VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PROF. DR. BAMIR TOPI -SHQIPËRIA DUHET TË NDAHET NGA E KALUARA KOMUNISTE - Nga ILIR HYSA, New York


E Martë, 10.18.2011, 06:43am (GMT1)

I nderuar Zoti President!

Unë quhem Ilir Hysa dhe banoj në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I takoj një familjeje të burgosur dhe persekutuar gjatë regjimit komunist dhe jam gjithashtu ish-student i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990.

Që nga dita e parë e ardhjes në Shtetet e Bashkuara dhe për afro 15 vjet me radhë kam ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe, ashtu si çdo shqiptar i larguar dhe brengosur, zemra më është bërë mal kur atdheu im ka bërë progres dhe jam brengosur kur punët nuk kanë shkuar mirë. Nuk është lajm i ri për Ju Zoti President konstatimi që unë dhe shumë shqiptarë të tjerë bëjmë me keqardhje i faktit se politika e mbrapshtë ka tejzgjatur tranzicionin dhe shqiptarëve iu është sosur durimi.

Marr shkas për të shkruajtuar këtë mesazh nga prononcimi Juaj i ditëve të fundit nga qyteti i Shkodrës pas reagimeve që shoqëruan kthimin në Parlament që Ju i bëtë Projektligjit për Mbeturinat. Ju vepruat drejt dhe shpesh e keni nderuar veten dhe institucionin që përfaqësoni duke dalë mbi partitë politike, por shqetësimi më i madh nuk duhet të jenë mbeturinat e përmendura në projektligj. Mbeturinat më të mëdha Shqipëria i ka në poste të rëndësishme në jetën politike dhe ato kanë rezultuar kryesisht si pasojë e mos hapjes së dosjeve të periudhës së komunizmit.

Shpreh bindjen se Ju Zoti President e dini mirë se Shqipëria nuk do të ketë asnjëherë demokraci të mirëfilltë nëse ajo nuk ndahet nga e kaluara komuniste. Duke përfituar nga lënia në harresë e të ashtuquajturit Ligj i Lustracionit, njerëz të inkriminuar kanë marrë në dorë ekonominë dhe zhurmojnë politikën shqiptare duke ofenduar rëndë të gjithë ata që kanë dhënë jetën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që aspirojnë një të ardhme më të mirë. Kur shohin se çfarë po bëjnë ish-komunistët e konvertuar në demokratë dhe socialistë të vdekurit po thërrasin nga varret: "Pse na tradhëtuat kështuuuu? Hapni dosjeeetttt!" Populli shqiptar është më i zgjuar nga ç'mendojnë politikanët shqiptarë. Ata e dinë mirë se shumë dosje janë zhdukur dhe nuk do të gjenden kurrë. Megjithatë, edhe pse i vonuar dhe i pafuqishëm për të bërë drejtësi, ligji për hapjen e dosjeve do ti qetësonte shqiptarët dhe në mënyrë simbolike do ti lejonte ata të ndaheshin nga e kaluara e hidhur komuniste.

Ata fanatikë të atij sistemi famëkeq u kthyen në kapitalistët më të fuqishëm të ekonomisë së tregut të lirë që dikur kishin dënuar, sharë dhe mallkuar ndërsa ata që u vranë, burgosën dhe internuan presin pafund për drejtësi, shpesh në varfëri të skajshme. Të ish-përndjekurit dhe persekutuarit e regjimit komunist po humbin shpresën por edhe dinjitetin. Ata sorollaten zyrave pafund për dokumenta pafund sepse burokratët e Tiranës, mes të cilëve shumë figura të dyshimta të së kaluarës, duan të majmen.

I nderuar Zoti President!

Këto që po them në këto rreshta nuk janë sajime të imagjinatës por jeta e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë. Këtu po sjell një shembull për ilustrim. Dëshminë e parë të penalitetit për gjyshin tim Bajram Hysa, që u dënua nga regjimi me 30 vjet burg (nga të cilat vuajti 10 vjet) e mora nga Ministria e Drejtësisë në vitin 1993. Polici i shërbimit ma bëri të qartë se mund të ngjitesha në zyrën përkatëse për të marrë dokumentin që kërkoja vetëm duke i paguar atij 5 mijë lekë të vjetra (kuptohet, përveç tarifës që kishte caktuar shteti). Përveç faktit që 5 mijë lekë të vjetra ishin shumë për një student, m'u duk ironik fakti që emri i asaj ministrie ishte Ministria e Drejtësisë dhe kujtova ditët e ftohta të Dhjetorit 1990 kur nga Qyteti Studenti bashkë me shokët e mi studentë thyenim acarin e dimrit me thirrjen: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" dhe u ndjeva i poshtëruar. A ishte kjo Europa që kishim kërkuar vallë? Pavarësisht nga debati që zhvillova me policin, ai fitoi. Unë pagova shumën e kërkuar dhe mora Dëshminë e Penalitetit. Pas disa viteve ajo dëshmi u konsiderua nga qeveria shqiptare e pavlefshme. Dhe kuptohet, unë shkova përsëri dhe u "fala" tek polici.

