VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUSH E SHËMTON MALËSINË ME GJAKMARRJE

Nga REXHEP SHAHU


E Enjte, 10.27.2011, 07:51am (GMT1)

Nga mediat mësova para ca ditësh se disa pajtimtarë gjaqesh, jepkan a shitkan vertetime gjaku, për ata qytetarë të cilët janë në gjak në Shqipëri, që t'i përdorin si dokumente për të fituar azil politik në Europë.

Të vënë përpara një presioni, nuk e di se si e se nga, këta pajtimtarë gjaqesh që lëshokan, nënshkruakan e vuloskan vertetime gjaku (!!!), ua hodhën fajin kryetarëve të komunave të Malësisë, të cilët lëshokan vertetime gjaku.

Kjo u bë çeshtje, që iu hodh shpejt hi sipër, ngaqë erdhën në Shkodër disa zyrtarë nga Belgjika dhe apeluan për gjithë shqiptarët që të mos kërkojnë në Europë azil politik për shkak të fenomenit të gjakmarrjes pasi nuk do të jepet azil i tillë politik dhe do të ndëshkohet Shqipëria me rishikim apo anullim të levizjes së lirë në vendet e Bashkimit Europian. Pra, nëse një grup njerzish do të paraqesin në Europë vertetime gjaku se nuk i lejon gjaksi të jetojnë në Shqipëri, që mund të vriten në Shqipëri, Europa do të aplikojë dënimin e radhës kolektiv për gjithë shqiptarët me anulim të lëvizjes së lirë të tyre.

(Thua të ketë dhënë fonde Europa, apo institucionet e saj a shtetet e saj të ndryshme që financojnë projekte, për gjakmarrjen në Shqipëri, për ta shuar atë, për të lehtësuar jetën e njerëzve të ngujuar, për të shpëtuar jetën e të ngujuarve nga gjakmarrja dhe biznesi kriminal i mbajtjes gjallë të gjakmarrjes...).

Teksa shkruaj këto radhë, më vlojnë në mendje e më derdhen më në tastierë fjalët e ca historive të rralla që madhnojnë malsorin shqiptar në situatë gjakmarrje në kohë të hershme.

Dy veta ishin në gjak. I dëmtuari e kërkonte gjaksin, vetëm gjaksin e jo fëmijët e tij. Ai që kish vrarë ruhej dhe lëvizte me shume kujdes. Një ditë shihen në një shteg pasi i dëmtuari kishte dalë të merrte hak dhe vrasësi fshihej. Fillon pushka dhe të dy qëllojnë kundër njëri tjetrit, pasi kishin zënë pozicione. Pas shumë gjuajtjesh, atij që kish gjak për të marrë, që i ishte vrarë vëllai dhe po merrte hak për të, i mbarojnë fishekët dhe nuk qëllon më. Ai që kishte vrarë dhe duhej të lante gjak, duhej të vritej, i thërrët : pse nuk po qëllon më? Mu mbaruan fishekët, përgjigjet ai që do të merrte gjakun. Prite një ball fishekësh, i thotë gjaksi, dhe ia hedh një ballë fishekësh, dhe vazhdo e më qëllo... Malsori që kishte gjak për të marrë, i thotë: Ti po më jep fishekë me të vra unë ty me fishekët e tu? Po, përgjigjet malsori tjetër. Jo burrë, thotë tjetri. Të qoftë falë gjaku! Dhe dalin të dy malsorët nga pozicionet që kishin zënë dhe përqafohen...

Një njeri që kishte vrarë dikënd dhe ishte në gjak, detyrohet fshehtas të shkojë të bluajë një thes drithë në mulli sepse fëmijët i kishin mbetë pa bukë. Tekas kthehej nga mulliri me thesin e miellit ngarkuar në shpinë, i del para me armë ngrehur ai që kishte për të marrë gjak. Të erdh fundi, i drejtohet ai që do ta vriste. Po, i thotë ai që do të vritej. Kam gjak me pague. Vetëm kam një kërkesë. Më lejo ta coj këtë thes mielli në shtëpi se i kam fëmijët pa bukë dhe të jap besën e zotit se nuk kam me hy në shtëpi, por do ta lëshoj miellin te dera e oborrit e pastaj më vra. Se nuk due që t'u shkojë fëmijëve thesi i miellit i lamë me gjakun tim... Malsori që kish ngrehë pushkën dhe do ta vriste, i thotë. Coje miellin e fëmijëve në shtëpi, ta hash me të shëndoshë se unë të fala dhe nuk je më në gjak me mua...

