VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SI TË PËRBALLEMI ME TË KALUARËNNga SADIK BEJKO

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 01:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

SI TË PËRBALLEMI ME TË KALUARËN

Nga SADIK BEJKO


E Mërkurë, 07.13.2011, 11:01am (GMT+1)

Ciceroni, shtetar, filozof e avokat në Romën e para 2100 viteve, në rininë e tij u bë i famshëm se fitoi një gjyq me thirrjet "qui bono?" (kush përfitoi prej krimit?) dhe "çfarë shoqërie po ndërtojmë?". Me këto thirrje, Ciceroni u ndesh në gjyq me "të fortët" e kohës. Këta kishin vrarë një pronar tokash, kishin përvetësuar tokat e tij dhe ia akuzonin të birin si atëvrasës. Ciceroni e shpëtoi këtë njeri nga akuza e atëvrasjes... Që nga ky gjyq e deri më sot, në praktikën e hetimit të një situate të ndërlikuar kriminale, pyetja "kush përfitoi prej krimit?" mbetet një nga çelësat që mund ta çojë hetuesin te vrasësi. Shtruar në terma të tjerë, mund të thuash se gjithë kapërthimet e përplasjet e vullneteve dhe të energjive në një a në cilëndo shoqëri, hapin shtigjet në arritjen e një pozite sa më të lartë në fuqi e në pasuri. Një shoqëri e hapur e nxit konkurrencën e energjive të tilla, por... brenda një kuadri ligjor të dhënë. "Të fortëve", kur u hap udhë, nëpërkëmbin ligjin, korruptojnë shtetin, bëjnë dhe krime për t'u rritur në fuqi e në pasuri. Shtysën për t'iu referuar Ciceronit ma dhanë dy-tri ngjarje mediatike që po zënë vend prej ditësh në faqet e shtypit. Ka vite e vite që në shtyp përtypet dhe ripërtypet historia e gjeneralëve të ushtrisë, të cilët, siç ka thënë Hito Çako, një nga të pushkatuarit e kësaj kaste, shkuan si qeni në vresht: i shërbyen regjimit dhe u vranë po prej tij. Nuk është vetëm keqardhja dhe nostalgjia e ligjshme që ngjall eliminimi i besnikëve të regjimit nga shefi i regjimit për një vëmendje mediatike kaq të qëndrueshme prej vitesh. Ka edhe diçka tjetër. Një pjesë e mirë e klasës së re që ka ardhur në fuqi e në pasuri në këto vite vjen nga shtresa e ish-komunistëve të ndëshkuar po nga komunistët. Kjo "biografi" me gjeneralë e viktima rrit kredencialet e këtyre në të sotmen.

Ngjarja e dytë lidhet me zbulimin e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit. Kjo histori u përcoll prej shtypit si një lajm rutinë dhe shpejt u shua. Edhe se Presidenti i Republikës i nderoi ata me një titull të lartë nderi, veç kronikës, lajmi nuk prodhoi emocione të cilësuara.

Ngjarja e tretë mediatike që vazhdon të jetë e ndezur ka të bëjë me qëndrimin e shkrimtarëve në raport me krimin e denoncimit dhe të spiunimit të kolegëve të tyre. Ndjeshmëria e publikut është e lartë përballë faktesh të tilla se figura publike e të nderuara papritur zbulohen dhe në një anë tjetër që nuk i nderon, madje i penalizon. Por, fajësimi dhe vetëfajësimi i shkrimtarëve (jo se nuk duhet bërë) e fsheh dhe e largon vëmendjen nga burimet reale të krimit të së shkuarës diktatoriale. Denoncimi i këtij krimi te rrënjët, shqyerja e kapakëve të arkivit të krimeve të tilla, ngjan se nuk i intereson askujt. Çfarë shoqërie po ndërtojmë? "Qui bono?", do të thërriste Ciceroni.

Historia e Tom Ndojës dhe e Sokol Sokolit është e denjë për një poemë heroike..., por shoqëria e sotme nuk i gëlltit dot ngjarje të tilla. Mbase se kështu është gatuar psikologjikisht. Mbase se në raportet e shoqërisë së sotme me fuqinë dhe pasurinë, historia e tyre nuk paraqet interes. Kapaku i krimeve të komunizmit quhet i mbyllur. (Për ish-gjeneralët puçistë mbetet i hapur). I dënoi ajo kohë. Koha vdiq. Dhe ata që vrau ajo vdiqën bashkë me të. Edhe viktimat që kanë mbetur gjallë duhet të heshtin. Dikur këta mbase qenë heronj, por koha e sotme nuk ka nevojë për heroizma. Sot "shëndet dhe pare", se të tjerat i dimë vetë. Pra, po ndërtojmë shoqërinë e të fortëve e të kamurve... me çdo mjet, me çdo rrugë.

