VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

VETËVENDOSJA NUK ËSHTË LËVIZJE FASHISTE, POR DEMOKRATIKE EVRO-PERËNDIMORE

Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI


E Premte, 10.28.2011, 06:51am (GMT1)

*** Në Kosovë nuk ka parti, lëvizje dhe fronte fashiste, por vetëm parti politike, kombëtare, demokratike dhe paqësore shqiptare. Recidiva të fashizmit ka vetëm në veri të Kosovës, atje ku janë grumbulluar bandat terroriste serbe të Beogradit, të cilat, që nga viti 1999, po veprojnë lirshëm dhe pa kurrfarë pengese në territorin e huaj, me qëllim që ta copëtojnë dhe aneksojnë në favor të sovranitetit kolonial të Serbisë.

*** Aktet, sjelljet dhe kritikat e papeshuara politike nga individë të ndryshëm (qoftë brenda politikës, qoftë jashtë saj), nuk mund të quhen fashiste, por të gabuara, jodemokratike dhe joparimore. Nëse unë (për interesa dhe për qëllime të mia politike, ekonomike, tregtare etj.) nuk e mbështes dhe, nuk e simpatizoj Lëvizjen Vetëvendosje, kjo nuk do të thotë se, ajo "është fashiste", në asnjë mënyrë.

*** "The French Ambassador to Kosova, Jean-François Fitou has not changed his stance regarding his evaluation that the activists of Vetevendosje Movement did fascistic behavior during the debate on Monday by stopping the debate of minister Bajram Rexhepi." (See in http://kosovapress.com/ks/beta/Prishtina,10/25/ 2011).

Ky vlerësim i pandryshueshëm i ambasadorit frëng, Jean Fraçois Fitou ndaj veprimtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, është i ngutshëm, i gabueshëm dhe i paqëndrueshëm, sepse Lëvizja Vetëvendosje (në asnjë aspket të programit politik dhe të sjelljeve të veprimtarëve të saj në jetën e përditshme politike) nuk ka karakter fashist, por demkoratik, paqësor dhe kombëtar, me orientim evroperëndimor.

Këtë të vërtetë, do të duhej ta mbanin parasysh si ambasadori frëng, Jean Fraçois Fitou, ashtu edhe të gjithë faktorët e tjerë ndërkombëtarë, të pranishëm në Kosovë, sepse në asnjë pjesë të territorit të Kosovës, nuk ka të pranishme tendenca, liderë e as parti politike shqiptare me program dhe me aktivitete fashiste, që i përkasin një periudhe të largët dhe të errët të nazifashizmit të Adolf Hitlerit dhe të Benito Musolinit, me përjashtim të pjesës veriore, ku vërtet sundojnë formacione të ndryshme çetniko-fashiste serbe, të cilat hiq më pak se 12 vjet, në mbështetje të qeverisë së Serbisë (për shkak të pretendimeve të saj territoriale, si rrjedhojë e vazhdimsisë së politikës së saj kolonialiste dhe hegjemoniste ndaj Kosovës), po veprojnë në forma të ndryshme joligjore, jodemokratike dhe jopaqësore, me qëllim që të përmbysin rregullimin dhe sistemin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Diplomacia e Francës në anën e pavarësimit të Kosovës

Unë, sikurse të gjithë shqiptarët e Kosovës, kam respekt dhe i vlerësoj lart përpjekjet dhe angazhimin politik, diplomatik, humanitar dhe ushtarak të Francës, të bërë në kuadrin e aktivitetit të gjithmbarshëm të NATO-s, të BE-së, të OKB-së, të OSBE-së dhe të Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe vetëvendosjen e Kosovës nga sundimi kolonialist, fashist dhe hegjemonist 100-vjeçar i Serbisë (1912-1999).

Mirëpo, ende nuk e kam të qartë pse z.ambasador Jean François Fitou u zemrua aq shumë që Lëvizjen Vetëvendosje, e karakterizoi si "fashiste"?!

Siç bëjnë të ditur masmediat e ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, motivi reagues, pse ambasadori frëng, Jean F. Fitou ishte indinjuar aq keq, sa që Lëvizjen Vetëvendosje, e quajti "fashiste", ishte ky: "Derisa ai dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, po mbanin një ligjëratë para studentëve në Institutin e Studimeve Evropiane (ISPE) lidhur me liberalizimin e vizave, pas fjalimeve të ministrit dhe ambasadorit, një aktivist i Vetëvendosjes e ka akuzuar ministrin Rexhepi për mosprani në veri të vendit dhe më pas disa aktivistë të tjerë kanë fishkëlluar dhe hedhur pamflete në sallë, me ç'rast kanë ndërprerë ligjëratën."(Shih: //www.lajmeshqip.com/kombetare/fitou-aktivistet-e-vetevendosjes-fashiste//24/10/2011).

