VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

UÇK-JA LUFTOI PËR KOSOVË E PËR SHQIPËRI

Nga Prof. Dr. Mehdi HYSENI


E Djelë, 10.02.2011, 04:45pm (GMT1)

 

*** Ata që nuk iu binden fakteve dhe argumenteve, janë injorantë, shpifës, provokues dhe shpërfytyrues të së vërtetës.

- Qe njëzet vjet, disa njerëz psikopatë, injorantë, mendjeshkurtër dhe të verbër po sillen si padronë të egër, duke i skërmitur dhëmbët dhe, duke i vringëlluar "bajonetat" e ndryshkura ideologjike dhe tregtare të grupeve të ndryshme të interesit, se gjoja UÇK-ja, Kosova, kombi shqiptar dhe Shqipëria natyrale, janë pronë private e tyre. Kjo formë e të shkruarit dhe e të vepruarit mbrapshtë e zi, është më se absurde dhe e papranueshme, sepse këto vlera të paçmueshme askush nuk mund t'i përvetësojë dhe t'i personalizojë, sepse janë tapi e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përcaktimet e tyre partiake.

UÇK-ja nuk ka luftuar për formimin e kombit shqiptar, por për çlirimin dhe për bashkimin e tij.

- Ja, ky është argumenti: " Unë ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe për bashkimin e tyre." (Shih: Koço Danaj, Platforma e Shqipërisë natyrale,2009: 20).

Kështu shkruan në BETIMIN e UÇK-së! Këtë askush nuk mund ta kontestojë, por i diskutueshëm është fakti se, ndërkohë, gjatë zhvillimit të luftës, dikush e pat "lakuar" BETIMIN e UÇK-së dhe, para gjithë opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, pat deklaruar se " UÇK-ja, po lufton për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës"!!!

Mbi këtë bazë, UÇK-ja edhe e pat fituar mbështetjen ndërkombëtare të Amerikës dhe të NATO-s. Pra, as UÇK-ja e as populli shqiptar i Kosovës, nuk e kanë zhvilluar rezistencën dhe luftën e përbashkët për FORMIMIN e asnjë KOMBI, por për ÇLIRIMIN e Kosovës dhe për BASHKIMIN e saj dhe të trojeve etnike shqiptare.

Mirëpo, është çështje tjetër se, kush u "ngut", kush "ra pre", kush e reduktoi dhe kush e "hangri" BETIMIN e UÇK-së?

Nëse e vërteta është ndryshe, UÇK-ja është ende gjallë, dhe, ajo mund ta thotë fjalën e vet përfundimtare se për çka ka luftuar? Për formimin e kombit shqiptar apo për çlirimin, për shkolonizimin, për vetëvendosjen dhe për bashkimin e tij.

Lidhur me këtë çështje thelbësore, sa u përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve të mia të deritashme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), lexuesit, mbështetësit dhe aderuesit e UÇK-së mund t'i gjejnë në "ZERIN E KOSOVËS" (prill nëntor 1998), të publikuar në Zvicër, si dhe në librin tim të botuar vitin e kaluar me titull: " UÇK-JA DHE E DREJTA NDËRKOMBËTARE".

Amerika bëri mirë që e shpëtoi dhe e pavarësoi Kosovën nga Serbia kolonialiste!

Pse Amerika e ka krijuar "shtetin e Kosovës" dhe e ka mbështetur UÇK-në, ka bërë shumë mirë, sepse ne, prapë, sikur këtu e 100 vjet më parë ( pa forcën ushtarake, dhe pa mbështetjen ndërkombëtare me në krye Amerikën dhe NATO-n, do të ngelnim nën kthetrat e përgjakshme të sundimit kolonial të Serbisë). Sa për Shqipërinë londineze, të mos ishte Amerika dhe NATO-ja, Serbia na hidhte në Detin e Zi. Çuditërisht dhe për gazin e gjithë botës, Shqipëria londineze na pat lënë me të " dy këmbët në baltën e gjallë" të agresionit, të terrorit, të varrezave masive dhe të gjenocidit çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Ribashkimi i Shqipërisë Etnike, nuk varet nga Amerika, por nga vetë shqiptarët!