Nuk e di se sa kushton një vertetim gjaku, por e kam bindje të thellë se me gjak shqiptarësh konkretë, me gjakun e kombit shqiptar, me gjakun e pjesës më historike, më heroike, më të lashtë, më shqiptare, më autentike shqiptare, bëhet biznes i madh, i frikshëm e shumë i lig, nga një rrjet i madh nxitësisht pajtimtarësh, organizatash shoqatash gjakpirëse e gjakderdhëse gjaknxitëse pajtuese, donatorë e mbase dhe qeveri dhuruese fondesh për të nxitur gjakmarrje e pastaj për të bërë sikur po shuajnë gjaqet e po pajtojnë shqiptarët.

Nëse nuk ka gjakmarrje, të krijohet. Nëse nuk ka vrasje, të bëhen vrasje, të kryhen vrasje që të kenë cfarë e kë të pajtojnë pajtimtarët... Nëse ishin pajtuar shqiptarët për njëmijë e një arsye në 50 vitet e diktaturës dhe nuk ishin në gjak mes veti por po ua pinte gjakun diktatura, ishin në gjak me diktaturën, (sidomos malsia shqiptare) të rikujtoheshin vrasjet para diktaturës, të ricikloheshin vrasjet, t'ua kujtonin njerzve gjaqet e marra e të pamarra, të falura e ta pafalura dhe të nxiteshin për t'ia nisë nga e para. Dhe kjo u bë biznes që lulzoi shumë për 20 vjet që jetojmë pa diktaturë. Që lulëzoi më shumë në malsi, sepse duhej shëmtimi i malsisë domosdo. Dhe vrasjet që bëhën në malsi quhen gjakmarrje, vrasjet që bëhën në zona të tjera të vendit quhen hakmarrje. Le të jenë vrasje bandash, le të jenë larje hesapesh, por kur ndodh një vrasje në malsi apo në veri të vendit, etiketohen ngutshëm si vrasje për motive gjakmarrje, ndersa cfarëdolloj vrasje në jug apo zona të tjera, etiketohen vrasje për hakmarrje...

Qofsha krejt krejt i gabuar, por ishulli shqiptar i gjakmarrjes prej kohësh po nxitet të jetë i tillë ishull që prodhon krim, që prodhon vrasje në familje, në fis, në gra e fëmijë shkolle, në emër të një kanuni të lashtë e madhështor në vetvete, rregullues përfekt i jetës, kushtetutë mbi kushtetutat e kohërave, i drejtë si ai, dinjitoz si ai, vlerë mbi vlerë shqiptare, por që e përdhosin përditë nxitësit, zbatuesit, diktuesit, skenaristët, atorët, regjizorët, editorët, donatorët, porositësit e akteve makabre të gjakmarrjes në emër të Kanunit duke mos e respektuar në asnjë germë kanunin e duke e përdhosur në mënyrën më bastarde vlerën, vitytin, traditën dhe jetën e shqiptarit, kryesisht të malsorit, për t'ia shëmtuar domosdo e me cdo kusht Shqipërisë, Malsinë e saj.

Malësinë e Bjeshkëve të Nemuna, në prehër të të cilave janë auerodromat e zotave. Para atyre pamjeve shtangesh. Shkembinjtë si të vënë me dorë nga zoti për të ndërtuar shtëpinë e tij, të ngjajnë si mure të stërmëdha të një kalaje të stërmadhe.

Malsinë e grave dhe vajzave kelmendase që veshur me xhubleta, me këmisha të bardha, të bardha si aty e askund tjetër, janë zanat e maleve që shpesh i përmend, endërron e perfytyron njeriu por që nuk i takon kurrë në jetë. Në Kelmend i sheh nga afër zanat e maleve dhe njeriu shtang para bukurisë së tyre.

Malsinë që e fyejnë dhe ia pordhosin kulturën, traditën, Kanunin, Malsinë që para dyqind vjetëve në Bajzë Kastrat, fshat të Kelmendit ka filluar të zhvillohet Mis Bjeshka. Para dyqind vjetësh. Kur nuk e dimë se çfarë spektakli bukurie organizohej në kryeqendrat e kulturës europiane. Xhubleta e ngrirë, e derdhur gjer në fund, e punuar si ajo, në mos qoftë më e arrirë dhe më me art se veshjet mondane të salloneve të Evropës, së paku nuk u len gjë mangut atyre veshjeve. Flokët e miseve por dhe e shumicës së grave e vajzave të Kelmendit të derdhura në format më të bukura të kaçurrelave të ngrira krela krela janë një tjetër veçantësi që qytetërimi e ka hasur në paruket e zonjave mondane nëpër sallat, mbrëmjet apo ceremonitë e rëndësishme të kryeqendrave kulturore të Evropës së hershme.

Malsinë, të cilën komunizmi deshi ta shfaroste, ta zhbënte, të cilës që në vitet 1945 -1946 brigadat partizane shqiptare që nuk hynë dot nga Tamara për atje, hynë nga Jugosllavia e asaj kohe dhe i vranë Kelmendit 146 burra... A nuk ishin boll ato vrasje që duhen bërë të tjera të reja edhe në ditët tona...

