VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REAGIM "DISKRET" PAS MIRATIMIT TË REZOLUTËS NGA 57 VENDE TË OKI-T

Nga Elida Buçpapaj


E Premte, 05.29.2009, 08:49am (GMT1)

 

 

Siç dihet, gjatë 23-25 Majit u mbajt në Damask të Sirisë takimi me  Ministrat e Jashtëm të 57-të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI), ku u miratua me unanimitet të plotë rezoluta për Kosovën, e iniciuar nga Shqipëria.

 

Kjo rezolutë u bënte thirrje vendeve anëtarë të konferencës, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të ndërmarrin një hap të tillë. Rezoluta është hartuar nga Shqipëria, ndrësa është propozuar për votim nga Arabia Saudite, vend më me ndikim të fuqishëm tek vendet anëtare të konferencës.

 

Rezoluta kishte një rëndësi të padiskutueshme. Për ta kuptuar këtë mjafton të përmendim angazhimin e plotë të Beogradit përmes pranisë të Ministrit të Jashtëm serb Jeremiç, i cili kishte shpejtuar të shkonte në Siri për të penguar apo deformuar miratimin e kësaj

rezolute.

 

Arsyeja që më bëri t'i shkruajë këto radhë, është se ndërsa OKI vazhdonte punimet në Damask dhe Beogradi i kishte vënë në përdorim të gjitha levat e tij diplomatike për të prapësuar apo për t'i venë stërkëmbsh miratimit të kësaj rezolute, në Tiranë dhe Prishtinë ky eveniment ndiqej me aspak apo shumë pak vemendje.

 

Mungonin gati plotësisht reflektorët e mediave të Tiranës, të cilat shpejtuan të botonin vetëm një dizinformacion, përmes të cilit thuhej se Jeremiçi ishte i pranishëm në Konferencë, dhe se Rezoluta u miratua e pjesëshme, informacione të cilat do të kënaqnin vetëm shijet dhe stomakun e Beogradit, synimi i të cilit është që të vonojë dhe të pengojë sa më shumë që të jetë e mundur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, aq me tepër kur bëhet fjalë për një reaksion njohjesh zinxhir nga shtete anëtare të Konferencës Islamike.

 

Indiferenca me të cilën u ndoq takimi i OKI nga e majta në Shqipëri, por edhe nga politika në Kosovë, më kanë kujtuar këtyre ditëve sulmet dhe akuzat dritëshkurtëra që e majta e asaj kohe ia kishte drejtuar presidentit të asaj kohe dhe kryeministri aktual, kur Shqipëria u anëtarësua në OKI.

 

Ne për çdo ditë dëgjojmë deklarata retorike rreth të ardhmes të Kosovës, e ardhme e cila do të jetë e prekshme dhe konkrete, vetëm kur Kosova të ketë ulësen e saj në OKB. Dhe Kosova do të jetë anëtare e OKB-së jo përmes shfryrjeve të toneve të retorizmit, por përmes rezultateve konkrete, në shërbim të të cilit ishte edhe miratimi i rezolutës nga 57 vende të OKI-t, çka u shoqërua me gati memecëri të plotë në të gjitha nivelet.

 

Nuk pati pothuaj asnjë reagim nga opozita e Shqipërisë, por reagime të vakta për çudi pati edhe nga Kosova, kur minimuni duhet të përshëndetej qeveria e Shqipërisë për arritjen e saj në të mirë të shtetit të ri të Kosovës. Dhe siç mund të merret me mend, miratimi i rezolutës ishte fruti i një pune intensive të shtetit amë, i një angazhimi afatgjatë, që ka qenë gjithnjë prioritet për qeverinë e Shqipërisë.

 

Rrek mendjen dhe nuk gjej asnjë arsye se përse e majta e Tiranës vazhdon të jetë e papërgjegjëshme kur është fjala për çështje të rëndësisë madhore, që lidhen direkt me interesat kombëtare të shtetit, por edhe me interesat afatgjata dhe të stabilitetit afatgjatë të rajonit të Ballkanit.

 

Edhe politika e Kosovës të heqë dorë nga qëndrimet diskrete, aq të matura dhe aq të rezervuara, të cilat nuk janë aspak diplomatike. Sepse diplomacia minimale do të kërkonte që miratimi i rezolutës të shoqërohej si për ata që e miratuan, 57 shtete e OKI-t, si për shtetin, Shqipërinë, që u angazhua për miratimin e saj, nga përshëndetje të të gjithave niveleve institucionale të Kosovës.

 

Në raport me Kosovën, si dhe me të gjithë faktorin shqiptar në rajon, Sali Berisha ka orientuar një politikë thellësisht evropiane, duke e kthyer Kosovën në një prioritet të qeverisë së tij, prioritet që në fakt është jo vetëm i nivelit kombëtar, por edhe rajonal dhe evropian, pra që nuk ka të bëjë aspak me prirjet politike, të majta apo të qendrës së djathtë.

 

Në fund dua të nënvizoj se  megjithë suksesin e padiskutueshëm, që solli miratimi i rezolutës nga 57 vende të OKI-t, ku iu bëhej thirrje vendeve anëtare të njihnin sa më parë pavarësinë e Kosovës, heshtja dhe reagimi "diskret" që shoqëroi rezolutën si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë nuk është aspak në stilin që e kërkojnë interesat kombëtare, rajonale, evropiane dhe gjithëintegruese.  Kjo heshtje mund të justifikohet vetëm duke u nisur nga interesat partiake, meqë Shqipëria ka hyrë në fushatë zgjedhore, interesa  që mbeten kryekëput minimaliste dhe afatshkurtëra. 

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.