VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

ZGJIDHJA POLITIKE PAQËSORE-SANKSIONET EKONOMIKE, JO KANDIDIMI I SERBISË PËR NË BE!

Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI


E Djelë, 10.23.2011, 06:57am (GMT1)

*** Bashkimi Evropian (BE), duhet të vendosë sanksione ekonomike kundër Serbisë, jo ta shpërblejë me njohjen e statusit të vendit kandidat për të aderuar në gjirin e tij.

*** Serbët e ndërsyer, të përkrahur dhe të komanduar nga Beogradi, nuk do të heqin dorë nga barrikadimi dhe pushtimi "paqësor" i pjesës Veriore të Republikës së Kosovës, derisa BE-ja, të mos i vërë SANKSIONE EKONOMIKE Serbisë!

Sanksionet ekonomike-alterntiva politike paqësore

-Administrimi i pjesës veriore të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë (sipas Kushtetutës së saj në fuqi të vitit 2006), është i dënueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. Gjithashtu, edhe konfrontimi direkt i Beogradit me KFOR-in dhe me EULEX-in, janë argumente të mjaftueshme, që justifikojnë miratimin e vendimit urgjent të BE-së për vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Serbisë. Ndryshe, është i pashmangshëm konflikti i armatosur midis forcave terroriste okupatore serbe, KFOR-it dhe EULEX-it.

Se, Serbia është e interesuar, të provokojë përdorimin e forcës, që do të shkaktonte konfliktin e armatosur ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, këtë e provoi, edhe përdorimi i mjeteve të forta dhe i armëve snajperë nga ana e bandave terroriste dhe kriminale serbe, me ç'rast plagosen disa pjesëtarë të KFOR-it, si dhe vritet një polic shqiptar e plagosen disa të tjerë (korrik-tetor 2011).

Problemi politik i Veriut të Kosovës, nuk zgjidhet me forcë!

Duke qenë se qeveria e Kosovës gjatë dymbëdhjetë viteve të shkuara, nuk ka pasur kurrfarë politike strategjike për Veriun e Kosovës, së fundi, kjo politikë e dështuar e Prishtinës, si dhe politika imponuese kolonialiste dhe e diktuar nga pozita e forcës e Beogradit, e detyruan KFOR-in dhe EULEX-in, që të involvohet në terren, me qëllim që të krijojnë sundimin e ligjit, të rendit, qetësinë dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e kësaj pjese territoriale të Kosovës.

Mirëpo, me gjithë vullnetin e mirë, me gatishmërinë, me angazhimin e drejtpërdrejtë dhe me ndërhyrjen direkte në terren të KFOR-it dhe të EULEX-it, me qëllim të shtrirjes dhe të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës, ata ndeshën në rezistencën dhe në konfrontimin e strukturave paralele serbe, të cilat që nga 24 korriku 2011, e, edhe tani, kanë vendosur barrikada madje, edhe të betonuara, duke i mbyllur rrugët, që shpiejnë në pikat kufitare doganore në Bërnjak dhe në Jarinje, me qëllim që të ruajnë të paprekur status quo-n 12-vjeçare të Veriut të Kosovës, të adminsitruar nga ligjet dhe nga Kushtetuta e Serbisë(2006), sipas së cilës "Kosova është pjesë integrale e territorit të Serbisë"(!?)

Barrikadat në Veri të Kosovës, duhet t'i heqë vetë Serbia, jo KFOR-i, as EULEX-i e as Policia e Kosovës!

Me gjithë mandatin e tyre, KFOR-i dhe EULEX-i, nuk mund ta zgjidhin problemin serb (të cilët qe 12 vjet nuk e njohin Kosovën si shtet të tyre. Ky është problemi, jo statusi social dhe ekonomik i minoritet serb) në Veri të Kosovës, sepse është problem politik, jo "teknik". Prandaj, në këtë rast, pikësëpari, duhet të reagojë politika dhe diplomacia preventive e BE-së, e cila në bashkërendim me NATO-n dhe me SHBA-të, do të duhej që të dakordoheshin për vendosjen e sanksioneve ekonomike Serbisë, nëse kjo brenda një afati të shkurtër kohor, nuk do t'i heqte barikadat e vendosura, si dhe strukturat paralele kriminale nga Veriu i Kosovës.

Nëse Bashkimi Evropian(BE), NATO dhe SHBA-ja, janë të interesuara që në mënyrë paqësore, të zgjidhet problemi politik i Veriut të Kosovës, atëherë, nuk do të duhej që të autorizonin KFOR-in dhe EULEX-in, të heqnin barrikadat e vendosura nga serbët, e komanduar dhe të mbështetur drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë, sepse në këtë mënyrë, do të vinte në shprehje përdorimi i forcës-shpërthimi i konflitkit të armatosur brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Shpërthimi eventual i një konflikti të tillë armatosur, më së shumti do t'i konvenonte Beogradit, i cili së bashku me Moskën dhe me Pekinin, do t'i vinite në lëvizje të gjitha kombinacionet e mundshme politike dhe diplomatike për ndërkombëtarizimin e Veriut të Kosovës, në mënyrë që një ditë, të aneksohej nga Serbia.

Për të paralizuar një strategji të tillë, që në prapavijë ka copëtimin e Veriut nga Kosova, si dhe imponimin e përdorimit të forcës nga ana e KFOR-it dhe e EULEX-it, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Amerika, urgjentisht do të duhej të bashkërendisnin veprimet e tyre të përbashkëta, ku do të miratonin një vendim unanim për vënien e sanksioneve ekonomike Serbisë, nëse qarqet e caktuara politike të Beogradit brenda një afati të shkurtër, nuk do t'i heqnin barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës.

Kjo është e vetmja formë oportune, e ligjshme, demokratike dhe paqësore, që do ta detyronte qeverinë e Beogradit për heqjen e barrikadave dhe të strukturave paralele shtetërore, të pranishme në Veri të Kosovës.

Sa më sipër, që të ndërpritet konfrontimi direkt i KFOR-it me barrikaduesit dhe me bandat terroriste serbe në Veri, është e domosdoshme, që BE-ja, të vendosë sanksione ekonomike kundër Serbisë, si dhe të ndërprejë çdo formë dialogu me Beogradin, derisa serbët, të heqin barrikadat dhe të lirojnë rrugët e bllokuara në Veri të Kosovës. Ndryshe, është e vështirë që problemi politik i Veriut të zgjidhet me "dialog teknik" dhe në mënyrë paqësore, pavarësisht nga përpjekjet e deritashme të ndërmjetësimit të BE-së.

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.