Si argument shtesë në këtë vazhdë më vjen historia e F. Kokomanit dhe V. Lezhos. Edhe kjo një ngjarje mediatike e rimarrë këto ditë. Sipas dëshmisë në shtyp të Maks Velos, Fadil Kokomani, njeri me fuqi shpirtërore dhe fizike jo të zakonta, simuloi të sëmurin psikik dhe arriti t'ua hedhë edhe mjekëve të specializuar të kohës. U deklarua prej tyre zyrtarisht i çmendur. Sipas ligjit, ai menjëherë lirohej nga burgu, por me një kusht: dikush nga familja duhet ta merrte nën kujdestari. I vëllai dhe e motra, pjesëtarë të kastës së atyre gjeneralëve që u eliminuan më pas si puçistë, e refuzuan Fadilin, e lanë në burg. Pse? Se kur nuk të do shteti, s'të do as nëna e babai, as motra e vëllai. Kjo ishte normë për klasën e lartë të atyre viteve. Dhe prapë historia e gjeneralëve, të eliminuar nga shefi i tyre, sot ka më shumë fat në shtyp e në libra përkujtimorë, sesa historia e vëllait dhe e kunatit të tyre, Fadil Kokomanit, që u pushkatua në një gjyq të inskenuar. Inskenimi që mori në qafë të burgosurin nuk impresionon, por po ai inskenim që ndëshkoi njerëzit në pushtet mbetet mbresëlënës.

Kur u braktis nga familja, F. Kokomani me V. Lezhon bënë një letër dhe kjo e bërë publike për herë të parë këto ditë por një letër që ishte baras me vetëvrasje. Dhe i pushkatuan.

Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, pushkatuar më 1984-n, iu gjetën eshtrat, F. Kokomanit e Vangjelit, pushkatuar më 1979-n, nuk u gjendet varri. Pse? Pyetja me hamendje mund të na çojë te ai raporti me fuqinë e pasurinë në të sotmen. Nipi i F. Kokomanit, ministër Rendi pas "˜90-s, heshti ndaj kërkesave për gjetjen e eshtrave të dajës. Pse të interesohej? Atë që me gjallje e kishin mohuar prindërit gjeneralë, pse ta zhvarroste si histori e si realitet i nipi ministër? Fitonte (Qui bono?) a mund të humbte nga kjo? Dhe prapë ish-gjeneralët "puçistë", viktima të diktaturës, gjeneralë që për diktaturën kishin viktimizuar me mijëra e mijëra njerëz, deri dhe vëllezërit e tyre, mbeten edhe sot yje në shtyp. (Çfarë shoqërie po ndërtojmë?)

Si do ta ngrinin vëmendjen e shtypit historitë e Tom Ndojës, Sokol Sokolit, F. Kokomanit, V. Lezhos etj? Përgjigjja është e lehtë: bashkë me nderimin e viktimave të komunizmit, duhet të ndëshkonim, së paku moralisht, qoftë dhe duke ua përmendur emrat në shtyp, duke i cilësuar ashtu siç kanë qenë, kriminelë, gjithë ata dhunues, operativë, policë, hetues, gjyqtarë, xhelatët-pushkatarë të tyre etj. Në arkiva ata i kanë emrat. Në Europë, ku synojmë të përfshihemi, edhe sot e nxjerrin në gjyq Demjanukun, një reshter që kryente pushkatime në kampet naziste të përqendrimit.

Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me pushkatim si terroristë në një gjyq të inskenuar, po ashtu si u dënuan dhe Fadili, Vangjeli e Xhelal Koprencka. Bashkë me ta u ridënuan dhe dhjetëra të tjerë, shokët e tyre të burgjeve. Gjyqe të inskenuara. Ishte inskenimi praktikë juridike e kohës? Jo, nuk ishte. Pra, ata i kanë dënuar duke thyer praktikat juridike të kohës. Atëherë ne pse vazhdojmë t'i quajmë terroristë këta të pushkatuar? Edhe ligji i Parlamentit të sotëm për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve nuk e ka shfuqizuar akuzën e terrorizmit. Këta të pushkatuar nuk dëmshpërblehen si të burgosurit e tjerë.

Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli janë pushkatuar për dy fjalë: "Në besën tuaj, burra". Me këtë thirrje ata u sulën dhe ua morën nga duart policëve shokun e tyre N. P. Atë po e rrihnin se nuk kishte bërë normën. Me Tomën dhe Sokolin kundër policëve të burgut u bashkuan edhe 15 të burgosur të tjerë. Pastaj, me tulla e gurë edhe njëqind, edhe dyqind dhe gjithë kampi i Qafë-Barit shpërtheu në revoltë. Pas katër orësh mbërrin me helikopter një zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Ai kërkoi të dorëzohen Tom Ndoja, Sokol Sokoli dhe dhjetë të tjerë. Ndërkohë, kampi u sharrua nga mitralozat e ushtarëve që i kishin qarkuar nga të katër anët. Toma dhe Sokoli u dorëzuan që të mos e pësonin të tjerët. Gjashtëmbëdhjetë ditë hetuesi, gjyq, apelim, Gjykatë e Lartë, apelim në Presidiumin e Kuvendit Popullor të gjitha këto në gjashtëmbëdhjetë ditë. Të shtatëmbëdhjetën i pushkatuan. Mjeku Sinemati i Ministrisë së Rendit, tani që hetoi skeletet e zhvarrosura, konstatoi: kafka e Tomës ka qenë e thyer, e copëtuar, brinjët e Sokolit të thyera para se t'i pushkatojnë. Sipas dokumenteve arkivore, një mjek, pasi i kanë pushkatuar, u ka marrë sytë të dyja kufomave, për t'ia çuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Tomën dhe Sokolin i kanë masakruar në tortura. Për të mos u vdekur në duar kanë shkelur të gjitha procedurat dhe i pushkatuan shtatëmbëdhjetë ditë pas arrestimit. Tortura në kampet e komunizmit, ndryshe nga tortura në kampet e nazistëve a kudo ku ushtrohet edhe sot, nuk bëhej/bëhet për të zbuluar një krim të dyshuar. Jo, komunistët të torturonin që ti të pohoje atë që nuk e kishe bërë, të pranoje akuzën e diktuar nga hetuesia e prokuroria.