Ky reagim ndërhyrës i veprimtarëve të Vetëvendosjes, gjatë ligjëratës së theksuar të z.ambasador Jean François Fitou dhe ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, mund t'i ketë shpërqëndruar ata nga tema e debatit, si dhe t'i ketë shqetësuar në atë moment për "ngulfatje" të demokracisë në Kosovë, mirëpo, në asnjë mënyrë nuk mund të kualifikohet si reagim me përmbajtje "fashiste", ashtu siç është shprehur gabimisht dhe me nguti, z. Fitou.

Në këtë rast, nuk pretendoj që kolegut tim sipas profesionit (edhe pse unë praktikisht nuk e ushtroj asnjë funksion diplomatik në kuadrin e MPJ-së së Kosovës, por kam doktoruar diplomacinë dhe marrëdhëniet politike ndërkombëtare), ambasadorit Jean François Fitou, t'i shpejgoj se çfarë kuptimi ka termi "fashizëm", sepse ai e di këtë shumë mirë nga historia e diplomacisë së Luftës së Dytë Botërore ngaqë edhe Franca e tij nën regjimin kuisling të Philip Petain-it ka vuajtur disa vite nga pushtimi dhe sundimi nazifashist gjerman (qershor 1940 gusht 1944), derisa gjenerali dhe ish-presidenti i Republikës së Pestë Frënge, Sharles de Gaulle së bashku me Lëvizjen e Rezistnecës "Franca e Lirë" e ka çliruar Francën më 25 gusht 1944.

Historikisht (që nga Revolucioni borgjez i vitit 1879), Franca është një nga vendet e para të Evropës, që ka hartuar dhe respektuar Kartën për të Drejtat dhe Lirtë e Njeriut. Gjithashtu, në vitet e 50-ta të shekullit XX, Franca, e cila, veçse ishte nismëtare, ajo qe edhe themeluese dhe, kishte meritat më të mëdha për formimin e "Tregut të Përbashkët Evropian" (TPE), më 25 mars 1957, që më pas u zgjerua në Bashkimin Ekonomik Evropian (BEE), që sot njihet me emërtimin Bashkimi Evropian (BE). Po ashtu, në nëntor të vitit 1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Farnca së bashku me SHBA-të, me Kandanë dhe me Bashkimin Sovjetik, u tregua shumë aktive në miratimin e "Kartës së Parisit për një Evropë të Re", që njihet si "Karta e Parisit", e hartuar mbi bazën e Aktit Final të Helsinkit (1975) për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe për sigurinë, për bashkëpunimin dhe për paqen evropiane.

Sa më sipër, duke mbajtur parasysh traditën dhe vlerat e derisotme demorkatike të Francës në aspektin e realizimit t drejtave demokratike dhe lirive të njeriut si vlera universale ndërkombëtare, habit fakti se si z.ambasador Jean François Fitou ka mundur të nxjerrë këtë konkluzion denoncues në adresë të veprimtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (të cilët nuk kanë përdorur kurrfarë mjete të dhunës, nuk kanë ofednuar e as nuk kanë shpërndarë kurrfarë pamfletesh me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese fashiste në ligjratën e përbashkët me ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi), duke nënvizuar se "Gjëja e parë që duhet të bëni është të mos silleni si bandat fashiste. Ne jetojmë në një vend demokratik dhe mendimet e ndryshme për dialogun, për Evropën etj., pranohen. Por, të vish në një takim, ta fyesh ministrin e të flasësh banalitete, më falni, por kjo është Evropa e vitit 1943. Kjo është fashizëm. Dhe këto veprime vendi im dhe të tjerët do t'i kundërshtojnë"( http://kosovapress.com/ks/beta/Prishtina,10/25/ 2011).