Pas largimit tim nga Shqipëria, ritualin e policit e mësoi vëllai im që jeton në Shqipëri. Jo vetëm që Dëshmia e Penalitetit doli e pavlefshme disa herë të tjera, por tani burokratët vendosën ti plotësojnë dokumentat për kompensimin duke hequr një vit nga dënimi i gjyshit. Si për ta thelluar më tej dhimbjen, pas 20 vjetësh nga fillimi i proçeseve demokratike, kompensimi është ende në fazën e këstit të parë. Deri kur kjo poshtërsi? Deri kur me gënjeshtra? Mbi të gjitha duhet kuptuar një fakt: Të ish-Dënuarit dhe ish-Persekuarit e regjimit komunist i përkasin pjesës më të varfër të shoqërisë shqiptare. Megjithatë, ata e vlerësojnë hapjen e dosjeve dhe vendosjen në vend të drejtësisë për krimet e komunizmit më shumë se kompensimin financiar të premtuar nga qeveria. Ata duhen vlerësuar sepse duke besuar tek institucionet dhe ideja e shtetit ligjor janë vetëpërmbajtur duke mos i larë hesapet me dëshmitarët e rremë të komunizmit me vetëgjyqësi dhe kanë shmangur një luftë civile mes shqiptarëve.

Një shprehje amerikane thotë "It takes two to tango"(Nevojiten dy persona për të kërcyer tango). Institucioni që Ju përfaqësoni është vetëm njëri nga institucionet që kontribuon në shndërrimin e projektligjeve në ligje. Ju nuk mund të firmosni nëse Parlamenti nuk ua dërgon një ligj të caktuar. Çështja është se pavarësisht se shqiptarëve iu serviret Parlamenti si institucion demokratik, funksionimi i tij lë për të dëshiruar dhe ka shumë pak gjëra të përbashkëta me demokracinë. Ai shpesh degjeneron në sharje dhe klithma të rëndomta me të cilat shqiptarët janë lodhur. Po ashtu, sistemi i drejtësisë duket se nuk po bën hapat e duhura. Kur bisedon rreth drejtësisë, çdo shqiptar të thotë të njëjtën gjë për drejtësinë shqiptare: Çështjet gjyqësore i fitojnë ata që paguajnë. Kjo gjë ju vendos edhe Ju në një pozicion të vështirë. Ju jeni edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ju vërtet që nuk mund të shkoni përtej kompetencave Tuaja, por së paku duhet të ngrini fuqishëm zërin Tuaj kundër padrejtësive sociale dhe luftoni për ndarjen e përgjegjësive për korrupsionin galopant në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Shpesh, duke ndjekur lajmet nga bota, futem thellë në mendime dhe kërkoj të kuptoj se çfarë mendon një njeri që vendos ti japë fund jetës së tij për të vrarë njerëz të tjerë. Duke edukuar veten gjithmonë e më shumë në këtë fushë, kam kuptuar se ndryshe nga steriotipet dhe konkluzionet e nxituara që përdoren në perëndim, duke i lidhur këto veprime me ideologjinë fetare, veprime të tilla shpesh kanë pak ose aspak të bëjnë me ideologji fetare apo ideologji të llojeve të tjera. Eshtë shumë e thjeshtë: Njerëz të dëshpëruar ndërmarrin veprime të paimagjinueshme nga njerëzit normalë. Detyra e shoqërisë është që të parandalojë krijimin e një laboratori shoqëror ku padrejtësia sociale bëhet shkas për individë të dëshpëruar. Shqipërisë nuk i duhen njerëzit e dëshpëruar. Shqipërisë nuk i duhen "suicide bombers" dhe unë si shqiptar që i rreh zemra për vendlindjen sinqerisht shqetësohem kur mendoj se nëse institucionet nuk krijojnë një sens drejtësie rreth të shkuarës, të tashmes dhe ardhmërisë që duam të ndërtojmë, vetëgjyqësia dhe dëshpërimi do të bëhen pjesë e realitetit shqiptar.

I nderuar Zoti President!

Ka kohë që lufta politike ka degjeneruar në një gjuhë vulgare dhe të papranueshme dhe shqiptarët po bëjnë çudi dhe pyesin nëse ka limit për këtë degradim të vazhdueshëm të etikës së politikanëve tanë. Debatet vulgare dhe retorika boshe janë arsyet që Shqipërisë iu mohua për herë të dytë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Shqiptarët po durojnë shumë. Edhe pse të lodhur nga politika, ata po i ndjekin me vëmendje zhvillimet e fundit dhe e kuptojnë mirë se mbushja e faqeve të gazetave dhe emisioneve televizive me përplasjet e ditës mes politikanëve nuk adreson problemet e tyre. Mbi të gjitha, ata meritojnë më shumë. Prandaj Zoti President unë duke besuar se çështjet për të cilat Ju shkruajta më sipër nuk janë vetëm shqetësim i imi, Ju bëj thirrje që përveç qëndrimeve Tuaja konstruktive, Ju të bëheni një zëdhënës gjithmonë e më i fuqishëm i shqiptarëve të lënë në harresë.

Duke mbajtur qëndrime kushtetuese dhe duke u bërë zëri i atyre që nuk kanë zë në Shqipëri, Ju Zoti President do të zini një vend të nderuar në historinë tonë kombëtare.

Faleminderit dhe punë të mbarë!

Përzemërsisht,

Ilir Hysa

________________________________

ILIR HYSA

Ph.D. Candidate in Economics

The Graduate School and University Center

City University of New York

Email: ihysa@gc.cuny.edu

ILIR HYSA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.