VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALEANCA KUQEZI TA DËRGOJË NË GJYKATËN KUSHTETUESE LIGJIN ANTIKOMBËTAR TË REGJISTRIMIT TË POPULLSISË

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Djelë, 08.07.2011, 04:23pm (GMT1)

Në një shkrim timin, me titull "Jo regjistrimit të popullsisë sipas midesë së shovinizmit grekokaragjoz", të botuar në internet më 18 korrik 2011, pata nënvizuar:

"Heshtja e Brukselit për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, sipas qejfit të shovinizmit grekokaragjoz, dëshmon shkoqur fare se Bashkimi Evropian kërkon ta shpallë Shqipërinë multietnike dhe mbarë hapësirat shqiptare si hapësira multietnike, ashtu siç e kanë shpallur Kosovën si vend multietnik, çka është një paradoks i kulluar. Me sa duket, Brukseli po punon nën rrogoz, nëpërmjet Greqisë karagjoze, që Shqipërinë ta pranojë në Bashkimin Evropian, pasi kjo të shpallet si vend multietnik, me qëllimin final se në Evropën Juglindore nuk na ekzistuaka komb shqiptar në troje etnike kompakte shqiptare. Ky është një qëndrim armiqësor i Evropës ndaj kombit Shqiptar, i kësaj Evrope, e cila, në raport me etninë shqiptare, është po ajo, të cilën e pati stigmatizuar aq bukur Nderi i Kombit Shqiptar Gjergj Fishta: Kurva e Motit."

Por përmes faqeve të internetit, u njoha me materialin me titull "Aleanca Kuq e Zi: Greqia, autore e ligjit të regjistrimit. Volfarth: të kryhet regjistrimi".

Pra, përfaqësuesi i Evropës në Shqipëri, ambasadori i OSBE-së, zoti Volfarth, urdhëron që të kryhet regjistrimi. Pra, ajo që unë kisha parashikuar me hamendje se prapa Greqisë fshihet Evropa për punën e regjistrimit dhe për qëllimet që duhet të arrijë ky regjistrim i popullsisë në vendin tonë, doli e vërtetë. Më në fund, Evropa i zbuloi letrat përfundimisht dhe e tregoi haptas se "ku fle lepuri" i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, me deklarim të kombësisë dhe të fesë Kjo tregon se gjyshërit e Evropës së sotme, të cilët në vitin 1913 i mprehën mirë thikat dhe i përvolën lart mëngët për copëtimin e trojeve tona etnike, paska lënë pas nipër besnikë të veprës së tyre antishqiptare. Pra, këtë mënyrë regjistrimi, të cilën Evropa vetë nuk e praktikon, përfshirë këtu edhe shtetin karagjoz me emrin Greqi, kërkon t'ia imponojë Shqipërisë, me të vetmin qëllim se nuk i vjen në osh fakti që shumica e popullit shqiptar është e besimit mysliman. Se një vend me shumicë myslimane sikur nuk i përshtatet shumë Evropës së krishterë! Prandaj duhen përmbysur raportet pikërisht përmes regjistrimit me vetëdeklarim të kombësisë dhe të fesë, në mënyrë që të marrë sipërinë elementi i krishterë, të cilin shovinizmi grekokaragjoz, me përkrahjen e Evropës, kërkon ta nxjerrë në tregun e politikës evropiane si "mall grek".

Në këto kushte, Aleanca Kuq e Zi duhet të kërkojë me urgjencë nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin sa më shpejtë të kërkesës për hedhjen poshtë të ligjit antikombëtar për këtë mënyrë regjistrimi të popullsisë. Përveç kësaj, zoti Kreshnik Spahiu duhet t'i drejtohet ambasadës amerikane dhe madje të kërkojë të bëjë sa më shpejt një vizitë në Departamentin e Shtetit për qëllimet e mbrapshta të kësaj mënyre regjistrimi. Koha nuk pret. Siç del nga kërkesa e ambasadorit të OSBE-së, Evropa është ngritur më këmbë dhe kërkon deshqiptarizimin e kombit shqiptar, duke vendosur në pararojë shtetin karnaval të Bashkimit Evropian me emrin Greqi. Paralajmërimet e zotit Kadare (Nuk shtrohet më çështja si më parë: dëbim, shpërngulje, spastrim etnik, por të gjitha këto zëvendësohen nga një fjalë, që tingëllon tepër joshëse për shovinistët ballkanas: deshqiptarizim".) duhet të shërbejnë si zile alarmi për Aleancën Kuq e Zi. Atë që Evropa nuk arriti ta realizojë dot më 1919, për ta zhdukur Shqipërinë përfundimisht nga harta e vet, kërkon ta arrijë tani përmes shpalljes së saj si vend multietnik. Nuk është e rastit vizita e ambasadorit Volfarth në Përmet, atje ku u shkatërrua Pallati i Kulturës që dikur mbante emrin e Naim Frashërit, që për ne është krenari kombëtare. Prishja e atij pallati është sulm i hapur i shovinizmit grekokaragjoz për deshqiptarizim. Nuk është e rastit vizita e ambasadorit Volfarth në Himarë, në këtë palcë të Labërisë, të cilën Greqia karagjoze dhe kisha shoviniste greke kërkojnë ta shpallin zonë minoriteti. Nuk është ngopur ende me copëtime trojesh etnike shqiptare kjo Evropa, e cila ia ka trefishuar sipërfaqen Greqisë fill pas vitit 1831.

Pse nuk ndërmori ndonjë vizitë në Dibër apo në Kukës ose Tropojë ky ambasadori Volfarth, për të propaganduar "të mirat" e regjistrimit sipas formularit Pollo? Nuk e ndërmori se ka për mision të çojë në vend strategjinë e Evropës dhe të shovinizmit te telendisur grek për greqizimin e Shqipërisë së Jugut.

E kuptoj që tani, para Aleancës Kuq e Zi qëndron një detyrë shumë e vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Ajo jo vetëm që duhet të vërë në lëvizje sa më shpejt që të jetë e mundur Gjykatën Kushtetuese dhe të ngrejë në këmbë mbarë opinionin publik shqiptar për mospranimin e kësaj mënyre regjistrimi, por edhe duhet të ngrejë zërin e saj të fuqishëm deri në Departamentin e Shtetit për faktin se në krye të Shqipërisë është një klasë politike mercenare, e cila i ka nxjerrë në ankad interesat kombëtare të vendit tonë dhe është vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit grekokaragjoz.

Prof. dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.