E Premte, 03.29.2024, 07:26am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

IDENTITETI POLITIK SI PENGESË

Nga AFRIM KRASNIQI


E Premte, 08.05.2011, 09:00am (GMT+1)

Kujtdo i ka ndodhur që në bisedë politike me qytetarë amerikanë, britanikë, gjermanë apo francezë ose të tjerë, të flitet edhe mbi arsyet pse ai beson tek një parti politike, një individ politikan apo një lëvizje të caktuar politike. Në shumicën e rasteve përgjigjja ka qenë e thjeshtë: sepse besoj tek idetë e tyre, sepse u përkas parimeve që ata mbrojnë apo sepse statuti im shoqëror, social apo familjar është i afërt me alternativën që mbron një parti/politikan/lëvizje e caktuar.

Një demokrat amerikan mbron politikat sociale dhe mirëshpërndarjen e të ardhurave; një konservator britanik mbështet fuqishëm traditat, identitetin, simbolet dhe pavarësinë ekonomike e politike; një majtist francez beson tek shteti e fuqitë e tij, mbrojtja ndaj shtresave në nevojë, barazia e solidariteti ashtu siç edhe një demokrat kristian gjerman krenohet me ekonominë e tregut, kufizimin e rolit të shtetit, fuqive ekonomike dhe identitetin familjar, fetar apo kombëtar. Vetë debati i fundit amerikan mbi buxhetin, - demokratë të majtë që kërkojnë një sistem taksash penalizues për të pasurit dhe solidar me shtresat sociale, si dhe njëherësh një e djathtë republikane që kërkon minimizim të rolit të qeverisë në ekonomi, uljen e taksave dhe prestigj amerikan në botë, - reflektojnë këtë dallim të natyrshëm midis dy alternativave mbi të cilat bazohet konkurrenca politike dhe elektorale. Të njëjtat fenomene identifikuese gjenden edhe në vende të ngjashme me realitetin tonë, siç janë Polonia, Hungaria, Kroacia, Sllovenia dhe dy vendet e BE, Rumania e Bullgaria.


Identifikimi politik është pjesë thelbësore e identifikimit të alternativave konkurruese dhe për pasojë, baza prej të cilës nisen votuesit për të zgjedhur midis kandidatëve dhe programeve elektorale. Kjo ndarje mbi vizionin e palëve për shoqërinë dhe vendin e tyre, nuk e përçan, por e pasuron larminë e ofertave dhe shanseve reale për zhvillimin e qëndrueshëm demokratik. Gara e ideve shndërrohet në garën për mandat politik dhe përmes mandatit, në garë për mbajtjen e premtimeve si shenjë besnikërie për votuesit dhe të drejtën e qeverisjes politike të vendit. Në funksion të kësaj gare për jetësimin e pluralizmit partitë mobilizojnë individë e grupe, nxjerrin në pah kandidatë për njësi vendore e mandate parlamentare, promovojnë lider të rinj të sotmes dhe të ardhmes.
Përballë kësaj tradite të suksesshme politike perëndimore dhe, prej më shumë se një dekade, edhe lindore, Shqipëria dhe realiteti i saj politik ndjehen një ishull i izoluar.

Sepse kriteret e identifikimit politik, të garës politike dhe të përfaqësimit politik kanë qenë, janë e vijojnë të jenë shumë më të ndryshme dhe komplekse sesa modelet e cituara perëndimore e lindore. 20 vjet pas rënies së sistemit komunist Shqipëria ka 127 parti politike, nga të cilat 33 parti politike të përfaqësuara në pushtet vendor, 12 parti politike të përfaqësuara në qeveri dhe 6 parti politike të përfaqësuara në parlament; - një numër formalisht i pasur idesh, me një përmbajtje zhgënjyese. Zhvillimi i tyre ka ecur në drejtim të kundërt me parimet, idetë dhe parametrat e evoluimit të partive në shoqëritë e kulturuara demokratike. P.sh., vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që në dhjetë deputetët më të pasur shumica të jenë të majtë, që një e treta e kryesisë së demokratëve të djathtë të jenë ish anëtarë të PPSH-së, që asnjë nga 140 deputetët e parlamentit të mos ketë qenë disident apo direkt ish i përndjekur politik, që krahinat e varfra të periferisë të votojnë të djathtën dhe qendrat e pasura të biznesit të votojnë të majtën; që të kemi ish të përndjekur të majtë dhe socialistë të djathtë, të kemi koalicion midis republikanëve e monarkistëve, midis partive nacionaliste dhe komuniste, etj.


Një votues i ri e të pamundur të kuptojë sesi në Shqipëria e vitit 2011 është ndarë midis dy partive, liderit e të cilave kanë qenë anëtarë militantë të partive kundërshtare, sesi në kryesinë e PS dhe PD gjenden individë të cilët gjatë viteve kanë kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të partisë që sot drejtojnë; apo sesi retorikën më të ashpër pro socialistëve e aplikojnë ish të burgosur politikë dhe retorikën më të ashpër pro demokratëve e aplikojnë anëtarë të familjeve të Bllokut. Për pasojë ne kemi sot socialistë që flasin ashpër kundër politikave sociale në arsim, siç kemi demokratë që flasin po aq ashpër kundër biznesit dhe shtresave të pasura. Mjaftojnë këto detaje krahasimore për të kuptuar se identifikimi politik në Shqipëri bazohet në kritere ekstra komunitare, - besnikëria e njohja personale, shërbimi pa kushte dhe përkatësia familjare e krahinore.


