetuara nga "Tv Klan" vihet re qartë një shami që godet kryetarin e opozitës. Por ky fakt është censuruar në materialin e shpërndarë nga Partia Socialiste për mediat, të cilat janë justifikuar në rrugë informale se familjarët kanë tentuar të godasin deputetin e zonës Gjovalin Kadeli. Por, sipas pamjeve të servirura nga Tv Klan, shamia e hedhur shkon drejt Edi Ramës. Po ashtu mësohet se kreu i PS-së ka polemizuar me familjarë të afërm të viktimës, të cilët i kanë kërkuar atij të mbajë përgjegjësi, pasi logjikisht, ata nuk shkuan në protestë me idenë që ajo të kthehej në grusht shteti dhe të shkonin si "mish për top" të interesave të Ramës dhe klanit të tij mafioz, të cilët dirigjuan nga kullat e Fidelit demonstratën e dhunshme të 21 janarit". (Citohet sipas: "Forumi Shqiptar". Marrë nga faqja e internetit "Edi Rama goditet me shami në kokë nga të afërm të të ndjerit Nikaj". 07.02. 2011).

Dukuria e servilizmit.

Këtë lloj dukurie zoti Rama është munduar dhe madje ka arritur ta kultivojë me shumë sukses në radhët e strukturave të larta të partisë, veçanërisht në radhët e deputetëve socialistë.

Vetvetiu lind pyetja: po pse, për ç'qëllime ai ka arritur ta kultivojë këtë tipar jo të lakmueshëm të karakterit njerëzor në sferat e larta të partisë? Para se përgjigjja të jepet natyrshëm në vijim, le ta shikojmë servilizmin nga pikëpamja e psikologjisë së ndjenjave.

Njeri servil quhet zakonisht një person, tek i cili shfaqjet e jashtme të emocioneve, sjellja e tij, nuk përputhen me përjetimet e brendshme dhe ndjenjat e vërteta të tij. Me këtë rast, interes paraqesin arsyet se pse në njërën ose tjetrën situatë, personi servil parapëlqen të shfaqë, së jashtmi, krejtësisht të tjera emocione ose përjetime dhe jo ato ndjenja që gjallojnë në të vërtetë në qenien e tij.

Sipas psikologjisë së ndjenjave, arsyeja e vetme e shfaqjes së servilizmit është frika. Prandaj njeriu servil ka frikë të jetë i çiltër se kësisoj ai zbulon një pikë të dobët brenda vetes. Dhe, për ta fshehur këtë pikë të dobët, ai përdor strategjitë e mbrojtjes, duke zgjedhur si mjet të efektëshëm njërën nga këto strategji që është servilizmi. Shkaku i frikës së njeriut servil në këtë rast duhet kërkuar te vlerësimi i pamjaftueshëm që ai i bën vetvetes, që u bën aftësive të veta.

Shkrimtari i shquar Romen Rolan thotë:

"Frika është një tipar dallues i një karakteri të dobët, i cili trembet dhe i largohet së vërtetës, kurse në rastin më të mirë mundohet ta fshehë atë nga vetvetja".

Por që të arrinte ta kultivonte me kaq sukses dukurinë e servilizmit, sidomos brenda grupit të tij parlamentar, zotit Edi Rama i duhej një kod i tillë zgjedhor, me qëllim që vetë ai të shndërrohej në një padron pushtetplotë në krye të Partisë Socialiste.

Në bazë të atij kodi, të cilin zoti Berisha e pranoi pa as më të voglin ndryshim, zoti Rama u shndërrua me të vërtetë në një sundimtar pushtetplotë në krye të Partisë Socialiste: ai harton vetë listën e deputetëve dhe vendos vetë se cili deputet do të mbulojë zonën përkatëse zgjedhore, ai cakton vetë kryetarët e degëve të partisë në bazë etj. Kjo është një praktikë e pastër enveriste, sipas së cilës çdo gjë ishte e përqendruar në duart e njëshit të partisë. Në këtë mënyrë, mes njerëzve që kanë poste në strukturat e larta drejtuese, veçanërisht ata që zgjidhen deputetë, servilizmi ndaj kryetarit të partisë fillon e merr përmasa të frikshme, duke i zhveshur ata nga çdolloj norme morale, politike dhe juridike.

Në këto kushte, të fitosh mërinë e kryetarit të partisë, duke qenë deputet, do të thotë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të lash duart nga kandidatura për t'u rizgjedhur, se kryetari i partisë ta ka vënë vizën me kohë. Atëherë deputetët, para humbjes së privilegjeve me rroga të majme dhe me përfitime të tjera shoqëruese, mohojnë vlerat e vetvetes (në qoftë se kanë të tilla) dhe zgjedhin strategjinë e servilizmit në marrëdhëniet me kryetarin e partisë.

Këtë dukuri kaq të shëmtuar të servilizmit në radhët e deputetëve socialistë, e ka stigmatizuar në mënyrën më të shkëlqyer zoti Andis Harasani, një deputet ky me një integritet të admirueshëm politik në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Ja çfarë deklaron zoti Harasani:

"Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit; nëse do që të japësh konferenca shtypi nga selia e PS-së, duhet të jesh pranë kryetarit; nëse do që të jesh i ftuar në debatet televizive, duhet të jesh pranë kryetarit, ndryshe përfundon në listat e zeza që u dërgohen TV-ve mike, ku përfshihen emrat e deputetëve të PS-së, të cilët nuk duhen ftuar. Dhe një listë të tillë para disa kohësh e kam parë vetë me sy. Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit, i cili, si shitëset e dikurshme të qumështit, mund të të afrojë litrin e lëngut edhe pa radhë. Madje, tani është bërë rregull që qumështi nga partitë merret dhe jepet fare pa radhë. Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ata ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër". (Citohet sipas: Andis Harasani. "Qumështi në diktaturë dhe PS-ja". Gazeta "Panorama". 24.06. 2011).

