VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZBUKURIMI I HERONJVE NË KOMPJUTER

Nga REXHEP SHAHU


E Enjte, 08.04.2011, 09:40am (GMT1)

Duke udhëtuar nëpër Kosovë, edhe të jesh i pavëmendshëm, të bien në sy shumë lapidare. Kudo anash udhëve. Edhe pse aty në atë anë a cep udhe nuk është bërë ndonjë betejë e nuk ka rënë ndonjë deshmor. Në vend që të shkojmë e ta ndërtojmë lapidarin aty ku ra deshmori, shkulim eshtrat për ti sjellë atje ku i duhen dikujt.

A nuk do të ishte më fisnike që lapidarin ta bënim atje ku ka ra deshmori? Edhe pse ai vend është larg në mal e do të duhej ndonjëherë të bëhej një copë udhë në këmbë a me makinë për të vendosur ndonjë kurorë a tufë me lule. Fëmijët e shkollave, mbase duke u lodhur pak në këmbë do ta kuptonin më mirë sakrificën e martirëve të lirisë.

Në këto lapidare të betonta, të mëdha dhe të kushtueshme, sheh fotografi dhe portrete luftëtarësh të ngjeshur bukur me uniformat e UÇK-së dhe të armatosur "gjer në dhëmbë" me lloj lloj mitralozësh të rëndë që i mbajnë në krahë.

Në të shumtën e rasteve, kjo lloj paraqitje është e fabrikuar dhe si e tillë shëmton luftëtarët e rënë në luftë, shëmton vetë luftën dhe qëndresën.

Shumica e të rënëve nuk kanë qenë të veshur aq shik sa na i paraqesin në fotografitë e sotme, madje nuk kanë pasur uniforma ushtarake të gjithë. Një pjesë e tyre kanë qenë të veshur si civilë. Natyrisht një gjë e tillë nuk ua ul aspak lavdinë e përjetshme, përkundrazi. Ata s'kanë nevojë të paraqiten si dragoj mitik të tipit Mujë e Halil. As si Skenderbe. Ashtu me pamjen e tyre reale, të rënët janë më të mëdhenj se çdo legjendë e fallsifikuar përmes montazheve kompjuterike. Natyrisht, biznesi është i lejueshëm në shoqërinë e sotme, por ai bëhet i neveritshëm kur merret me luftën, siç është i tillë edhe synimi i dikujt për të privatizuar të rënët dhe qëndresën shqiptare. Është e pakompensueshme trimëria e munguar në kohën dhe vendin e duhur. Ajo nuk mund të mbulohet me britma, sharje e luftë për pushtet me dhunë e armë në kohë paqeje.

REXHEP SHAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.