Nuk ka më elita politike që vijnë nga shtresat intelektuale, grupet e traditës apo universitetet perëndimore. Vendin e tyre e kanë qenë kryesisht servilët, imituesit e liderit, shërbëtorët, figurat pa zë dhe identitet, shëtitësit pas pushtetit, individë me interesa personale jopolitike në politikë. Ata dominojnë partitë dhe listat elektorale, kabinetet ekzekutive dhe institucionet e emëruara publike. Për pushtet dhe besnikëri ata janë të gatshëm të ndryshojnë parti e bindje, miq e kostume politike, të mbrojnë gjëra që dikur i kanë urryer dhe të dëshmojnë urrejtje ndaj gjërave që dikur kanë besuar. Ata nuk lexojnë libra, por fjalimet e liderit, ata nuk mendojnë vetë, por siç mendon lideri, ata nuk konkurrojnë për poste, por presin të mësojnë ku janë emëruar nga lideri. Pra, modeli i tyre është bindja e verbër ndaj liderit, lufta pa principe kundër çdo kritiku të liderit, përmbushja financiare dhe administrative e nevojave të liderit, mbështetja pa kushte e çdo nisme të liderit, - pra identifikimi me oborrin e liderit, pa u dhënë rëndësi "detajeve teknike" siç janë bindja politike, formimi politik, parimi politik që beson e mbron, vlerat identifikuese politike apo shërbimi në interes publik. Dhe kur modeli ynë i liderit i përshtatet gjithnjë e më shumë mentaliteteve dhe sjelljeve feudale dhe populiste, oborri i tyre politik nuk ka vlerë politike.


Për këto lloje speciesh tranzicioni pa profesion bazë, pa identitet shoqëror dhe pa kurrfarë vlerash profesionale, intelektuale e publike - nuk ka vlerë shteti, ligji dhe as kushtetuta; kur ata urdhërohen, - sulmojnë e denigrojnë këdo që u del përpara: qytetar apo zyrtar, politikan apo diplomat, gazetar apo qoftë edhe President. Këtë teatër absurd e kemi parë dhe po e shohim edhe këto ditë, si një dëshmi e freskët e nivelit parademokrat të standardeve ku ndodhet jeta politike në Shqipëri. Bezdia që shkaktojnë është aq e madhe saqë nuk gjendet sot një prind, i cili uron që fëmija e tyre t'u ngjajë politikanëve të tillë; nuk gjen qytetarë që gjen tek ata shpresë apo frymëzim; nuk ka autor që të gjejë në mendimin e tyre një frazë me vlerë të referueshme; nuk gjen sot në kontinent një institut, universitet apo qendër akademike që do t'i ketë pjesë të stafeve apo të të ftuarve të tyre, siç nuk gjen një familje normale qytetare që do t'i ketë ata fqinj apo të krenohet me miqësinë e tyre.


Ky bilanc zhgënjyes, dhe jo ca ligje të shkruara, janë hendeku më i madh që na mban larg Europës së vlerave dhe parimeve. Janë mallkimi ynë politik, shansi ynë i humbur dhe argumenti kryesor përgjegjës për nivelin ende të brishtë të demokracisë, shtetit dhe kulturës politike. Rasti ynë dëshmon se kur politika dhe vendimmarrja politike nuk janë produkte institucionale, por çështje individësh të veçantë, humoresh personale dhe përkatësish klanore, atëherë dobësohet ndjeshëm demokracia funksionale, dhe vetë qytetarët mbeten të papërfaqësuar.

AFRIM KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KËSHTU DO TA NDIHMOJ TOKËN E GJYSHIT TIM DHE TË BABAIT TIMFjalimi i Presidentit të SHBA në Gana në korrik 2009 (Ribotim)Nga BARAK OBAMA (08.04.2011)
ZBUKURIMI I HERONJVE NË KOMPJUTERNga REXHEP SHAHU (08.04.2011)
REFLEKTIM MBI EMIGRANTËT: T'IU GARANTOHET MIKPRITJA DHE DINJITETI I POPUJVENga Dr. ALBAN DACI (08.04.2011)
MALLKIMI RACISTNga ROGER COHEN, New York Times (08.03.2011)
ZËNIA E POZICIONEVE NË PRAG TË NEGOCIATAVE PËR STATUSIN SPECIAL TË VERIUTNga AUGUSTIN PALOKAJ (08.03.2011)
SHKODRA NDERON PROFESOR SAMI REPISHTINNga FRANK SHKRELI (08.03.2011)
SULMET NORVEGJEZE RRJEDHIN NGA NJË URREJTJE E RE IDEOLOGJIKENga ABRAHAM H. FOXMAN, Washington Post (08.01.2011)
ËSHTË KOHA QË NORVEGJIA TË PËRBALLET ME ISLAMOFOBINË E SAJNga ASLAK SIRA MYHRE, Washington Post (07.30.2011)
DUHET TË MENDOJMË NDRYSHENga Dr. ALBAN DACI (07.25.2011)
"Newsweek": GABIMI IM MË I DASHURNga MADELEINE ALBRIGHT, ish Sekretare Amerikane e Shtetit (07.25.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]