Për këtë Malsi është fjala, që duan ta vrasin sot e gjithë ditën, duan ta shëmtojnë me gjakmarrje. Gjakmarrja si fenomen që tashmë po lokalizohet në rajonin e Malsisë së vendit (ndoshta dhe unë po i nxis gjaknxitësit me këtë shkrim që ta shtrijnë gjakbërjen edhe përtej këtij rajoni për të vertetuar të kundërtën e kësaj që them unë) pikërisht mu në zemrën e zemrës së kombit shqiptar, në ashtin e kombit shqiptar, nxitet ethshëm që të sherbejë edhe për të treguar se sa të trashë janë shqiptarët, sa të pashpirt janë shqiptarët, sa pak e vleresojnë jetën e njeriut shqiptarët, sa vrasës e kriminelë të pashpirtë janë shqiptarët, sa pak të denjë janë shqiptarët për Europën, sa të prapambetur janë shqiptarët, se shqiptarët janë me bisht, kanë edhe bisht prapa...

Gjithë qëllimi i nxitjes së gjakmarrjes (po të mos ketë nxitës, s'ka vrasje, s'ka gjakmarrje, po të mos ketë gjakmarrje, s'ka pajtimtarë, s'ka organizata e shoqata pajtimtare, s'ka fonde për pajtim shqiptarësh...) nga struktura të gjëra vendase dhe të huaja, nga sponsorizime të frikshme antishqiptare, bëhet me qëllim të qartë : ta shëmtojnë Malsinë shqiptare, atë palcë të kombit shqiptar, ta shëmtojnë e mundësisht ta shuajnë e shpopullojnë atë zonë të artë ku ruhen rrënjët e lashta të kombit shqiptar si xhubleta shqiptare që më së paku sipas studiuesve është mbi 4 mijë vjeçe; ku është ruajtur dhe ruhet ende i gjallë Cilki i Kreshnikëve, kjo kryevlerë kombëtare që nuk ia ka zili asnjë lloj cikli mbi fytyrë të tokës, asnjë lloj Iliade mbi fytyrë të tokës.

Nuk thotë kot Gjergj Fishta i madh (ah sa duhet sot një misionar si ai...) së në atë zonë rri ora e Shqipërisë.

(Dhe nuk është e rastësishme sot që nxiten vendasit atje që të shesin të gjitha xhubletat që kanë dhe të gjitha lahutat që kanë me çmime të leverdisshme, por jo duke i trajtuar e shitur si vlera të rralla e vecanta kulturore por thjeshtë si vegla muzikore...).

Fenomeni i gjakmarrjes a gjakderdhjes që është i ndezur dhe ndizet sa herë don dikush, apo sponsorizon dikush, në Malësi, p.sh: në Kelmend apo Vermosh, (i përmend Kelmendin dhe Vermoshin vetëm si kryebukuri të kombit shqiptar dhe për asnjë lloj arsye tjetër) në atë zonë e vend perlë mbi perlat e natyrës, e me njerëz si ata, me shpirt e trup me bukuri të frikshme, ku varet në gozhdë Shqipëria, bëhet dhe nxitet edhe me qëllim tjetër të frikshëm (që aktorët lokalë në vend atje, shoqatat lokale atje dhe vendasit në tërsi tek ne, nuk e kuptojnë dhe nuk e rrokin dot, sic nuk kuptojnë edhe pse u futet në xhep ndonjë shuk i majmë parash...), të mos lejohet të përdoret për turizëm kjo zonë vitale, kjo zonë perlë, të mos fitojnë banorët e kësaj zone, të mos fitojë ky komb turistë elitarë, të mos mburret shqiptari me atë pasuri, të mos mrekullohet i huaji me bukuritë përrallore të njerzve dhe vendeve të asaj zone të Shqipërisë së zgjedhur, të mos mbërrijnë kurrë turistët në atë bukuri që ua ka falë vetë zoti shqiptarëve me bujari, por të shkojnë në vendet e tyre, tek fqinjët tanë.

Duke e bërë atë zonë vend gjaku, ku të zen gjaku, ku vritesh për gjak, ku vret për gjak, pa norma, pa rregulla, pa ligje, pa ligje vendi të vjetra që kanë mbajtë në jetë të jetëve gjallë atë vend kryevend të Lekë Dukagjinit, por dhe pa ligje të reja të shtetit që po bën 100 vjet, vend ku jeta nuk ka vlerë, vend ku mund të vritet njeriu për pesë pare spec, po nxisin edhe një shprazje tjetër shumë të rrezikshme, të dhimbshme e të shëmtuar. Vajzat e atyre anëve, bukuri përrallore, që zotat i kanë zili, që janë aq të zonja e madhështore sa që, mbajnë tokën në shpinë e malin në pëllëmbë të dorës, po i martojnë me të huaj në Mal të Zi, apo më saktë me shqiptarë të hershëm të malazezizuar, që nuk dinë e nuk duan më të flasin shqip e të frymojnë shqip.

