E Premte, 03.29.2024, 02:06pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

GJERGJ FISHTA – ÁTË NË LETRAT SHQIPE

Në 140 vjetorin e lindjes nga VISAR ZHITI


E Shtunë, 10.22.2011, 12:18pm (GMT+1)

Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake "Átë", se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm në letërsinë shqipe, por në vetëdijën e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhëmbje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zëmërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet i gjallë vazhdimisht.

Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin "Nobel".

At Gjergj Fishat është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdodik. Kur dikush, p.sh, ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobuz, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg. Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyrje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qendresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Pejsazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *

Sot, më 23 Tetor, bëhen plot 140 vjet nga lindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të venditi e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shterr, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t'i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.

Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmëritsht me Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Përzgjedhje nga Zef Skanjeti për gazetën:

SHQYPNISË

(1909)

T' falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n'gji tand tue rrnue,

Tue gzue t'pamt tand, tue t'hjekë atë ajr t'kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m'dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t'kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t'blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s'dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n'za, qi shndrisin duert e t'lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n'Balkan ti je; ti prej t'Amshuemit.

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t'verës,

qi vallzon n'blerim të prillit;

porsi i ambli fllad i erës,

qi lmon gjijt e drandofillit;

porsi vala e bregut t'detit,

porsi gjama e rrfés zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,

porsi gjumi m'nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

edhe ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka'i bien qiellvet tue flutrue

n't'zjarrtat valle t'ameshimit.

............................................

SHQIPNIA E LIRË

(1921)

Do t'valvitet m'Kaçanik

M'Kaçanik, po, do t'valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q'i prej t'parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s'do t'shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin' na nuk e lshojmë

S'njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n'qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m'cak të vet.

DREDHA E DJALLIT

Tek satirat në "Anzat e Parnasit", përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si "Dredha e Djallit", ku paralajmeron ardhjen e dreqit te kuq (komunizmit) ne Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet perpara se ai te triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)

..........................................

E shka t'lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t'dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t'i a njesë thojt.

Edhe m'duket se per né,

Mor' Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem' kojshi...

Qe, pra, tash se per ç'arsye

Punë n'Shqypni s'jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t'jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t'a rrisim

E me dije mos t'a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s'âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t'vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

MOMI

(1902 )

(MOMI I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)

...Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjale e flasin:

Ç' ka t' ban goja, s' t' ban anmiku...

....................................................

M' kambe kryekungujt prej si u vune,

Duel padija n' krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t'urtit jashte kuvendit.

Duel me faqe t' bardhe tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnise zani atehere i humbi,

T' huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s'e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin...

KOHA E ARIT NE SHQYPNI

(1907)

...Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashke se dy shqyptarë.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n'drite kane dale:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m'nji fjale.

...Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n'krye t'u rritun.

JO, heu paça ! S'jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S'a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtete e tu njehe miza...

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

(Duke u nisur veçanerisht nga kjo "bisede", shënim Z.S.)

Skanderbegu : A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?

Djalli : Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n' Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue...

Shen Pjetri : ...Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni...

...

Skanderbegu : Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?

Djalli : Si jane?... Si i don anmiku...

PALOKE CUCA (Poeme (satirike, 1922)

Fragment

Ah, ju grekomanë - do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,

Me bark n' Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë

Që, sikur orli lëshon permbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t'Shtetit tonë

E llapazana t'sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t'kshtenë*.

......

*- të katolikë

( Sqarim- me "grekomanë" nuk nënkuptohen ortodoksët.)

"KORRUPSIONI"

nga "Gomari i Babatasit"

Kush zhelan-kush sallahan,

Po yrysh lshue t'gjith m'pilaf,

Ta kanë qitë, po, Shqipnin n'grusht,

E toçë brryl mastikë e n'musht,

T'kanë ba zyret monopol

Ç'prej Koplikut m'Konispol,

Franka ar tue grrye me spol,

Do ministra-e Kryeministra,

Tjert prefekta-e nënprefekta,

Kta n'Botore ata n'Foshnjore,

Disa antarë-disa gjygjtarë:

Kush me da tokën e Shqipnisë...

Ju rrugaça e sallahana,

Vagabonda, shakllabana,

Rriqna t'ndyet, mikrobë të kqi,

Qi të mjerës moj Shqypni

Kthellë hi i keni në mushkni,

Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

Po der kur, bre batakçi!

Bre coftina kalbë mbi dhe!

Der kur ju tu' u tallë npër ne,

Do t'na qelbni fis e atdhe?.....

Per do "gazetare"

...

Edhe kshtu po qep e shkep,

Me nji shqipe per gazep

E si t'ishin ne kllapi,

Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,

Pa pase shkrimi as kambe as krye,

N' mereqep kartat kane zhye,

E t' kane pjelle-me nder me thane-

Njata artikuj qe ty dhane

S' t asht der sot me u vu me i kndue.

Se ata, besa - m'ndigjo mue-

Nuk i kane shkrimet zanat:

S' jane per pendë, por jane per shat.

Jo, po, kshtu asht mor t'u ngjate jeta!

Per me shkrue zotni n'gazeta

Duhet shkruesi t' jete ma parë

Njeri i ndershem e atdhetar,

T' jete fisnik, zemer-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t'ket hafije

Mandej duhet qe t' kete dije-

Dije t'hàpt n'ekonomi,

N'histori e ne tregti,

N'politike e ne drejtsi;

Edhe t'dije shk' asht shkolla e msimi

Shk' asht lirija e qytetnimi,

T' jete shqiptar ne shkrim e n'goje,

Fjala n'pende mos t'i ngurroje:

Mbare e mbare punte t'i kallzoje

Me t' ngushtue me kndue perdhuni

Shka nder shtylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiote e laraman,

Qe mendon se per taman

Te tane bote rri n' "sahan",

Çka mund t' shkruej, po t'pyes une ty

Ky qi as byk nuk ka ne krye,

Jo ma tru?...