*** Derisa politika zyrtare shqiptare është kundër bashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike as Amerika e as profesori nuk duhet të "qortohen" nga diletantët politikë për këtë çështje absurde dhe iracionale!

Shqiptarët sot preokupim kryesor kanë biznesin, luksin, pallatet, firmat, paranë, luftën për karrige dhe për pushtet, përçarjen, diskreditimin, diferencimin e njëri-tjetrit mbi bazën profesioniste, ekonomike, tregtare, grupore, klanore, partiake, mahallore, nahijore, nepotiste dhe burkokratike...etj., e jo, kursesi bashkimin e kombit shqiptar as të Shqipërisë Etnike.

Për këto çështje deformuese dhe të papranueshme të politikës dhe të faktorit të brendshëm shqiptar, kam shkruar një milion herë, qe 20 vjet rresht. Për këtë flasin, edhe disa vëllime të librave të mi në dorëshkrim (të gatshme për botim), prej tyre, vetëm dy të botuara vitin e kaluar në Tiranë.

Andaj, pse Amerika të angazhohet, të luftojë dhe ta bëjë bashkimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, kur vetë Tirana, Prishtina, Tetova etj., jo vetëm se ua "kanë dhënë besën" edhe Amerikës, edhe Bashkimit Evropian e edhe NATO-s se janë kundër bashkimit kombëtar shqiptar dhe Shqipërisë Etnike, por edhe po punojnë me të madhe për arritjen e një qëllimi të tillë-antibashkim, me shpresë se një ditë, do të hyjnë-integrohen në BE. Duke e lënë kështu, prapë, gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike nën sundimin kolonial të shteteve fqinje (Serbia, Mali i Zi, "Maqedonia" dhe Greqia).

Pse Amerika të kalojë "netë pa gjumë", të mendojë, të preokupohet dhe të investojë miliona e miliarda për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, kur vetë shqiptarëve, ashtu sikurse 100 vjet më parë, po iu pëlqen feudalizmi, robëria dhe tirania koloniale, ekspansioniste dhe neokolonialiste e pushtuesve të huaj sllavo-bizantinë.

Pse Amerika të jetë aleat yni për zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, kur shqiptarët e ligj ia fusin njëri-tjetrit "thikën në shpine", në emër të patriotizmit të rrejshëm dhe, në emër të demokracisë, të drejtësisë dhe të pavarësisë ?!

Amerika, do të na ndihmojë atëherë, kur ne e ndihmojmë, e respektojmë dhe nderojmë vetveten, duke mos ia mohuar aftësitë dhe të drejtat njëri-tjetrit.

Amerika do të na ndihmojë atëherë kur anlafabeti t'i bindet të diturit, jo anasjellatazi.

Sa më sipër, për gjendjen e përgjithshme të mjeruar në të cilën sot gjendet kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike, nuk e ka borxh të interesohet as Amerika e as BE-ja, por para së gjithash vetë shqiptarët, ata, ndër të parët, duhet të lëvizin rrotën historike, ekonomike, politike, demokratike dhe gjithëkombëtare drejt shkolonizimit dhe vetëvendosjes së tyre, në mënyrë që në një kohë të afërt, të arrihej bashkimi i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë natyrale.

Së fundi, derisa shqiptarët të vetëdijësohen dhe të mësojnë nga praktika dhe nga pragmatizmi i qytetërimit demokratik realist evropian perëndimor dhe amerikan, që t'ia njohin meritat njëri-tjetrit, të gjejnë gjuhë të përbashkët, duke menduar dhe vepruar njerëzisht dhe kombëtarisht, çlirimi dhe bashkimi i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë natyrale, do të jetë shumë i largët, aq sa të zgjasin ndasitë, intrigat, grackat, inatet, urrejtja dhe përçarjet mes tyre.

Prof. Dr. Mehdi HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.