Nuk jam kundër martesave me të huaj, por jam kundër martesave që bëhen me të shue sepse nuk do ti lejojë askush bijtë e kelmendaseve të bukura të mësojnë gjuhën shqipe, lahutën, të veshin xhubletën. Dhe kështu nga gjakmarrja do të sosen edhe vajzat kelmendase, më të bukurat e botës.

Para më shumë se dyqind vjetësh atje është zhvilluar MIs Bjeshka e kelmendit. Ku ka ndoshur gjetke ky lloj aktiviteti...

Nga diktatura trashëguam mësime se në atë zonë është njohur vec pushka. Nuk e përfilli kush bukurinë e shpirtit të atyre njerzve. Por na i paraqitën të ashpër. Edhe gratë e asaj lloj bukurie të pashoqe na i paraqiten se nuk dinë gjë tjetër në jetë vec të mbajnë armë në dorë. Tringa e Kelmendit me armë, Nora e Kelmendit me armë, Nora e Hotit me armë... O zot! Pse vetëm me armë!? E pse vetëm me armë?!! E pse nuk u cmua e përfill shpirti i atyre njerzve, besa, bukuria etj. Por i mëshohej vetëm këngës, ...shqiptarin nuk e ka lind nëna prej barkut por e ka lind huta prej carkut...

Nuk ka zhvillim në atë zonë, nuk ka projekte zhvillimi në atë zonë, nuk i ndërton kush udhët asaj zone që të zbresin lehtë e shpejt në Shkodër ata banorë kur të duan, të shkojnë në Podgoricë kur të duan, të shkojnë në Prishtinë kur të duan.

Jo vetëm që nuk ka dhe nuk përkrahen projekte zhvillimi, apo më saktë nuk celen rrugët se të tjerat i bëjnë vetë ata njerëz, por jepen donacione për shuarje gjaqesh, për pajtim gjaqesh, duke ndihmuar me mos zhvillim në nxitje gjaqesh e vrasjesh. Sa fonde kanë dhënë donatorët e huaj pajtimtarëve e ngatërrestarëve për shuarje e ndezje gjaqesh. Kush janë donatorët, kush janë financuesit e ceshtjes a fenomenit së gjaqeve në Shqipëri.

Pse donatorët e huaj nuk japin fonde për zhvillimin e zonës, për ndërtimin e rrugëve të zonës, për t'u krijuar mundësi atyre banorëve, për ti përfshirë dhe ato zona në Parkun e madh të paqes.

Mos u vertetoftë kurrë dyshimi im dhe qoftë e thënë të mbetet dyshim i imi, por druaj se edhe një nga shkaqet e nxitjes dhe sponsorizimit të gjakmarrjes në atë pjesë të veriut të Shqipërisë bëhët edhe për shkak se dy nga figurat më të rëndësishme të vendit janë nga ato zona. Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e kuvendit Topalli. Edhe për të shëmtuar këto dy figura kryesore të vendit nuk është cudi që sponsorizohet gjakmarrja në atë vend.

Edhe për të shëmtuar katolikët e Shqipërisë dhe për pasojë gjithë katolikët, që një zot e di si nuk reagojnë që nga Papa e jo më institucionet katolike në Shqipëri, sponsorizohet gjakmarrja në pjesën katolike të Shqipërisë. Nuk di ç'do të bënte në të tillë rast i madhi Fishta... e mijëra dijetarë e urtarë katolikë të atyre anëve që janë krenari kombërtare shqiptare.

Duket se po nxitet si ceshtje mode të dëgjojmë e shohim spektakle gjakmarrje në veri të Shqipërisë, në pjësën katolike të Shqipërisë, për ti thënë botës se edhe katolikët në Shqipëri janë të trashë dhe jo vetëm myslimanët e ortadoksit shqiptarë. (do zoti dhe ky shkrim nuk nxit kend që të ndezin gjakmarrjen në pjesët myslimane e ortodokse të Shqipërisë...).

Me anë të gjaksave, të nxitësve, të soponsorizuesve, të doracëve, të vrasësve, duke e bërë jetesën të pasigurtë, duke i vrarë djemtë, duke e shkretuar jetën, po shuhet, shitet e po zhbëhet pjesa e ashtit të shqiptarëve, para syve tonë, para hundës tonë, dhe nga mosdashja e ndoshta edhe nga dashja e ndokujt, po ngulmohet të shitet e shuhet pjesa e krenarisë së kombit, rrënjët dhe ashti i tij. Duke ditur gjakndezësit se pa Malsi nuk ka Shqipëri.

REXHEP SHAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.