Lahuta e Malësisë

Fragmente

(Tek Epika shohim te skalitura si postulate pjese te historise se vertete te Shqiperise, te miqve e te armiqve te saj) Shënim i Z.S.)

Por kush tha Zot' Harushes s'Verit *

N'dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t'drejta t'njerit

Si t'duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s'mbolle, mbjell n'arë t'hueja

Der ku t'duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n'duer tueja?

............................................

Bini Toskë ju n'pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkashit

Çohi djelm si shqipe t'lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t'mos u dhimet jeta.

Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre gjallë mbi dhe

Për dhe t'vet kush dekë ka ra

Ai s'ka vdekun, por ka le.

*- Rusia

* * *

(Një ligjerim në gojën e Marash Ucit tek Lahuta... mund te cilesohet si amanet i Fishtes per brezat, nje "shkolle" e vertete edukimi, pse jo edhe per sot... Shënim i Z.S.)

Amanet un "˜jam t'u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta'n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m'u xanë

Mos m'u xanë, as mos m'u nga

Pse n'ditë t'ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T'huejn me fjalë mos t' a poshtnoni;

Bukën para, por t'ia shtroni

N'Shqiptari si a kenë zakoni

.............................................

Edhe n'mend kinje nji fjalë:

Zemres s'frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n'va t'pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *

Per deshmoret ne Letersine Shqipe zor se gjendet ndonje poezi me e bukur e dinjitoze. Po tek Lahuta, tek kanga Ndermjetesia, nje perlë e veçante per harmonine fetare te vertete ne Shqiperi. (Shënim i Z.S.)

...O ata t'lumtë qi dhanë jetën,

O ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,

...............................................

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t'Parët u pa'n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak'lli, bora e serotina:

E der t'kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t'ketë n'det ujë e ranë,

der' sa t'shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n'kangë e n'valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t'jesë tue vlue

për m'ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t'Parit!

--

NË VEND TË EPILOGUT:

poezi kushtuar Fishtës

 

TRI "LULE" NË VARRIN E POETIT

ATIJ QË MË PASUROI

 

Jo të gjithëve,

Po atyre që mund ta besojnë,

Po u them një të vertetë:

Po të mos kisha lexuar Fishtën,

ndjenjen e atdhedashurisë

do ta kisha më të zbehtë.

 

ARMIKU I ANTISHQIPTARËVE

 

Ca pseudoshqiptarë

E quajtën Fishtën shovinist, reaksionar,

Armik i sërbëve, malazezëve, grekëve, bullgarëve,

Po në të vertetë,

Ai ishte armik vetëm i antishqiptarëve.

 

NËNA E POETIT

 

A doni t'ia dini emrin

Asaj Gruaje të madhe që lindi Poetin?

Kush ka dëshirë ta mësojë

T'i lexojë poezitë e tij

Dhe menjëherë do të bindet se ajo quhet: SHQIPNI.

 

Zef Skanjeti

-

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

 

(nga libri "Thesaret e frikës")

 

N'varrin e shembun dhe t'harruem u gjetën

copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.

Çka mund t'bahet me to, o At', veçse skeleti i dorës,

që mbi dhÄ— ka shkrue eposin e vdekun të t'gjallëve

e nan dhÄ— eposin e gjallë të t'vdekunve? Baj kryq

dhe dora m'zhvishet, bien mishi, m'bahet skelet

si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si

shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.

Ranë bujashka fjalësh n'varrin që s'do të vdesi ma.

 

Visar Zhiti

VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LAMTUMIRË IRAKNga FRANK SHKRELI (10.22.2011)
NJË KUVEND SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ARDHMËRINË E SHQIPTARISË NË AMERIKËNga ARTUR VREKAJ (10.21.2011)
E KRITIKOJ TOPALLIN, PO JAM PROGEGE, PROSHKODËR, PROSHQIPËRI E PRODEMOKRACINga ELIDA BUÇPAPAJ (10.20.2011)
LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PROF. DR. BAMIR TOPI -SHQIPËRIA DUHET TË NDAHET NGA E KALUARA KOMUNISTE - Nga ILIR HYSA, New York (10.18.2011)
SHKOLLAT SHQIPE NË GREQI SI SHKOLLA DYGJUHËSHE - NEVOJË E DITËSNga ARTUR VREKAJ, SHBA (10.17.2011)
VATRA PANSHQIPTARE MBUSH 100 VJETNga FRANK SHKRELI (10.17.2011)
SHTOHEN FAQEZINJTË, DERGJEN KUQEZINJTË!Nga REDAN BUSHATI *  (10.15.2011)
GEORGE CLOONEY LE TË BËHET SERB, POR KONSTANDINI I MADH ËSHTË DHE DO TË MBETET ILIRNga ELIDA BUÇPAPAJ (10.14.2011)
SHTËPIA E SHENJTË ME SHPIRTIN E DJALLITMendime për ambasadorin e Shqipërisë në Bukuresht dhe jo vetëmNga BAKI YMERI* (10.14.2011)
NJË PRESIDENT NGA DIASPORA SHQIPTARENga ARTUR VREKAJ, SHBA (10.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]