Në arkiva janë emrat e gjithë atyre që kanë hetuar, gjykuar, pushkatuar, dhunuar pas vdekjes Tomën dhe Sokolin. Po atyre sot nuk u hyn gjemb në këmbë. As emri nuk u përmendet.

L. Y., zyrtari i Ministrisë që shtypi me gjak revoltën e Qafë-Barit, është sot në SHBA. Martuar e ndarë katër herë. Një vajzë e tij në Tiranë punon si zyrtare me ndërkombëtarët.

N. P., ai që lëshoi thirrjen "Në besën tuaj!" dhe futi në lojën vrasëse shokët e tij, Tomën dhe Sokolin, pas "˜90-s është përfolur se ka përdhunuar një murgeshë. Ka mbetur i vrarë në një "përplasje me armë për motive të dobëta".

Toma dhe Sokoli e kishin bërë normën, i zbatonin rregullat e burgut. Ata u pushkatuan për "besën" vetëm se shoku u kërkoi besë. Një thirrje e kohëve të shkuara. Mbase kjo thirrje nuk arrin dot në kohën tonë. Por ata mbajtën besë, dhanë edhe jetën si të tillë. Një heroizëm vetëshkatërrues. Prapë sot e përgjithmonë një gjest i admirueshëm.

Në fund do t'i përgjigjem pyetjes: pse autorët e këtyre krimeve makabre nuk ndëshkohen? Dhe shpjegimin ma jep Ciceroni, të cilit iu referova në fillim. Qui Bono? Shoqëria shqiptare në këto vite prodhoi një klasë të re të fuqizuar në pushtet dhe pasuri. Një pjesë e kësaj klase të re, me hipoteka jo fort të pastra, nuk ka interes të zbulohen të palarat e paraardhësve të tyre. Kjo do t'i pengonte në raportet me fuqinë e pasurinë. Ndaj, sa më shumë vite të shkojnë, aq më thellë krimet e së shkuarës diktatoriale do të groposen.

Ky mund të jetë një nga shpjegimet. Por mbase jo shteruesi. Edhe diçka tjetër. Me kalimin, me daljen nga historia të këtij brezit tonë, pasardhësit tanë nuk është e thënë të mos na fajësojnë që kemi heshtur para krimeve të diktaturës, që i kemi kyçur përfundimisht dosjet e tyre. Që nga gjyqi i Ciceronit e deri te penalizimi i sotëm i Demjanukut vërejmë atë vijë ndarëse të prerë të shoqërisë me krimin. Një normë e palëkundur e qytetërimit perëndimor.

SADIK BEJKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RIKTHIMI UTOPISË AMERIKANENga Dr. ALBAN DACI (07.12.2011)
Mërgimtarë, kujdes nga urdhëresa e re!?!FATI I NJË TË HUAJIT (jo të huajit përnjëmend, por të huajit me dokumente të huaja që ende flet shqip)Nga AVDYL GËRVALLA (07.12.2011)
THJESHT NJË TJETËR SKANDAL I TABLOIDEVE BRITANIKENga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (07.12.2011)
NDALONI SË KËRKUARI NJË DOKTRINË OBAMANga FAREED ZAKARIA, Washington Post (07.10.2011)
PSE JEMI KUNDËR KËTIJ REGJISTRIMI?Nga SHPËTIM IDRIZI (07.10.2011)
KOSOVA LETRARE DHE PREZENCA E SAJ NË VERI TË DANUBITNga BAKI YMERI (Bukuresht) (07.09.2011)
FRYMËMARRJA PASZGJEDHORENga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.09.2011)
A ËSHTË NË VETE KY DEPUTETMINISTRI POLLO?Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.07.2011)
FAIK KONICA - JETA NË UASHINGTONPërfaqësuesi Moral i Shqipërisë në UashingtonNga FRANK SHKRELI (07.07.2011)
FUNDI I DEMAGOGJISË POLITIKE TË PRISHTINËS NË NEGOCIATAT PRISHTINË-BEOGRADNga REXHEP KASTRATI (07.06.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]