VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zyrtari amerikan: SHBA po e rikthejnë vëmendjen te Ballkani

Në vend të editorialit


E Shtunë, 05.16.2009, 07:54am (GMT1)

Zëri i Amerikës - Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se me vizitën që Nënpresidenti Xho Bajden do të bëjë këtë muaj në Ballkan, Shtetet e Bashkuara shpresojnë të krijojnë kushtet për një fillim të ri në marrëdhëniet me Serbinë por nuk presin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që Uashingtoni ka me Beogradin për Kosovën. Gjatë turneut të tij që fillon më 18 maj, zoti Bajden do të vizitojë Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili foli me gazetarët me kusht që të mos identifikohej, tha se vizita e Nënpresidentit Xho Bajden në tre vendet e Ballkanit synon të theksojë se Shtetet e Bashkuara po e kthejnë përsëri vemendjen te ky rajon ndonëse në një mënyrë të ndryshme nga vitet 90.

Ai tha se Nënpresidenti Bajden do të takohet me Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, me kabinetin e tij dhe me zyrtarë të lartë ushtarakë serbë.

Zyrtari amerikan tha se ky do të jetë një rast shumë i mirë për t'ja bërë të qartë qeverisë dhe popullit të Serbisë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një fillim të ri në marrëdhëniet me këtë vend.

Uashingtoni, tha ai, dëshiron një të ardhme shumë pozitive për Serbinë në komunitetin euroatlantik dhe si një udhëheqës në rajon. Është e vështirë të përfytyrohet një e ardhme për rajonin pa një rol të rëndësishëm të Serbisë dhe ky është mesazhi që dëshiron të theksojë Nënpresidenti Bajden, tha zyrtari i lartë.

Natyrisht, tha zyrtari, Shtetet e Bashkuara kanë me Beogradin mosmarrëveshje që nuk do të zgjidhen dot, sidomos lidhur me Kosovën. Ne jemi shumë realistë për këtë dhe duhet të gjejmë një formulë që i kënaq të gjitha palët, pra në një kuptim do të duhet të biem dakord që nuk biem dakord. Por ne shpresojmë, tha zyrtari, që Beogradi nuk do të bëjë asgjë që e dëmton Kosovën dhe përpjekjet e saj për ndërtimin e një vendi të fortë, të qendrueshëm dhe funksional.

Ne, tha zyrtari, do të përpiqemi të ndihmojmë për të bindur miqtë tanë në Serbi të përqendrohen tek e ardhmja e vendit të tyre e cila mund të jetë shumë e ndritur. Vizita e nënpresidentit Bajden, tha ai, është një rast për të ecur drejt marrëdhënieve më të ngushta dhe më konstruktive që të mund ta çojnë Serbinë drejt komunitetit euroatlantik dhe institucioneve përkatëse.

Gjatë vizitës që do të bëjë në Kosovë, tha zyrtari, zoti Bajden do të ketë rastin të theksojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë të pandarë, të pavarur dhe shumetnike. Ai do të flasë me udhëheqësit e Kosovës rreth përpjekjeve të mëdha që ata kanë bërë për ndërtimin e një shteti funksional dhe për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Zyrtari tha se ende mbetet punë për të bërë në aspektin e përmirësimit të qeverisjes, të ekonomisë, të bashkëpunimit real me serbët e Kosovës dhe forcimit të marrëdhënieve me shtetet e tjera europiane.

Ai tha se statusi i Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur është i pakthyeshëm dhe komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po e pranon këtë fakt.

Zyrtari tha se me vizitën që Nënpresidenti Bajden do të bëjë në rajon, administrata e Presidentit Obama dëshiron të tregojë se Shtetet e Bashkuara interesohen shumë për investimin që bashkë me vendet europiane bënë në rajon në vitet 90 dhe se dëshirojnë të ecin përpara mbi këtë bazë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.