VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - RESPEKT KOMBËTAR PËR BRANKO MANOLOVSKINNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 12:57am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

RESPEKT KOMBËTAR PËR BRANKO MANOLOVSKIN

Nga SHABAN MURATI


E Premte, 07.22.2011, 11:18am (GMT+1)

Nuk e njoh personalisht Branko Manolovskin. Më vjen keq që gjatë mandatit tim si ambasador i parë i Shqipërisë në Maqedoni, fati dhe rasti nuk e krijuan një takim. Por mora të shkruaj për të nga befasia dhe emocionet e veçanta, që më shkaktoi fjala e tij përshëndetëse në simpoziumin kushtuar patriotit të madh dhe poetit të vyer të Rilindjes Kombëtare, Josif Bageri, mbajtur në Tetovë, më 25-26 qershor 2011, fjalë e cila është hedhur këto ditë në internet. Është një fjalim, që mund të regjistrohet pa mëdyshje si një nga ngjarjet e shënuara të historisë së çështjes shqiptare në Maqedoni dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi.

Shqiptari ortodoks nga Maqedonia, Branko Manolovski, shpalli publikisht se është shqiptar. Është i pari ortodoks në Maqedoni, që afishon publikisht përkatësinë e tij etnike shqiptare dhe se ndjehet krenar për origjinën, gjuhën dhe historinë e komunitetit shqiptar ortodoks në Maqedoni. Ai është i pari ortodoks në Maqedoni, që ndez ekranin e një realiteti të mbyllur dhe të harruar qëllimisht, të ekzistencës së popullsisë ortodokse shqiptare. Branko Manolovski i shpalos opinionit publik të vërtetën tronditëse, se deri në vitin 1948 asnjeri nga fëmijët e fshatit tim dhe të fshatrave fqinje nuk dinim pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbe ose në atë maqedonase, se e tërë popullsia shqiptare e Rekës së Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi kanë pasur vetëm gjuhën shqipe, se shqiptarë ortodoksë ka pasur pothuajse në të gjithë hapësirën e tanishme të Republikës së Maqedonisë.

Mund të thuhet se akti i tij, vërtet heroik, hap një kapitull të ri të rëndësishëm të ecurisë së çështjes shqiptare në Maqedoni, çështjen e komunitetit, asnjëherë të pranuar zyrtarisht, të shqiptarëve ortodoksë të krahinës së Rekës së Epërme. Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë janë një pjesë e popullit shqiptar, e cila pati fatin tragjik të ndodhet në territoret shqiptare, që iu dhanë Serbisë nga Konferenca e Ambasadorëve të fuqive të mëdha, në fillim të shekullit të kaluar. Më 2 janar të vitit 1913, përfaqësuesit e 25 fshatrave ortodokse shqiptare të Rekës së Epërme i drejtuan një letër ministrit të Jashtëm britanik, Eduard Grej, që kryesonte Konferencën e Ambasadorëve, ku i konfirmonin përkatësinë e tyre shqiptare dhe denonconin shtypjen e egër nga autoritetet serbe. Rrethana tragjike ishte se feja u shfrytëzua si mekanizëm i transformimit të tyre etnik, në fillim në serbë, dhe më vonë në maqedonas, kur Tito krijoi Republikën e Maqedonisë.

Asimilimi nga regjimet serbe dhe maqedonase u shoqërua me harrimin dhe heshtjen nga qeveritë shqiptare, që nga 1945 e deri në ditët tona. As gjatë regjimit komunist në Tiranë dhe as gjatë regjimit demokratik, asnjë udhëheqës apo zyrtar i lartë i Shqipërisë nuk i përmendi kurrë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, të cilët kombi shqiptar i humbi në një aksident historik. Në librin tim "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës", (Tiranë, 2009), duke analizuar kategoritë e shqiptarëve ortodoksë të maqedonizuar dhe të shqiptarëve myslimanë po ashtu të maqedonizuar, kam shkruar: "Në një zhvillim vërtet demokratik të shtetit dhe në një realizim të standardeve europiane nga Maqedonia, duhet pritur që këto kategori t'i kthehen deklarimit të përkatësisë së tyre reale të gjakut dhe të racës". Fjalimi tronditës i Branko Manolovskit sjell një kambanë alarmi mbarëkombëtar për fatet e një pjese të popullit shqiptar, që ka mbetur si prushi i shuar nën hi. Dëshiroj të besoj se kushtrimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë krerët e shtetit të Shqipërisë, Presidenti, Kryeministri, kryetarja e Parlamentit dhe ministri i Jashtëm. Jo vetëm që të mësojnë të vërtetën e fshehur dhe të harruar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, por edhe për ta përfshirë çështjen e njohjes së identitetit dhe të ekzistencës së tyre në axhendat shtetërore dhe diplomatike të takimeve me zyrtarët e lartë të Maqedonisë. Dëshiroj të besoj se kushtrimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucionet e specializuara shkencore të albanologjisë, për të përfshirë në studimet dhe ekspeditat e tyre kërkimore komunitetin ortodoks të Rekës së Epërme dhe zonave të tjera në Maqedoni. Sepse është mirë që shkohet deri në Ukrainë apo në Kaukaz për të qëmtuar ngulimet etnike arbëreshe, që kanë mbijetuar në oqeanin sllav, por është e pafalshme që tani, 20 vjet pas shembjes së komunizmit, të vazhdohet me mungesën e një sensibiliteti shkencor dhe akademik për një popullsi shqiptare, që e kemi tek buzët. Dëshiroj të besoj se fjalimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë edhe kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Sepse ishte feja, të cilën autoritetet serbe dhe maqedonase e përdorën si shkopin magjik të transformimit etnik të ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni. Dhe ka një rol për kishën Ortodokse të Shqipërisë për të kërkuar që t'i kthejë grigjës së saj komunitetin ortodoks shqiptar në Maqedoni. Dëshiroj të besoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, qofshin në qeveri apo jashtë saj, do të nxiten të përfshijnë në programet e tyre politike apo të marrëveshjeve me qeveritë maqedonase, edhe çështjen e shqiptarëve ortodoksë. Është pozitive, që do të ngrihet në Shkup një përmendore e përfaqësuesit më të shquar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, Josif Bageri, i cili hapi shkollën e parë shqipe në vitin 1908, në fshatin e tij të lindjes në Nistrovë të Rekës. Por, është e pakuptueshme që disa organe zyrtare në Shkup, refuzojnë kërkesën e banorëve të këtij fshati për t'i dhënë shkollës fillore emrin e Josif Bagerit.

