VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DITA QË LINDI NËNË TEREZËN

Nga VISAR ZHITI


E Premte, 08.26.2011, 06:35am (GMT1)

Të futesh në dashurinë e gjithëkohshme me të vetmen gjë që ke: dashurinë, të cilën e ke kthyer në profesion dhe njëherësh ta mbash atë në lartësitë hyjnore, duke bërë të besohet se po aq shumë ajo është dhe njerëzore, e përditëshme...

Të rrish në kujtesën kolektive, madje në ndërgjegjen e njerëzimit, duke u bërë gruaja më e njohur e planetit, vetëm me dobësinë tënde, që është dhe fuqia jote, të vëna në lëvizje nga shpirti ashtu si duart që ledhatonin me dhëmbje duke dhuruar jetë dhe besim.

Dashuria dhe drita të rimarin kuptimin që kishin dhe duhet të kenë përjetë.

Ja, kështu bëre Ti, Nënë moj...

Amen!

* * *

Pasi Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shpalli "Vitin e Nënë Terezës" dhe një sërë veprimtarish në nderim të Saj, Qeveria që ai drejton, mori nismën për prerjen e një sasie monedhash në flori dhe argjend me portretin e Nënë Terezës. Dhe vërtet, buzëqeshja e saj, duart, sikur kanë praruar me flori dhe argjend gjithë këtë shekull të jetës së saj duke na treguar se monedha që nuk zhvleftësohet kurrë është dashuria.

Përsiatje dhe dëshmi për një jetë të madhe

Siç dukej Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, na pëlqen të mendojmë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s'dihet për ç'shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar dhe solli kështu në jetë Gonxhen e vogël më 26 Gusht 1910, ndoshta sërisht në kohë apokaliptike, pas të cilave Shqipëria do të ribëhej.

Familja e saj, Bojaxhinjtë, me tradita patriotike, kishin ikur nga Prizreni në Shkup. Thuhet se të parët e saj, më herët, kishin ardhur nga viset e Shkodrës. Mbase është dëshira që Nënë Tereza të jetë nga kudo, nga çdo copë e truallit shqiptar, nga çdo pjesë zemre.

Duke qenë e një atdheu të pushtuar, i parandolli vetes një mision kryqi. Duke parë mjerime, ideoi brenda vetes që jo vetëm t'i dojë të nëpërkëmburit nga fati mbrapshtë, por dhe t'u përkushtohet atyre me përdëllimin më të qashtër kudo në botë.

Në rrugën e shenjtë që do të merrte, nuk e çoi ndonjë kompleks apo mangësi, përkundrazi. Gonxhja ishte e bukur si emri i saj, si fëminia, gjithmonë me libra në dorë apo me mandolinën, merrte pjesë në kor, në grupin e poezisë, të teatrit.

I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte themeltar i teatrit të qytetit, të cilin do ta helmonin si veprimtar të çështjes kombëtare. Të mbetur jetimë, fëmijët do t'i rriste dhe edukonte nëna Drande. Ajo, vërtet ajo, ishte e shenjtë, do të thoshte Nënë Tereza, që e frymëzoi në ardhmërinë e saj.

Studioi në Irlandë për t'u bërë misionare, murgeshë. 18 vjeçare vete në Indi, ku dhe diplomohet në Universitetin e Kalkutës dhe do të punojë si mësuese dhe më pas si drejtoreshë e Shkollës Superiore e Bijave të Santa Anës.

Vëllait të saj, Lazrit, oficer në shërbim, ajo i thoshte duke buzëqeshur, se ti i shërben një mbreti që ka 2-3 milion shtetas, unë i shërbej një mbreti, që ka gjithë universin, Zotit.

Zgjedh emrin Tereza në nderim të Terezës së vogël franceze dhe e shkruan emrin si të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles dhe mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga dashuria e pafundme ndaj Krijuesit, në vetëflijimin absolut. Ndoshta në thellësi të qenies kishte dhe Rozafën, gruan mitike të murosur në përjetësi. Plagët do të bëheshin atdheu i saj, nga që plagët që nuk kanë atdhe.

Ndërkaq Ajo guxoi të futet thellë në atë që quhet "nata e shpirtit" dhe guxoi të tregojë për dyshimin e saj, sepse nuk e deshi dhuratë besimin te Zoti si pjesa më e madhe e njerëzimit që beson, por kërkoi ta zbulojë vetë dhe arriti përndritjen, duke mos u trembur, atje ku të tjerët druhen aq shumë.

Nëse do të jem e shenjtë ndonjëherë, do të jem Shenjtore e errësirrës, thoshte Nënë Tereza.

Pikërisht meditimi i thellë, stepjet dhe hovi, e bëjnë edhe më të çmuar personalitetin e saj, po aq sa siguria shenjtërore.

Dhe kështu gruaja e brishtë, shqiptarja nga Shkupi, i përkushtohet vuajtjes, po ngrinte shtëpi të misionit të saj bamirës, në ndihmë të jetës, kudo nëpër botë, me qindra, si me magji.

Do të kishte dashur të ngrinte shtëpi të së mirës edhe atje, në vendet e mbyllura, ende me diktaturë. Po dyert s'hapeshin ashtu si dikur në vendin e saj. Trokiste Ajo nëpër ambasadat e Shqipërisë komuniste, trokiste e trokiste, ashtu si zemra, por nuk i thanë: mirsevjen. Mbështeste mbi kangjella kokën e dëshpëruar. A do ta shihte dot nënën? Motrën? Ishin atje, në Tiranë. Në atdheun e saj, i vetmi në botë zyrtarisht ateist, kishin dënuar dhe Zotin.

Kur perandoria komuniste po binte, e lejuan të vijë. Vuri lule mbi varrin e nënës në Tiranë dhe të motrës Age aty pranë. Ajme, dhe mbi varrin e diktatorit lule! Që i bënin shumë më të pakuptimta ligësitë dhe mizorinë e tij.

Paqe tani dhe mëshirë, amen! Por Ajo do t'i gëzohej atdheut që po hapej, që e thirri prapë Zotin, që po ribënte ëndrrën, po kërkonte liri dhe po bëhej pjesë e Europës, po rimëkëmbte mirëqenien. Së pari atë shpirtërore.

* * *

Ka që mendojnë se Nënë Tereza është përtej dhe jashtë kulturës shqiptare, pa një traditë paraprirëse. Madje e gjejnë si të pavemëndëshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ajo, duke qenë shpirt dhe mendje universale, është e pamundur që të mos ketë dhe vendin e saj në atë univers si pjesë të tij. Bota është atdheu i gjithë dhe atdheu është bota e përmbledhur, që janë dhe duhet të jenë në harmoni dhe dashuria e vërtetë nuk është alternativë e njërës apo tjetrës. Vendin tënd mund ta gjesh dhe në vendet e tjera dhe njerëzit e tu i sheh dhe në të tjerë.

Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Shqipërinë nuk ka nevojë të trillohen, ato janë një realitet dhëmbshurie. Dhe është kënaqësi të dëshmohen dhe këtu.

Vërtet ka kultura që nxjerrin personalitete të pritshëm, por ka dhe personalitete që prijnë kultura dhe krijojnë traditë, atje ku dukej se nuk ishte. Këta janë gjenitë. E tillë është dhe Nënë Tereza.

VISAR ZHITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.