Dukuria e anarshizmit.

Këtë dukuri zoti Rama filloi ta kultivonte sidomos që në pranverën e vitit 2009, kur nisi fushata për zgjedhjet politike të 28 qershorit. Të gjithë shqiptarët u habitën kur morën vesh se zoti Rama nuk e kishte përfshirë veten në krye të listës së kandidatëve për deputetë. Kjo ishte një dukuri me të vërtetë paradoksale. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend nuk dëshironte të ishte i pranishëm si deputet në parlament. Një gjë e tillë përbënte një rast unikal në mbarë botën. Me sa duket, zoti Rama i shmangej tempullit më të rëndësishëm të disiplinës politike dhe juridike, siç është parlamenti. Kjo do të thotë se zoti Rama, si kultivues i anarshizmit, e ndiente veten shumë më komod jashtë parlamentit, sesa brenda disiplinës parlamentare.

Forcat më të shëndetshme brenda strukturave më të larta të Partisë Socialiste, që në pranverën e vitit 2009 nuk duhej të kishin heshtur, por duhej të ishin ulur këmbëkryq dhe ta analizonin me shumë kujdes zgjedhjen absurde që bëri zoti Rama për mospërfshirjen e vetvetes në listën e kandidatëve për deputetë. Me heshtjen e tyre, strukturat në fjalë i krijuan hapësira zotit Rama për manifestimin e anarshizmit të tij, që u konkretizua me bojkotimin dyvjeçar të parlamentit

Kultivimi i institucionit të anarshizmit në radhët e partisë socialiste dhe sidomos të militantëve të saj, u ka shkaktuar mjaft shqetësime qytetarëve shqiptarë. Organizimi vitin e kaluar i grevës të ashtuquajtur të urisë mu në mes të arteries kryesore të Tiranës, krijoi një kaos të vërtetë në qarkullimin e trafikut dhe në lëvizjen e njerëzve. Bllokimi i rrugëve kombëtare, i shoqëruar me djegie gomash, ishte një dukuri shumë e shëmtuar që revoltoi mijëra qytetarë në mbarë vendin. Dukuria e anarshizmit të zotit Rama nuk ndikoi aspak në ngritjen e aksioneve të Partisë Socialiste në radhët e elektoratit shqiptar. Përkundrazi, ajo ia uli më shumë kredinë politike, çka u konkretizua edhe në zgjedhjet e 08 majit, në të cilat, krahasuar me 28 qershorin e vitit 2009, ajo humbi në proporcional më shumë se dyzet mijë vota.

Anarshizmi që zoti Rama kultivoi me shumë zell në Partinë Socialiste, i shkaktoi një dëm shumë të madh raportit të marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Evropian. Braktisja e parlamentit prej deputetëve socialistë, të urdhëruar paradoksalisht nga zoti Rama, e bëri të pamundur aprovimin e ligjeve shumë të rëndësishme në parlament, sidomos të atyre që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Pasoja më e dhimbshme e anarshizmit të zotit Rama ishte mosmarrja prej vendit tonë e statusit të kandidatit për në Bashkimin Evropian. Le të shpresojmë që zoti Rama do të heq dorë nga rruga e anarshizmit politik dhe do t'i lejojë deputetët socialistë të hyjnë në parlament dhe të marrin pjesë në punimet e tij, në përputhje me disiplinën parlamentare.

Për shkak të anarshizmit të zotit Rama, Shqipëria vazhdon të vërtitet rreth "kutive të votimit" për gati dy vjet dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë ende, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Por duhet theksuar se anarshizmi i militantëve të Partisë Socialiste, të nxitur prej zotit Rama më 21 janar 2011, paska pasur edhe një frymëzim grek.

Prof. dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A ËSHTË NË VETE KY DEPUTETMINISTRI POLLO?Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.07.2011)
FAIK KONICA - JETA NË UASHINGTONPërfaqësuesi Moral i Shqipërisë në UashingtonNga FRANK SHKRELI (07.07.2011)
FUNDI I DEMAGOGJISË POLITIKE TË PRISHTINËS NË NEGOCIATAT PRISHTINË-BEOGRADNga REXHEP KASTRATI (07.06.2011)
Ç'NA ËSHTË NGJITUR KJO RUSIA SI BALTA PAS KËPUCE!Nga ESHREF YMERI (07.05.2011)
REFORMIMI I ADMINISTRATËS DUHET TË NDODHËNga Dr. ALBAN DACI (07.04.2011)
QASJE AMERIKANE NË 235 VJETORIN E DITËLINDJES SË SHBANga BEQIR SINA, New York (07.03.2011)
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të BashkuaraEVROPA FESTON 100 VJETORIN E LINDJES SË ISH PRESIDENTIT AMERIKAN RONALD REAGANNga FRANK SHKRELI (07.03.2011)
2 KORRIK 1990, SHQIPTARËT NGREJNË KRYE KUNDËR IZOLIMIT21 vjet nga ngjarjet dramatike të ambasadave, fundi i nënshtrimit ndaj regjimit stalinistNga MUJË BUÇPAPAJ (07.02.2011)
HUMBËSI I TIRANËS TË MARRË SHEMBULL NGA AL GORENga JAMES A. BAKER, Foreign Policy (07.02.2011)
SOKOL SOKOLI, TOMË NDOJA DHE VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI"Një kujtesë kundër Harresës"Nga FRANK SHKRELI (06.30.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]