Branko Manolovski shtron një problem të madh, jo vetëm në plan historik, por në radhë të parë aktual. Problemi ka të bëjë me njohjen, identifikimin dhe identitetin e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Ka të bëjë me detyrimin për të mbrojtur identitetin kombëtar, që kërcënohet edhe në ditët tona demokratike. Ai është aq aktual në kohën kur në Shqipëri është paralajmëruar se do të organizohet regjistrimi i popullsisë dhe kur mbi shtresa dhe grupe shoqërore, krahinore apo fetare, po ushtrohet një trysni e jashtëzakonshme, e mbidheshme dhe e nëndheshme, për të transformuar përkatësinë etnike. Dhe sa të mjerë duken ata zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët këshillojnë qytetarët e Shqipërisë që "të deklarohen siç ndjehen e jo siç janë", kur i krahason me racionalizmin dhe shpirtin e pamposhtur të Branko Manolovskit, i cili thotë "nuk e di nëse njeriu ka të drejtë të ndërrojë identitetin e vet etnik, por kurrsesi nuk ka të drejtë tani të falsifikojë atë të prindërve". Institucionet shtetërore dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet t'i kundrojnë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë si relike apo si artifakt arkeologjik, por si pjesë e trungut dhe e trashëgimisë fizike, kulturore, historike dhe shpirtërore të popullit shqiptar në trojet e veta në gadishullin e Ballkanit. Kjo quhet detyra e ringjalljes kombëtare.

Sepse çështja e shqiptarëve ortodoksë të Rekës apo të brigjeve te liqenit të Ohrit, nuk mund të ndahet nga populli shqiptar në Maqedoni. Për fat të keq, përkatësia fetare është interpretuar shpesh si një kufi ndarës etnik, gjë që nuk mund të tolerohet më, dhe komuniteti ortodoks shqiptar duhet të marrë vendin si pjesë e çështjes, e kërkesave dhe e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni. Regjistrimet e popullsisë në Maqedoni që nga 1994, nuk i kanë emërtuar kurrë shqiptarët ortodoksë si shqiptarë, por si maqedonas. Gjërat nuk mund të lëvizin, nëse nuk sensibilizohen partitë politike shqiptare, institucionet dhe OJQ-të e shumta në Maqedoni, për të ndihmuar shqiptarët ortodoksë të fitojnë lirinë e shprehjes së përkatësisë së humbur etnike. Branko Manolovski hedh kushtrimin e madh: "Është koha të rilindin edhe shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë. Këtë ua kemi borxh shpirtrave të prindërve tanë, ia kemi borxh shpirtit të Josif Bagerit".

Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni janë pjesë e pandarë e çështjes shqiptare në atë shtet. Pas pavarësisë së Kosovës, çështja e statusit dhe e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni përfaqëson përbërësin kryesor të çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Kjo nuk ka të bëjë as me ëndrrat folklorike dhe as me rapsoditë e "bashkimeve kombëtare duke prishur shtete të tjera", me të cilat më shumë provokohen nënqeshje nëpër tavolinat diplomatike për shqiptarët, të cilët "nuk janë në gjendje të bëjnë as bashkimin kombëtar të patateve".
Shqiptari i nderuar ortodoks nga Maqedonia, Branko Manolovski foli fjalë profetike dhe dha një mesazh nga më të rrallat dhe më të çmuarit në hapësirat mbarëshqiptare. Ai e meriton një respekt mbarëkombëtar për guximin dhe rrugën e re. Ai e meriton dhe një nderim në formën e dekorimit nga shteti i Shqipërisë, sepse ka kryer një vepër, e cila, për nga vlerat kombëtare, le prapa shumë nga ata të listës së të dekoruarve të shtetit shqiptar. Faleminderit, Branko.

Foto: Branko Manolovski

(http://www.balkanweb.com)  

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LUFTË E FTOHTË MES SERBISË DHE SHQIPËRISËNga Dr. ALBAN DACI (07.22.2011)
QYTETARI MURDOCH - JO MË I PAPREKSHËMNga KATRINA VANDEN HEUVEL, Washington Post (07.21.2011)
NGA GALIPOLI NË SINGAPORNga MAUREEN DOWD, New York Times (07.20.2011)
KOLAPSI I KAMERONITNga ROGER COHEN, New York Times (07.19.2011)
"GRUEVSKI, BOKSIERI DHE POLITIKANI I KEQ NGA SHKUPI"Nga BEQIR SINA, New York (07.18.2011)
PËRPLASJA E BREZAVENga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (07.18.2011)
E DREJTA ËSHTË HAKMARRJA QË HEQ DORËNga AMIK KASORUHO (07.17.2011)
ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPENga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.16.2011)
POLITIKA RUMUNE SI "ALTER EGO" E POLITIKËS ANTISHQIPTARE SERBENga FRANK SHKRELI (07.14.2011)
BOTA SIPAS RUPERT MURDOCHNga DAVID IGNATIUS, Washington Post (07.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]