Nga ky kualifikim "pedagogjik" se si duhet të sillemi në një shoqëri të sotme demorkatike, mungojnë argumentet dhe provat materiale për të dëshmuar "fashizmin" e përshkruar të z. Jean François Fitou, kur thotë: "të mos sillemi si banda fashiste"!!! - Po kush janë ato "banda fashiste"? Kur dihet se ata ishin veprmtarë të Lëvizjes Vetëvendosje! Pavarësisht nga alergjia dhe aversioni i disa qarqeve të caktuara të politikës së brendshme në Kosovë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ajo në asnjë segment nuk mund të karakterizihet si "fashiste", por është një subjekt politik, që ka program politik, demokratik, liridashës, kombëtar dhe paqësor, që të gjitha këto atribute përbëjnë kuentisencën e së drejtës së vetëvendosjes së një shoqërie të ligjshme, humane, të lirë dhe demorkatike.

Gjithashtu, ofendimi apo vulgariteti, i shprehur nga ndonjë individ i pacipë, nuk mund të kualifikohet si "fashizëm", por si delikt kundërvajtës ose penal, i dënueshëm sipas ligjit apo akteve nënligjore të një vendi.

Pra, në rastin konkret, ashtu siç është shprehur z. Jean F. Fitou, nëse aktivistët e Lëvizjes Vetëvendose e "kanë ofenduar dhe vulgaruzuar" ministrtin Bajram Rexhepi, ai sipas detyrës dhe ligjeve në fuqi (nëse ka prova materiale), mund të ngrejë padi kundërvajtëse a penale kundër tyre, por jo, kursesi nuk ka të drejtë, as kurrfarë argumentesh të vlefshme, që veprimin e tyre, ta quajë "fashist" apo "banditesk", ashtu sikurse i ka cilësuar ambasadori i nderuar z. Jean F. Fitou!!!

Për fund, nganjëherë, edhe unë, nuk pajtohem me disa sjellje dhe me reagime në terren të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por në asnjë mënyrë nuk kam të drejtë morale, as ligjoe, që ato t'i kualifikojë si sjellje a reagime " fashiste", por vetëm si dobësi dhe të meta të organizimit politik. Kjo është alfa dhe omega e demokracisë-ke të drejtë të kritikosh, por, njëherazi, edhe të jesh i kritikuar, pavarësisht nga fakti se, mban ndonjë pozitë të lartë shtetërore, sikurse që është fjala për ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili, në rastin konkret, veproi drejt, që veprimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e cilësoi "fashizëm" atë (me gjithë gjithë arrestimin dhe keqtrajtimin e tyre nga policia e tij), ashtu sikurse bashkëligjëruesi dhe bashkëshoqëruesi i tij, z. Jean François Fitou.

Oponenca dhe mospajtueshmëria politike ndërmjet subjekteve politike në një vend demokratik siç është Kosova, nuk quhet "fashizëm", por garë politike për pushtet. Ndërkaq, fashizëm do të thotë: " Forna më e egër dhe më e hapur e diktaturës, që karakterizohet nga terrorizmi, nga shovinizmi e nga racizmi, që zhduk çdo liri demokratike e që synon të pushtojë popuj dhe vende tl tjera etj."(Fjalor i shqipes së sotme, 2004: 322).

Edhe pse disa "kafshë politike" të Aristotelit, oponentë të vrazhdtë politikë shqiptarë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga frika e humbjes së pozitave privilegjuese të tyre në pushtet dhe e humbajes së biznesit të tyre korrupcionist dhe të krimit të organizuar (që është një nga plagët më të rënda në Kosovën e pasluftës) vazhdimisht dhe në mënyrë sinkronizuese po bëjnë përpjekje që çdo formë të veprimit të saj (qoftë brenda, qoftë jashtë parlamentit të Kosovës), ta përbaltin, ta zhvelftësojnë, ta komepremetojnë, ta izolojnë dhe ta eliminojnë nga skena politike, e mbi të gjitha luftën kryesore po e bëjnë që, Lëvizjen Vetëvendosje, ta konfrontojnë me faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, qëkur kjo është shpërfaqur në skenën politike në Kosovë, si subjekt politik opozitar me program dhe me vizion kombëtar, demokratik dhe paqësor, kurrë nuk do ta arrijnë qëllimin e fundit, që këtë ta armiqësojnë as me Amerikën, as me NATO-n , as me BE-në, as me OSBE-në etj.

Pavarësisht nga pikëpamjet, konceptet dhe reagimet e kundërshtarëve të ndryshëm të spektrit politik shqiptar në Kosovë ,Lëvizja Vetëvendosje ipso facto nuk është fashiste, por e lufton çdo formë të fashizmit, të terrorizmit, të shfrytëzimit, të kolonizimit dhe të copëtimit të Republikës së Kosovës.

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.